E diele, 28.04.2024, 01:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Hamit Aliaj: Të kesh frikë nga Atdheu

E diele, 09.09.2012, 06:53 PM


Të kesh frikë nga gjëja më e dashur në jetë, Atdheu?

-UNIVERS POETIK ME FRYMËMARRJE  EUROPIANE DHE BOTËRORE-

NGA HAMIT ALIAJ

Libri “Frika nga Atdheu”, përbën një antologji të rrallë poetike dhe pa mëdyshje hyn në librat më të shquar të 20 vjetëve të fundit që ka poezia shqipe.

Kjo frymëmarje gati Uitmaniane, kjo kulturë e gjerë, erudicion dhe teknikë e sofistikuar të të shkruari, e rendit poezinë e Buçpapajt në kulmet e poezisë bashkëkohore shqiptare dhe europiane.

Për nga larmia e motiveve që trajtohen këtu,  thua se një poet s’ka çka të thotë më shumë gjatë gjithë jetës së tij poetike.

Për nga stili a  mënyra e të ligjëruarit poetik ky libër përbën një perfeksion, një univers poetik që do ta kish zili gjithkush në botën letrare europiane e botërore. Aty përdoren mënyra  të të  ligjëruarit  nga më të ndryshmet që nga vargu i shkurtër dhe poezia sintetike, 4-5 vargëshe, deri tek vargu i shtrirë uitmanian. Madje nganjëherë ka poezi që përbëhen vetëm prej rrokjesh që të krijojnë një muzikë të habitshme.

Në pranverën e vitit 1973, në revistën letrare të kohës “Nëntori” u botua një cikël me poezi i Skënder Buçpapajt. Autori botonte për herë të parë dhe ajo tufë poezish e djaloshit 20 vjeçar befasoi gjithë opinionin letrar, kombëtar. Poezitë sillnin një frymë tërësisht të re dhe ishin jashtë çdo skeme të realsocializmit.

Ishim të rinj, ende pa i mbushur 20 vjet dhe s’e kuptonim se ajo pranverë e vitit 1973, ishte një pranverëzezë për gjithë artin kombëtar, veçanërisht për poezinë. Plenumziu i 4-t i Partisë goditi pa mëshirë, pa asnjë ndjenjë humane disa nga emrat më të spikatur të artit.

Zezona qe e rëndë e me pasoja gati të përjetshme, veçanërisht  për poetët e rinj që kishin dhënë shenja të emancipimit dhe futjes në modernitetin bashkëkohor të poezisë.

Edhe sot jam i habitur se si i shpëtoi kësaj shtrigërie Skënder Buçpapaj. Në ciklin e sipërpërmendur, në një poezi ai thoshte se “dielli u gjet i vrarë në fund të luginës, me një plumb në rrashtë”. Mjaftonte ky varg që poeti të shkonte në gulagun shqiptar. Thashë shpëtoi, por ishte gjysëmshpëtim. Në librin “Zogu i bjeshkës” që ishte miratuar dhe do të botohej atë vit, u hoq me urgjencë ky cikël dhe poezi të tjera, dhe libri ndonëse u prit me jehonë të madhe në shtyp nuk e dha si duhej plotërinë e poetit të ri, befasues.

Thashë ishte gjysmëshpëtim se Buçpapaj e disa poetë të tjerë të rinj e kishin kuptuar se diktatura vetë e dinte se nuk mund të shfarosej tërësisht letërsia, për një vit. Kurbanë të tjerë duheshin për më vonë. Kjo i rrudhi, i thau, i bëri të jenë të kujdesshëm në çdo varg, poetët e rinj. Madje më keq, të heshtnin, t’i mbanin vetëm në fletoret e tyre poezitë që shkruanin. Shumë, shumë t’ia lexonin njëri-tjetrit. Kjo ishte arsyeja që librin e dytë poetik Buçpapaj do ta botonte pas 12 vjetësh, në vitin 1986. Edhe ai i cunguar, paradoksalisht pa një titull, por të emërtuar shkurt “Poezi”. Një fëmijë i paemër, pasi redaksia e kundërshtoi titullin e Skënderit “Metaforë e blertë”, duke i afruar një titull skematik. Në këto rrethana Buçpapaj më mirë pranoi të dilte pa emër se sa me një togfjalësh me frymë partiake.

Aty e mbrapa, Buçpapaj s’botoi më libër me poezi. Botoi dhjetëra e qindra shkrime publicistike, vështrime e studime letrare etj, të një niveli shumë të lartë, por poezi jo se jo, aq sa dyshohej se tek ai është tharë lumi i madh  poetik që ushtonte në shpirtin e tij.

Por unë e dija krejt të kundërtën për mikun tim të hershëm, i cili kishte një personalitet tejet të komplikuar.

Lumi i heshtur, shpeshherë i fshehur në palcën e shkëmbinjve si lumenjtë e vendlindjes së poetit, do të shpërthente shkëmbin dhe do të vërshonte shungullues në librin e botuar para dy muajsh nga shtëpia botuese “Nacional”, Tiranë, me titull “Frika nga Atdheu.”

Jo vetëm nga sasia e faqeve (rreth 300)  por me të gjitha komponentët që i duhen poezisë për t’u quajtur moderne ose madhore, libri “Frika nga Atdheu”, përbën një antologji të rrallë poetike dhe pa mëdyshje hyn në librat më të shquar të 20 vjetëve të fundit që ka poezia shqipe.

DY ATDHETË,  NJËRI I MUNGUAR

Thashë më parë se titulli i librit “Frika nga Atdheu”, është i dhimbshëm. Të kesh frikë nga gjëja më e dashur në jetë, Atdheu? Të të përzejë Atdheu, ose më saktë zhelani që flet në emër të Atdheut dhe që e bren, e sfilit, e bën zhelan Atdheun? Por kjo s’është e re pë njerëzit e mëdhenj të letrave dhe aq më tepër nuk është vetëm shqiptare.  A s’ka qenë i munguar Atdheu për Eskilin, Danten, Hajnen, Brehtin, Cvjagun etj.

A s’ka qënë i munguar Atdheu për Naimin, Çajupin, Konicën, Nolin, Koliqin, Martin Camajn e së fundi për Kadarenë, e më në fund për Skënder Buçpapajn, i cili ka rreth 14 vjet që s’ka shkelur një herë në tokën së cilës i është përkushtuar, nënës së tij të cilën nuk arriti ta shohë për së gjalli prej 15 vjetësh dhe as për së vdekuri kur ajo ndërroi jetë.

Në librin e Buçpapajt janë dy Atdhe, reali dhe i munguari. Për të munguarin në poezinë e tij ai thyen çdo skemë, nuk ka nota malli dhe përlotje, kujtime, qarje, etj. Për secilin prej atdheve autori ka qasje të njëjtë të shprehur në dy mënyra:

Mënyra e parë: i dhembshur, i përkorë, si Naimi a Çajupi, shungullues si Fishta, Mjeda etj, gjithsesi me dashuri të pafundme.

Mënyra e dytë e sjelljes në të dy Atdhetë apo më saktë me gjindjen e këtyre Atdheve, gjindje që shpeshherë mund ta quash milet, autori është zemërak si Konica e hera-herës i rreptë si Fishta.

Për autorin Atdheun e përbëjnë edhe gjëra të vogla  të cilat poezia sqimatare, emfatike, s’i përfill. Atdheu përveç maleve, lumenjve  etj, etj, të kënduara aq shpesh prej poetëve, përbëhet edhe prej syve xixëllues të bretkockave në fshatin e largët  të poetit, përbëhet edhe prej atyre ujqërve të cilët bujarisht i lirojnë rrugën  një natë dimri kur po kthehej nga shkolla ku dikur jepte mësim, përbëhet edhe prej një rrëkeze të fshehur në barin lazdran të bjeshkës, atdheu përbëhet edhe prej një vargu të vetëm “Moj e mira …”, varg që hap shumicën e lirikave të veriut dhe të cilin Buçpapaj e zgjedh për titull të një cikli në librin e vet, e kështu pafundësisht.

Si rrallë në ndonjë libër poetik, tek “Frika nga Atdheu” i gjen pothuaj të gjithë elementet e natyrës, në lirikat për natyrën. Lloj - lloj, shpendësh, drurësh, lulesh, e peisazhesh e popullojnë këtë libër të rrallë.

KA THËNË GURI

“Nëse do ta dinit/ Sa vuan guri/ me gjarpër në gji/ Kurrë nuk do të thonit proverbën: Vuan si gjarpëri nën gur/(“Frika nga Atdheu”, faq.80).

Simbioza e gjarpërit me gurin, e përfolur aq shumë në filozofinë popullore shqiptare, vjen me një pikëshikim origjinal –metaforik në poezinë e Buçpapajt. Vjen si një metaforë e jetës së shqiptarit. Guri elementi më i dendur poetik në poezinë e gjithë brezave, tek Buçpapaj shpall dramën e të jetuarit me gjarpërin. Ky çmitizim i gjarpërit, ia heq atij viktimizimin prej gurit. Sado të dhimbshme mund të jenë realitetet e kësaj bote, ato shfaqen siç janë në krejt librin e Buçpapajt; herë herë lirike si një  pikë loti, herë herë të ashpra dhe paradoksale. Realitetet dhe gjindja që i jeton ose i krijon këto realitete janë reale pavarësisht ku jetojnë në Tiranë, Nju York, Romë, Londer, Bernë etj. Jashtë çdo skeme ato janë krejt të çmitizuara, universalisht të çmitizuara. Motivi filozofik përbën një pjesë të madhe të lëndës së këtij libri.

Jashtë sajesave estetizante të të filozofuarit, për njeriun e fatin e tij, historinë e tij, burimet e të filozofuarit poetik të Skënder Buçpapajt, janë edhe një trincë e vogël, edhe nëj fije bari, një larë bore, një mollë e mbetur në rrem edhe në dimrin e vonë etj.

Kjo qasje e bën poezinë e Buçpapajt tejet njerëzore, të dhimbshme e shumë mbresëlënëse, deri në përmallim.

Përkundrejt kësaj, poezia e këtij lloji ka mushkëri e hapësira kontinentale. Sa e sheh veten në bokat e Tplanit, a në Lugjet e Verdh,a sa çil dhe mshil sytë poezia e Buçpapajt të çon në metropolet europiane, në Saharë, në qiejt që gjëmojnë prej avionëve, në oqeanët që rënkojnë me nëndetëset në gji.

Kjo frymëmarje gati Uitmaniane, kjo kulturë e gjerë, erudicion dhe teknikë e sofistikuar të të shkruari,  e rendit poezinë e Buçpapajt në kulmet e poezisë bashkëkohore shqiptare dhe europiane.

DIÇKA MANGUT I MBETET GJITHMONË

Libri “Frika nga Atdheu”  është i ndarë në 7 cikle. Edhe struktura e këtij libri përbën një poezi më vete. Numri 7 aq simbolik në mendësinë shqiptare e më gjerë, është përdorur qëllimisht e mjeshtërisht nga autori. Në fillim të këtyre shënimeve kam thënë se më shumë se sa një vëllim poetik, ky libër është një antologji. E parë kjo në dy këndvështrime:

1.Për nga larmia e motiveve që trajtohen këtu,  thua se një poet s’ka ç’ka të thotë më shumë gjatë gjithë jetës së tij poetike.

2.Për nga stili a  mënyra e të ligjëruarit poetik ky libër përbën një perfeksion, një univers poetik që do ta kish zili gjithkush në botën letrare europiane e botërore. Aty përdoren mënyra të të ligjëruarit  nga më të ndryshmet që nga vargu i shkurtër dhe poezia sintetike, 4-5 vargëshe, deri tek vargu i shtrirë uitmanian. Madje nganjëherë ka poezi që përbëhen vetëm prej rrokjesh që të krijojnë një muzikë të habitshme.

Rima, ritme, kompozime të rralla, një fjalor i pafundmë i përzgjedhur sqimtar elitar e diku tjetër fjalë të lirshme të shpenguara, bruto, natyraliste, të përditshmërisë që rrijnë me dinjitet përballë fjalëve zonja apo ritmeve zonja të përzgjedhura nga mjeshtri i rrallë i fjalës, siç është Skënder Buçpapaj.

Aty s’ka fjalë mjerane që fliten nga gjindja e thjeshtë e struken para fjalëve elitare që flasin zonjat në sallone apo politikanët në retorikat e mërzitshme të parlamanteve.

Hierarkia e fjalës së shkruar nga Buçpapaj përbën një shembull poetik të Demokracisë së fjalës në poezi, aspak i ndikuar prej modave të stisura letrareske, në disa poezi autori përdor struktura të poezisë formaliste, luan me fjalën. E bën ndoshta për kapriço për të thënë se di edhe kështu ose më saktë ato çaste të shkurtra kur i ka rrahur në mendje një srukturë e tillë, s’do të lejë jetime. U thotë këtyre poezive: hyni edhe ju në këtë libër, s’ju lë jetimë! Por edhe një herë, Me këtë prurje të madhe që ka ky libër, a ka mbetur gjë e pathënë prej këtij autori?

Po edhe po! Dhe jam i bindur se të pathënat e Skënder Buçpapajt do t’i gjejmë shumë shpejt.

KARTOLINË PËR 2010 APO REKUIEM PËR DHOMËN Nr.20

Këto shënime, gjithsesi të paplota, ia blatoj thjeshtë si një kartolinë për vitin e ri 2010, mikut tim Skënder Buçpapaj, të cilin s’e kam parë tash 15 vjet.

Megjithëse fryma nuk mbahet thjeshtë me kujtime, siç thotë Sabri Hamiti, në një poezi të tij, prapë, sa herë kaloj në qytetin “Studenti’ në Tiranë sytë më shkojnë tek dritarja e dhomës nr.20 ku banonin studentët e letërsisë e ku për 4 vjet kam banuar në atë dhomë me Skënder Buçpapajn.

Ndoshta ishte dhoma me interesante e atij qyteti. Në atë dhomë janë fillesat e qindra poezive, shkrimeve publicistike, filmash, emisionesh televizive etj. Rrallë ndodh që në të njëjtën dhomë të kenë banuar së bashku disa përsonalitetet të spikatura të kulturës, artit dhe shkencës. Përveç Skënder Buçpapajt, aty janë formuar emra të tjerë me zë si  gazetari dhe humoristi i shquar Filip Çakulli, gazetari tjetër Ilir Buçpapaj, profesori i njohur i gjuhësisë Valter Memishaj, pedagog sot në UT, etj…..

Jam i bindur se edhe ata ndajnë të njëjtin mendim me mua për poetin e shquar kombëtar Skënder Buçpapaj, siç e ndan edhe kritika letrare shqiptare, e cila e ka spikatur qysh ne fillim talentin e rrallë të Skënder Buçpapajt.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora