Kulturë
Marius Chelaru: Kur e kërkon mbarimin e botës
E marte, 07.08.2012, 07:10 PM
Kur e kërkon mbarimin e botës së Fjalës
(Skënder R. Hoxha, Udhëkryqet e Fatamorganës, Amanda Edit, Bukuresht 2012)
Nga Marius Chelaru
Skënder R. Hoxha inkorporohet në atë kategori të autorëve për të cilët
të shkruash në vargje don të thotë të thurrish një tjetërsoj rrëfimi, jo
medoemos një reflektim, në njërën apo në mënyrën tjetër „fotografike”, të botës
së jashtme, dhe sidomos një botë që rezulton nga kalimi i përfytyrimit të asaj
që e sheh përbrenda dhe që fanitet nga jashtë përmes një pasqyrimi mendimesh,
kujtimesh, besimesh dhe tmerresh të grumbulluara gjatë kohës, nga vetë jeta
jote dhe nga ajo që ka mbetur, kuptimisht nga jeta e të tjerëve: „Vrapojnë ditët si kuaj të harlisur, të
tërbuar// Prapë do njerëz qeshen e zgërdhihen” (Koha).
Me pak fjalë, kështu duket bota e këtij vëllimi, në pjesën e parë, të
titulluar „Sibilat nëpër kohë zezonash” (fragment nga vëllimi „Kalorësit e
mortit”, botuar para vitit 1989). Çka ka rezultuar në rastin konkret? Një gamë
fragmentesh/tablloshë në të cilët parafrazimi poetik pezullohet diku ndërmjet
kriptikës dhe onirikës, ndërmjet ëndrrës dhe zhgjëndrës. Është njësoj sikur të
marrish copa mendimesh, t’i lidhish me copa tjera rrëfimesh, të kahershme apo
jo, me fije të holla realiteti. Duke lexuar një vëllim të këtillë, pyet
vetveten, për shembull, nëse mund të të pëlqejë apo nëse konturosh një mesazh,
apo nëse ky është i gërshtuar me fjalët prej të cilave është përpiluar kjo
„përzierje” aq e kapshme dhe aq tërheqëse, saqë të duket si një minierë që
duhet ta rizbulosh.
Është kjo, nëse doni, në tekstin e titulluar „Alternativa”, një mendim
që ta përkujton, as pranverën, as verën, as dimrin. As mëngjezin, as mbrëmjen,
as drekën. Dhe gjyshja, thotë autori, përsëri na tregon përralla të kahershme.
Duket se është fjala për diçka që e kërkon, thuajse „fundin e botës së Fjalës”.
Kjo në njërën anë. Në anën tjetër janë „transmetime” të shumta, ndoshta dhe
aluzione intertekstuale. Mund të ekzemplifikojmë me tekste si „Vdekja”, me një
mision të dukshëm në një epizod të rrëfyer në njërin nga librat më të njohur të
Kadaresë (Gjenerali i ushtrisë së vdekur): „Barinjtë/ me shkopinj matnin kohën e lindjes
së Diellit/ Të ëndërruar e dikush hapte varre n’majë të
kodrave/ Pa ditur kush do të vdesë: disa apo të gjithë?/ Se mjegulla kishte fshehur të gjitha gjurmët/ Si ëndrrat e dimrit që s’dëftojnë, veç kur
fosilet/ Do t’i mbledhë ndonjë Gjeneral i Ushtrisë së
Vdekur!”
Në anën tjetër janë rrënjët e
shqiptarizmit, qytetërimi dhe mentaliteti, sa i përket traditave, gjuhës dhe
kulturës shqiptare, disa vlera reale të zbërthyera në më shumë mënyra/vende.
Ndoshta nga shembujt më elokuentë është teksti „Kulla”. Kulla, një element që
ndërlidhet me atë që don të thotë të jesh shqiptar, siç, në një mënyrë mirë të
definuar, është edhe kodi i Lek Dukagjinit. Emër i përmendur në të njëjtën
poemë: „Kudo në bazamentin e gërmadhave
iliriane!/ Vini shkëmbinj graniti si stërgjyshërit tanë-/ Se Kullë e Lartë ,
dukagjinçe, vërtet!”
Në pjesën e dytë, „Udhëkryqet e Fatamorganës”, janë edhe disa sekuenca
tjera, disa të plasuara në mënyrë të veçantë si „Përkushtime”, „Na thërret
Atdheu”. Në këtë kontekst mund të nënvizojmë se të gjitha këto lënë vendin e
një diskursi apo fjalimi poetik që, edhepse e ruan tek-tuk njëfarë
simbolisitike, është moment i përshtatshëm për të shfrytëzuar fjalorin e
autorit dhe sintagmën „sibilinike”. Janë mendime për të tanishmen, përpjekje
reale për të ndërparë se autori mund ta sjellë ardhmërinë, siç shkruan Skënder
R. Hoxha, sepse „kam frikë nga ardhmëria e cunguar”. Pasojnë
përkujtime të ndryshme dhe sekuenca nga historia ende e freskët e
përgjakjes së rajonit. Disa tekste, madje, janë shkruar në ato kohë të krisura,
të përshkuara me humbje e drama që i kanë prurë ato vite. Me siguri, çastet e harresës nuk kanë vlerë,
për të gjykuar, shkruan autori, por as nuk duhet harruar, sepse ato kanë
kalëruar mbi supet e kërrusura të Atdheut. Lexojmë për një kohë të krisur, në
të cilën „trishimi im është plakur”, dhe pëllumbat e zogjtë, dhe
zgalemat „e kanë harruar fluturimin”.
Janë edhe disa përshkrime interesante të qytetit ku banon („Në shoqërim të
karkalecave”), apo fragmente kujtimesh nga fëmijëria („Këngë harrese”). Disa
tekste kanë më parë tonin e disa namatisjeve, pa rënë në grackë të përbuzjes e
sharjes, në adresë të atyre që tallen me lirinë, duke bërë fjalë për „fijet e
dobta të shpresave për liri”, të atyre që krisin vetëtima në „tokën e
harruar”, duke i vënë në bisht të lahutës „skeletët që flasin shqip”,
por, pa i harruar edhe tradhëtarët, kolaboracionistët, pseudohistorianët etj. Autori
e fshikullon edhe „Perëndimin pa ndërgjegje vetjake” etj. Disa tjera, sidomos
në kapitullin „Dedikime”, flasin për momente me rezonancë/kumbim/ushtimë ndaj
njerëzve që vdiqën në emër të luftërave për liri dhe çlirim kombëptar (siç
janë psh. Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Gani Brahimaj e
tjerë).
Poeti shkruan edhe për vende e kujtime me një rezonancë të shquar të
atdheut të tij: „Shënime kujtime e përralla për jetën/ Për luftërat ilire e
lodrat e fëmijëve të zbehtë/ I mbaj të shënuara në fletore shumëfletësh/ Gjyshi
kishte pasë kënduar për to në lahutë” (Jeta).
Shkruan poashtu për profesorë, shkrimtarë, personazhe të ndryshme që kanë një
emër të veçantë në memorjen e historisë lokale apo kombëtare. Më të pakta janë
vargjet e dashurisë, por edhe ato kanë vlera të prekshme të ndjeshmërisë, si „Çdo
kujtim ka ngjyrën e dashurisë sonë” apo „Atje kafshonim fundin e
dashurisë”.
Përkthyesi talentuar (Baki Ymeri), që i pru për herë të parë në gjuhën rumune disa poetë të një cilësie të lartë, si A. Podrimja, S. Bashota I. Kadriu, M. Ramiqi, H. Haxhosaj etj., na ofron kësaj rradhe një seleksion atraktiv që i bashkon dy pjesë të ndjeshmërisë nga pikëshikime të ndryshme, sa tematike, po aq edhe stilistike. Fjala është për një diskurs poetik inspirimesh karakteristike, me vlera lirike që nxjerrin në pah një autor të frymëzuar, poetin Skënder R. Hoxha, i cili depërton në peisazhin e kërkimtarëve, me konstrukcione të veçanta poetike, me shprehje interesante dhe sekuenca të një poezie reale.