Kulturë
Sarë Gjergji: Artikulim i mendimit shkencor
E marte, 04.09.2012, 07:33 PM
KËRKESA PËR
ARTIKULIM TË QARTË TË MENDIMIT SHKENCOR
Nuhi Ismajli, Përsiatje letrare, Era, Prishtinë, 2012,
f..238
Nga Mr. Sarë GJERGJI
Letërsia shqipe, jo gjithherë është vlerësuar si duhet nga studiuesit e letërsisë. Vlerësimet për të vuajnë nga paragjykime nga më të ndryshmet. Ato janë të natyrës e tendencës politike, religjioze, krahinore... Ato vuajnë edhe për mungesë serioziteti në punën shkencore. Shih për këtë, nevoja dhe domosdoshmëria e vështrimit dhe studimit të historisë së letërsisë shqipe në tërësinë e saj, e liruar nga paragjykime e tendenca të caktuara, vazhdon të jetë preokupim dhe shqetësim i studiuesve të mirëfilltë të letërsisë.
Libri, Përsiatje letrare, i studiuesit dhe pedagogut të vyer, Nuhi Ismajli, flet për vepra e autorë të ndryshëm. Ai rreket të dëshmojë me kompetencë prej studiuesi të mirëfilltë, të metat e përparësitë në veprat që trajton. Janë çështje të ndryshme që merr në shqyrtim autori. Duke filluar me sqarimin rreth përdorimit të drejtë (dhe jo të gabuar, siç ngjan nga studiues të ndryshëm) të termave letërsi shqipe dhe letërsi shqiptare, ai vazhdon më tej duke i sjellë ndërmend lexuesit fillesat e romanit shqiptar (romanin Sofia Kominiate të Santorit dhe jo Dashuria e Talatit me Fitneten, siç pretendon studiuesi Sabri Hamiti), për t’u thelluar më pas në shqyrtimin e veprave të shumta letrare.
Janë me
shumë interes për lexuesin, në mënyrë të veçantë për studiuesit (përfshirë këtu
nxënësit dhe studentët), mendimi dhe pikëpamjet e autorit rreth disa studimeve
që kanë të bëjnë me letërsinë e traditës, pa harruar edhe disa tekste shkollore
të studiuesit Prof. Sabri Hamiti.
Janë padituria,
por edhe paragjykimet e ndryshme, sipas autorit, shkaqet që disa studiues
mohojnë vlerat e mirëfillta letrare dhe kombëtare të letërsisë shqiptare të humanizmit
dhe të letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII dhe mbivlerësimi, nga ana tjetër, që i
jepet letërsisë së bejtexhinjve. Janë të parat ato që mbrujnë në vetvete artin
letrar dhe ruajnë, formojnë e ngrisin në një shkallë më të lartë shpirtin,
identitetin në tërësinë e saj dhe natyrshëm qenien tonë kombëtare dhe jo letërsia
e bejtexhinjve, e cila shquhet për përdorimin e barbarizmave, aq sa për leximin
e tyre kërkohen fjalorët. Kjo vjen si rezultat
i mungesës së ndërgjegjes gjuhësore të bejtexhinjve si dhe i ndikimeve politike e ideologjike të pushtuesit
osman, i cili, përmes rrethanave të krijuara dhe imponimeve të tij, synonte njëjtësimin e shqiptarëve me vetveten. Një kriter ata e
kanë (ridizajnuesit dhe rikomponuesit e letërsisë shqipe/shqiptare, siç i quan
autori, me të drejtë, mohuesit e letërsisë së traditës) për letërsinë shqiptare
të humanizmit, një tjetër kriter për letërsinë e bejtexhinjve. Kërkesat për
ridizajnimin apo rikomponimin e letërsisë shqiptare të traditës, që nga zeroja,
përkojnë me qëndrimin e luftën e pushtuesit osman kundër popullit shqiptar e
kulturës së tij, si dhe me pikëpamjet dhe synimet e ithtarëve të sotëm, për
harresën e identitetit të dikurshëm shqiptar dhe krijimin e një identiteti të ri,
përfundon autori.
Duke qenë
dhe vetë pedagog e duke pasur në përdorimin e përditshëm me nxënës, veprat,
librat shkollorë Letërsia e vjetër shqiptare për klasën e 10-të, “Albas”,2004
Letërsia romantike shqiptare 11,”Albas”, 2004 dhe Letërsia moderne shqipe, “Albas”,
2006, të studiuesit të mirënjohur, S. Hamiti,
autori i librit Përsiatje letrare, me mendimin, vlerësimin e sugjerimin që sjell,
angazhohet për mënjanimin e disa të metave që hetohen në këto tekste, gjithsesi
me vlera të pamohueshme shkencore, arsimore, didaktike, metodike etj.. Këto
vlerësime kanë të bëjnë me shkrimet e para dhe bejtexhinjtë, me disa pohime
kundërthënëse, që hetohen në vlerësimet e përgjithshme që studiuesi Hamiti jep
për letërsinë e shekujve XVI-XVIII e letërsinë e bejtexhinjve, dhe të cilat
kundërshtohen nga pohimet për autorët e veprat konkrete të kësaj letërsie. Po ashtu, autori flet, me përgjegjësi
prej studiuesi, duke ilustruar me shembuj e duke argumentuar me fakte edhe për
pasaktësi të dhënash, paqëndrueshmëri interpretimesh e për probleme gjuhe e
stili që has në tekstin Letërsia romantike shqiptare 11, të Prof. Hamitit, ndërkohë
që për tekstin tjetër të këtij autori, Letërsia moderne shqipe 12, flet për
disa pasaktësi, mungesë të dhënash, interpretime të paqëndrueshme e për gabime
gjuhësore.
Sistemimi
jo i mirë i lëndës, përsëritja e mendimeve, shprehja e mendimeve të paqëndrueshme
dhe, shpesh, kundërshtimore, hetohen nga studiuesi i zellshëm, Nuhi Ismajli,
edhe tek libri Nezim Frakulla dhe Divani i tij shqip, i autorit Abdulah Hamiti,
ndërkaq që për trajtim joshkencor dhe të politizuar të veprës së Fishtës, e cilëson edhe veprën e
Bajram Kosumit, Lirika e Fishtës, Toena, Tiranë, 2004. Largimi nga objekti i
studimit, politizimi dhe keqinterpretimi i poezisë së Fishtës, zhvlerësimi i
studimeve për veprën e Fishtës, injorimi dhe vlerësimi joobjektiv i Fishtës, e
karakterizojnë veprën në fjalë të Kosumit. Studiuesi, Nuhi Ismajli, sikundër
edhe për vepra të tjera, edhe kësaj radhe, ofron shembuj, jo të pakët, me të cilët
përballë mendimet e vetë autorit. Një mendim i dhënë njëherë, kundërshtohet më pas,
jo rrallë, nga vetë autori, edhe në veprën e Kosumit. Pra, Kosumi, kundërshton
Kosumin, siç pamë Hamiti ta kundërshtojë Hamitin, ose siç ndodh me Kujtim M. Shalën
ta kundërshtojë K.M.Shalën tek Fishta përballë Fishtës, Buzuku, Prishtinë, 2004.
Autori i qaset edhe shkrimit Sfida fishtiane e “Nji lule vjeshtet” të Arben
Atashit (botuar në Fjala, nr.4-5, prill-maj 2002, f.13), të cilin e cilëson si
një sprovë antishkencore.
Studiuesi,
N. Ismajli, do trajtojë e shqyrtojë me një akribi shkencore edhe vepra të tjera. Një vlerësim mjaft pozitiv, ky autor jep për
veprat, si: Shija e librit, të studiuesit A. Gojçaj, të cilin e cilëson për
formimin e lartë letrar të tij; Simboli dhe rivalët e tij, të Basri Çapriçit, të
cilin e cilëson si një nga studiuesit më të shquar të letërsisë, Jusuf gërvalla-jeta
dhe vepra, të Myrvete Dreshaj; Estetika moderne, të S. Çapalikut, e cilësuar,
me të drejtë, si një vepër e pikëpamjeve moderne për estetikën, tekst shkencor
tejet me vlerë, për të vazhduar me Kutelin, B.Musliun, Ibrahim Kadriun, M. Ramadanin
G. Xhafollin, S.Gjergjin e N. Ukajn. Vlerësimet për Kasnecët e shiut (1994), Kështjellën
(1970), të Kadaresë, Mekamin e Trebeshinës, të përshpirtmës në veprën letrare të
De Radës e interpretimit të gabuar, që i është bërë veprës së Migjenit, dëshmojnë
për një trajtim e shqyrtim të lëndës deri në imtësitë më të vogla të mundshme
nga ana e studiuesit N. Ismajli.
Vepra, Përsiatje
letrare, e Nuhi Ismajlit, në një kohë kur botohet gjithçka tek ne, kur vlera
cilësohet antivlerë e antivlera na ofrohet për vlerë, kur qarqe të caktuara
tentojnë mohimin e vlerave të mirëfillta të identitetit tonë kombëtar, së këndejmi
dhe ndryshimin e identitetit tonë kulturor,
është kërkesa më serioze për kritikë të mirëfilltë letrare, kërkesa pa
pardon për nevojën dhe domosdoshmërinë e artikulimit të qartë të mendimit
shkencor. Është një libër që i duhet medoemos opinionit tonë, një libër model i
përkushtimit në punën shkencore.