E diele, 04.05.2025, 05:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Zjarr i pashuar

E hene, 30.07.2012, 07:38 PM


ZJARR I PASHUAR, APO, MIRËSE ERDHE NË SHPIRTIN TIM!

Nga Baki Ymeri

Letërsia dhe arti kanë përbërë që nga kohërat më të vjetra një joshje të këndshme për dashamirët e fjalës dhe bukurisë artistike. Arti, femra dhe poezia mund të konsiderohen në plotëkuptimin e fjalës së një zjarr i pashuar. Antologjia Zjarr i pashuar (Amanda Edit, Bukuresht 2011), me 10 krijues shqiptarë, pesë poetë rumunë dhe një poet arumun, justifikon mendimin e Mëhill Velajt se bota më së miri lexohet në shpirtin e poetëve. Libri del në Bukuresht, në kuadër të Biblioteksë “Albanezul”, duke patur për ideatorë Vitore Lekën dhe Mardena Kelmendin, parathënës Visar Zhitin, një pikturë të bukur të Faton Hashanit dhe një lëndë të pasar prej 100 faqesh. Për të respektuar tjetrin, shkurtimisht ua japim fjalën poetëve rumunë.

Mircea Petan (1952), poet dhe prozator i kalibrit të lartë, drejtor i Editurës Limes në Kluzh-Napoka. Nga 7 poezitë e tij po i japim vetëm disa vargje:një gardh me thupra të pjekura të stërlashta një shtëpi prej druri rrënqethen shtyllat e rërës mbi ujë nga ftohti oborri – një brumë i ngjeshur gjatë nga thundrrat – e baglaxhiut që ka erëtimë deleje tmerrësisht e hallakatur prroskë e blertë fsheh një plakë trupin e saj të shtrembët duke mbuluar kuadrin e derës zgavrat e hundës së saj të thara shpërndajnë erëtimë hapash shikimi më shtrohet shtigjeve thuajse po dëgjoj „andejpari ka ikur koha kalon urën ngjitesh shpatit shtron shpresat rrugës së hekurt e di se është një rrugë pa kthim” (Shtëpi), Florica Bud nga Baia Mare (1957), e përkthyer me dy vëllime poetike në gjuhën shqipe, vjen ma shqipërime të reja si: “Luftoj si një ushtar i vjetër/../ Me një çetë lugetërish/ Kujtime nga një botë/ Që rikomponon/ Anatemën e një refuzimi/ Porsi një trupë diplomatike./ E kundroj Aramisin/ Me konturet/ E syrit të blertë/ Ndërsa me syrin a kaltërt/ Shikoj me kujdes fytyrën/ E ridimensionuar/ Në shkëlqimin e guacës madre./ I bëj ballë mundimit/ Të mendimeve dhe bardhësisë/ Që vërtiten/ Pa respektuar gjeografinë/ E një qarku të gjorë/ Që luan rolin e snobit/ Duke e humbur sërish cakun/ Në një ruletë të thjeshtë/ Në kazinonë e fantazmave.” (Dezerterë principesh).

Disa nga poetët rumunë dhe shqiptarë, prezantohen me vargje në të dy gjuhët. Anne Marie Bejliu, autore e vëllimeve Diku lumturia, Qielli i fshehur në ne, Vallëzuesja e brishtë, Mendime e rrjeshta, etj., vjen me një spektër të ri shqipërimesh të reja. Nga poezia Dremita duke menduari lirinë, citojmë: “Në një vonesë/ E tubova në grushtat e mahnitjes/ Oqeanin e ëndrrave./ Në valë idetë dhe mendimet/ E mbetura të palindura/ Rrëshqitën me krenari në shira// Duke e ngulfatur me ndruajtje/ Fërgëllimën e shpirtit,/ Duke koloruar në liri/ Horizontin e kësaj shtrirjeje/Të vetullave.../ U përlinda/ Në sekondën e dashurisë!” Pason, me vargje për herë të parë, edhe në gjuhën shqipe, aktorja dhe poetesha Isabella Gr?ghici (1977), me studime të larta në Universitetin e Bukureshtit (Fakulteti i Gjuhëve të Huaja): “Ndezmë!/ Jam materja e pare…/ Përvëlomë/ Në zjarrin e dashurisë puro/ Modelomë nga valët e kaltra që/ Të më mbulojë erëtima e mallit./ Të kem formën a krahëve tu/ Të mendimeve/ Të zemrës sate./ Në lartësi të ngjitem/ Drejt Teje/ Tejmatanë ajrit/ Kah asgjësia…” (Alkimi).

Patricia Lidia (1987), poete, inzheniere dhe përkthyese nga gjuha angleze, autore e disa vëllimeve poetike, laureate e disa çmimeve letrare, vjen në faqet e një antologjie bilinguale me subjekte të ndryshme kushtuar dashurisë, jetës dhe filozofisë: “E thellë është jehona/ E përmbysur/ E çasteve që përplaseshin/ Dritën ta shohin,/ Qetësinë ta dëgjojnë,/ Acarin ta ndjejnë./ Për një çast/ Nuk u ndjeva e vetmuar.“ (Për lindje). Apo: Puthmë/ Ngadalë/ Thuajse lindja/ Mbetet i vetmi mister/ Mes nesh,/ Dhe thuajmë/ Me ndruajtje/ Se më dashuron/ Thuajse perëndimi/ Do të presë/ Të ma shuash/ Etjen/ Për dashuri. (Lindje dashurie). Andon Kristo, poet korçar me origjinë arumune. Kreu studimet ekonomike në Universitetin e Tiranës, është kontabilist, flet disa gjuhë, shkruan poezi origjinale dhe merret edhe me përkthime. Përveç disa përkthimeve nga poetesha arumune Vanghea Steriy, prezantohet në këtë vepër edhe me vargje origjinale, si: „Kopeja ime e fjalëve/ e ruaj me jetën/ e ruaj me dashuri/ e ruaj duke folur/ kur këndoj, kur qaj,/ kur mallkoj, kur uroj,/ kur ngushëlloj/ ajo më ushqen,/ ajo më shuan etjen,/ ajo më rrit!/ Kope me egërsira/ nëpër/ mjegullat e kohës/ më afrohen veshur lloj-lloj/ me rrobe të vjetra, të reja/ të futen duan në kopenë time/ të grabisin ndonjë gjë/ ta pakësojnë kopenë/ të shtrejtën time/ kope të fjalëve,/ Por unë me krabë ditë e natë/ li largoj egërsirat/ do jem më këmbë/ Bariu i fjalëve! (Kopeja e fjalëve arumune).

 

Atdheu si metaforë e dhembjes dhe dashurisë

 

Një poet i mirënjohur shqiptar, pronar i disa faqeve të këtij libri, është edhe Skënder Buçpapaj. Po ia japim fjalën:  “Retë e bardha/ Do të qajnë për mua/ Me lotët e drenushave/ Bjeshkët do të dënesin/ Me ofshamat e pishnajave.”. Apo: „Dalëngadalë/ Dalëngadalë/ Gjithnjë e më shumë/ Emigranti e ndjen/ Se kufijtë e Atdheut/ Ngushtohen/ Duke u ngushtuar/ Jo më larg/ Se lëkura e trupit/ Në të cilën/ Emigranti rron.” (Emigranti). Pasojnë poezi tjera bilingve, si Valbona dhe Alpet, Më pëlqen të dëgjoj heshtjen e pyllit, Ah Gjon i Gjergjit të Gjonit, Era në pyll, Maratoni etj. Fatmir Terziu, pedagog, shkrimtar, poet, gazetar, publicist, prozator,  skenarist, editor dhe  regjisor filmi, është një emër tjetër i rëndësishëm i letrave shqipe, present me vargje si: “Zbret ngadalë/ i heshtur i vetëm/ Fati i një viti të plotë/ Mbledhur grusht/ Ditëmuaj,/ Rite/ Këngë/ Valle dhe një daulle/ Sheshi ka vend për të gjithë./ Ngjeshur bula djerse fytyrat/ Gatuajnë bukën e sofrës së madhe/ S’ka vend për ftesa as për lutje/ Dasma e nisur vitesh/ Çafkat i ka flakur tutje/ Biznes i vetëm glasat që lënë pas/ Një bust i ndotur prej tyre/ Ashtu veshkëputur/ Gojëlidhur nisi të flasë!” (Peisazh). Pothuajse çdo poet është i prezantuar me nga 7-10 poezi, ndër to edhe Myrvete Mehmeti nga Norvegjia, një krijuese e mirëfilltë e penës, një krijuese e cila në jetën e përditshme është e qetë, por e thellë në mendime. Sipas Ramiz Kuqit, ajo shkruan vargje që lakmohen nga çdo krijues. Nëpër vargjet e saj është pasqyruar bota shqiptare, jeta në mërgim dhe dashuria për njeriun: „Dehur në pritje./ Pi për të ikur./ Pi, gëzohu,/ Askush s'ka dy jetë./ Këndo Omar Khajamçe/ Dhe ik për të mbetur…/ Pa(k)burrat s'ndalen/ Duke pirë lotë grashë...“ (Lotë shpirti). Harrimi, Mall që s’shuhet, Kjo kohë (që flet me gjuhën e djallit, kur një zë më thirri nga ëndrra, për të më trandur), janë disa nga vjershat e saja prezente në këtë vepër që na fton përmes sintagmës „Mirëse erdhe në shpirtin tim!“

Çdo antologji krijon miq dhe kundërshtarë. Dikush mund të thotë „Pse nuk më ka prezentuar edhe mua?“, ndërsa ne i themi urdhëro, mik apo mike, se deri tani i kemi botuar rreth 20 sosh, duke filluar me Ali Podrimjen, Sali Bashotën, Basri Çapriqin e tjerë (Ishulli i pavdekësisë, 2005). Nezir Prokshi (1945), anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, vjen nga Fortesa e Drenicës. Jurist dhe poet vlerash të veçanta. Deri tani botuar këto vepra: “Kohë  idhnake”, ”Mbijetesa e njerëzve të Drenicës në rrethim”, ”Shi me diell”, ”Sheshi i Shpëtimit”, ”Lulet e Kosovës”, ”Më flamur në zemër”, “Qiejt ilirianë”, “Mbretëria e ëndrrave”. Ja disa nga vargjet e tij të frymëzuara: “Fluska bojëhiri ajri/ U shndërruan në copëza/ Thanë/ Gur u bëfshin o zot// Përbrenda bardhësi shkëmbi/ As në tokë as në qiell/ 50 shekuj Dardani/ 2000 vjet Iliri/ Njëqindvjet Shqipëri/ / Shkëmbi/ Përmbrenda soll/ Bardhësi drite“ (As në tokë, as në qiell). Fatmir Minguli vjen nga Tirana (1946), me studimet e larta në Universitetin e Tiranës (Fakulteti i Inxhinerisë Mekanike). Boton artikuj kritikë, ese, studime për poezinë moderne, tregime dhe skica letrare. Eshtë specializuar në studimet e poezisë haiku që shkruhet nga autorë shqiptarë duke bërë një sërë studimesh, përsiatjesh për këtë lloj poezie. Si eseist ka dhënë një ndihmesë në rrahjen e disa çështjeve të kulturës shqiptare, sikundër edhe prirjeve moderne në letërsi dhe arte. Ka botuar në fushën e letërsisë: Tjetërlloj ese dhe kritika letrare, Poezia moderne dhe Moikom Zeqo ese virtual, Kanuni i përkitur, ese, Lexikon mbi krijuesit e artit dhe letërsisë së Durrësit, me bashkëautor Halim Maloku. Në faqet e kësaj antologjie prezantohet me dy tregime në gjuhën shqipe: Valixhja që lëviz, me personazhe që janë “të padukshmit gjyshi Gaqi, gjyshja Agathi, babai Aristidh dhe nënë Sofi, unë dhe vallai im”, dhe Qeni i Slabinës, një tregim i së kaluarës që i shërben të tashmes.

Ramiz Kuqi u lind më 2 shtator 1948 në fshatin Kotlinë të Kaçanikut. Është magjistër i Letërsisë dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, autor i librave "Degë e ndarë", "Asnjë zog", "Një copë diell",  "Atdheu, metaforë e dhembjes", Në botim e sipër ështe edhe monografia "Aspekte të krijimtarisë letrare të Ndre Mjedjes", punim i magjistarturës. Shkruan herë pas here vështrime për autorë dhe vepra letrare.  Nga viti 2010 jeton dhe krijon në Oslo të Norvegjisë. Është një nga poetët më të zellshëm që i freskon rregullisht faqet e Facebokut me poezi. Ja disa nga to: „Pi edhe sonte/ Mos e var/ Hënën mbi buzë/ Nuk është jeta/ Përrallëzë Ezopi/ Nesër/ Do jetë vonë/ Pendimi vetë.“ (Pa titull). Apo: „Veç nga oxhaku/ Tymnajë e rëndë/ Qiellin e rëndoi/ Blozë e kohës / E dogj/ Asgjë s’morëm/ As unë as Ti/ Veç ndërthurje fjalësh/ Akuzë/ E pakuptimtë/ Çdo gjë rrodhi/ Pa protokoll/ Rri larg reve/ Që qëllojnë/ Stina u fut/ Në gisht unaze/ Asgjë.../ Secili gur/ Në dheun e vet. (Asgjë). Fikrije Bylykbashi u lind në Bicë të Lipjanit. Studioi në Fakultetin e Shkencave Natyrore në Prishtinë dhe Pedagogjinë gjithëkulturore dhe speciale në Norvegji. Studion Psikologjinë në Oslo. Jeton dhe punon në Norvegji. Prej vitit 1998 ka punuar si mësuese e gjuhës norvegjeze për të huajt, ndërsa nga viti 1999 si mësuese e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë. Gjithashtu ka punuar si Moderatore (drejtuese) në Radion ”Mërgimtari”. Shkruan poezi dhe prozë për të rritur dhe fëmijë. Ka të botuara 3 libra, nga të cilat një përmbledhje me poezi për fëmijë: “Princi me Lule”, një libër me poezi dhe prozë (“Thirrje pa Zë`”), dhe një tjetër me tregime për fëmijë (“Në rrugën e Drerëve”`). I  botohen në gjuhën rumune poezitë Dashuria, Kush ishte fajtor, Xheloze me kopshtin e Edenit, Kend të mallkoj, Një natë vere në Norvegji, kurse në gjuhën shqipe: Shqipëria kuqezi, Një gjethe bungu, Për dy dashuri, dhe Himn për Kosovën me vargje motivesh atdhetare, si: “Për ty trimat rrokën armët/  Kush kurseu jetën për ty?/ Perëndesha e  Ballkanit,/ S`meritoje robëri!/.../ Do vallëzojnë engjëjt për Ty,/ Se të deshën, moj burbuqe,/ Nga gjaku i tyre në festën tënde,/ Do çelin lule të kuqe!// Vallëzo e qeshu Zonjë e  Madhe/ Se drita e lirisë të ndrit në ballë,/ Valëviti pra flamujt,/ Një shtetëror e një kombëtar!“

Besnik Lajqi është një emër i ri që premton. U lind në Kosovë dhe jeton e vepron në Danemarkë. Prezantohet për herë të parë në faqet e antologjive tona me tregimin “Një dashuri tragjike në Rekën e Llagës”, me fragmente si: “E gjithë popullata e këtyre trojeve, si Rugovase, si e pjesëve tjera të Sanxhakut të Nishit, që nga kohërat më të lashta ishte katolike shqiptare. Kishte shumë famulli me kisha të bukura dhe madhështore e që veçoheshin ato të ngritura në bjeshkët e bukura të Rugovës heroike. Poashtu edhe në vet fshatin e Maries, pra në Rekën e Lluges, ishte poashtu një Kishë e madhe dhe shumë e bukur ku u mblidhnin për çdo ditë në lutje popullata e këtij fshati dhe fshatrave të tjerë për rreth.” Apo: “Një ditë të hershme mëngjesi, pleqtë e familjes në krye me bajraktarin, morën Kolën dhe ia behën për në mal. Mali ku gjindeshin ata ishte jashtë vendbanimeve. Një mal i pasur me drunjë të gjatë e të mëdhenj, vend ku nuk shkilte dot këmba e njeriut, një çerdhe shqiponjash ku rrinin bijtë dhe bijat e shqipes së Rugovës. Kështu, këta burra të fuqishëm për ka pamja fizike, të veshur me veshje të lashtë shqiptare kombëtare, filluan punën e prerjeve të drunjëve dhe pas një kohe të shkurtë, qëllimisht ia lëshuan Kolës, djal të ri, një lis të madh t’i bie mbi kokë, i cili e la atë në vend të vdekur. Dhe pikërisht ashtu siç ishin marrë vesh më parë, ata sot e kësaj dite kështu e shpjegojnë vdekjen e Kolës, kinse ishte një vdekje fatale, “akcindentale” dhe tragjike. Kështu u përhap ky lajm i kobshëm mbi vdekjen e këtij djaloshi të bukur, dhe këtë e shpjegonte edhe familja e Maries... Çka e si të veprohet tashmë me vetë bijen e tyre që iu morri fëtyrën e që mbeti shtatzënë jashtamartesës, që sipas ligjeve të maleve dhe të Kishës, ishte një gjë e mëkatshme, e jashtëligjshme dhe turpëruese!“

Imri Trena u lind më 1961 në fshatin Begrace të Kaçanikut. U diplomua në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë. Në vitin 1999 bashkë me familje migroi në Norvegji, ku jeton dhe vepron sot e kësaj dite. Me vetiniciativën e tij, në vitin 2001 themeloi Radiostacionin Regjional "Zëri i Arbërit", medium ky tjejet i rëndësishëm për bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Oslo e rrethinë. Është kryeredaktor i kësaj radioje, si dhe arsimtar i Shkollës Shqipe në Oslo, që nga viti 2000. Eshtë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe ka botuar këto vepra: "Buzëqeshja e tretur", "Plagë në zemër", „Shtegtimi i shqipeve", "Prapa grilave", "Kosova ime e madhe", "Andej është Kosova", „Rruga e hidhur”, “Dhembje e lot”, “Në Kampin Bjonerbek”, “Aromë manushaqeje”, “Mall i (pa)shuar, “Me zërat e Zërit të Arbërit”. Është prezenca e tij e dytë në spektrin e antologjive bilinguale, shqip/rumanisht, ësaj here me poezitë në gjuhën rumune Për ty jam Konstantini, Dëgjomë, Vuajtja, Besona, Të falënderoj, Ah sikur, Liman pritjeje. Në gjuhën shqipe vjen me poezitë Paradoks, Prishtina sa afër, sa larg, Pa trokitur, Në dyqanin e luleve, etj., si dhe  me Vargjet e mia, nga e cila po citojmë: „E shkruara/ Shprehje pavarësie/ Akt që maturon/ Nevojën për të folur në shurdhëri/ Për t`u ndjerë gjallë/ Ku lagësia të fruston.// Një varg sot/ Një varg nesër/ Si mbi një kala dasme të bardhë/ Ëndërrat e mia ngarkoj/ Te çdo Njeri/ Perënditë e së Mirës/ Të zgjoj.// Një varg sot/ Një varg nesër/ T`ua lëmë peng atyre që vijnë/ Të thonë ata për ne/ Atë që ne s`e thamë.“

Antologjia Zjarr i pashuar përmbyllet me një poeteshë të re nga Zvicra: Fahrije Krasniqi – Kllokoqi, me shpalimin e dashurisë ndaj mallit dhe njeriut. Sipas Nexhat Rexhës (poet dhe kritik letrar), poezia e Fahrije Krasniqit vjen si preokupim e mall për të thënë fjalën e bukur artistike, nëpër të cilën kalojnë fatet e individit e të kolektivitetit. Autorja në mënyrë eksplicite ka depërtuar në botën e brendshme të njeriut me dashuri e besnikëri për të shtruar e shëruar ethet ngadhnjimtare të ruajtura në thellësitë e zemrave njerëzore. Arti poetik në këtë rast reflekton përjetimin korrespondues pa ngarkesa dhe krijon hapësirë në ngritjen e përgjegjësisë kah arritshmëria universale. Në tërësinë e vargut të saj ndriçon eklipsin e periudhës dritare e mbyllur, kështu afirmon hapësirën e lirë, në shërimin e klithmave shpirtërore me refleksione për ta mundur heshtjen. Vargu e mesazhi depërtojnë në realizimin e prekjes identifikuese në motivin e pranueshëm konvencional.“ Sa për ilustrim po japim poezinë Natëlindje:

„Kremte Krishtlindjesh/ Dhjetor i ftohtë, acar/ Nëna i/ gëzohej fëmijës së parë/ E unë s'ndaloja qaja, qaja/ E pakënaqur që po nisja jetën/ Në këtë botë të marrë“. Apo: „Shtatë buzëqeshje t'i dhashë/ Shtatë fjalë t'i thashë/ Shtatë ngjyrat e ylberit/ Shtatë mrekullitë e botës/ Shtatë jetë sikur t’i kisha/ Shtatë herë do t’i falja/ Shtatë netë dashuri/ Shtatë ditë lumturi/ Shtatëqind vjet përjetësi.”



(Vota: 23 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx