Kulturë
Muharrem Sfarqa: Bisedë me Akademik Idriz Ajetin
E diele, 29.07.2012, 07:05 PM
Bashkebisedim me Akademik Idriz Ajetin
Studimet kurr nuk marrin fund
(Një popull duhet të ketë një gjuhë të vetme standarde)
Bisedoi Muharrem Sfarqa
I
nderuari profesor,
Më lejoni
t'ju drejtohem me titullin profesor!
S'di pse, grada e profesorit më nxit një gjendje ndjenjore ngrohtësie,
afrie e konsiderate.
Shtysa
për këtë bashkëbisedim më ka tunduar tash e sa kohë dhe, e them me sinqeritet
se ndiej kënaqësi të rrallë që ma dhatë këtë mundësi. Bashkëbisedimi me një
personalitet kulmor në fushën e studimeve shkencore; me një figurë të shquar në
lëmin kulturor, politik dhe kombëtar; me njeriun-përvojë që matet me shekullin,
më bën të ndihem aq i vogël, sa edhe i privilegjuar.
Duke
lexuar shënimet për biografinë tuaj më bëhej e pakundërshtueshme një paralele
me të ndjerin, namëmadh Esad Mekulin ( 1916 - 1933 ). Megjithëse ai vjen në
këtë botë vetëm rreth gjashtë muaj para jush, lakorja e jetës dhe e fatit sikur
pikëtakon skajet gjeografike shqiptare: Plavë - Tupallë - Prishtinë.
C' ju
sjell në kujtesë viti 1917, viti juaj i lindjës?
Gjatë
Luftës së Parë Botërore ( 1914 - 1918) një repart ushtarak bullgar kishte marrë
të sundonte mbi gjithë komunën e Medvegjës që nga fillimi i vitit 1914.
Natyrisht, populli, qoftë ai serb apo shqiptarët e komunës, sundimin e
bullgarëve e quante pushtim dhe ashtu sillej nda pushtuesve bullgarë. Sjelljen
e serbëve agresori edhe mund ta kuptonte, por qëndrimi i shqiptarëve të
komunës, sipas tij, nuk duhej të ishte armiqësor. Autorin e vërtetë të
kundërshtimit bullgarët sikur e zbuluan në personin e hoxhës a imamit të
xhamisë së Komunës Zenel Ajeti, të cilin e kapën edhe burgosën në Banjën e
Sjarinës. Pas dy ditësh i burgosuri Z. Ajeti iku nga burgu. "
Mysafirët" e padëshirueshëm dhe të padëshiruar, plot mllef e zemërim,
shpejtuan në fshatin Tupallë, në familjen e madhe të hoxhës Zenel Ajeti, dhe
morën prej më të voglit e deri te më të mëdhenjtë, pleq, burra, gra, fëmijë dhe
i burgosën. Në këtë situatë hoxha Zenel Ajeti u dorëzua dhe e dënuan me
pushkatim. Zhvillimet e pastajme, meqë Lufta po mbaronte e gjermanët e
bullgarët po tërhiqeshin, nuk u dha afat për ta ekzekutuar. Unë kam qenë
njëvjecar dhe nuk mund t'i di rrethanat, por më vonë më kanë treguar se në burg
e kishin torturuar egër. Megjithatë axha im, Zeneli, mbeti i gjallë.
Sa më
kanë treguar dhe kam mësuar nga studimet, ato kanë qenë vitë të vështira për
shqiptarët. Nuk kanë qenë më pak të vështira as ato në vijim deri në Luftën e
dytë Botërore, po as dekadat e para pas saj. Kanë qenë të vështira gjithashtu
vitet '80 dhe sidomos '90 të shekullit të kaluar, por ky popull ka bërë
vazhdimisht përpjekje të mëdha për ndërtimin e jetës së tij dhe ai ka dalë t'i
kapërcente pengesat, vështirësitë, është organizuar dhe ka prodhuar të mira
materiale dhe kulturore për veten. Zhvillimet në fushat e studimeve në Kosovë
kanë qenë shumë të rëndësishme në këto kohë, megjithë vështirësitë herëherë
tejet të mëdha. Nga një mjedis pa asnjë përdorim të shqipes në jetën publike
kemi arritur deri në shkallën që të kemi institucionet më të larta të dijes të
organizimit shoqëror, të cilat për bazë e kanë komunikimin shqip. Eshtë
zhvilluar një rrjet i tërë institucionesh kulturore, veprimtari
kulturore-letrare, teatri, filmi, por edhe shkenca - nga bërthamat e para deri
të Departamentet e mëdha të studimeve të shqipes. Bota shqiptare e këtyrë
hapësirave i ka të gjitha arsyet te jetë krenare me arritjet që ka shënuar në
këtë periudhë kohore, por në të njejtën kohë duhet të jetë shumë e kujdesshme t'i
cojë ato më tej nga kjo shkallë e zhvillimit që ka sot drejt majave që ka
arritur Europa. Brezat e sotëm i kanë të
hapura rrugët dhe shumëcka varet nga ata. Shoqëria duhet të krijojë rrethana
për venien në jetë të energjisë së tyre.
Ju ra
hise ( juve në fushën e albanologjisë dhe Esadit në fushën e letërsisë ) të
bënit punë pionierësh, me një traditë shumë të hollë ose pa të fare. "
Jeta e Re" dhe " Gjurmimet albanologjike" mbajnë emrat tuaj në
themelet e tyre. Si e shini nga pozicioni i sotëm harkun e zhvillimit të këtyre
dy fushave?
Mendoj se
kjo ka qenë një kohë me zhvillime pozitive. Qysh në fillim revista Gjurmime
albanologjike ka shënuar sukses të madh, sepse u bë organ në të cilin mund të
shpreheshin rezultatet e studimeve, mendimet dhe idetë e studiuesve të vendit
dhe të të tjerëve, përfshirë dhe serbët e jugosllavët, të huajt që merreshin me
studimet shqiptare, në një vend. Aty kishte dhe diskutime, recensione e
informacione për gjendjen e studimeve. Puna me Gjurmimet albanologjike në fillimet
e tyre rrodhi shumë mirë dhe me kohë u bënë degëzime, për të arritur në tri
revista të ndryshme. Në këto punë, pra në fushën e studimeve albanologjike,
ashtu si në organizimin e studimeve e të botimeve, në pjesën e parë të jetës
shkencore, kam pasur fat të kisha mësues të mirë, si Franz Miklosic, Gustav
Mayer, Holger Pedersen, Norbert Jokl, Hendrik Baric, Petar Skok, Carlo
Tagliavini, Eqrem Cabej e të tjerë, që më kanë shërbyer si shembull.
Horizonti
i fillimeve, të një reviste rreth së cilës do të mblidheshin studiues të
interesuar për gjuhën shqipe dhe për shqiptarët nga të gjitha anët, më vonë
sikur u zbeh nga pak, por mendoj se ka qenë shumë i rëndësishëm dhe duhet të
theksohet vazhdimisht.
Dora
juaj në fushën e studimeve albanologjike ndihet pothuajse në të gjitha ato
fenomene e punë që konsiderohen maje si: " Zhvillimi historik i së folmes
gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë", Hetimi i dialekteve nga
pikëpamja diakronike, Trajtimi i dokumenteve të mocme gjuhësore të shkruara me alfabetin
arabo-turk, Konventa gjuhësore e Prishtinës, Kongresi i Drejtshkrimit e deri te
Marrëdhëniet e shojshoqme shqiptare - serbe, Ju ka mbetur ndonjë peng në këtë
terren?
Mendoj se
në jetën time shkencore e intelektuale jam marrë kryesisht me ato gjëra që kam
dashur të merrem. Nuk mendoj se është dashur të merresha me të tjera. Mund të
jetë që në ndonjë fushë apo segment më kanë mbetur ende gjëra që nuk kam
arritur t'i përfundoj, apo t'u jap një zgjidhje që do të doja vetë, si për
shembull në fushën e studimeve të marrëdhënieve të ndërsjella midis shqipes e
gjuhëve sllave.
Kohëve
të fundit ka shpërthyer një përplasje ndërmjet dashamirësve dhe mohuesve të njësimit
të gjuhës dhe të drejtshkrimit të shqipes. I qëndroni besnik standardit letrar
apo ka lëkundje? Cilat janë argumentet tuaja?
Lidhur me
zhvillimet në fushë të shqipes standarde kam pasur rastin ta shprehja mendimin
tim më se një herë dhe në shumë raste. Kam pasur mundësinë madje të merrja
pjesë në të gjitha organizimet e vendimmarjes për këto cështje në Kosovë nga
viti 1952 e këtej, por edhe në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë. Nuk e kam
ndryshuar mendimin se një popull duhet të ketë një gjuhë të vetme standarde, se
ajo gjuhë standarde tashmë ekziston dhe përditë begatohet përmes përdorimit
gjithnjë e më të zgjuar. Më shumë se në cështjet e "dilemave" që mund
të ketë dikush për këtë apo për atë zgjidhje, mendoj se po jetojmë në një kohë
kur është e nevojshme ta selitim sa më shumë shqipen standarde në të gjitha
përdorimet e saj. Begatimi i gjuhës nuk bëhet vetiu, por përmes përdorimeve sa
më të rritura dhe të kujdesura. Mendoj se këtë e kanë borxh të gjithë ata që
marrin pjesë në jetën publike shqiptare, sidomos tashti kur kemi kaq shumë
mundësi komunikimi gjithandej në botën shqiptare.
Në
fushën e studimeve albanologjike tashti ka edhe gjurmë, edhe rezultate si në
leksikologji, morfologji historike, etimologji etj. Cilin sektor e konsideron
terren të parrahur ende sa duhet?
Studimet
kurr nuk marrin fund. Mendoj se ka cka të thuhet në shumë fusha, por mua më
shumë më preokuptojnë studimet në fushat e etimologjisë, të cilat kanë ende
shumë gjera për të bërë. Jam marrë, sic thashë, me albanizmat në gjuhët sllave
dhe sllavizmat në shqipen, fushë në të cilën kujtoj se ka ende gjëra për t'u
bërë.
Në natyrën
e njeriut si qenie shoqërore doemos e hetojmë edhe homo politicus-in. Në
personalitetin tuaj kemi gjetur qëndrimin këmbëngulës në këtë vijë. Që nga
themelimi i LDK-së ju shohim të palëkundur në radhët e saj. është punë
karakteri apo besim në kredon e saj?
Jeni
në mesim e dekadës së dhjetë të jetës suaj, pothuajsë një shekull jetë.
Pabesueshëm vital, kthjelltësi mendjeje, kujtese e gjykimi. Ku qëndron e
fshehta e kësaj mrekullie?
Jam
përpjekur të bëj punën time dhe të bëj jetë normale e të rregullt. Nuk është
cështje fshetësie. Natyrisht, nuk është e nevojshme që gjërat të merren me
shpirtngushtësi.
Sikundër
dita njëzetekatërorëshe ka pjesën e vet të errët - natën, edhe jeta ka shemrën
e vet - vdekjen. C'ndjesi ju jep ajo?
Të gjtiha
fazat e jetës njerëzore, aq sa e kemi nga natyra, i kanë të mirat e veta. Duhet
t'i marrim ashtu si janë, sepse cdo gjë është pjesë e jetës. Sa jemi në këtë
jetë merremi me jetën dhe aty i shohim të gjitha, të mirat, më pak të mirat dhe
ato të tjerat. Animi për të kërkuar dhe parë të mirën në cfardo rrethanash të
mban me jetën. Të tjerat vijnë vetë.
Profesor
i nderuar,
Ju jam
mirënjohës përjetë që më dhatë kënaqësinë e bashkëbisedimit dhe unë, këtë
kënqasi, do ta ndaj me miq, shokë e dashamirës tuaj e të albanologjisë, brenda
e jashtë trojeve shqiptare.
Bashkëbiseudesin e dashur, Muharrem Sfarqën e urojme të jetë i patundur në ravën e historisë dhe të kulturës kombëtare që ndoqën dy korifenjtë shqiptarë Faik Konica e Fan Noli. Interesimi i tij për cështje të kulturës, të gjuhës dhe të dijës shqiptare, ashtu si për veprimtarët e tyre, ka vlerë dhe është po ashtu pjesë e kësaj veprimtarie.
Ju uroj ditë, javë, muaj e vitë të lumtura jete!