Kulturë
Sejdi Berisha: A e mbyti kali Rexhën...
E shtune, 08.09.2012, 02:11 PM
E S E
Sejdi
BERISHA:
A E MBYTI
KALI REXHËN... DHE HISTORIA E MADHËSHTISË SË PALMËS …!
... Kjo
tragjedi humbë gjurmë si me këndimin ashtu edhe tekstin aq karakteristik të këngës,
i cili pothuaj se është shndërruar në mit dhe jo vetëm në tragjedi: “...Rexha i
dekun në grazhd të kalit...!”. Keq më iku mendja: njeriu ka dëshirë të shitojë rrastë,
dhe me atë të godasë në zemër, në shpirt e të përcëllojë çdo gjë tjetër. Kështu,
dëshiron të veprojë ai,...
Pse nuk
merreni edhe ju me këtë rrëfim rrëqethës, me këtë këngë kaq të përjetuar, kaq të
amshueshme, kaq të “ëmbël”, që nëse e kemi parasysh se sa lot janë derdhur që kur
është kënduar e kur këndohet, që kur është dëgjuar e përjetuar kjo këngë, sasia
e lotëve do të ia kalonte ujit të Detit Jon dhe të Adriatikut.
...Për
gjithçka edhe lavdërohemi, por edhe ankohemi. Por, mua gjithnjë më djegë e më përcëllon
mos uniteti, urrejtja, tradhtia,... më shastisë gjakmarrja...
...E
shikoj, e, e shikoj palmën nën hijen e të cilës vit më parë kisha shkruar edhe
disa vargje... Sivjet, nga trungu i saj kishin “ikur” shtatë gjethe të mëdha...!
vendi i tyre kishte lënë gjurmë. Dallohej shumë mungesa e tyre! Por, sipër
kurorës së saj kishin “reshë” shumë gjethe të reja...
________________
1.
Përpiqem
të gjej “rrugë” që në fund të sezonit turistik të shkruaj një reportazh për
Plazhin e Durrësit, dhe tash për pastërtinë dhe rregullsinë turistike, por, këtë
mendim të këndshëm dhe të ëmbël, në çast ma ndërprenë kënga “Çou more Rexh-o”,
e cila vinte diku nga thellësia e plazhit. Tash. Më shumë më ngacmonte kjo këngë,
e cila këndohet decenie e decenie ndër breza si një dhembje dhe tragjedi e veçantë
dhe shumë shumë provokuese, dhe, asnjëherë nuk është sqaruar dhe as që është nisur
për t’u bërë temë analize dhe studimi. Andaj, duke më grishur elementi i
gjakmarrjes, i vrasjeve dhe i marifetllëçeve të tjera, më shtyri t’ia shtroj
vetvetes, ama vetëm vetvetes, pyetjen: athua a është e vërtetë se e ka “mbytë kali
Rexhën”, dhe atë, në natën e dasmës, kur duhej të martohej. Pse të ndodhë kështu,
kushtimisht të them, kur kali e ka “njohur” pronarin e vetë, sepse, rregullisht
e ka ushqyer edhe brenda ahurit dhe jashtë tij, rregullisht e ka kashagitur-krehur
dhe ia ka bërë qimen vizllimë-si qelibari, rregullisht ia ka lëmuar dhe përkëdhelur jelet dhe shpinën. Pra, si mund të ndodhë kjo?!...
Kjo tragjedi humbë gjurmë si me këndimin ashtu edhe tekstin aq karakteristik të
këngës, i cili pothuaj se është shndërruar në mit dhe jo vetëm në tragjedi: “...Rexha
i dekun në grazhd të kalit...!”.
Athua,
KALI edhe e paska mbytur , edhe e paska hedhur në grazhd të vetin?!... Dhe, e tërë
mendja më ikën tek shumë dilema e dyshime, se Rexhën nuk e ka mbytur kali, e aq
më tepër, të vetmin djalë, ku ia qëlloi djalit të hasretit, pas vdekjes të të cilit
mbyllet shtëpia, mbyllet konaku.
Keq më iku
mendja: njeriu ka dëshirë të shitojë rrastë, dhe me atë të godasë në zemër, në shpirt
e të përcëllojë çdo gjë tjetër. Kështu, dëshiron të veprojë ai,... kush ai?! Por,
ndoshta nuk është ashtu. Edhe unë po them, edhe pse pa dëshirën time, nuk është
ashtu! Por, Rexha i nanës i vdekur në grazhd të kalit,... nusja, e dashura e
tij nuk do ta ketë më kurrë të gjallë, se, “nuk ka nana tjetër, o,...!”. Oh, sa
rëndë! Dhe, këtë rrëfim të hidhur, dëshiroj ta shtroj apo ta hedh si dilemë, se
Rexhën nuk e ka mbytur kali. Unë,... ju them se jo!
Po, kush
e vranë Rexhën...?! Pse nuk merreni edhe ju me këtë rrëfim rrëqethës, me këtë këngë
kaq të përjetuar, kaq të amshueshme, kaq të “ëmbël”, që nëse e kemi parasysh se
sa lot janë derdhur që kur është kënduar e kur këndohet, që kur është dëgjuar e
përjetuar kjo këngë, sasia e lotëve do të ia kalonte ujit të Detit Jon dhe të Adriatikut!
Hë, pra... Kush e vrau, më falni, kush e mbyti Rexhën?! Por, sido që të jetë, përgjigjja
është e thjeshtë: KALI!
Por, të mos
ia hedhim fajin kalit, i cili i ka karakteristikat më fisnike të respektit dhe
besnikërisë ndaj njeriut. Bile, për këtë janë thurë shumë legjenda, janë shkruar
shumë romane dhe janë realizuar shumë e shumë filma me nam botëror. Pra, sërish:
kush e mbyti Rexhën,... përgjigje kjo e cila do dritë, do studim e ndërgjegje...!
Kaq kisha unë për Juve...
2.
Tash, të ju
them të drejtën, humba merakun për reportazhin që dëshiroja të ia kushtoja
Plazhit të Durrësit, dhe më hyri mendja labirinteve të “prapështa” të jetës! Me
padurim më priste në Tiranë një mik imi, një ditë para se të takoheshim në Poetekën
Mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi”, që do të mbahej në lartësitë dhe bukuritë e Malit
Dajti. Takohemi në një lokal të vogël por intim në Tiranë. Tani isha me krijues
nga Lezha, Bajram Curri dhe nga Gjakova. Bisedojmë për poezinë, për fuqinë dhe
mesazhin e vargut. Bisedojmë edhe për historinë, edhe për karakteristikat e
njeriut tonë nëpër periudha dhe etapa kohore e historike. Për gjithçka edhe
lavdërohemi, por edhe ankohemi. Por, mua gjithnjë më djegë e më përcëllon mos
uniteti, urrejtja, tradhtia,... më shastisë gjakmarrja...
Në këtë temë
e hapim bisedën unë dhe miku im nga Lezha, A. B., i cili ka talent për humor
por edhe për aktrim. Ai, me plotë kërshëri ma kishte shtrënguar dorën që të jam
“rob” deri në fund i rrëfimit të tij:
-Ishin
hasmëruar dy familje, dhe me decenie ishin fikur duke u vrarë në mes vete me
motiv gjakmarrjeje. Mirëpo, dy aktorët kryesor të kësaj të pamire, të cilët
tanimë kishin vdekur, ishin takuar në botën e përtejme, dhe, e kishin bërë një vepër
të madhe. Ia kishin shtrirë dorën njëri-tjetrit, dhe ishin pajtuar,... ia
kishin falur gjakun njëri-tjetrit.
Sa shumë ishin
gëzuar,-vazhdon rrëfimin miku im, dhe tani ishin bërë krenarë! Tash, çdoherë takoheshin,
përqafoheshin dhe “vuanin” pse gjakmarrjen nuk e kishin çrrënjosur në këtë botë.
Andaj, ranë dakord që të kthehen edhe njëherë në këtë botë, dhe ta organizojnë një
aksion për luftimin dhe zhdukjen e gjakmarrjes, të luftojnë për pajtime gjaqesh...
U nisen
me plot kureshtje dhe me gëzim. Por, para se të afrohen për të kaluar këtej, njëri
i thotë tjetrit:
-Prit! Kthehu
prapa,... kthehu...! Nuk po shkojmë,... sepse, po u kthyem prapë atje, do ta bëjmë
mut punën.
U kthyen
prapa dhe vazhduan jetën e amshueshme të hasmëruarit e “pajtuar”, të miqësuar
dhe të vëllazëruar...!
Sa rrëfim
interesant. Por, kjo e fundit më la më shumë përshtypje: ...nuk po shkojmë,...,
sepse, prapë e bëjmë...! Athua, a është kështu?!... Përgjigja, me siguri se është,
por gjithnjë do të jetë e rëndë.
U lë edhe
juve kjo përshtypje?!... Mos më thoni asgjë,... e di...!
Një muzikë tjetër që vinte nga restoranti i hotelit, ma kujtonte filmin shqiptar “Udhëtimi i shkronjave”. Nuk di a ka lidhje kjo me këtë temë që u “trondita” edhe juve deri me tash?!
3.
Njeriu,
jo njëherë, por shpesh mund të jetë mbase edhe është i çuditshëm. Gjërat i lidhë
shpërputhshëm, apo në mënyrë të çoroditur, të cilat pastaj, të nxjerrin telashe
për të medituar, për të analizuar dhe për të marrë qëndrime apo për t’u
kacafytur me dilema e me gjithfarë konkludimesh.
E shikoj
palmën, nën të cilën, vitin e kaluar i kisha kaluar disa ditë pushimi, e cila
edhe më kishte krijuar freski, por edhe ma kishte mundësuar një rrezitje pa
dhunë dhe me kujdes, të më mos “piqte” dielli. Këtë palmë e kisha studiuar si të
kishte qenë diçka me vlerë historike. Ndoshta edhe është. Po,... edhe ashtu është.
Palmat kanë pasur dhe kanë histori, bukuri dhe madhështi pothuaj se mahnitëse,
të cilën, rrallëkush ua di deri në fund, më sa edhe gjuhën, syrin dhe zërin e
tyre. Por, ku dua të dalë. Thjeshtë. Sivjet, nuk u ula nën hijen e saj, as nuk
pushova dhe as nuk mora ngjyrë nga rreze dielli. Isha shumë afër saj, dhe e
shikoja gjatë e gjatë. E shikoja nga fundi deri në maje. Dukej edhe më madhështore
se një vit më parë. Nga rrënjët që nuk i shihen, trungu dhe gjethet si krahë shqiponje,
m’i kujtonin disa romane që i kisha lexuar shumë më përpara, në të cilat
shkrimtari i madhështonte hijet e palmave dhe nga to krijonte histori!
E shikoj,
e, e shikoj palmën nën hijen e të cilës vit më parë kisha shkruar edhe disa
vargje... Sivjet, nga trungu i saj kishin “ikur” shtatë gjethe të mëdha...! Vendi
i tyre kishte lënë gjurmë. Dallohej shumë mungesa e tyre! Por, sipër kurorës së
saj kishin “reshë” shumë gjethe të reja... Duke shikuar dhe duke medituar, edhe
u përmallova, por edhe u krenova. Kjo e dyta, ndodhi kur i shikoja gjethet e
reja plotë fuqi frymëmarrjeje. Por, nuk di si mu ngulit në mendje numri shtatë,...
shtatë gjethe,... shtatë... Nuk di, nuk di...!
Më kujtohet, shpeshherë numri shtatë cekej e lakohej,... Lakohet edhe tash kur ka të bëjë me kombin dhe me vendin tim. Por, çfarë ka të bëjë kjo me palmën dhe me shkrimin tim... Kjo, vetëm sa për t’u nxjerrë telashe juve me shkrimin tim, me “teket” e mia...!
4.
Dhe, kush
thotë se plazhi nuk është i pastër. Për çdo mëngjes kur shëtisja përbri detit në
Golem, ajo tani i ngjante një dyshemeje me rërë të pastër dhe pa asnjë shenjë pastërtie.
Ishte kënaqësi e vërtetë. Pranë çdo çadre ishin të vendosura edhe qeset për
hedhurina. Po ashtu edhe uji i detit shqiptar tani është i pastër, si loti...
Menjëherë
mendja më bëri fërko, dhe thashë, se tani çdo gjë në atdhe është duke ecur mbarë
e sigurt, është duke u ngritur vetëdija dhe niveli i kulturës. Është duke u
ecur mbarë e mbarë...
Në këtë moment mu kujtua edhe Rruga e Kombit, dhe,... tash s’kemi kah t’ia mbajmë,... por pak më theri për veriun e vendit... Akoma atje bën ftohtë... Sikur i kemi disa veri...!
5.
Po, pra. Sërish:
dhe kush thotë se nuk ka rregullsi në bregdetin shqiptar?... Duke bërë plazh,
një qytetari i kishte “ikur” telefoni IPHONE, dhe atë, në plazh ku gravitojnë qindra
qytetarë që kanë ardhur për të pushuar nga vise të ndryshme të trojeve
shqiptare por edhe nga vende të ndryshme. Dhe, “fatziu” i telefonit, nga një tjetër
telefon bën telefonatë në telefonin e vetë:
-Urdhëroni,...!-dëgjohet
zëri andej telefonit. ...Po, po. Telefonin e keni tek unë, por jam larg jush
duke shitur perime me karrocë “dyqan lëvizës”. Menjëherë do vij, sa më shpejtë që
është e mundur. Pas më pak se gjysmë ore, arriti personi në plazhin ku e kishte
gjetur telefonin. I tëri ishte larë në djersë duke shpejtuar për ta sjellë atë viran
aparati.
-Ja,
erdha... e kam gjetur në rërë dhe nuk dija se i kujt ishte. Andaj, ika me “dyqanin”
tim për të shitur pemë me shpresë se do të lajmërohet dikush, dhe ja, doli kështu.
Por, kisha problem se kur cingëronte telefoni, nuk dija si ta hapë, derisa e
luta një djalosh që ta bëjë një gjë të tillë. Kështu pra, ju u premtova se do të
kthehem këtu.
Kur ia
dorëzoi telefonin të zotit, shitësi i pemëve sikur u lirua nga një barrë e rëndë
dhe u përqafua me karrocën si me një fletë dushku. Me krenari i fshiri me dorë djersët
prej balli dhe iku duke murmuruar plotë krenari: unë dua ta fitoj bukën e fëmijëve
me nderë e me djersën time... Nuk deshi ta merrte as një shpërblim modest. Iku
duke buzëqeshur me një krenari, të cilën do t’ua rrëfejë fëmijëve dhe familjes
në mbrëmje kur të kthehet nga puna...
M’u
mbushen sytë me lot: sa e madhe është krenaria dhe sinqeriteti i njeriut me
karrocë në pishë të diellit,... në plazh! Se kjo, a do të thotë shumë a pak,
vlerësojeni edhe ju vetë këtë ndodhi në plazhin e Durrësit, në plazhin e Hotel “Dolce
Vita”!
Por, sërish
më iku mendja tek palma dhe madhështia e saj,... tek: a e ka mbytur kali Rexhën...!