Kulturë
Kalosh Çeliku: Liqeni ky burrë - muzë i poetes rebele
E merkure, 12.09.2012, 07:34 PM
LIQENI KY BURRË - MUZË I POETES REBELE
(Flora
Sela - Kastrati: Burrë e kam Liqenin (poezi), botoi “ASDRENI” – Shkup, 2012)
NGA KALOSH ÇELIKU
Flora Sela - Kastrati në librin më të ri me poezi: Burrë
e kam Liqenin me mjeshtri u ka ikur vargjeve të thatë pa gjak e shpirt.
Patetikës patriotike duke sjellur risi në poezinë erotike shqipe për Liqenin,
sikur është ruajtja dhe ndikimi i poezisë së dashurisë popullore, që në kohën e
Lasgush Poradecit. Poezia e saj mes këtyre dy kapakëve ka edhe filozofinë
jetësore plot simbole e figura poetike.
Libri në gjirin e vet e ka edhe tipin e poezisë
filosofike - profetike. Zakonisht, këtë lloj të poezisë e kanë shkruar poetë -
profetë, që letërsia shqipe i ka pasur edhe para kohës së Romantizmit shqiptar.
Stili i përsosur i autores, ku poetja nuk ka shkruar shumë për të Kaluarën, po
për Ditën e Sotshme dhe të Nesërme. Vargu kryengritës i poetes e lufton
tradhtinë, hipokrizinë, koprracinë dhe grykësinë në mesin tonë latrar me maska
të karnevaleve. Një spektër më i gjerë objektesh paraqitet në poezinë e saj
erotike, e cila dallohet fare lehtë nga poezia patetike - patriotike.
Rruga ujore përmes Liqenit për të hipur në Shën Num ka
qenë e vështirë plotë pengesa e pusi pas ferre, lisi ose guri për poeten
rebele. Fatkeqësisht, krah për krahu me rrospi meshkuj e rrufjanë nëpër prita
t’i shkrepin armët pas shpine. Në çdo hap papritur i ka dalë para Ujku me këmbën me miell. Dhelpëra dinake
duke i fshi rrugës gjurmët me bisht. Gjarpëri kulaç në Diell. Bolla me flokë te
Liqeni. Shtrigani i Allahut. Askushi i Nënës Parti, që e ka përcjellë me
çifteli në luftë për “liri”, e vetë me gjithë familje me të katra ka ikur në
bregdet për pushime nëpër botë. Kulminacioni i patriotizmit shqiptar: Ditën e nesërme,
pas lufte kur delë në zgjedhje si deputet i popullit, ministër në Qeveri,
ambasador në Bullgari. Hero i gjallë lufte. Topin e Mic Sokolit e rrok për
fyti. Edhe, gjatë fushatës zgjedhore e shpallë Shqipëri Etnike edhe deri në
Azi. Dorën në zemër, edhe pse edhe atje kemi hise, të parët tanë trima kanë
mbjellë farë kudo nëpër botë.
Verë e
Dimër pandërprerë këtyre anëve kanë fryer stuhitë, ka rënë shi, breshër, dëborë
e madhe. I ka mbuluar dhiaret. Shtegun për dalje në rrugë. Zëra ka dëgjuar pas
shpine: ulërimën e Ujkut, vajtimin e Qyqes, këngën e Hutit me veshë mbi çati në
breg të Liqenit. Megjithatë, poetja nuk e ka kthyer prapa kokën të shoh kush i
vjen pas shpine si hije. Nata e ka zënë, papritmas në breg të Liqenit. Matanë
lumit, e ka ditur se përveç gojëligave i kanë vënë pusi edhe dumdumët e Nënës
parti. Edhe pse, gjatë gjithë rrugës i ka pri Liqni, ky burrë - Muzë. I ka pri
para, ndërsa Drini i Zi e ka mbajtur për krahu. Herë pas here i kanë dhënë edhe
verë me shtamba. Fuqi për poezi.
Tashti i
kujtohet Shën Naumi. Gjoku i lidhur nën hije te Kisha. Vargu i varur në
degë. Liqeni, ky burrë - Muzë me dy
shtamba me verë në breg te plepat. Muza me të cilin i shkrujati librat me
poezi: Heu po më çmend ky infuzion (2007). Ringjallja në Shën Num te Kisha.
Liqeni ky burrë - Muzë duke e vajtuar
mbi kokë, që me lotërrushin e Shën Mërisë Virgjër e ngriti nga varri. Libri me
poezi: Vazhdoj ta kërkoj të Nesrëmen (2009). Edhe, Ëngjëlli burrë që e
mori në mbrojtje mes dallgëve të tërbuara, e vodhi nga Zonja Vdekje. Fuqi i dha
me dy shtamba me verë, gjak të Krishtit për librin me poezi: Burrë
e kam Liqenin (2012). Djemnusha, Doruntina e ditëve tona shqiptare,
Liria që gjatë Luftës së Fundit (2001) na e ndërruan komitat me një tjetër
Nuse. Shkaku se, rrotat e koçisë na u thyen mes maleve. Hë për hë iu kthye
fuqia si kreshnikëve të Jutbinës, kur e grabitën Tanushën e Krajlit.
Gjoksin e
hapi në këtë libër të shtinë rrufetë. Përsëri me nëntë plagë u ngritë nga varri
me libra për ta vazhduar rrugën ujore për në Shën Naum. Vendin e shenjt të
Muzave, ku pihet vera, shkruhet poezia dhe bëhet dashuri. Nuses me koçi i doli
para me vargun krahut. Flamurin kombëtar kuqezi me një mollë të kuqe në majë të
shkopit lartë në dorë para koçisë. Krushqëve të Lirisë u bashkohet me këngën: Hajdeni
bini djemtë e Shalës/ përmes sarajeve të Pashës! Në Shën Naum e shkrep
vargun, e bën me dije Liqenin se vjen Nusja me koçi mbuluar me qilima e këmbë
arushe. Krushkat për krahu e zbritën me këngë në Lëmë. Cucat shqiptare cope -
copë në valle i bënë dajret. Babai e nxorri mauzerrin nga hatullat.
Përçudi,
kët burrë Muzë - Liqenin e murosi gjatë rrugës nën Urë mbi Drinin e Zi me dy
shtamba me verë jashtë mureve për poetët që nuk ikin nga Atdheu.
Shkak ky,
që përsëri i dha fuqi, u ngritë më këmbë nga varri, në mes të Natës i bërtiti
qiellit: verë dua të pi me dy shtamba! Verë. Fuqi për poezi! Përmes dallgëve të
tërbuara përsëri të më prinë si dje Liqeni, ky burrë - Muzë. Drini i Zi të më
mbajë si Nuse me kurorë për krahu...
Herët në
mëngjes, kur i doli gjumi, i hapi sytë: përpak desh e lanë mendtë kur e pa
veten e shtrirë sa gjerë - gjatë mbi varrin e Babashehut, në Tyrbe. Liqeni, ky
burrë - Muzë i rrinte mbi kokë me poezi, i jepte verë me dy shtamba të zgjohet
nga varri me libra. Fuqi të Tri Zanave mes maleve për poezi… Liri…