Kulturë
Zeqirija Ibrahimi: Një libër me vlera të rëndësishme shkencore
E shtune, 08.09.2012, 03:22 PM
Një libër
me vlera të rëndësishme shkencore
Nga Dr. Zeqirija Ibrahimi
Këto ditë,
në vigjilje të 100-vjetori të shtetit shqiptar, doli nga shtypi libri më i ri i
prof. Avzi Mustafës “Studime e artikuj – nga vitet në shekuj”.
Ndonëse
emri i prof. Avzi Mustafës nuk është një emër i panjohur në shkencë – ai është autor
i disa librave kryesisht të fushës së pedagogjisë dhe një varg teksteve
shkollore – risia e këtij libri që po paraqesim është se ai këtu i ka tejkaluar
kufijtë e ngushtë pedagogjikë, duke dalë edhe në profilin e një studiuesi që e
ka zgjeruar veprimtarinë e tij të hulumtimit. Në fakt, në ambientin tonë shkencor
e publicistik ka shumë pak studiues, që me përkushtimin e studiuesit si ai, i përkujtojnë
datat historike të historisë së kombit, të historisë së arsimit, të ngjarjeve të
ndryshme kulturore e arsimore, por edhe të personaliteteve e figurave që pakkush
ua ruan kujtimin dhe i përmend për të mirë. Avzi Mustafa është mbase i vetmi që
kujdeset që këto momente të mos harrohen, ato të shënohen, për to të diskutohet
dhe, që është më e rëndësishmja, gjithnjë të zbulohet diçka e re përkitazi me
to, që do të jetë jo vetëm freski, por edhe arritje e re në shkencë.
Në këtë mënyrë,
edhe në këtë libër, që për shkak të natyrës së larmishme të teksteve është titulluar
“Studime e artikuj”, autori Mustafa ia ka dalë me sukses të mbledhë një pjesë të
teksteve, me disa prej të cilave ka marrë pjesë në simpoziume të ndryshme, ndërsa
këtu i ka sjellë rishtazi të përpunuara, dhe ato t’i paraqesë në këtë botim, i
cili për nga cilësia dhe origjinaliteti, kujtojmë se le që do ta përmbushë një zbrazëtirë
të rëndësishme në studimet shkencore të këtyre fushave në hapësirën tonë, por
do të jetë edhe një strumbullar i rëndësishëm për studimet e mëtejme të kësaj
natyre.
Ky libër është
i ndarë në tre kapituj tematikë, duke i përkufizuar si “Përvjetorë e dokumente”,
“Gjuha dhe arsimi shqip” dhe “Artikuj e diskutime”. Përmes këtyre kapitujve ai
sjell studime për përvjetorë të rëndësishëm, si përvjetorin e Pavarësisë, përvjetorët
e kongreseve të shkrimit e të arsimit shqip, duke sjellë vazhdimisht ndonjë dokument
të ri, përmes të cilit jo vetëm që dëshmon se mprehtësia e tij shkencore nuk kënaqet
me atë që tashmë është thënë dhe gjithnjë është në kërkim të diçkaje të re, por
edhe dëshmon se me punën e tij ai vërtet meriton të radhitet ndër studiuesit e
veçantë, që kur u qaset përvjetorëve, di të paraqitet si historian i vërtetë,
kur i qaset gjuhës, dëshmon prirje të veçanta për studime gjuhësore, si dhe kur
i qaset arsimit, përçon mesazhin se kemi të bëjmë me një autor që si një pedagog
i rryer di t’i analizojë kaq hollë këto fenomene. Natyrisht, vëmendje të veçantë
meritojnë studimet që ai i bën në fushën e gjuhës e të arsimit shqip, ku shihet
qartë përvoja e tij në këtë fushë të hulumtimit, si dhe mënyra gjithnjë inventive
e studimit të problemeve që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe dhe me arsimin shqip.
Marrë në përgjithësi,
vepra “Studime e artikuj” (nga vitet në shekuj) e prof. Avzi Mustafës
konsiderojmë se i përmbush seriozisht kriteret e një libri të mirëfilltë shkencor
dhe të denjë për t’u shërbyer njësoj edhe historianëve, edhe pedagogëve, edhe
gjuhëtarëve, por edhe të gjithë studiuesve e studentëve të shkencave
albanologjike e pedagogjike, si dhe opinionit më të gjerë të lexuesve, si një vepër
që meriton vëmendje dhe mirënjohje.