E shtune, 27.04.2024, 04:25 AM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Demi

E enjte, 09.08.2012, 09:37 PM


DEMI

Nga: KALOSH ÇELIKU

Vite më parë gjatë studimeve në Prishtinë, në një konkurs letrar të shpallur nga gazeta e përditshme “Rilindja” kam kunkuruar edhe me një tregim për fëmijë: Sagjini. Përçudi, tregimi në atë kohë bashkë me dy të tjerë u ble për botim. Edhe, u botua në “Rilindja për fëmijë” (1976). Ishin ato hapat e parë të mi në letërsi drejtë afirmimit si shkrimtar. Ose, ndryshe: vija si emër i ri premtues në letërsi përmes konkurseve letrare të asaj kohe. Arsyeja ishte se, shumica e redaktorëve në redaksi mendonin se isha pseudonim letrar. Interasant, për atë kohë, më lehtë e kisha t’i botoja krijimet e mia letrare me pseudonime, se sa me emrin dhe mbiemrin tim: Kalosh Çeliku. Nuk ishin shumë pseudonime: Kaemçe Çuka, Ilir Emini, Asdren Deralla, Xha Deralla, Ramë Çeliku e ndonjë tjetër, që nuk më kujtohet tashti pas kaq viteve.

Vite më vonë, atë punim letrar e botova edhe në librin me tregime për fëmijë: Lepuri me pushkë (Shkup, 1983). Kritika letrare e priti mirë si libër me tregime në atë kohë. Edhe lexuesit e vegjël e gëlltitën me një frymë. Ndonjëri nga ato tregime përfundoi edhe në librat e këndimit kokë më kokë me shumë shokë nëpër shkolla shqipe.

Gjysmë shekulli më vonë e sjell si ribotim në këtë shkrim një fragment të atij tregimi interesant për fëmijë që edhe sot rrëfen histori:

Dy ditë para Plaku i fshatit doli te kodra dhe thirri që atë ditë të gjithë fshatarët, burra e gra, të mblidhen te xhamia. Ditën e caktuar në fshat u dukën njerëz të armatosur gjer  në dhëmbë. Flisnin një gjuhë që s’ua merrte vesh as dreqi. Këta duhet të ishin pushtuesit. Fshatarët qysh herët i kishin lëshuar shtëpitë dhe kishin dalë te xhamia. Vetëm Rama i vogël kishte mbetur duke ruajtur kafshët në livadhin e madh, përpara shtëpisë. Ushtarët hynin e dilnin nëpër shtëpia, thyenin arka dhe pastaj mbasi merrnin me veti çka ju pëlqente atyre, disa shtëpive ua vinin zjarrin. I tërë fshati vlonte nga pushtuesit. Sëfundi disa hynë edhe në shtëpinë e Ramës. Rama i shikonte me urrejtje nga Lisi midis livadhit duke ruajtur kafshët, i pafuqi t’i ndalë pushtuesit të mos e plaçkisnin shtëpinë e tij rrëzë Çukës.

Pas dy orësh kontrollimi pushtuesit dolën nga shtëpia me disa plaçka në duar. E kishin gjetur edhe mauzerrin e babait që e kishte fshehur në hatulla. Një ushtar mbante në duar disa tesha dhe florinjët e nënës sime. Disa të tjerë muarën nga kasolla pesë-gjashtë kosha me kashtë dhe i derdhën para pragut të derës së shtëpisë. Donin t’ia venin zjarrin. Në oborr hyri një epror ushtarak i stolisur me dekorata lufte. Me siguri ai do të ishte udhëheqsi i tyre. Mbasi i mblodhi ushtarët dhe biseduan diç, për Ramën e vogël të pakuptuar, i mlodhën plaçkat dhe u nisën nga lëma. Shtëpinë e lanë, nuk e kallën. Kur ranë nëpër livadh, përpara shtëpisë ku kullosnin kafshët, kah ata u turr Sagjini – kau që Rama i vogël e donte më së shumti. Ushtarët duke mos qenë të përgaditur nga kjo e papritur, ua dhanë këmbëve. Por Sagjini me brirët e tij e rrëzoi për tokë një ushtar të armikut dhe e la pa frymë. Një ushtar tjetër shprazi automatikun në kaun e fuqishëm e guximtar. Sagjini lëshoi një zë të tmerrshëm dhe pas disa hapash u rrëzua për dhe. Pushtuesit e muarën ushtarin, i cili nuk jepte shenja jete, me zorrët jashtë dhe u nisën teposhtë livadhit. Rama i vogël vrapoi dhe u sul mbi kaun, duke derdhur lotët rrëke. Ia vuri veshin në krahëror. Ai nuk merrte frymë. Zemra e Sagjinit kishte pushuar.

Në mbrëmje kur u kthye babai i Ramës nga malet në shtëpi, ai ia tregoi ngjarjen dhe e luti babain që t’ia bëjnë një gropë dhe ta shtinë Sagjinin në dhe. Babai e kuptoi voglushin – ia plotësoi dëshirën. Baba e bir, me lot në sy, Sagjinin e shtinë në dhe, nën hijen e lisit midis livadhit përpara shtëpisë. Edhe sot dihet vendi, nuk është rrafshuar me tokë. E, Rama sa herë që kalon nëpër livadh nuk e lë pa kthyer kokën kah ish shoku i tij nën hije të Lisit midis livadhit.

-Të tilla ishin ato ditë të tmerrshme… - më tha xha Rama - kështu ishte atëherë kur u dilnim përballë hordhive pushtuese

 

Prishtinë, Rilindja 1976

 

Edhe, e dini ku e pata qëllimin në këtë shkrim?! Jo, nuk e dini si lexues. Patjetër, duhet t’ju hap rrugë mes këtyre rreshtave, hyni krah për krahu në këtë portë historike.

Sagjini, si e patë edhe më lartë në tregim, ishte emri i kaut të zgjedhës, që gjatë okupatorit pushtues me brirë i rrëzoi në mes të livadhit disa ushtarë të armikut. Vërtet e humbi jetën, po nuk mundi ta duroj dot këmbën e huaj pushtuese. Robërinë.

E ky Demi ynë i sotshëm melez i rritur dyerve të hallkut nëpër botë, nuk është në gjendje sot të rrëzoj në mes të livadhit as edhe një lopë. Qafën vetë e futë në zgjedhë. Vetëm e vetëm për një krah kashtë në grazhd. Ose, një torbë taxhi, pasi ia heqin zgjedhën nga qafa në lëmë. Dhe, e lidhin me kërpesh për brirësh në Livadh.

Padashtas, mes këtyre rreshtave më kujtohet Mirko Gashi, një poet i madh bohem shqiptar, kur gjatë një ore letrare lexonim poezi në një xhami të Kosovës. E gjithë kjo ndodhte shkaku Serbisë shoveniste, që pas demonstratave të ’81 -shit na i mori të gjitha të drejtat kombëtare dhe institucionet arsimore e kulturore. Dhe, ku të lexonim poezi në tjetër vend më të sigurtë, përveçse në xhami. Mirko Gashi i armatosur atë ditë me dy “kashikara” me raki rrushi në xhepat e gunës, lexoi plot emocione një poezi për Lumin.

Në bisedë e sipër, pas Orës së madhe letrare Gani Xhafolli i tha Mirko Gashit: Edhe Kaloshi është poet bohem si ti në poezi e jetë. Po, iu përgjigjë aty për aty Mirko Gashi. Vetëmse, Kalosh Çeliku është bohem i stilit të vet origjinal. Nuk gjason aspak me mua, as në poezi e as në jetë. Dikur, doli para të pranishmëve dhe e lexoi një poezi për Lumin e vogël, “që ende nuk i ka mbushë dy vjet, e nuk do të lidhet në djep”.

Dhe, u kthye në mesin tonë duke i kënduar ato dy vargjet e këngës popullore, që kurrë për së gjalli nuk i hoqi nga goja: “Para se shpirti i ka dalë, i ka folë dy-tri fjalë”…

 

Mirko Gashi, bohemi vizionar i “Plagë uji (”1990)..

Mirko Gashi (1939-1995)

Mirko Gashi lindi më 2 janar të vitit 1939 në Kralevë (Serbi). Shkollën fillore e kreu në Preshevë ndërsa Gjimnazin në Gjilan. Ka kryer edhe një shkollë për gazetarë. Ka punuar si mësues në fshatin Caravajkë të Preshevës, pastaj gazetar në Radio Prishtinë, Në Teatrin e Kombësive në Shkup, në Teatrin Popullor të Prishtinës e së fundit ka redaktuar gazetën “Kosova” të një ndërmarrje ndërtimore në Prishtinë. Me krijime letrare ka filluar të merret qysh herët. Është marr edhe me përkthime nga gjuha shqipe në ate serbe dhe anasjelltas. Punimet e Mirko Gashit janë përkthyer në gjuhën frënge, italiane, gjermane, arabe, sllovene, angleze, turke dhe maqedonase. Është prezantuar në shumë vepra të autorëve që kanë shkruara për shkrimtarët shqiptarë. Ka kaluar një jetë prej bohemi, gjatë kohës sa ishte pensionist. Vdiq në vitin 1995, në Prishtinë.

Veprat e Mirko Gashit: “Në vorbullën e ujit” Prishtinë 1972 “Netët e bardha”, Prishtinë 1975 “Gjarpëri i shtëpisë”, Prishtinë, 1980 “Arbror vitae”, Prishtinë 1988 “Plagë uji”, Prishtinë 1990 “Liberto për gjenetivin e ujit”(serbisht) “Jedinstvo” Prishtinë 1977.

Përkthimet e Mirko Gashit në serbisht: Poezitë e Ali Podrimjes Poezitë e Din Mehmetit Poezitë e Qerim Ujkanit Poezitë e Sabri Hamitit Poezitë e Ibrahim Kadriut “Gof” të Anton Pashkut “Anija e vjetër” të Resul Shabanit “Bregu i pikëllimit” të Teki Dërvishit “Memoaret” të Ismet Shaqirit etj.



(Vota: 135 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora