E premte, 02.05.2025, 04:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Flet studiuesi ushtarak Hajro Limaj

E diele, 29.07.2012, 06:20 AM


FLET STUDIUESI USHTARAK DHE GAZETARI HAJRO LIMAJ

JA SI VEPROI VRANISHTI NË LUFTËN KUNDËR NAZISTËVE GJERMANË

Nga Albert ZHOLI

Më 8 shtator 1943 kapitulloi pa kushte Italia fashiste. Por lufta nuk kishte mbaruar. Armiq të tjerë edhe më të egër, nazistët gjermane, shkelën vatrat tona. Këta, duke zënë vendin e aleatit të tyre të mundur, përdorën si demagogjinë ashtu edhe terrorin e gjuhën e zjarrit. Vranishtiotët u hodhën pa rezerva në luftë me armë kundër okupatorit të ri gjerman, me të cilin u bashkuan edhe forcat e reaksionit të brendshëm. Që nga fillimi i rezistencës antifashiste, përvoja e fituar nuk ishte e vogël. Kështu, vranishtiotët, krahas forcave të tjera vullnetare dhe atyre nacionaliste morën pjesë në luftën e Drashovicës, në shtator të vitit 1943.

Si shkuan vranishtiotët në luftën e Drashovicës?

Përveç çetës partizane “Sali Murati”, në këtë luftë shkuan edhe mbi 70 vranishtiotë të tjerë, të organizuar në forcat territoriale. Të gjithë u vunë nën drejtimin e shtabit partizan të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër. Luftëtarët vranishtiotë, pasi qëndruan dy-tre ditë në kodrat e Penkovës, për t’u prerë rrugën e Selenicës forcave gjermane, u hodhën në sulm kundër përqëndrimit armik në fushën e Mavrovës, duke bërë të mundur çlirimin e rreth 6000 robërve italianë.

Çeta partizane “Sali Murati”, e mbështetur dhe nga bashkëfashatarët vranishtiotë, u angazhua gjithashtu në luftime të ashpëra në kodrën e Pleshtit, në Qafën e Brumbullit, në Majën e Shturos etj. Në këto luftime, krahas akteve trimërore të Refat Ribit dhe Feim Tahirit, u plagos bashkëfshatari ynë Feti Bajrami, ndërsa  në Pogradec, në këtë kohë, u plagos bashkëfshatari tjetër, Aliko Leskaj, i inkuadruar në Brigadën e Parë Sulmuese.

Mund të na flsini pak për betejën e Drashovicës?

Në betejën e Drashovicës (shtator 1943), luftohej për jetë a vdekje. Forcat naziste, megjithëse në pozicione të fortifikuara e me mjete moderne, pësuan humbje të mëdha e u shpartalluan. Lufta e Drashovicës, e cila vazhdoi gjatë dy javëve në pozicione frontale, përbën një epope të lavdishme në historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar.

Në prag të Luftës së Drashovicës, në afërsi të saj, aktivisti i shquar i Lëvizjes, Beshir Limaj, u përball me një patrullë gjermane dhe u ekzekutua në vend. Po ashtu, më 16 Shtator 1943, në Qafë të Çepratit, si rezultat i konfrontimeve me forcat naziste, humbi jetën  vranishtioti Haro Feruni.

Si u zgjerua çeta partizane “Sali Murati”?

Pas betejës së Drashovicës, çeta partizane “Sali Murati”, të cilës iu shtuan edhe 16 partizanë të tjerë vranishtiotë, u  inkuadrua në batalionin “Halim Xhelo” dhe  mori pjesë në një sërë luftimesh kundër forcave gjermano-balliste, si në  Këlcyrë, Kiçok, Gjirokastër, Gjorm etj. Në luftimet që u  zhvilluan në Gumenicë, vetëm një skuadër e komanduar nga Hysen Çino, i cili në këtë kohë ishte komandant i çetës “Sali Murati”, shpartalloi disa dhjetra ballistë, duke vrarë edhe komandantin e tyre Neki Hoshtimën.

Krijimi e funksionimi me kohë i strukturave të luftës, si Këshilli Nacionalçlirimtar, njësiti i armatosur, organizatat e Partisë, rinisë, gruas e sidomos çeta partizane “Sali Murati”, si formacion i parë partizan i fazës së parë të luftës, i cili i garantonte anëtarësinë çdo bashkëfshatari patriot që dëshironte të luftonte me armë fashizmin; aktiviteti propogandistik, logjistik e luftarak si zonë lufte; dështimi i rrugëve të kompromisit për bashkëpunim e as qëndrim neutral, i dhanë hov lëvizjes antifashiste në Vranisht.  Duke qënë se fshati ishte një prapavijë e sigurtë e forcave partizane dhe e organeve politike të saj, armiqtë u përpoqën që t’i largonin përkohësisht banorët nga fshati dhe rrethinat e tij, për diku poshtë nga Vlora, gjoja për të shpëtuar jetën e fëmijëve të tyre. Një manovër e tillë  do të ishte vdekjeprurëse për strategjinë e mbrojtjes popullore, do të asfiksonte luftën partizane. Në të kundërt, shtëpitë e Vranishtit u kthyen në një zinxhir të luftës antifashiste, vatrat e tyre u mbajtën gjithnjë të ngrohura e të ndezura, pa përfillur koston e madhe që do të paguanin. Këto organizime, qëndrime e veprime të Vranishtit dhe shumë aksione sulmuese nuk mund t’i shpëtonin syrit dhe veshit të armikut. Aq më tepër planeve luftarake për neutralizimin dhe asgjësimin e gjithçkaje kundërvënëse, që me çdo mjet dhe dredhi kërkonte nënshtrimin e të panënshtruarëve. Vranishti për mbrojtjen e tokës së stërgjyshërve duhej të paguante jo vetëm për atë që kishte bërë, por edhe për atë që mund të bënte.

Eshtë folur shumë për Operacionin e Dimrit 1943-1944 Faza e parë e këtij operacioni, u kodua “Bergkessel” (Kazani malor). Si u zhvillua ky operacion?

Komanda naziste, e egërsuar nga dështimet e njëpasnjëshme dhe nga përmasat e gjëra që kishte marrë Lufta Nacionalçlirimtare, ndërmori Operacionin e Dimrit 1943-1944. Faza e parë e këtij operacioni që filloi më 15 dhjetor, u kodua “Bergkessel” (Kazani malor). Përballë forcave armike, në krahinën e Mesaplikut, repartet partizane të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, zhvilluan luftime të ashpra, në të cilat morën pjesë edhe partizanë vranishtiotë, si në Buzat e Katerit, në Beun etj. Në këto luftime u plagos Jonuz Mersini. Më 18 dhjetor 1943, njësiti gueril i fshatit, me në krye Ismail Azemin, me mbështetje nga disa partizanë të batalionit të dytë të Brigatës së V-të Sulmuese goditi dhe asgjësoi pothuajse të gjithë pararojën armike, që vinte nga Tërbaçi, në anën perëndimore të fshatit (në Ndarza), në buzë të përroit të Ngjalëzës. Në këtë përpjekje u vranë 11 ushtarë gjermanë dhe shpëtoi vetëm njëri. Gjithashtu, një grup forcash partizane të Brigadës së Parë Sulmuese dhe  batalionit të parë të Brigadës së Pestë Sulmuese, të dislokuara rreth e qark kodrave të Laibardhit, kryen luftime me forcat gjermane, që vinin nga Brataj, në Shesh të Mesit.

Cilat ishin masakrat e nazistëve?

Forcat naziste që erdhën nga Tërbaçi, të informuara për humbjet që kishin pësuar në Vranisht,  hynë në fshat dhe, për të mposhtur banorët, si dhe për t’u hakmarrë ndaj tyre, kryen masakra barbare. Nëpër rrugët e  fshatit u vranë gra, fëmijë e të sëmurë. Midis tyre është dëshmorja Asqerie Hasanaliaj, aktiviste e dalluar e Luftës Nacionalçlirimtare, sekretare e Këshillit të Gruas së fshatit, e cila u vra kur po largohej nga fshati ngarkuar me materiale të forcave partizane. Bashkë me të u vra edhe e kunata, dëshmorja Trandafile Hasanaliaj. Në ikje për t’i shpëtuar terrorit nazist, u vranë nga gjermanët dhe Bejushe, Hamide e Shefit Bitri, si dhe Rubie Shyti e Sabedi Gjikondi. Po kështu u vranë edhe deshmorët Yzeir Bajrami e Iliaz Tahiri dhe u plagosën Rukije Limoj dhe Harzikë Hasanaj. Forcat partizane e territoriale pas zhvillimit të pritës u treguan inaktivë në lajmërimin e mbrojtjen e banorëve të fshatit, duke u ditur që prita pranë qendrave të banuara është e papranueshme. Në mbrëmjen e datës 18 dhjetor, komanda gjermane, midis të tjerash, njoftonte: “Gjatë operacionit “Bergkessel” grupet e luftimit  idge III/54 në zonën e Bolenës dhe të Vranishtit dhe njësia xhenjere 1/100 qe vjen nga zona e Kuçit ndeshen me nje armik te forte,qe mbrohet me  këmbëngulje.”1)

(AQSH, DUGJ 18 dhjetor 43, T.315/562).

Ja arritën qëllimit nazistët në Vranisht?

Megjithatë, në Operacionin e Dhjetorit 1943 armiku nuk ia arriti dot qëllimit në Vranisht. Prita e Ndarëzave, pavarësisht nga ndonjë e metë në organizim, përcaktimin e vendit, të kohës, pjesëmarrjes apo drejtimit dhe se nuk ishte aq territoriale, apo me humbje materiale e njerëzore të mëdha për gjermanët në shkallë operative, ajo shkatërroi imazhin e pathyeshmërisë së nazistëve gjermanë dhe forcoi frymën luftarake të vranishtiotëve. Rreshtimi i 11 të vrarëve gjermanë në oborrin e shkollës, do të ishte shoqëruar me viktima të tjera vranishtiote, nëse nuk do të kishte ndodhur vajtimi aktoresk i Aishe Kalemës mbi kufomat naziste. Kjo disfatë që pësuan gjermanët, prodhoi një moral të shëndoshë dhe të veçantë. Pavarësisht nga humbjet njerëzore gjatë asaj masakre, te populli i Vranishtit nuk u manifestua asnjë shenjë paniku, por gjithë banorët, si në një garë, i jepnin njëri-tjetrit stafetën e lirisë, duke e kthyer fshatin në një vullkan dhe vatër të rëndësishme bese e trimërie. Gjatë këtij operacioni, ra burrërisht përkrah forcave partizane në Qafë të Baltës edhe patrioti i hershëm dhe konseguent Azem Ismail Lamaj, i cili e kishte kthyer gjithë familjen e tij në një çerdhe luftëtarësh të lirisë. Ndërkohë, bij të tjerë të Vranishtit, si Arshi Majko, Ismail Bitri, Osman Ribi, Aliko Toto, Nuredin Shkurti e të tjerë u hodhën në rreshtat partizane.

Çfarë mund të na sillni për formimin e Brigadës së Pestë Sulmuese?

Më 20 janar 1944, vranishtiotët, së bashku me banorët e fshatrave të tjerë, festuan me gëzim në Bramyshnje të Tërbaçit rreshtimin luftarak të Brigadës së Pestë Sulmuese, në përbërjen e së cilës ishte inkuadruar edhe çeta e tyre partizane. Midis vranishtiotëve që u inkuadruan në Brigadën e 5-të, qysh në atë kohë, ishte edhe Hysen Çinua, i cili u emërua zëvendëskomandant Batalioni. Okupatorët, të zemëruar egërsisht nga dështimi i fazës së parë të Operacionit të Dimrit, ndërmorën me ashpërsinë më të madhe disa fazat të këtij operacioni barbar: fazën e dytë (29 janar-6 shkurt), fazën e tretë (6-14 shkurt) dhe fazën e katërt (4-12 prill). Qëllimi final i forcave gjermane ishte asgjësimi i Luftës Nacionalçlirimtare në zonat e lëvizjes. Këtu nuk përjashtohej roli i diversionit të brendshëm dhe propoganda armiqësore. Vetë emërtimet e fazave: “Harridoh” (Thirrja për të çuar gjahun në shteg), “Un  dennoch” (Dhe megjithatë), “Eolfschucht” (Gryka e Ujqërve), krahas atij të fazës së parë “Berkessel” (Kazani malor), tregon qartë se bisha naziste “gjahun” e kapur donte ta përvëlonte të gjallë në “kazanin e maleve”. Në luftimet që zhvilloi Brigada e Pestë Sulmuese kundër forcave gjermane në Brashec të Bratit, mbeti i vrarë, trimi vranishtiot Laze Seferi, i emëruar komandant kompanie në fillimet e krijimit të Brigatës së 5-të Sulmuese. Me gjithë humbjet që pësuan në Urën e Gjormit, në Gumenicë dhe në Brashec të Bratit nga lufta e partizanëve dhe e popullit, forcat naziste mundën të hynin në zonën e Mesaplikut.

Sa herë shkuan gjermanët në Vranisht?

Në fshatin Vranisht gjermanët kanë shkelur disa herë. Për herë të parë ata kanë ardhur në tetor 1943, kur arrestuan në Vurgjidh një grup nga robërit italianë të liruar në fushën e Mavrovës, të cilët pasi i bashkuan me robërit e tjerë italianë, i pushkatuan në Kuç. Po kështu ata kanë ardhur gjatë Operacionit të Dimrit në dhjetor 1943 dhe në Janar, Shkurt, Prill  dhe Qershor të vitit 1944.

Në ditët e para të shkurtit, dizinformimi ishte në shkallën e duhur, ndërsa informacioni mungonte fare, ose  ishte kontradiktor. Me gjithë kushtet e vështira të terrenit e të motit nazistët nuk kishin kohë të prisnin. Me anën e terrorit, masakrave, raprezaljeve, arrestimeve dhe pushkatimeve në masë, nazistët synonin të krijonin panik në popull dhe t’i detyronin ata me forcë që të mos mbështesnin e të mos përkrahnin Luftën Nacionalçlirimtare, ndërsa duke djegur fshatra e shtëpi të tëra t’i detyronin fshatarët të braktisnin vendbanimet e tyre, me qëllim që t’i vinin forcat partizane në kushte sa më të vështira, t’u hiqeshin bazat e strehimit e të furnizimit, të pengoheshin, ose vështirësoheshin lidhjet fshat-qytet, aq të domosdoshme për kohën. Ndërsa forcat armike priteshin të vinin nga Bratajt, në agim të datës 9 shkurt filluan lëvizjen nga rajoni Kuç-Çorraj-Borsh-Fterrë. Nga Kuçi deri në shtëpitë e Gode formacioni i marshimit ishte  në një kollonë, diku përpara bëhej ndarja e parë, duke kaluar një pjesë forcash në krah të djathtë të derdhjes së lumit Shushicë: Kallarat, Përroi i Gjormit, përroi i Kurpicave, Qafë  e Qarrit, Përroi i Bolenës, Mesaplik, Ura e Brate, Brataj, Gjorm. Kollona kryesore vazhdoi marshimin:  Sheshi i Rrethit, Qafa e Ubavit, Morrez. Këtu forcat naziste u ndanë në tre drejtime: rrugës Kuç-Kallarat, shtëpitë e Gjone e të Haxhie, Shesh i Mesit, shtëpia e Bejo Zenelit, Horë, Qafë Pëllumbit, Morrez, Qafa  e Zezë, Gjistrat dhe Lënga, si dhe Morrez, Qafa e Nikolagjit, Bijaf, Vurgjidh. Fakti që vetëm nga Jugu Vranishtin po e sulmonin katër kolona atë mëngjes të 9 shkurtit, flet qartë për rëndësinë politiko-ushtarake të operacionit, si dhe për “borxhet”e vjetra e të reja që ky fshat kishte ndaj fashistëve. Pa zbardhur mirë dita e 9 shkurtit, duke përdorur befasinë e duke shfrytëzuar terrenin e pyllëzuar, mjegullën e mëngjesit të lumit Shushicë, bashkë me zhurmën e dallgëve, kushtet e vështira atmosferike e metereologjike, mungesën e informacionit, propogandën dizinformuese, dimrin e paparë ndonjëherë, si dhe përqendrimin e vëmendjes nga Veriu, forcat gjermane u gjendën në pragun e shtëpisë së Shakohoxhe.

Kush gjendej në shtëpi?

Krahas të zotëve të shtëpisë, në këtë familje ishin dhe dy partizanë nga qyteti i Vlorës. Si i lidhën të pestë banorët që gjetën aty, i vunë përpara me të goditura çnjerëzore në çdo pjesë të trupit dhe, pasi i bashkuan me Myftar Lulon e Hyso Shakohoxhën, që tentuan të shpëtonin duke hapur zjarr, i shoqëruan në drejtim të Bolenës. Pasi mbërritën në territorin e këtij fshati, disa metra në perëndim të shtëpive të Veshe, i masakruan  të 7-të personat. Katër Shakohoxhaj: Ismaili, Qerimi, Xhevdeti, Hysua (tre breza), nipi Myftar dhe dy partizanët, duke urdhëruar që trupat e tyre të mos mbarteshin për ditë të tëra, ndërsa shtëpia vazhdonte të digjej. Moti i keq nuk e ndaloi kolonën gjermane që në Qafë të Zezë të ndahej në dy pjesë, njëra drejt Gjistratit, për t’u hedhur në fusha, tjetra rrëzë arave të Lengave, ndërsa një tjetër kolonë bashkëvepruese marshonte në rrugëkalimin Nikolagj-Bijav-Vurgjidh me të njëjtën detyre dhe  ide. Syve të një gruaje nuk i shpëtuan dot zbuluesit gjermane, e cila e alarmuar njoftoi për mbërrijtjen e gjermanëve  te Limojt e Gjistratit. Bashkë me pjesëtarët e familjes së Mato Limajt ishte dhe një grup i vogël partizanësh, krejt e zakonshme për këtë familje në këtë kohë lufte e të trazuar, falë pozicionit gjeografik si nyje lidhëse me Kallaratin, fshatin e malet. Por kësaj radhe ajo familje nuk mund t’i shpëtonte dot hakmmarjes naziste, pavarësisht se partizanët dolën me shpejtësi, u hapën në formacion luftimi, duke hapur zjarr e plagosur njërin prej tyre. Fricët, të egërsuar nga goditja e befasishme që morën, arritën të futen në shtëpi si bisha të tërbuara, kthyen përmbys gjithçka dhe pushkatuan katër veta: Maton, Demon, Emlihanë dhe Velide Limoj. Pas organizimit të një mbrojtjeje, me ngutësi dhe në kontakt direkt me të panjohurën si dhe organizimit  e zhvillimit të mësymjes me grupe e drejtime, në mbasditen e 9 shkurtit, gati në të errur, Vranishti u gjend krejtësisht i rrethuar nga të gjitha anët. Misionin barbar, nazistëve ua bëri më të lehtë edhe elementi bashkëpunëtor. Që në çastet e para njerëzit u ballafaquan me mori ushtarësh të paftuar dhe armiq, me helmeta, gjerdanë, me armë në pozicion luftimi në avlli, kopshte, rrugë e rrugica, me një rrip poshtë qafe, komanda për zjarr, breshëri, hungërima tmerronjëse. A thua fshati po rijetonte  epokën e barbarisë. Një pjesë që ishte informuar paraprakisht mbi rrezikun që u kanosej, mundi të largohej në çastin më të volitshëm.

Mbi 60 burra i detyruan t’i çonin drejt qendrës së fshatit e ndërkohë t’i bllokonin në një dhomë izolimi. Ndërsa gratë e fëmijët i mbyllën në banesën e Aredinajve. Në atë dhomë të vogël kishte djem të moshës së re, burra të moshuar, që kishin hequr shumë mundime, pjesëtarë në luftrat e kaluara e të plagosur në beteja të ndryshme, si dhe partizanë të sëmurë e simpatizante. Në jetë kishin parë ligësinë e varfërinë, ndjekjet e osmanllinjve, bajonetat e italianëve, muret e burgjeve. Tani po ndjenin dhe çizmet e ushtarëve naziste. Vranishtiotët tërë fuqitë e shpirtit e të trupit i kthyen në armë vdekjeprurëse për armikun. Ata nuk u mundën, por u kapën befasisht e mposhtën nga një ushtri shtetërore, më e madhja e kohës.

Si erdhi agimi i 10 shkurtit?

Në agimin e 10 shkurtit, pas një seleksionimi të vogël, kur kolona e ngarkuar me municion prej 41 vetësh, sapo kishte filluar lëvizjen, fshati po kthehej në gërmadhë. Në ikje e sipër, forcat armike rifilluan djegien e shtëpive të mbetura, dogjën bagëtitë nëpër katoje e pulat në qymezë. Fshati nuk kish njohur një situatë të tillë lufte, ku heroizmi nuk ishte një akt individual, por një dukuri kolektive. Virtyti, trimëria, jeta e vdekja ishin kthyer në një forcë të madhe hakmarrëse. U masakruan Dervish Alikua në duart e nënës, dy vëllezërit Jonuz dhe Ahmet Basho, Daut Sinaj, Çelo Brahimi, Muço Bajrami e Nazo Adem Osmëni. Të njëjtin fat kishin pësuar edhe dy partizanë të sëmurë, që u gjendën befasisht ballë përballë me gjermanët te shtëpitë e Bejo Zenelit, i cili i shpëtoi vdekjes së sigurt falë ndërhyrjes së Kadri Gurit. Kurse Rexhep Çinon e Dalan Kaçin, dy ish-luftëtarë të Luftës së Vlorës, pasi i vranë në avllitë e tyre, i hodhën në zjarret përvëluese të shtëpive përkatëse. Këtë fat pësuan gjithë shtëpitë e boshatisura nga kontrolli agresiv.

Marshimi Vranisht-Tërbaç-Brataj i dhjetra banorëve të fshatit, zbathur e të pangrënë, ngarkuar në shpinë me material luftarak e të plagosurit gjermane, u krye në kushte të rënda psikologjike, atmosferike dhe fizike. Në Brataj oficerët gjermanë i ndanë fatzinjtë në tre grupe (shkolla e vjetër, shkolla e re dhe në qendër të fshatit) dhe filluan masakrimin barbar të tyre, ndërsa grupi i katërt mbërriti natën e u ndëshkua poshtë fshatit. Pa asnjë armatim personal e asnjë mbështetje, që ata kurrë nuk ua kishin kursyer të tjerëve, ranë heroikisht: Azbi Ramadani, Sali Xhama, Zeqir e Shaban Llanaj, Hamit Lamaj, Hajro Çino, Razi Shyti, Sinan Xhama, Dervish Caraj, Arap Janushi, Faik Janushi, Demir e Mersin Zoto, Arshi Xhebraj, Dino Bajrami, Rakip Duka, Ahmet Demo, Ymer Basho, Faik Shakaj, Merçan Shakaj, Ahmet Xhebraj, Yzeir Kongjoni, Nazer Premtaj, Halim Karroqaj, Sulejman Limaj, Osman Tartari, Avdi Ismaili, Mingo Bajrami dhe Ariz Varfi.

Ndërsa nga ata që i shpëtuan barbarizmit, por të gjymtuar, sakatuar e tjetërsuar ishin: Abaz Limaj, Ahmet Llanaj, Azbi Aliu, Arshi Ymeri, Haxhi Jakupi, Xhemil Demo, Sadedin Duka,Ymer Xhaferri, Xhebro Aliu, Mersin Limaj dhe Mingo Lloj. Gjetja e tyre nëpër gurët dhe përrallet e Bratit, mbartja për në Vranisht si në legjendat antike, në kollona të shkëputura, me më shumë të vdekur se sa të gjallë, dhe varrimi pa asnjë rit, janë një tjetër dënim e kujtim i hidhur. Vranishti u kthye në një “ndërmarrje”  funerale, morg i përkohshëm, ndërsa njerëzit në lajmëtarë të vdekjes. Kudo vaj, lot, rroba të zeza, fëmijë jetimë dhe qivure.

Gruaja vranishtiote në shekuj ka ditur të mbrojë, ndihmojë e të luftojë përkrah burrave, apo të marrë hak si Teferri Ibraj, emri dhe jeta e së cilës janë futur në këngë, por në Operacionin gjerman të Dimrit materializoi idetë dhe përmbajtjen e luftës sonë popullore me koston më të lartë. Më 9 shkurt, sa e sa nënave ju arrestuan djemtë para syve, sa nuseve iu morën burrat për të mos i parë më fëmijët e tyre!  Sa nëna, nuse, motra, mbesa e kunata u ballafaquan në Brataj me njerëzit e tyre më të shtrenjtë, të copëtuar nga breshëritë e plumbave! I sistemuan, i bartën në krahë, si atëherë kur i kishin fëmijë. Trupat e tyre kullonin gjak, i përcollën për në banesën e fundit, morën malin përpjetë me plaçka e djepe në krahë e me fëmijët në gji, për të gjetur një shpellë e për të mos rënë në duart e armikut. Nënat iu drejtuan rrënjëve të pemëve, ndërsa fëmijët gjinjëve të nënave. Ato i dhanë luftës gjakun e gjakut të tyre, shtëpi e katandi, mëllërin e fundit të bukës, u përleshën me armiqtë. E kaluara mbetet dëshmi historike me ndikim për të ardhmen për këto amvisa e nëna, punëtore si rrallëkush, trime e fisnike. Qëndrimi i gruas vranishtiote gjatë viteve 1943-1944 është një legjendë dhe realitet, një mit që i qëndron kohës dhe hyn në pavdeksi. Nuk mund të ngelen pa përmendur Safe Lulia që humbi dy djemtë; Zelihaja e Qeribaja tre breza në një ditë, Hasanaliajt, tre vëllezërit Bashoj, Bitrajt, Mato Limua, Metajt, Llanajt etj.

Në atë zonë, në atë kohë lufte kishin selitë e tyre organizmat e Qarkut, si Komiteti i PK, Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar, Këshilli i Gruas, Komiteti i Rinisë etj. Vërtet Brigada e Pestë Sulmuese sapo ishte krijuar, por çetat e batalionet e saj ishin të hershme e me përvojë, megjithatë  nuk mundën të zbulonin armikun, i cili në Kuç masakroi më 8 shkurt 28 vetë. Pesë kollona sulmuan Vranishtin, në Qafë të Qarrit e në Gjistrat u masakruan 11 vetë. Askush si ndihmoi ato gra të mjera, të paktën për transportimin e trupave të vrarë nga Brati në Vranisht. Askush nuk shkoi më pas për të folur e për të ngushëlluar ata njerëz fatkeq që kishin humbur të dashurit e tyre. Ndihma e forcave partizane në të gjitha etapat e masakrës, si dhe në atë të Dhjetorit 1943 çuditërisht mungoi në të gjitha drejtimet, si vrojtimi, zbulimi, lajmërimi, mbrojtja, nxjerrja nga kurthi, mbartja nga Brati, përcjellja për në banesën e fundit etj.

Masakrat, vrasjet, djegiet e kryera nga gjermanët nuk i gjunjëzuan vranishtiotët, përkundrazi ata shtuan edhe më shumë urrejtjen, vigjelencën e luftën e tyre kundër okupatorëve e tradhëtarëve. Vranishtiotët u hodhën më me vrull e guxim në luftë kundër tyre. Kështu, pa varrosur ende të vrarët dhe pa u shuar mirë zjarri i shtëpive të djegura nga gjermanët, Vranishti u bë përsëri për mbi dhjetë ditë me rradhë fushë betejash kundër bandave të Shahin Nuredinit, Zybi Meros, Maliq Koshenës etj., që erdhën pas forcave gjermane për të marrë fuqinë në dorë dhe për të vendosur përsëri pushtetin e tyre. Megjithatë, ata nuk ia arritën qëllimit. Vranishtiotët qëndruan, pa u lëkundur, të lidhur me Luftën Nacionalçlirimtare. Ata së bashku edhe me forcat e Brigadës së Pestë Sulmuese  dhe të Gjashtën, morën pjesë në sulmin e përgjithshëm kundër forcave të shumta kundërshtare. Fronti i kësaj lufte përshkoi gjithë territorin e Vranishtit dhe fshati u çlirua.

Gjatë këtij Operacioni barbar, përveç dëmeve njerëzore dhe materiale në fshat, egërsia, prangat dhe plumbat e okupatorëve dhe falangave të tyre ranë edhe mbi vranishtiotë të tjerë e baza të luftës jashtë fshatit. Kështu, në 7 mars 1944, nga një sulm që iu bë postëkomandës së xhandarmërisë në Kaninë, në shenjë hakmarrjeje u dogj stani i Ahmet Selam Limaj, si çerdhe komunistësh dhe u arrestua për të dytën herë Mëno Selam Limaj, të cilit iu gjetën 7 bomba dore, një armë e gjatë dhe 200 copë municione, ndërkohë  u kap dhe u internua në Prishtinë partizani Elmaz Hasanaj.  Më 8 prill 1944, partizani vranishtiot, Maliq Ahmet Skëndomemaj ra dëshmor.

Armiku dështoi në Operacionin e madh të Dimrit 1943-1944 dhe nuk mundi t’ia arrinte qëllimit për të vendosur pushtetin  në Vranisht. Pushteti i Këshillit Nacionalçlirimtar, si i vetmi pushtet i popullit, u ligjërua, u zhvillua më tej me vendimet historike të Kongresit të Përmetit, më 24 maj 1944. Në këtë kohë, kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit ishte Xhemil Selam Limaj.

Në luftimet e zhvilluara kundër forcave gjermane për mbrojtjen e punimeve të Kongresit të Përmetit, u plagosën Hysen Çino, Maman Saliu e Mejtim Bashua.

Luftime zhvilluan vranishtiotët kundër forcave të shumta gjermane edhe gjatë Operacionit armik të Qershorit 1944. Së bashku me forcat e Brigadës së Gjashtë Sulmuese, ata morën pjesë në luftime të zhvilluara në kodrat e Rraustratit, Gjistrateve, Lajbardhit, Përroit të Thatë etj. Rapsodi popullor Tare Selmani u ka thurur vargje këtyre luftimeve:

“Rraustrati si Bezhani,

S’tundej fare partizani!”

Edhe në këtë operacion armik, vranishtiotët mbajtën si fëmijët e vet edhe partizanët. I ushqyen me kafshatën e bukës dhe me qull e me ç’kishin. Pas këtij operacioni, në korrik 1944, vranishtiotë të tjerë u hodhën vullnetarisht në rreshtat partizane të Brigadës së XII  Sulmuese, si Rakip dhe Sehire Gjikondi, Kafaze Alikaj, Mezine Limoj, Cane Myftari, Nuredin Duka, Memo dhe Shaqir Hasanaj, Osman Shkurti, Elmaz Majko etj.

Në luftimet e zhvilluara në Veri të Shqipërisë, ra duke luftuar heroikisht biri i Vranishtit, komandanti i Batalionit të Tretë të Brigatës së 5-të Sulmuese, kapiten Hysen Çino, ndërsa në ish- territorin shtetëror jugosllav ranë trima të tjerë, si Arshi Majko, Xhevdet Çino, Nuredin  Shkurti, Axhem Basho e Aliko Toto. Në këto luftime pësoi dëmtime të rënda nga flakët e zjarrëvënësve çetnikë Azbi Demo, si dhe u plagosën Alush Hoxha dhe Neim Xheviti.

Gjatë luftimeve në Shqipërinë e Veriut dhe për çlirimin e popujve të Jugosllavisë, mjaft nga partizanët vranishtiotë drejtuan reparte të Brigadës së Pestë Sulmuese, si Hysen Çino komandant Batalioni, Maman Saliu dhe Jonuz Mersini komisarë batalionesh etj.

Masakra e Vranishtit në Operacionin e Dimrit 1943-1944, është ngjarja më e madhe, pika më e lartë e sakrificës vetmohuese për Vranishtin e vranishtiotët gjatë LANÇ, që duhet kujtuar e nderuar vazhdimisht. Humbjet e 61 të rënëve, përveç të plagosurve, djegiet e shtëpive, grabitjtet e mallit e të gjësë së gjallë vetëm në një operacion, në raport me 30 të rënët e luftës së Drashovicës, në shtator 1943; të 33 dëshmorëve të Qafës së Gjarpërit, qershor 1944; të 17 të luftës së Patozit; të 28 të luftës në Lum të Kukësit, ku ra heroikisht edhe Hysen Çinua; si dhe 84  të rënët e 4 shkurtit 1944 në Tiranën me 59 000 banorë etj., që për një numër popullsie, sipërfaqe, aktivitet propogandistik, logjistik e  luftarak, flasin për një fshat me kualitete, me vlera e kontribute.

Masakra e Vranishtit 1943-1944 la 80 fëmijë jetimë. Disa nga fëmijët më të varfër dhe pa ndihmë, pas çlirimit u çuan në Shtëpinë e Fëmijës. Ramadan Ramadani, Meto dhe Aishe Mersini, Misadete dhe Ago Varfi, Qamile Tartari, Xhelal Xhebraj, Nebi Bashoj, Sheri Shakaj, Myzejen Shakaj, Remzi Bitri, Elham Xhama, Elmaz Hasanaliaj, Merko Kongjoni, Bardhosh Llani etj. Por, drejtues kryesor të qendrës, që ishin në pushtet, nuk i vlerësuan të gjithë të rënët njësoj për t’u bërë nderimet që u takonin, për t’u dhënë titullin e “Dëshmorit të Atdheut “...Të masakruarit e Operacionit të Dimrit vetëm nga emrat ndryshojnë dhe ndoshta pjesërisht edhe nga mosha. Ata kanë shumë gjëra të përbashkëta, si idealet antifashiste, patën të njëjtin fat, u masakruan nga i njëjti armik, trupat e tyre pa jetë ngelën jashtë netë të tëra, të gjithë u përcollën nga një minimum njerëzish për në banesën e fundit, prehen në të njëjtat vorreza, lanë fëmijët jetimë, disa muajsh, disa në bark të nënës apo 10-12-vjeçarë. Lanë nëna, nuse, motra, e kunata të reja të veshura me të zeza për tërë jetën, shtëpi e pasuri të shkatërruara etj.

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar u kurorëzua me çlirimin e gjithë vendit më 29 Nentor 1944. Në këtë luftë Vranishti dha një kontribut të çmuar dhe bëri sakrifica të mëdha. Mbi 100 bij e bija u radhitën në rreshtat e Ushtrisë Partizane dhe me armë në dorë luftuan me trimëri e heroizëm deri përtej kufijve shtetërorë. Veç këtyre, Vranishti ka pasur edhe njësitin gueril të fshatit me komandant Meno S. Limaj, çetën territoriale me 162 vetë, të cilët merrnin pjesë në luftime sa herë që dilte nevoja, jo vetëm në fshat por edhe në krahinë e në qarkun e Vlorës. Përveç 51 dëshmorëve që Vranishti dha në Luftën Nacionalçlirimtare, atij iu shkaktuan edhe viktima të tjera, burra, gra, pleq e fëmijë. Gjithashtu u arrestuan, u burgosën dhe u internuan në kampet e përqendrimit 54 bashkëfshatarë. Nga armiku gjatë Luftës Nacionalçlirimtare u dogjën e u rrafshuan mbi 200 shtëpi nga 300 që kishte gjithsej fshati, u dogj e u plaçkit e gjithë pasuria shtëpiake, u grabitën mijëra bagëti të imta e qindra të trasha të fshatarëve etj. Këto tregojnë në përgjithësi kontributin që dha dhe sakrificat që bëri Vranishti në Luftën Nacionalçlirimtare, për të cilat, brezat pasardhës duhet të ndjehen krenarë për çka bënë dhe dhanë të parët e tyre në luftën më të përgjakshme dhe më shkatërrimtare që ka parë njerëzimi përkrah koalicionit Anglo-Sovjeto-Amerikan.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx