Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: 225 vjetori i Kushtetutës së SHBA
E shtune, 22.09.2012, 06:39 PM
''NOVUS
ORDO SECULORUM''
225-VJETORI I KUSHTETUTËS SË SHTETEVE TË BASHKUARA
Nga Frank Shkreli
Më 17
Shtator, Shtetet e Bashkuara festuan Ditën e Kushtetutës, ditë këjo që në të njëjtën
kohë shënoi edhe 225-vjetorin e nënshkrimit të Kushtetutës amerikane që konsiderohet
si një ''dokument i gjallë''. Kushetuta, si një arritje pas shumë kompromisesh
nga një numër delegatësh që përfaqësonin interesa të ndryshme, përcakton
parimet themelore për një qeverisje demokratike si edhe të mbrojtjes së të drejtave
të qytetarëve. Mbi të gjitha, Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara është një dokument
i cili kufizon kompetencat e qeverisë federale, me qëllim për të ruajtur dhe për
të zgjëruar të drejtat individe të personit. Këto, sipas Kushtetutës amerikane,
arrihen nepërmjet një numëri masash të parashikuara në atë dokument, përfshirë kompetencat
dhe të drejtat e shteteve, themelimin e tri degëve me kompetenca të barabarta të
qeverisë federale të qëndrës -- dmth, degët ekzekutive, legjislative dhe
juridike -- si edhe sistemin elektoral të zgjedhjeve. Në periudhën kur u miratua kushtetuta amerikane,
asnjë vend tjetër në botë nuk qeverisej nga tri degë të ndryshme e të pavarura
të qeverisë.
Kushtetuta
e Shteteve të Bashkuara që fillon me fjalët, ''Ne, populli i Shteteve të Bashkuara,
për të themeluar një bashkim më të përsosur, për të vendosur drejtësinë…për të siguruar
bekimet e lirisë....'' u miratua më 17 Shtator 1787 nga Kuvendi Kushtetues në qytetin
Filadelfia dhe hyri në fuqi më 4 Mars të vitit 1789.
Ish-kryetari
i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, Uorren Burgër shkroi 25 vjetë më pare,
me rastin e 200-vjetorit të miratimit të Kushtetutës Amerikane se ‘’në vend të absolutizmit
të një mbretërie, liritë që dalin nga ky dokument krijuan mundësi jashtzakonisht
të mëdha për individët. Ç’prej asaj kohe’’, thotë ai, “njerëz të shtypur dhe të
diskurajuar nga të gjitha anët e botës vazhdojnë gjithnjë të vinë në këtë vend
për të jetuar në liri.’’ Dhjetë shtojcat
e para të kushtetutës garantojnë të drejtat dhe liritë që amerikanët gëzojnë sot
e që përfshijnë lirinë e fesë, lirinë e fjalës, lirinë e shtypit, lirinë për të
protestuar, e tjera.
Dy qëllimet
kryesore të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ishin, si të thuash, një kontratë
shoqërore e një filozofie demokratike që përfshinte ''themelimin e një bashkimi
më të përsosur'' të shteteve amerikane si dhe ''sigurimin e bekimeve të lirisë''
për çdo individ, jo vetëm për brezin e atëhershëm, por për të gjithë brezat që vijnë
më vonë. Përcaktonte pra, një qeverisje
të ''lirisë dhe të Bashkimit, tani dhe për gjithmonë'', ose një ''Novus Ordo
Seculorum'', një rend të ri për shekuj, siç është e vërtetësuar edhe në vulën
zyrtare të Shteteve të Bashkuara.
Në fillim
të debatit prej disa muajsh, rreth përpilimit të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara
në vitin 1787, 55 burrat përfaqsues nga 12 kolonitë e para zgjodhën Xhorxh
Uashingtonin kryetar të Kuvendit dhe Xhejms Madisonin si njeriun që do të bashkërendonte
debatin. Themeluesit largpamës të kombit amerikan, në debatin mbi kushtetutën e
re, merrnin mësime nga historia e kaluar dhe shikonin përpara drejtë së ardhmes,
duke qenë të vetdijshëm dhe ndërgjegjës se vendimet e tyre do të kishin pasoja
të mëdha për brezat e ardhëshmen, ndër shekuj.
Tomas
Pejnë, njëri prej zërave më të dalluar të Revolucionit Amerikan, frymëzoi
kolonitë amerikane si edhe përpiluesit e kushtetutës së re të vendit në lidhje
me atë që është quajtur ''rend i ri'' i Epokës Amerikane, duke shkruar në atë kohë
se ''Kauza e Amerikës është pëgjithësisht edhe kauza e të gjithë njerëzimit. Shqetsimet tona në këtë periudhë nuk janë vetëm
për sot, ose për një vit ose edhe për një shekull...kemi të bëjmë me një periudhë
të gjatë shekujsh, deri në mbarimin e botës.''
Si i tillë,
miratimi i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ishte një moment me rëndësi
historike jo vetëm për Amerikën, por edhe për të gjithë botën. Ajo ishte një kushtetutë që për herë të parë në
histori u shkrua nga ''populli për popullin''.
Ndryshe nga pjesa tjetër e botës së asaj kohe, Kushtetuta e re amerikane
nuk lejonte që frenat e qeverisjes të merreshin në dorë nga më i forti, sepse
ajo u përpilua nga përfaqsues të zgjedhur nga vet shtetet, të cilët si pjesëmarrës
në shpalljen e pavarësisë, ngulnin këmbë që kushtetuta të mbronte të drejtat e
qytetarëve, të drejta këto që ata ia kishin njoftuar botës në dokumentin e
Shpalljes së Pavarësisë disa vite më parë, më 1776.
Mbi rëndësinë
e Kushtetutës së re amerikane dhe mbi rolin dhe efektin që ajo do të kishte
edhe për pjesën tjetër të botës, Xhorxh Uashingtoni pat shkruar se themelet e këtij
vendi nuk u vendosën në një periudhë pa-dijeje ose injorance dhe bestytnie,
''por në një periudhë historike kur të drejtat e njerëzimit u përcaktuan, u
njohën dhe u kuptuan më mirë se në çdo periudhë tjetër më parë'', e për të cilat
nevojitej një dokument që do t’i siguronte dhe do t’i mbronte këto të drejta,
mbi të gjitha lirinë e individit.
Megjithëse
Xhejms Madisoni konsiderohet si babai i Kushtetutës amerikane, në të vërtetë,
Kushtetuta ishte një produkt i kontributeve të gjithë atyre burrave që ishin të
pranishëm në Kuvendin Konstitucional, patriotëve të shtetit të ri amerikan, të cilët
me luftë dhe me penë siguruan fitoren e Revolucionit Amerikan. 225 vjetë më parë, pas debateve të ashpëra,
ata përpiluan dhe miratuan Kushtetutën amerikane që sot konsiderohet si
dokumenti ligjor më me influencë dhe njëri ndër më të vjetërit në botë. Thuhet se mbi 100-vende anë e mbanë botës e
kanë përdorur atë si model për projektimin e kushtetutave të tyre, sidomos pas
Luftës ës Dytë Botërore. Gjykata e Lartë
e Shteteve të Bashkuara e ka interpretuar atë gjatë 225 vjetëve të kaluara, për
t'iu përshtatur kohërave mderne, por parimet bazë të Kushtetutës Amerikane
mbeten ato që ishin, pothuaj të pa ndryshuara ç'prej fillimit. Është një dokument me influencë i cili për 225
vjetë ka mbijetuar si gur-themeli i shtetit dhe i qeverisjes amerikane, por
edhe si garantues i të drejtave të çdo qytetari amerikan.
Falë Kushtetutës
së Shtetve të Bashkuara, për më se dy shekuj tani, populli amerikan ka bërë përpjekje
të mëdha dhe të vazhdueshme për të ruajtur dhe për të përhapur parimet e lirisë
dhe të tolerancës në vend dhe anë e mbanë botës. Në kohë lufte dhe në periudha paqeje, është fryma
amerikane e lirisë, e mishëruar në Kushtetutën e këtij vendi – e që ka
mbijetuar për të mbrojtur të drejtat e të gjithë njerëzve, që ata të gëzojnë,
sipas kushtetutës, “bekimet e lirisë’’, dhe që secili të ushtrojë përgjegjësitë
që i takojnë – ajo që e ka bërë të mundur përforcimin dhe mbijetimin e
demokracisë amerikane, me gjithë sukseset dhe të metat e saja, për më shumë se
dy shekuj.
Imazh
artistik i nënshkrimit të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara