E diele, 04.05.2025, 03:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: E kujt është festa e Ali Gjynit?

E marte, 31.07.2012, 07:59 PM


Nga tradita jonë :

E KUJT ËSHTË FESTA E ALI GJYNIT ?

Shkruan: Demir KRASNIQI

Nga fëmijëria ime e hershme, mbajë në kujtesë shumë tradita e zakone të vjetra nga Malësia e Gollakut, krahinë kjo në të cilën bënë pjesë edhe fshati i vendlindjes  sime me emërtimin Tugjec.

Përpos traditave dhe zakoneve të vjetra në këtë Malësi, me kujdes dhe respekt të veçantë shënoheshin dhe kremtoheshin një varg festash fetare që i takonin besimtarëve të komunitetit myslimanë, nga se popullata e kësaj Malësie i takonte këtij besimi.

Krahas festave të ndryshme fetare myslimane, në këtë Malësi tradicionalisht në mënyra të ndryshme modeste, janë mbajtur edhe disa festa tjera që nuk i takonin këtij besimi fetar. Ato mbaheshin simbolikisht dhe pa ndonjë pompozitet dhe për to, ne fëmijëve na u jepeshin disa shpjegime spontane se për çka mbahen ato festa dhe cila është domethënia e tyre.

Kështu që në këtë Malësi, tradicionalisht është festuar festa e Shën Gjergjit,më datën 5 dhe 6 Maj, ku për këtë festë në është shpjeguar shumë çka dhe janë zhvilluar një varg ceremonialesh interesante.

Festa e Shën Markut, është festuar gjithmonë më datën 8 Maj dhe po ashtu për nderë të kësaj feste, janë zhvilluar ceremoni të veçanta.

Festa e Shën Mitrit, është shënuar gjithmonë më datën 8 Nëntor, por jo me shumë ceremoni.

Festa më masive ka qenë Festa e Ashureve, në kuadër të së cilës është festuar plot një muaj ditë për çdo mbrëmje dhe për darkët e Ashureve janë ftuar e gjithë mëhalla komplet me burra, gra e fëmijë.

Në mënyra  shumë simbolike, janë shënuar edhe festat e Kërshëndellave, Krishtlindjeve dhe Pashkëve, por jo me ndonjë publicitet të madh.

Për të gjitha këto festa, pak a shumë na janë dhënë shpjegime se për çka festohen dhe cila është rëndësia e tyre. Por,  është një festë tjetër, që në këtë Malësi është shënuar tradicionalisht, e që për te kurrë nuk na është dhënë ndonjë shpjegim real se çfarë domethënie ka kjo festë, për çka kremtohet dhe kujt i takon kjo ?!

Fjala është për Festën e Ali Gjynit, e cila gjithmonë është mbajtur me datën 2 Gusht.

Gjithë atë çka dimë për këtë Festë, është ajo se në para ditën e 2 Gushtit, nënat tona e zienin një qull me miell të kallamboqit, të cilës në vend të ujit, i qitnin mazë të qumështit dhe atë e zienin për drekën e asaj dite. Ky lloj specialiteti quhej “Maza e Ali Gjynit”, të cilën duhej të mblidheshin të gjithë anëtarët e familjes për ta ngrënë së bashku.

Gjatë kohës sa zgjaste zierja e asaj “Maze”, nënat, apo zonjat e shtëpisë e përzienin aq shumë, deri sa ndahej qulli në një anë e maza në anën tjetër dhe vetëm atëherë konsiderohej se ajo mund të hahej !

Është interesante të ceket një rit, që gjatë kohës së zierjes së asaj Maze, sipas gojëdhënave, thuhej se :”Për t’u ndarë Maza prej Qullit sa ma shpejtë dhe për t’u zier Maza sa ma mirë, duhej që dikush ta lëshonte një rrenë se gjoja dikush prej farefisit, apo miqësisë e kishte lëshuar gruan !”

Për shembull: - Dikush nga lagja, apo anëtarët e familjes vjen në shtëpi dhe i drejtohet Zonjës së Shtëpisë – baçicës, e cila në ato momente është duke e zier Mazën e Ali Gjynit:

- Oj, Zonja e Shtëpisë ! Po a ndjeve moj, se çka ish ba sot ?

Zonja e Shtëpisë, i përgjigjej si e habitur:

- Jo, për besë ! Po hajrli qoftë, çka do qoftë! Po, pse çka paska ndodhë kështu?

Lajmëtari i përgjigjet :

-Po mo’ Zo’ ma keq për ditët e sodit ! A e di, ai Sherifi i Asllanit, që është martuar para një muaj dite?

Zonja e Shtëpisë :

- Po!

Lajmëtari :

- Po ai nafakë - premë, ai pus i puseve, e kishte lëshuar nusen e vet, sot para sabahut, pa pikë faji !

Zonja e Shtëpisë:

- Kuku bre, po keq koka ba ! Pa ndal ta këqyrim, a mos e ka lëshua edhe Qulli – Mazën tonë !

Krejt çka kemi ditur për këtë Festë, ishte kjo që u tha më lartë.

Pra, në fund të këtij shënimi, unë do t’i lusja lexuesit e nderuar të cilët dinë diç më shumë rreth kësaj Feste, të na shkruajnë dhe të na japin shpjegime se kujt vërtetë i takon Festa e Ali Gjynit, për çka do t’u jemi mirënjohës shumë të sinqertë !



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx