E diele, 04.05.2025, 03:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Mateli: Mystehak Kapo - ''Zemra qan''

E enjte, 02.08.2012, 08:04 PM


Nga Kujtim Mateli

Mystehak Kapo, lindur rrëzë malit të Trebeshinës, në ato pllaja të bukura që mbajnë emrin e Podgoranit, tani së fundi na dhuroi një vëllim poetik, vargje që shprehin dëshirën e hershme të autorit, për t`u dhënë bashkfshatarëve të vet, krahinës së Dëshnicës, por edhe më gjerë, këngën e shpirtit të tij. Është kënga e shpirtit të tij që na vjen natyrshëm: herë e gëzuar dhe vargu mban brenda aromën e trëndelinës dhe çajit të malit, herë e trazuar duke mbajtur plagët e shpirtit të tij, që nuk janë vetëm plagë shpirti të poetit. Poeti shpreh atë që sheh e dëgjon në mjediset e veta shoqërore dhe që shpesh bëhet zëdhënës i tyre.
  Po Mystehaku kishte dhe një djalë, një djalë që kishte filluar të thurrte vargje, një poet që vdekja nuk e la të jetonte jetën, as të zhvillonte talentin e vet. Iku në moshë të re. Në vend që Mystehaku të thurte vargje që do të ishin këngë për të, thuri vargje që janë lot për të. Ndaj dhe vëllimi mban titullin kuptimplotë: “Zemra qan”. Janë vargje që kanë dalë nga dhimbja e zemrës. Libri mban autorësinë e të dy poetëve, (At dhe bir) Mystehak Kapo dhe Ardian kapo.
Po Mystehaku është poet dhe poeti del përtej vetes së vet. Përtej vdekjes së djalit të tij është jeta, është Podgorani, Dëshnica, mbarë Atdheu. Ndaj dhe në këtë vëllim poetik gjallojnë disa motive. Janë motivet e jetës që triumfon mbi vdekjen. Është motivi i dashurisë për gjithçka që na bëri të jetojmë në normalitet dhe t`ua transmetojmë edhe brezave. Poeti mendon edhe përtej asaj që i duhet për veten e tij. Ndaj ai shpesh pyet veten. Ç`ndodhi? Ç`u bë më tej?  Këtë vazhdimësi e kërkon në radhë të parë atje në vendlindjen e tij, në Podgoranin që mbështillet e rrëzëllin nën rrezet e diellit dhe të dritës së hënës.
*****
Mystehak Kapo.
Mystehaku poet, ciklin e parë me poezi ia ka kushtuar vendlindjes së tij dhe e ka titulluar “Vendlindja dhe dashuria”.
Poezinë e parë ia ka kushtuar Përmetit. Qyteti i Përmetit është simbol i vendlindjes sonë, nëpërmjet emrit të tij prezantohemi kudo dhe ndihemi krenar. Krenaria është pjesë e qënies njerëzore dhe njeriu zgjedh një simbol për t`u krenuar. Simboli i krenarisë sonë është të qënit  dëshnicar, kur krahasohemi brenda njësisë sonë që është Përmeti dhe jemi përmetar kur krahasohemi brenda njësisë së përbashkët që është Atdheu, pastaj jemi shqiptar kur krahasohemi në Europë e në botë. Në këtë botë të madhe e të pakufishme, që njeriu të mos humbasë si një pikë uji në oqean, pasuron e ruan fort elementët e identitetit të tij. Ruan e pasuron elementët e fisit nga rrjedh, të fshatit, të krahinës, të rrethit e të Atdheut. Këta elementë të identitetit ruan e pasuron edhe poeti Mystehak Kapo. Përmeti është qyteti që e bën krenar dhe e identifikon në mbarë hapësirën shqiptare.
Ndaj kush më shumë e kush më pak mundohet t`i jap dritë vendlindjes. T`i jap dritë krenarisë së vet që është Përmeti, me të cilin identifikohemi vazhdimisht. Me këtë qytet identifikohet edhe Mystehaku dhe nga thellësia e shpirtit të vet poetik e uron: Paç gëzime dhe pranverë”.
Poezinë e dytë ia kushton Dëshnicës. Dëshnicës, krahinës sonë që na rriti me aromën e çajit e të blirit, na përkundi që në djep me këngën e thëllëzave e të bilbilit. Për Dëshnicën, poeti ka shpalosur shpirtin e tij të bardhë, si reja e verës që zbret gjer poshtë mbi sup të Dejanit. Mallëgjehemi një çast për ato mjedise magjike që shpesh i mungojnë të larguarit. Mungesën e tyre shpirti e kompeson me vargje. Të jetë kjo arsyeja që kaq shumë dëshnicarë thurin këngë e vargje për vendlindjen e tyre? Apo vetë dëshnicari është një poet i lindur?
Poezinë e tretë ia kushton fshatit të tij të lindjes, Podgoranit. Ku ka më bukur se vendi që të rriti. Pas djepit ku të përkundi dora e nënës, lagjia, fshati, kodrat përrreth, pylli, mali i Trebeshinës, janë vendet që e rritën poetin, por i dhanë edhe karakterin e fortë, edhe dhembshurinë, edhe dashurinë e zjarrtë për të dashur njerëzit, të afërmit e tij, familjen, erën e lagësht të jugës që sillte shiun, aq të domosdoshme për bimët kultivuese, por edhe për barin që rritej për delet e urta. Podgorani për poetin ka qenë gjithçka. Aty ka lindur edhe imazhi poetik, që e ruajti brenda vetes gjatë gjithë jetës, pastaj i la të shpërthenin, ashtu si lëndina barin e njomë në stinën e vjeshtës.
Të vjen keq kur lind e lulëzon si një poet i vjeshtës, që nuk e njohe pranverën (dhe që për poetin përkon me moshën e rinisë), stinën e shpërthimeve dhe kjo për fajin tënd apo për rrethana të ndryshme; megjithatë çdo stinë (a çdo pjesë e jetës së njeriut) ka bukurinë e saj. Pasardhësit, por edhe bashkëkohësit, kanë nevojë të të dëgjojnë zërin, mbi bazën e saj gjykojnë për shpirtin, shtatin dhe mendjen. Një gjë të tillë bëri dhe Mystehaku. La për bashkëkohësit dhe pasardhësit e vet timbrin e zërit të tij, timbrin e zërit të tij poetik. Podgorani:
“Fise plot e shumë lagje,
Skalitur porta e pragje,
Si mik e pret çdo njeri,
Bukë e zemër, dashuri”.
Poeti u këndon partizanëve të Luftës NacionalÇlirimtare, i këndon dëshmorit Xhevit Kopollari, që ishte trim i rrallë dhe me dhimbje i thotë se
“Re në lulen e rinisë,
Në gonxhen e dashurisë”.
Poeti nuk ka në fokus të krijimtarisë së vet vetëm Podgoranin, por edhe fshatrat që e rrethojnë dhe që kanë funksionuar si një njësi e vetme ekonomike e me qendër të tyre Sukën ku bënin pjesë: Podgorani, Rodenji, Gorica, Dervishasi dhe Suka. E ndërsa deri dje lulëzonin këto fshatra dhe bashkë me to dhe gjithë krahina e Dëshnicës, poeti ndien me dhimbje se si shumë familje po largohen e shtëpitë po rrënohen, trishtim që është shprehur dukshëm edhe në krijimet e mjaft poetëve të tjerë dëshnicarë.
****
Cikli i dytë poetik titullohet “Elegji”. Janë këngët e dhimbjes së shpirtit. Është dhimbja njerëzore për njeriun e humbur. Janë përjetime që sjell ndarja nga jeta me njerëzit e dashur. Poeti flet e bashkëbisedon. Flet i gjalli me atë që i ka shkuar përjetësisë. Dhimbja thellohet kur sheh se flet i ati me të birin. Me të birin që nuk jeton më. Pavarësisht detajeve konkrete, poezitë janë një përgjithësim i një dhimbjeje që e ndien çdo njeri në këtë planet. Poezitë janë vargje të dala nga shpirti i nënave, motrave, të afërmve, kur ato mblidhen në ditën e lamtumirës a në ditë përkujtimore dhe e qajnë të larguarin nga kjo jetë me detaje konkrete.
****

Cikli i katërt titullohet “Mozaik”. Janë poezi, tematika e të cilave është e larmishme. Tek poezia “Në dasmë”, gjen vargje të larmishme që krijojnë një atmosferë të gëzueshme. Janë vargje që na futin në atmosferën e magjishme që krijon dasma, e cila shënon aktin e krijimit të një familjeje. Disa nga këngët janë si kode ligjore që i këndohen çiftit. Pas dasmës fillon ngjizja e familjes së re. Të sapomartuarit duhet të jenë besnikë. Ata duhet t`i përkushtohen njëri-tjetrit e duhet t`ia shprehin me fjalë njëri-tjetrit këtë. Duhet të jenë bashkë me zemra, edhe kur ndodhen larg.
Atmosfera që krijon kjo poezi e Mystehak Kapos na jep atmosferën e një dasme Jugore. Dasmorëve u kërkohet që t`ia marrin këngës të shoqëruar edhe me dolli, traditë kjo edhe në Dëshnicën e Përmetit. Poeti ka sjellë imazhe të këngëve të ndryshme, disa të përpunuara, disa janë ashtu si këndohen në dasma e gëzime. Po midis tyre gjen edhe vargje këngësh heroike që këndohen nëpër dasma:
“Nga Delvina në Përmet,
Nazif Delvina medet!
More djemtë për Komitet,
Nazif Delvina medet!
Tek poezia “Në dasmë”, gjen edhe  shqetësimet që krijohen në familje me ardhjen e nuses. Familja zgjerohet dhe brenda familjes së madhe krijohet bërthama e një familjeje të re. Si do të pritet kjo familje e re brenda familjes së madhe patriarkale? Sa vend do të zerë dhe cilat do të jenë raportet e saj, sidomos të nuses me pjesëtarët e tjerë të familjes , sidomos me vjerrën? Ja dhe një model i këtyre marrëdhënieve:
“ Ngrihu nuse hiq një valle,
Se erdhe në derë të madhe!
Moj nuse, mos ki merak,
Se vjerrën nuk e ke plakë”.
Duke ndërrthurur vargjet e vet me ato të këngëve popullore, mbyllet dhe ky vëllim poetik, që e pa dritën e botimit në fundin e vjeshtës së kaluar.
****
  Ardian Kapo
Poezitë e Ardianit janë vendosur në këtë vëllim, në ciklin e tretë që titullohet “ Poezi nga Ardian Kapo”. Nga krijimtaria e tij janë përzgjedhur 7 poezi.
Ardiani u nda nga jeta disa vite më parë. Po edhe ai kishte filluar të shkruante vargje, ku dallohen poezitë: “Shqipërisë”, “Mamit”, “Gjumi i nënës”, “Det dhe diell”, etj.
Tek poezia “Det dhe diell”, shpaloset dashuria për familjen, për motrat dhe babanë e vet që e pret me padurim, për nënën që i mungoi, se i vdiq kur ishte 3 vjeç. Po nëse nuk e artikuloi dot fjalën nënë, nuk i thirri dot gjatë gjithë jetës, veçse atyre çasteve fëmijërore, Ardiani i drejtohet me fjalën nënë, atdheut të vet,  Shqipërisë. Si duket këtu i lehtësohet dhimbja për nënën që i mungonte, për vuajtjet e tij.
“Shqipëri, o Nëna ime,
Ç`u bëmë cop` e thërrime,
U shpërndamë nëpër botë,
Ikëm dje, Ikim sot”.
****
 Vëllimi poetik “Zemra qan” u shtua natyrshëm nëpër bibliotekat tona gjatë dimrit që sapo lamë pas. E lexuam dhe e rilexuam faqe pas faqeje dhe mbartëm në shpirt një dhimbje njerëzore, dhimbjen që ato familje kanë humbur fëmijët e tyre para kohe. Në të njënjtën kohë gjetëm në ato vargje dritën e besimit se jeta vazhdon si më parë, se jeta dhe vdekja i bëjnë sfidë njëra-tjetrës, vdekja kërkon ta mposhtë njeriun edhe kur është i gjallë dhe njeriu kërkon ta sfidojë atë edhe pas vdekjes. Shumë njerëz, me punë e vepra, e kanë mposhtur vdekjen dhe ajo nuk guxon dot t`u afrohet t`i marrë as fizikisht. I tillë do të mbetet edhe Mystehak Kapo. Me librin “Zemra qan”, ai e ka sfiduar atë dhe tani udhëton në zemrat e dëshnicarëve, do të udhëtojë edhe në zemrat e brezave të ardhshëm. I urojmë autorit jetë të gjatë që ta mundi atë edhe fizikisht.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx