Kulturë
Baki Ymeri: Gjashtë autorë shqiptarë në një antologji të përbashkët
E shtune, 08.09.2012, 04:16 PM
Gjashtë autorë
shqiptarë në një antologji të përbashkët
(Ujërat e dashurisë, Amanda Edit, Bukuresht 2012)
Nga Baki Ymeri
Pas
antologjive të përbashkëta me poetë rumunë, shqiptarë e të huaj (Bukuria e
bukurive, Vullkani i durimit, Fontana e fjalëve, Altri Mondi, Fluturimi i fjalëve,
Tensione sentimentale, Nuset e fjalës, Ekzili i ëndrrave, Magjia e fjalëve, Çelësi
i shpirtit, Tempulli i fjalëve, Trup e shpirt, Shpirti i fjalës, Kujtimet e
shpirtit, Pagjumësia e fjalëve, Zjarr i shenjtë etj.), kemi nderin të dalim
para opinionit edhe me “Ujërat e dashurisë”, një miniaturë letrare ku defilojnë
disa emra të njohur dhe disa tjerë që debutojnë për herë të parë me vargjet e
tyre në kuadrin e një libri të përbashkët. Në bazë të pikturës në ballinë,
titulli nuk na duket aq i qëlluar, sepse më bukur do të tingëllonte shqip “Lëngu
i dashurisë”, apo “Dallgët e dashurisë”. Sidoqoftë, këto mbeten dy tituj të ri
të antologjive të ardhshme, poashtu me autorë të përbashkët. Pas parathënies së
Visar Zhitit, konform moshës (edhepse nuk e kemi respektuar moshën në krejt
korpusin e lëndës), vjen për herë të parë në Bukuresht, Qerim Pllana.
Është autor
i 3 romaneve, i 3 përmbledhje me poezi dhe 3 vëllimeve me publicistikë-histori,
si dhe bashkautor i 3 monografive, redaktor, eseist dhe recensent i disa
veprave letrare. Selman Pllana ishte gjyshi i babait të autorit, kurse Jonuz
Pllana, katër/gjyshi i babait të tij. Kjo është gjeneza e cila rrjedh nga rrënja
e familjes të ndjekur nga Toplica e Sanxhakut të Nishit, më dhunë ushtarake,
gjatë Krizës Lindore (dhjetor 1877- janar 1878). Meshkujt e kësaj familje, me të
ardhur në Kosovë do të marrin pjesë në luftërat e Lidhjes Kombëtare Shqiptare të
Prizrenit, gjatë fund-vitit 1878 dhe gjatë gjithë viteve 1879/81. Këtë organizim,
sipas autorit, e bën Sheh Jonz Pllana,
teqeja e të cilit gjendet në Suhadoll përtej lumit të Bardhë Ibrit, në Mitrovicën
veriore. Qerim Pllana ka studiuar Historinë dhe Letërsinë (me korrespodencë) në
Universitetin e Prishtinës. Në ndërkohë ka kryer edhe Gazetarinë. Sipas Pleurat
Gjatës, ka vepruar si arsimtar, gazetar
dhe ushtar i betejave për çrobërimin e Kosovës nga kolonializmi serb. Ka qenë korrespondent
shtypi, ka marrë pjesë në disa kongrese dhe ka fituar disa shpërblime për
merita në fushë të arsimit dhe kulturës. Është fitues i disa konkurseve letrare
për prozë dhe poezi. Që nga viti 1992 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të
Kosovës. Njëherit shquhet si publicist dhe analist i pavarur në shtypin ditor,
periodik dhe në massmedian elektronike. Ja
disa nga titujt e poezive të tij me të cilat merr pjesë në antologji: Testament
i poetit, Diatribë me vetëveten, Tri silueta, Plak i Vlorës, trim i detit (Ismail
Qemalit), Admirim i Atdheut (Adem Demaçit), kjo e fundit me vargje si: “Emblemë
e pashuar sfidë mëmdheu e admirimi/ Moshë e papërkulur dhe rezistencë qëndrimi“.
Florica
Bud, vjen për herë të pestë në faqet e antologjive tona, sepse, jo vetëm që e
hap kuletën për botimin e tyre, por edhepse ka pregaditje profesionale në fushë
të letërsisë, talent dhe vlera adekuate. U lind para 50 vitesh në veri të Rumanisë,
në një zonë të bukur të Maramureshit që konsiderohet si perla turistike dhe
arkeologjike e këtij vendi. Derisa në dasmat tona me tradita osmane mbretëron
një atmosphere e zymtë, madje edhe në momentin e mbylljes së dhëndërrit me
nusen, apo në darkën e shtruar para kësaj ceremonie, në vend të argëtimit
parashtrohen pyetje qesharake se kush ka qenë Stalini, Enveri apo Hitleri (siç pata
rastin të marr pjesë në një ceremoni të këtillë në një fshat të Malësisë së Sharrit
para 15 vitesh), në varrezat e Maramureshit të Florika Budit, në vend të atmosferës
së zymtë, derdhesh duke qeshur, duke lexuar epitafe me përmbajtje si: “Kam
jetuar 77 vjet, kam pirë 77 tonelata me verë dhe i kam lumturuar 77 dashnore”. Florika
Budi është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, autore e dy vëllimeve
me poezi në gjuhën shqipe, prezente edhe në antologjitë Çelsi i shpirtit,
Tempulli i fjalëve, Fluturimi i fjalëve, Trup dhe shpirt dhe Shpirti i dashurisë.
Në këtë vëllim i botohen dy pamflete verore (Tekst pa emër – Po shkoj në Kuernavaka,
dhe: Tekst pa emër – Po shkoj në Bali).
Sadulla Zendeli
Daja është legjenda e kulturës shqiptare në Suedi, autor i disa veprave të mrekullueshme
që mbeten në memorjen e historisë. Ndër to shquhet Fjalori Suedisht-Shqip me 950
faqe dhe 28.550 fjalë. U lind në Sërmnovë
të Gostivarit, me pregaditje shkollare dhe profesionale si intelektual me ide përparimtare.
Sipas Murat Gecajt, që heret nisi aktivitetin e tij atdhetar duke iu kundërvënë
në mënyra të ndryshme pushtetit të atëhershëm komunist, i cili me çdo kusht
tentonte t´i zhbëjë shqiptarët nga faqja e dheut. Pikërisht aktiviteti i tij
prej atdhetari u bë halë në sytë e regjimit të asaj periudhe famëkeqe rankoviqiane, e cila nisi ta ndjekë këtë
atdhetar të devotshëm. Mu për këtë, Daja u shtërngua ta braktisë vendlindjen
dhe të kërkojë strehim në Suedi (1966),
në qytetin universitar Uppsala. Fillimisht kreu kursin e paraprak të gjuhës
suedeze, pastaj diplomoi për shkencat filozofike në Universitetin e Uppsalës,
studioi dy vjet gjuhën shqipe në Universitetin e Sofjes (dega e Albanologjisë,
duke patur për shef të katedrës albanologjike, profesorin e ndjerë Thoma
Kacorri). Në ndërkohë kreu shkollën e lartë Bibliotekare (drejtimi universitar
dhe i sipërmarrjeve) në Borås. Një kohë punoi
si shef i biblotekave të shkollave në Nybro.]
Aty pa se
gjëja më e shtrenjtë për fëmijët është ruajtja dhe kultivimi i gjuhës dhe
traditave kombëtare. Mu për këtë u angazhua që të hapë shkollën shqipe për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë. Kësaj ia arriti
me sukses dhe kështu hapi shkollën e parë
në Nybro. Kështu pra, që nga 5 marsi i vitit 1975, nisi të punojë si arsimtar i
gjuhës shqipe në Nybro me 12 nxënës. Më vonë hapi shkollën e parë shqipe në Emmaboda
me 5 nxënës dhe në Kalmar me 10 nxënës, punë kjo të cilën vazhdoi ta kryejë me
entuziazëm dhe kënaqësi të veçantë. Përveç punës së palodhshme si arsimtar i
gjuhës shqipe, Daja është autor i një varg shkrimesh publicistike dhe botime të
fjalorëve dhe librave për fëmijë. Në vitin 2001 doli në pension duke i lënë arsimtarit
Raif Mehmetit 65 nxënës në Nybro dhe arsimtarëve Sali Komoni, Hasan Sula dhe
Milaim Lekajt, me rreth 70 nxënës të gjeneratës
së dytë. Për këtë konribut 27 vjet si arsimtar i gjuhës shqipe në Nybro,
Emmaboda dhe Kalmar, si dhe për punën e palodhur për çështjen kombëtare Sadulla Zendeli Daja shprehet: ”Unë jam njëri
ndër mërgimtarët e parë në Suedi, i dëbuar me dhunë para 46 vitesh. Rrethanat e
jetës në mërgim, siç mund ta dini, janë mjaftë të ndërlikuara e të vështira. Duke
qenë larg atdheut, mërgimtarët tanë i pret pashmangshëm asimilimi i pjesshëm
ose ai i plotë. Ajo që brengos çdo njeri në rrethanat e jetës jashtë atdheut është
ruajtja e gjuhës shqipe”.
Sadulla
Zendeli Daja ka qenë dhe është shumë i afër me bashkatdhetarët tanë në Suedi, të
cilët kishin marrë rrugën e mërgimit ugurzi nga dhuna që bëhej në trojet e tyre
shekullore. Këtë gjë e dinte mirë sepse e kishte përjetuar në kurrizin e vet,
gjatë veprimtarisë së tij në vendlindje. Në komunën Nybro, përveç shkollës
shqipe, bashkarisht me bashkatdhetarët e tij, hapën shoqatën
e parë shqiptare me emrin ”Ilirida”.
Për herë të parë u ndanë shqiptarët nga shoqata ”Vuk Karadjic”, e cila bënte
presione me ambasadën jugosllave që fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë të vazhdojnë
të ndjekin shkollën e përzjerë serbe-jugosllave. Në anën tjetër pason hapja e
shkollave shqipe në Nybro, Kalmar dhe Emmaboda,
hapja e shoqatës shqiptare “Ilirida” në Nybro dhe hapja e një Restorani
me emrin “Shqiponja”. Kaq sa për këtë shqiptar të prekur nga flatrat e engjëllit,
i cili defilon në faqet e antologjisë me disa poezi në gjuhën rumune, si: Shpirti
(mërgimtarëve që vdesin në mërgim),
Lisat e atdheut tim, Pranë tregut, Miq të betuar, Përgjakje prej tradhëtisë,
Nëpër shkallë, dhe Drita e varrosur në qeli (kushtuar Ukshin Hotit). Për vlerat
e tij lirike pason një faqe me konsiderata kritike nga Skënder Hasko.
E pranojmë
lajthitjen (publicistike) se për dikend shkruajmë më shumë e për dikend tjetër
më pak. E kemi thënë edhe më parë se poetit çdo gjë i falet pos një gjëje: poezisë
së dobët. Remus Valeriu Giorgioni është një poet i mrekullueshëm, prozator
botues dhe shkrimtar i pasionuar edhe ndaj letërsisë shqipe, të cilën e ka
prezantuar në faqet e revistës së tij, Actualitatea literara, që del në Lugozh
të Banatës rumune. Ka botuar një numër të konsideruar vëllimesh si Të kërkoj (poezi
fetare për fëmijë), Nga rrëfimet e pelegrinit, Apartamentet e tmerrit, Një shpirt
ektopik, disa romane etj. Është prezent në disa vëllime kolektive si Violinat e
kështjellës, Përhershmëria e shpresës, Libri i poetëve. Ka përkthyer nga
hungarishtja ndërsa për librat e tij kanë shkruar kritikë të njohur të këtij
vendi, si Alex. ?tef?nescu, Alexandru Spânu, Gheorghe Grigurcu, Constantin
Buiciuc, Constantin Buiciuc, etj. Prezantohet rumanisht me poezitë I don’ t
believe, Rruga e Rozës në drejtim të Poemës, Njeriu i lartë e i bardhë me
violin, etj. Pason Ana Calina Gara?, me origjinë nga Banata, e lindur buzë ujrërave
të Danubit. Pas studimeve, në kohën e Çausheskut, emigroi nga Rumania në Belgjikë,
nga Belgjika në Paris dhe nga Parisi në Amerikë. Vargjet e saj janë një ilaç i
mirë për shërimin e shpirtit. Po i citojmë disa nga poezia Adoleshenca: „Mblidhemi
çdo mbrëmje djem e vasha/ Posa të mugulluar në adoleshencë/ Të qeshim dinim
fort mirë/ E të mbahemi për dore./ Nën qartësinë e hënës loznim/ Jetën bashkëshortore/
Duke i kërkuar si do të verbët buzët/ Fjalë të ëmbla mes nesh/ Fluturonin njësoj
si/ Lëngjet e tubuara nga era/ Për dashurinë e pemëve.”
Maria
Niculescu vjen në faqet e antologjisë me një bibliografi në gjuhën rumune dhe
me një cikël poetik shqip/rumanisht, inspirime lirike kushtuar dashurisë. Ja
vetëm disa: “Lasciatemi con essa, serafica Regina,/ Un soave inizio nel cuor
pulsando lento/ Che strano,se non c`era, non c`ero un momento!/ Iddio sa: e la
mia amante, e divina!/ Ah, cara influire benefica e santa/ Non c`e piu
persistente nel mondo dolce essenza”. Pason Miradije Ramiqi me vrrullin e
ndjeshmërisë së saj lirike, me një bibliografi në gjuhën rumune, dhe me poezitë:
Klithmë dashurie, Ai ishe ti, Sa shumë të gjason ty, Thanë për mua dhe Teutën,
Shtegtimë mirësie. Përndryshe, Miradija vjen nga Pozharani i Kosovës. Është poete
dhe piktore e afirmuar në përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare. Merret aktivisht
me krijimtari letrare e artistike dhe, pos pjesëmarrjes në ekspozita të shumta
të arteve figurative, kolektive e individuale, ka botuar edhe disa vëllime
poetike si Drithërimë ngjyrash, Shi në pasqyrë, Pëshpërimë mbretërie, Shpirt i
përflakur, Heshtje e (k)thyer, Hirësi përrallore etj. Sipas Agim Vincës, poezinë
e Miradijes e karakterizon përpjekja e autores që me një gjuhë të figurshme
poetike të shprehë preokupimet e saj jetësore. Krijuese që u falet hireve të fjalës,
të ngjyrave dhe të perspektivës, Miradije Ramiqi është në kërkim të identitetit
krijues. Ecejaket e saj imagjinative në botën antike shqiptare, po aq sa edhe në
përditshmërinë tonë jetësore, me imazhet dhe topografinë e saj autentike;
rurale e urbane, përfundojnë në studion e poetes-piktore dhe të piktores-poete,
ku ajo rikrijon botën e saj artistike.
Zyba
Hysen Hysi vjen në faqet e antologjisë me tregimin “Shqisa e dashurisë”, që justifikon
edhe titullin e veprës respektive, me fragmente si: “Pa vështrime, pa shtrëngim
duarsh, pa përqafime, pa puthje, pa... veç me fjalë që valët elektronike
transmetonin mijëra dhe mijëra kilometra duke kaptuar male, fusha, lumenj, dete
e oqeane, çonin e binin tek njëri - tjetri rreze drite të padukshme, si Ultra
Violet, pa u ndjerë depërtonin në zemrat e tyre dhe pushtonin të prekshmin e
padukshëm që ne e quajmë shpirt. Kush e bën këtë mrekulli që më pas të krijon
furtunë dhe shpirti kurrë nuk gjen qetësi, njeriu kërkon shpëtim dhe s’di kujt
t’i drejtohet, veç thërret përmes tërbimit dhe katastrofës valore që godet pa mëshirë
shpirtrat e dashuruar. “O Zot! O Zot!” dalin thirrje duke mos ditur çfarë t’i kërkojnë
Zotit. T’ua largojë? T’ua qetësojë? T’i rrëmbejë më shumë deri në çmenduri?!” Dhe
më tej: “Zoti qoftë me ty, shpirt në çdo çast e të ruajt dhe të dhëntë shëndet
e jetë, se fatkeqësisht shqisa ime e dashurisë m’i përcjell të gjitha në shpirt.
Nëse unë të lëndoj e të bëj keq, më thuaj, kjo do jetë letra e fundit që po të nis,
por nuk di sa kohë do të shkruaj.” Impresionuese janë edhe inspirimet lirike të
poeteshës rumune Silvia Butnaru, autore e disa vëllimeve poetike, me banim në Gjermani
që nga koha e diktatorit Çauehesku: „Minutat e trishtme degdisen/ Orët rrjedhin/
Përmes hiçit të kohës/ Ditët i tubojnë valët/ E kohës/ Muajt i gërshetojnë/ Stinët
të masin bukurinë/ Vitet zbaviten shtigjeve/ Të jetës/ Me fatin e një dashurie”.
Apo: “Desha të të kem pranë meje/ Duke ma përfshirë belin/ Duke e gjetur
mendimin e fshehtë.// Desha.../ Të zbuloj universin/ Në netën e kthjellta/ Duke
menduar se më pret te kroi.” Sipas eseistit Gheorghe-Cristian Popa, vargjet e
poeteshës Silvia Butnaru, rimojnë me përjetësinë.
Muzafer
Ramiqi u lind më 31.08.1967 në Pozharan të Vitisë. Shkollën fillore dhe të mesmen
i kreu në vendlindje. Studioi në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës,
dhe ka diplomuar ka diplomuar për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Institutin për Studime “Pjetër
Budi”, në Prishtinë. Shkruan poezi, duke botuar në revistat e kohës, në Kosovë dhe
Shqipëri. Me shkrime merret që nga fëmijëria. Deri tani ka botuar këto vepra: “Anemia
e kujtimeve” (1997), ”Mendoj për ty” (2003)
dhe ”Portat e heshtjes”(2011). Muzafer Ramiqi është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve
të Kosovës dhe defilon në faqet e kësaj vepre me poezitë (bilinguale) Vaji i
Fjalëve (“Me sy mallëngjimi shoh mallin e syve/ Lotët e dhimbjes rrëshqasin me
dhimbje loti/ Buzët e zjarrta puthin zjarrin e buzëve/ Moti i harresës na
harron ndër mote/ Mos më qaj me vajin e kësaj bote”); Serenatë, Fundi i parë,
Ku ishe ti, Pse të harrova, Fjalë e pathënë dhe dy poema në gjuhën shqipe: Spjegoma
ëndrrën time, dhe Gota e thyer. Pason Daniel Marian-i, nga Deva e Transilvanisë.
Ka kryer Fakultetin e Informatikës në Universitetin e Timishoarës, ka botuar
disa vëllime poetike dhe prezantohet me disa poema në gjuhën rumune: Mbarimi i
hënës së plotë, Hark elektrik, Përpjekja e gomës, Ide në bardhësi, Ikona e varfër,
Ende, Goblen (II), E përsosura e thejshtë, Këngë për të rendur nëpër mjegull
etj.
Poetesha e re, Kadrije Meniqi, vjen me poezitë Mërgimi, Dashuri engjëllore, Pritja më është e rëndë, Më mungon, Ylli i jetës sime etj. Në kuadrin e një medalioni estetik, autori i këtij shkrimi thekson: “Poezia është çelsi i buzëqeshjes magjike dhe pasqyra e shpirtit. Vargjet e Kadrije Meniqit reflektojnë sentimentin e brishtë të dashurisë (”Dhe vargu im i dashur,/ Bukur ritmon,/ Bashkë me zemrën time”). Poezitë e një subjekti të këtillë janë vlera të çmuara të botës shqiptare ku mund të zbulojmë ikona të gjalla poetike, ku “dielli ju jep jetë e dashuri”, kurse “unë shtrihem në shtratin e ëndrrave”. Autorja shkruan në gjuhën e nënës për atdheun e bukur që të jep energji hyjnore për ta dëbuar zërin e trishtimit në mërgim. Poetesha e ndjen se pritja është një padurim i rëndë, një durim i gjerë dhe i pamatur, njësoj si jeta që është e përmbushur me evenimente/ngjarje të papritura e të paharruara (”Ëndërrova pak qetësi e lumturi,/ Dhe e tëra më solli pasiguri./ Sonte të them lamtumirë yll i jetës sime”). Sentimenti i dashurisë herë pas here ndërlidhet me një shqetsim poetik që i ka hije”. Poet i fundit dhe më i ri përnga mosha është Rudi Berisha. U lind më 1982 në Gërdovc të Besianës (Podujevë). Shkollën fillore e kreu në fshatin Llugë dhe Lluzhanë, ndërsa të mesmen në Besianë. Është duke studiuar ne Fakultetin Filologjik në Prishtinë në degën: Letërsi shqip, si dhe në Fakultetin AAB-RINVEST në degën Gazetari Mediale. Me shkrime ka filluar të merret qysh si nxënës i shkollës fillore, kur herë pas here ka botuar nëpër revista letrare për fëmijë dhe të rritur. Përveç poezisë, ky autor shkruan prozë dhe tregime. Më 2009 themeloi Klubin Letrar ‘’Zahir Pajaziti’’ në Podujevë, ku tani është kryetar i këtij Klubi. Ka bërë gjithçka që është e mundur për të nxjerrë revistën e parë letrare që u botua në dhjetor të vitit 2009 me titullin Ringjallja. Jeton dhe vepron në vendlindje. Ka botuar librat me poezi: Foleja e dashurisë, 2007; Dallëndyshja e Lirisë, 2008; Kohë e përflakur, 2010 etj. Malli për ty (me kalendarin që numëron dhembjet), Lotët e tu (me dashurinë dhe lotin si aromë e përjetshme), Dashuria në flakën e duarve, Do puthemi, O sa mall kur të them të dua, Të dua zjarri im, etj., janë disa nga poemat inspirative që e përmbyllin këtë vepër vlerash të veçanta që i lumturon autorët e përfshirë në gjirin e saj.
Rëndësia, pesha dhe vlera e antologjive
Ekzistojnë
zëra të revoltuar që e kontestojnë rëndësinë e antologjive letrare me autorë të
njohur e të panjohur, respektivisht me disa që debutojnë për herë të parë në faqet
e një antologjie. Ka edhe të atillë që nuk janë në gjendje së paku faleminderit
të thonë, e ku më të pyesin sa të kushton mundi dhe botimi i një vepre të këtillë.
Mund të teoretizohet deri në pakufi lidhur me këtë subjekt, por neve nuk na
intereson tjetër veçse afirmimi dhe mediatizimi, duke i prezantuar vlerat
madhore, paralelisht me ato minore, siç veprojnë
edhe disa autorë tjerë, për t’i kënaqur të gjithë, duke i anashkaluar vetëm ata
që ëndërrojnë të bëhen shkrimtarë të mëdhenj brenda një nate. Qëllimi është që të
jenë të kapshëm nga lexuesi, të cilit i jepet mundësia të verifikojë cilësinë e
veprës apo autorit, edhe përmes komenteve të shkruara nëpër site të ndryshme,
pa krijuar skandale letrare. Po qe se bazohemi në vërejtjet e kritikëve “të rëndë”,
apo të autorëve të afirmuar, ekziston reziku i eliminimit nga perimetri i
arteve aktuale, i atyre që kanë talent dhe prirje për t’u bërë nesër krijues të
mirë. Përfundimisht, finalen e dëshmon jo antologjia respektive, por vëllimi i
botuar, i shkrimtarit që i jep legjitimitet vetëvetes, prestigj dhe,
eventualisht edhe famë, nëse këtë e dëshmon me punë titanike, sepse puna është emblemë
nderi e shoqërisë. Ku qëndron rëndësia e antologjive?
Vlen të ripërkujtojmë
faktin se një antologji përfaqëson atdheun në miniaturë, një totalitet (artistik)
ndjenjash, mendimesh, aspiratash, përfytyrimesh, dhe jo vetëm kaq. Kemi në atdhe
e diasporë poetë të shkëlqyer, por disa nuk kanë mundësitë e nevojshme për t’u
mediatizuar, apo për të nxjerrë një libër. Atëherë e zgjedhin rrugën e thjeshtë
të participimit në ndonjë antologji, për botimin e së cilës paguajnë më pak,
por janë të receptuar nga më shumë lexues. Avantazhet e antologjive, me një fjalë,
janë të shumëfishta. Botuesi mund të bëjë lansime publike, mund t’i prezantojë në
panaire librash etj. Qëllimi nuk është te
emri, por te vlera e vargjeve. Nëse botohesh në një antologji të mirë, po qe se
ke vlera, mund të bëhesh i njohur brenda një kohe të shkurtë, dhe po qe se s’ke,
mund të mbetesh i panjohur, edhe po qe se del në dhjetra antologji të parëndësishme.
Poashtu site-të letrare janë një dhuratë tejet e rëndësishme. E kanë zëvendësuar
praktikisht cenzurën komuniste që kishte një aparat fort mirë të organizuar, me
formën demokratike të saj, domethënë, sa del diku një tekst yti, ke mundësi ta
verifikosh në pikëpamje të cilësisë, duke lexuar komentet e shkruara nga njerëz
të të njëjtit profesion, shkrimtarë, kuadro universitare, gazetarë, apo madje
edhe nga lexues të rëndomtë.
Ajo që ndikon në perfeksionimin e antologjive të ardhshmë është vërejtja (private) e njërit nga autorët e përfshirë në antologjinë paraprake (Zjarr i shenjtë). Sipas tij, “Ajo që vlen të theksohet është se antologjia është një përzgjedhje e individuale e përpiluesit, është në njëfarë mënyre dhe pjesë e shijes së tij letrare, dhe në këtë mes nuk ka asgjë kontestuese. Mirëpo, me shpresën se do të më kuptosh drejt, dëshiroj të jem shumë i sinqertë. Në përpilimin e antologjive të tilla megjithatë duhet të vendosen disa kritere: përzgjedhja e autorëve, përzgjedhja e poezive (lirika përgjithësisht, poezia e atdhedashurisë, e dashurisë, refleksive etj.). Ndërkaq, një peshë të veten e ka dhe duhet ta ketë edhe renditja e autorëve, e cila mund të jetë sipas moshës së autorit, që është më serioze apo sipas alfabetit (që nuk duket fort serioze). Ndërkaq, më duket se renditja në këtë mënyrë, e cila mund të jetë pjesë e shijes suaj, më duket se nuk lë për të kuptuar se kemi të bëjmë me një antologji serioze, sepse kemi të bëjmë me një renditja ad hoc, tek e cila unë nuk mund të ndikoj. Unë vazhdimisht e përcjellë e poezinë e sotme shqipe përgjithësisht dhe vazhdoj ta përcjell madje edhe poezinë e poetëve të cilët shkruajnë vetëm sa për të shkruar por edhe të atyre që nuk mund të shpërthejnë në opinion, e të cilën kanë vlera të pamohueshme letrare. Më vjen keq të të them, por me një renditje të tillë çfarë e pashë unë, në mesin e të cilëve ka poetë të cilët nuk quhen pothuajse fare për vlera letrare, artistike dhe estetike. Po të ishte fjala për ndonjë revistë apo periodik, nuk do të më prishte punë aspak, sepse revista është promovuese (aty mund të ketë fillestarë, provues e sprovues, të shquar e të pashquar etj.), ndërkaq antologjia është krejt diçka tjetër – është prezantim i vlerave të verifikuara.” Autori ka të drejtë. Ka të drejtë edhe një krijues tjetër, sipas të cilit, prezantojmë edhe vlera minore. Kjo është e drejta jonë, për t’i lumturuar të gjithë, sepse disa nga krijuesit e famshëm që i mundon kompleksi i narcisoizmit, si pasojë e grandomanisë ballkanike me konotacione otomaniste, nuk janë në gjendje as Faleminderit të thonë.