Kulturë
Anton Gojçaj: Pa qime në gjuhë
E hene, 10.09.2012, 07:01 PM
PA
QIME NE GJUHE
(Kolec Traboini, ACT NOW - Zhgënjimi i ambasadorit amerikan, ese publicistike, Tiranë-Boston-New York 2012)
Nga ANTON GOJÇAJ
Libri
hapet me artikullin (shqip pastaj anglisht) “Zhgënjimi i ambasadorit amerikan”
në të cilin autori analizon politikën aktuale (si vazhdimësi e tradicionales)
shqiptare në raport me ambasadorin e
Amerikës (SHBA) ndaj së silës “Shqipëria
ka detyrime të mëdha, sepse nuk ka shtet a komb që ka bërë më shumë për
shqiptarët”, ku publicisti nxjerr disa përfundime sa provokuese aq edhe
tronditëse, duke i quajtur politikanët shqiptarë “Ali Pashë Tepelenat e politikës shqiptare”,
pasi që secili prej tyre “për interesat e veta të ngushta është gati ta çojë në
djall Shqipërinë dhe shqiptarët”. Është alarmues fakti se publicisti nuk e veçon
(nuk ka???) asnjë politikan, asnjë
shembull të vetëm pozitiv që lë për të shpresuar se nuk janë përmbysur të
gjitha barkat dhe se ata që sot janë vërtet pak, nesër ndoshta do të shumohen
dhe do ta orientojnë politikën shqiptare në drejtimin e duhur dhe me
shpejtësinë e duhur. Një popull i tërë
ka rënë në letargji dhe as thirrja e
ambasadorit të Amerikës, shtetit që ka dhënë të gjitha provat e miqësisë, nuk
po ndihmon. Eseu lë të nënkuptohet se
shteti, populli, demokracia shqiptare janë në agoni të thellë. Mirëpo, vetë ky libër, është dëshmi e mirë se
individët që “gjykojnë” me mendje të shëndoshë dhe që “shohin “ pa dioptri
partiake, ende nuk janë zhdukur dhe se të paktën ndonjë publicist e kupton fjalë për fjalë thirrjen e ambasadorit
të Amerikës drejtuar qytetarëve shqiptarë -
“Act now”, që del si moto me shkronja të kuqe edhe në kopertinën e
librit, mbi titull.
Përveç dukurive nga politika aktuale
e Shqipërisë, në tavolinën e operacioneve “kirurgjike”-publicistike të Kolec
Traboinit hapen edhe tema historike. Një nga personazhet e
përzgjedhura është figura e Ahmet Zogut, për të cilin gazetari pa kurrfarë
hezitimi deklaron: “Tradhëtar më të madh e më të zi se Ahmet Muhtar Xhemal
Zogolli, i biri i Sadije Toptanit, zor se gjendet.” (f.33) Natyrisht që kjo
etiketë denoncuese duhet parë në kontekstin e eseut, që bazohet kryesisht në
faktin se Zogu erdhi në pushtet “nën ombrellën e Serbisë”, armikut “më të madh
të popullit shqiptar e që kishte pushtuar gjysmën e territoreve shqiptare ku i
shtypte shqiptarët me dhunë e gjak.” (f. 33). Ngjitur me këtë artikull autori
ka vendosur “Marrëveshjen Pashiç – A. Zogu për aneksimin e Shqipërisë” të
vitit 1924. Lidhur me këtë artikull e kam një vërejtje: u kish dashtë të
ishte ma i specifikuar kur ështe referuar Gjergj
Fishta si - “armiku më i madh i Sllavëve”... Për faktin se
autori i i “Lahutës së Malcis” nuk ka
qënë armik i sllavëve në përgjithesi, por, armik,
madje i pakompromis, i politikave pushtuese e ekspansioniste të disa shteteve
sllave, në dëm të Shqipërisë.
Edhe eseu vijues, “Nolin e penguan
bajonetat e Serbisë” shquhet për pozicionimin e paluhatshëm të autorit dhe për
frymën polemizuese me “disa qarqe e grupe të caktuara” që tentojnë t’i bëjnë
një zbukurim “est-ETIK” hyrjes së përdhunshme në Tiranë të Zogut “me
trupat mercenare e bashibozuke të armatosura në Serbi”, duke e minimizuar
njëkohësisht figurën e Fan Nolit vetëm në një kryeministër që donte ta pranonte
ambasadorin sovjetik... Dallimi mes Zogut dhe Nolit është thelbësor
sepse, sipas Kolec Traboinit: “Noli erdhi në pushtet duke shfrytëzuar
lëvizjen e forcave të brendshme, përkundrazi ardhja e Ahmet Zogut nga Serbia
dhe i armatosur me bajonetat serbe, konsiderohet si përmbysje e një qeverie nga
ndërhyrja e jashtme, në rastin e Shqipërisë, të një armiku të jashtëm të
deklaruar botërisht.” (f. 44-45)
Ndjeshmëria diç më e theksuar e
Traboinit lidhur me trevat dhe disa personalitete të Veriut të “shqiptarisë”
mund të shpjegohet se të parët e tij janë nga fshati Traboin i Hotit të
Malësisë së Madhe, e sidomos me faktin se bababi i tij ishte askush tjetër
përveç Palok Traboini (1888-1951), sekretari (dhe bashkëluftëtari) i Dedë Gjo
Lulit. Eseu “Kush dhe pse e denigrojnë Ded Gjo
Lulin?” flet për mungesën (në Shqipëri) deri sot e kësaj
dite të një busti të kreshnikut të maleve që drejtoi Kryengritjen e Malësisë në
vitin 1911, është i argumentuar logjikisht dhe i bazuar në faktet historike.
Nuk mund të zbehet personaliteti i Dedës në një kaçak që luftoi vetëm për
veten, madje as vetëm për krahinën e vet (Malësi e Madhe), sepse ai
(dhe trimat e tij) “nuk e mori lirinë në varr, por e la këtu për
Shqipërinë dhe shqiptarët”. (f. 72) Denigruesit e Ded Gjo Lulit, K.
Traboini i quan “sulmues qorra e Don Kishotë të kohës sonë”, por edhe
“kope ekstremistësh fetarë” dhe “studiues të rinj të “Intifadës”
ndërshqiptare”. (f. 67)
Historia e flamurit kombëtar shqiptar
që malësorët e ngritën më 6 prill 1911 në Bratilë ka disa versione, por Kolec
Traboini në eseun “Lajthitje historianësh” shpalos tezën e vet se
ishte pikërisht i ati i tij (Palok Traboini ) ai që Dedë Gjo Lulit i solli jo
një po tre flamuj kombëtarë, të punuar jo në Mal të Zi (siç
(keq)informon në një studim të vetin Romeo Gurakuqi), po në Austri,
sepse Deda “donte një flamur që të ishte i punuar atje ku punoheshin tërë
simbolet e shteteve e mbretërive”. (f.76) Në të njëjtin ese publicisti hedh
poshtë një hipotezë (të dhënë në librin “Kryengritja e Malësisë së
Mbishkodrës”, botuar më 2002 në Shkodër, (në faqen 11, fusnota nr. 6) të bazuar
në një gojëdhënë sipas së cilës “hotjanët e paskan patur krye katragjyshin e
vet një sllav, e se prej këtij sllavi e paskan prejardhjen historike si fis.”
(f. 79) Habit fakti se megjithëse doktor i shkencave dhe ligjërues
në universitet, Gurakuqi nuk e jep burimin e saktë nga e ka marrë këtë
gojëdhënë dhe as nuk e sheh të nevojshme t’ia nënshtrojë një analize apo prove
kritike shkencore, aq më tepër kur kjo bie ndesh me kujtesën historike dhe
gojëdhënat e vetë hotjanëve, por edhe me rrethanat dhe ngjarjet historike të
zhvilluara në këto treva, në parimin e sukcesionit kauzal dhe rrjedhimisht,
qoftë kjo edhe vetëm njëra nga hipotezat e ndryshme, mund të shkaktojë
keqkuptime dhe të shërbejë për manipulime dhe qasje të ndryshme
pseudoshkencore. Mendoj se përgjigjja që i jep K. Traboini kësaj
hipoteze të R. Gurakuqit është e bindshme dhe e zhvlerëson atë.
Target i piketave publicistike të
Kolec Traboinit janë edhe deformimet e ndryshme të jetës politiko-shoqërore
aktuale, si për shembull dekorimi dhe nderimi me medalje e mirënjohje që (tani:
ish) presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi i akordoi madje edhe ndonjë
personi me të kaluarën e dyshimtë, që mori pjesë në krimet e komunizmit, por jo
edhe dëshmorëve malësorë që luftuan heroikisht kundër pushtuesve e diktaturave
duke sakrifikuar gjithçka patën për të mirën e të gjithë bashkëkombësve. Si
rrjedhojë, autori zemërplasur nxjerr një konstatim mjaft të rëndë të cilin mund
edhe të mos e pëlqesh, por që megjithatë provokon t’ia kushtosh dy-tre minuta
meditim: “ Për mua njerëz si Topi e urrejnë Malësinë e Malësorët
pikërisht se e luftuan perandorinë osmane. Konkluzioni është i thjeshtë, mesa
duket edhe ai bën pjesë në atë idenë e shpifur të neootomanizmit që po përhapet
si murtajë prej Edirneje.” (f.62)
Brenda këtij qerthulli kisha vendosur
edhe eseun “Brainwashing” (Trushplarja) në të cilin Traboini i kundërvihet
shkrimit të një analisti bashkëkohor shqiptar, i cili për vrasjet e viteve të
fundit për motiv gjakmarrjeje, fajëson Kanunin e Lekës, çka
sipas autorit është një keqkuptim tendencioz, sepse “kanuni para së gjithash
ishte një kod që mbronte e pastaj dënonte” (f.101), kurse fajtorin e
vërtetë për kaosin social, psikologjik, politik etj. brenda
komunitetit shqiptar, e kërkon (dhe e gjen) në mosfunksionimin e institucioneve
që nuk e bëjnë punën e vet ashtu siç duhet.
Shkrime që ia vlejnë të lexohen janë
edhe eseu për Aristidh Kolën, eseu për zbulimin e një fotografie të Faik
Konicës, artikulli që flet për “greqizimin” e shqiptarëve ortodoksë në Amerikë
etj.
Libri përmban gjithsej njëzet e pesë
ese (pjesërisht të botuara më parë në gazeta të ndryshme) në të cilat
autori trajton aktualitete nga jeta shqiptare, si dhe pikëpamje që
kanë të bëjnë me të kaluarën por që influencojnë dhe reflektohen edhe në
realitetin e përditshëm.
Kolec Traboini nuk shkruan si ithtar
i njërës apo tjetrës palë, pena e tij nuk respekton kurrfarë imuniteti, përveç
ndërgjegjes dhe moralit të intelektualit. Ai është një humanist fanatik në
kërkim të së vërtetës.
Publicisti Traboini nuk heziton që gjërat, personalitetet dhe dukuritë t’i quajë me emrin që e meritojnë, duke ndjekur parimin se publicistika është një mekanizëm në shërbim të korrigjimit të devijimeve dhe deformimeve në sferat e ndryshme kulturore, sociale dhe politike. Kur ka diçka për të thënë, ai këtë e bën me argumente dhe guximshëm, pa qime në gjuhë, duke iu shmangur sofizmave kuazi-intelektuale dhe formulimeve të ndërlikuara sintaksore e terminologjike. Një polemist/debatues i rreptë, që mendimet dhe gjykimet e veta i thot drejtpërdrejt dhe pa dorëza.