E shtune, 26.07.2025, 12:00 AM (GMT+1)

Kulturë

Ahmet Selmani: Rrugëtimi kozmogonik

E merkure, 05.09.2012, 07:52 PM


RRUGËTIMI KOZMOGONIK

Moikom Zeqo: Miscellanea 7 (poezi 2009-2011), Tiranë 2012

Shkruan: Ahmet Selmani

Vazhdimësia poetike e Moikom Zeqos përmbushet edhe me librin “Miscellanea” 7, si një ndërmarrje apo aventurë krijuese nëpërmjet së cilës gjithnjë mëton të ndërtojë një kozmogoni të veçantë. Siç e kemi të njohur, lëvizjet e shpeshta të këtij autori janë sa të pritura aq edhe të papritura: ai është dhe s’është njëkohësisht, pra i dukshëm dhe i padukshëm, vjen nga njëra kohë në tjetrën, hyn në një sferë dhe shfaqet në një tjetër, mohon dhe pohon. Prandaj mund të themi se edhe në krijimtarinë artistike ai s’bën asgjë tjetër, përveç që e zhduk kufirin midis jetës dhe vdekjes, për ta relativizuar fuqinë mistike të tyre, fuqi kjo e cila gjithmonë ka pllakosur vetëdijen dhe botëkuptimin e njeriut gjatë tërë historisë.

Duke bërë shtegtime nga më të çuditshmet, arrin të prekë rrafshe të panjohura, të zbulojë esenca të cilat na i paraqet me një gjuhë të jashtëzakonshme metaforike. Në këtë mënyrë, nga e shkuara kalon në të ardhmen pa shkelur fare në të tanishmen, ose anasjelltas, nga e ardhmja zbret në të kaluarën pa e përfillur të tashmen. Pra e gjithë rendja kozmogonike zhvillohet me hapa shumë të fuqishëm imagjinativ, sepse qëllimi i vetëm është që me anë të intuitës krijuese t’i gjejë ato pika të përbashkëta ku ndërlidhen natyrshëm idetë, konceptet, fenomenet, ngjarjet, veprimet, ndjesitë etj. Thjesht këto janë një varg i pafund referencash të ngushta dhe të gjera, të veçanta dhe të përgjithshme, të cilat përpunohen me një fantazi shumë specifike.

Dhe në bazë të kësaj fitojmë përshtypjen se Moikom Zeqo gjithnjë synon drejt asaj që në shikim të parë  është e pamundur, përkatësisht drejt një utopie shumë joshëse, grishëse, nxitëse, domethënë për ta bërë gjithçka të mundur, të rrokshme, ose për të na bindur se ajo mund të jetë e tillë, duke e shpënë kështu poezinë në përmasa të vërteta universale, gati në të njëjtin piedestal që e kanë edhe librat e shenjtë, sepse ajo prek thuajse çdo gjë që i përket ekzistencës së njerëzimit, që nga krijimi e deri te zhdukja, nga ngritja te rënia, nga njeriu te Zoti etj. Pikërisht në mes antipodit jetë dhe vdekje, ai bëhet një zëdhënës i theksuar shpirtëror, objektin e bën pjesë të subjektit, e ringjall palimpsestin poetik si një intencë të pastër krijuese.

Ndonëse misioni i tij është kryekëput me karakter të pastër krijues, kjo nuk e pengon të bredhë në thellësinë e universit i cili përmblidhet brenda njeriut si qenie historike dhe ekzistenciale, të marrë aty një rol kolosal gjatë artikulimit të botës që e zbërthen me anë të mjeteve të zgjedhura poetike. Në këtë drejtim, është plotësisht i ndërgjegjshëm se nganjëherë shfaqet edhe përballë rrethanave të mistershme, të pashpresa, kaotike, të zymta, por e rëndësishme është se kurrë nuk e humb ndjesinë personale për gjërat reale që ndodhin rrethepërqark. Veten e quan udhërrëfyes, sepse ushqen bindjen se mund ta bëjë një gjë të tillë. Megjithatë, përsëri shfaqen pengesa objektive, ndaj edhe pyet troç:

Si mund të jem udhërrëfyesi i madh – pa asnjë rrugë përpara?

(Fq. 13)

S’do mend kjo është një dilemë dhe një sprovë, e cila sakaq shndërrohet në një shtysë të brendshme, në një reagim spontan, për të hapur mundësi perceptuese për vetë tekstin poetik që na e ofron. Me këtë qëndrim emblematik dhe paradigmatik autori sikur përpiqet ta relativizojë çdo gjë ekzistuese, madje pa e përjashtuar edhe vetveten si subjekt. Megjithatë, kryesore është se tendenca e ringjalljes së gjërave mbetet imperativ i vazhdueshëm, të cilin në radhë të parë e ilustron me qëndrimet dhe botëkuptimet e tij të njohura. Ai thotë me një bindje të plotë se:

Çdo ide është feniks mendor

(Fq. 18)

Sigurisht edhe me anë të kësaj ecejakeje na kthen rishtazi te koncepti i rikrijimit, te metafizika e jetës dhe vdekjes, te fillimi dhe mbarimi i gjësendeve, si një lëvizje ricikluese e gjithë historisë në kuptimin racionalist. Prandaj këtu poeti shprehet pa kurrfarë ngurrimi se:

Vdekja është çlirim

Të vdesësh do të thotë

Të arrish lirinë

(Fq. 73)

Mbase kemi të bëjmë me një lojë të shpeshtë krijuese dhe filozofike e cila shtrihet gjithkund në veprën letrare të M. Zeqos. Në fakt, ky është vizioni i tij brenda kontekstit të poezisë. Prandaj s’është për t’u habitur kur e shohim tek shprehet në këtë mënyrë:

Unë vdekjen e vë dhe e heq

Si këmishën,

 

Duke arnuar

Me profecitë e jetës!

(Fq. 213)

Se kjo është një lojë konceptuale në sferën e kozmogonisë poetike të tij, dëshmojnë edhe mjaft situata të tjera ku çdoherë mund të vërehet një relativizim i skajshëm, siç është edhe vargu i mëposhtëm:

Pas vdekjes rilindem

(fq. 376

E gjithë kjo flet qartë sesa të disponueshme janë për autorin këto dy koncepte themelore me të cilat përthekohet gjithë ekzistenca njerëzore, koncepte këto që i ballafaqon me një lehtësi shumë të admirueshme, vetëm e vetëm që ta mbitheksojë rolin e përjetshëm të krijuesit, si një subjekt i cili qëndron mbi kohën dhe hapësirën. Dhe, duke u ngritur triumfalisht mbi këto nocione polarizuese, ai në fakt prapë zbret poshtë, për të folur herë me njërën e herë me tjetrën. Për këtë arsye, bindja e tij e thellë është:

Se vetëm të jetosh s’mjafton

Por as të vdesësh s’mjafton

(fq. 214)

Detyrimisht na kthen në dialektikën kozmogonike, aty ku ringjallen gjërat nga njëra sferë në tjetrën, por edhe që treten përsëri nëpër kohë të ndryshme. Në të vërtetë, kjo aq më tepër na shpie te konstatimi i përhershëm i tij se

Tërë librat

Janë fantazma

(Fq. 316)

Pikërisht në mes të këtij paradoksi të frikshëm, autori ringjallet si feniksi për t’i bashkuar përvojat poetike të shumë krijuesve, ose edhe duke u identifikuar me ta, thjesht për t’u bërë vetë një subjekt sintetizues e universal i cili gjithmonë ngrihet në një metaforë kuptimplotë. Pa ndjekur asnjë vijë kronologjike, ai nga R. M. Rilke shfaqet te Lukreci, nga Epikuri te Xh. Kitsi, nga F. Pesoa te F. Ponge, nga Sh. Bodleri te F. Vijoni, nga Jezu Krishti te A. Rembo, nga U. Blejku te G. Apolineri, nga De Rada te N. Stënesku, nga Shekspiri te Lorka, nga K. Kavafisi te Homeri, nga Rumiu te J. Sajfert, nga Buda te E. A. Po etj. Pra ai udhëton vazhdimisht me këto fantazma të bukura që kanë formën e vargjeve, epitafeve, citateve, librave, bëmave, miteve, rrëfimeve, poezive, ngjarjeve etj. Ndaj edhe sintezat e koncepteve, ndërlidhjet e shumta intertekstuale që i bën pandërprerë na shpiejnë drejtpërdrejt në një gjithnajë të pafund kulturore. Dhe e kuptojmë fare mirë se aty është poeti M. Zeqo si sublimues i devotshëm, si rikrijues i pakundshok, sepse ashtu mëton të na nxjerrë nga lëvozhga e ngushtë e botëkuptimit për universin dhe të na bëjë të ecim krejt lirshëm, si qenie sa reale aq edhe fantastike, për ta parë botën nga gjerësia dhe nga thellësia, nga largësia dhe nga afërsia.

Pa dyshim, në këtë vazhdë shumë heterogjene, ku gjërat ngjajnë aq shumë me njëra-tjetrën, ai nuk e ngushton rrethin e tyre, por aq më tepër u le vend të gjithave, ose i abstragon njëkohësisht, duke i bërë ato sa të qenësishme aq edhe të paqenësishme, sa konkrete aq edhe abstrakte, sa reale aq edhe imagjinare. Thënia e Borgesit Sa shumë gjëra njëlloj, është vetëm një ripohim faktik i M. Zeqos, të cilën na e ilustron me qindra herë në vargjet e tij. Përballë botës së ringjalljes apo të rikrijimit, autori së pari na e sjell fundbotën e cila konceptohet me çrregullime të shumta, me kriza morale të qenies njerëzore, me paradokse të dhimbshme shoqërore, me prirje kaotike etj. Kur e bën këtë bilanc shqetësues, patjetër të shkruajë Poemën hekzagonike ose Epistolae in tenebris, si një tipologji të veçantë zhanrore ose si totalitet poetik, duke e lartësuar zërin e brendshëm që merr forcë profetike, për ta bindur lexuesin se në këtë botë çdo gjë ribëhet, rikrijohet. Pra është njëkohësisht mohim dhe pohim i asaj që e përfytyron si botë njerëzore ose si realitet i përgjithshëm. Andaj edhe thotë:

E jam profet

I një bote që s’është.

 

Se profeti do të jetë

Po bota s’do të jetë

(Fq. 354)

Natyrisht, në këtë rrugëtim të gjerë kozmogonik nuk është vetëm poeti si bartës i saj, por njëherësh është dhe lexuesi. Duke u nisur nga kjo gjë, ai pyet:

Do të vijnë lexuesit

Si të vdekurit

Nga ringjallja?

(Fq. 27)

E gjithë kjo ka të bëjë me filozofinë profetike të autorit, për arsye se gjërat i sheh disi para kohe tek kanë lindur mu përpara syve tanë, por që nuk jemi në gjendje t’i kuptojmë e as t’i pranojmë si të tilla.

Koha mbërriti

Ne akoma jo!

Koha mbërriti

Ne s’jemi asgjëkundi

(Fq. 20)

Duke shpalosur këtë profeci të dhimbshme, me anë diskursit të tij ai sakaq na fut në një mbretëri perceptuese për të na e bërë me dije sesa paradoksale është ekzistenca jetësore, sa e vonuar është ajo për qeniet e mefshta të cilat ëndërrojnë ta prekin majën e tyre. Prandaj konstatimi i autorit përmbyllet në vargjet:

Jemi ata që s’jemi

Do jemi

Ata që s’qemë

(Fq. 68)

Kështu loja bëhet shumë e prerë dhe radikale, përmbys një botëkuptim të rremë, një mashtrim optik. Prandaj edhe kozmogonia poetike e M. Zeqos na e trazon qenien e fjetur për t’i parë sendet me kthjelltësi të plotë dhe jo me logjikë somnambulike. Si rezultat i kësaj mund të themi se poezia e tij është një lloj modusi i filozofisë ekzistenciale, është një sui generis modern. Në këtë aspekt lexuesi gjithsesi është produkt i vetë autorit. Pra M. Zeqo edhe me “Miscellanea 7” dalëngadalë e krijon lexuesin e vet. Në fund të fundit, pa këtë s’do të kishte kuptim të plotë as kozmogonia poetike e tij, e cila brenda vetes ngërthen një domethënie të jashtëzakonshme; ka të bëjë me njeriun, jetën, krijuesin, artin etj.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx