| E hene, 30.07.2012, 07:38 PM |
ZJARR I
PASHUAR, APO, MIRËSE ERDHE NË SHPIRTIN TIM!
Nga Baki Ymeri
Letërsia dhe arti kanë përbërë që nga kohërat më të
vjetra një joshje të këndshme për dashamirët e fjalës dhe bukurisë artistike.
Arti, femra dhe poezia mund të konsiderohen në plotëkuptimin e fjalës së një
zjarr i pashuar. Antologjia Zjarr i pashuar (Amanda Edit,
Bukuresht 2011), me 10 krijues shqiptarë, pesë poetë rumunë dhe një poet
arumun, justifikon mendimin e Mëhill Velajt se bota më së miri lexohet në
shpirtin e poetëve. Libri del në Bukuresht, në kuadër të Biblioteksë
“Albanezul”, duke patur për ideatorë Vitore Lekën dhe Mardena Kelmendin,
parathënës Visar Zhitin, një pikturë të bukur të Faton Hashanit dhe një lëndë
të pasar prej 100 faqesh. Për të respektuar tjetrin, shkurtimisht ua japim
fjalën poetëve rumunë.
Mircea Petan (1952), poet dhe prozator i
kalibrit të lartë, drejtor i Editurës Limes në Kluzh-Napoka. Nga 7 poezitë e
tij po i japim vetëm disa vargje: “një
gardh me thupra të pjekura të stërlashta një shtëpi prej druri rrënqethen
shtyllat e rërës mbi ujë nga ftohti oborri – një brumë i ngjeshur gjatë nga
thundrrat – e baglaxhiut që ka erëtimë deleje tmerrësisht e hallakatur prroskë
e blertë fsheh një plakë trupin e saj të shtrembët duke mbuluar kuadrin e derës
zgavrat e hundës së saj të thara shpërndajnë erëtimë hapash shikimi më shtrohet
shtigjeve thuajse po dëgjoj „andejpari ka ikur koha kalon urën ngjitesh shpatit
shtron shpresat rrugës së hekurt e di se është një rrugë pa kthim” (Shtëpi), Florica
Bud nga Baia Mare (1957), e përkthyer me dy vëllime poetike në gjuhën
shqipe, vjen ma shqipërime të reja si: “Luftoj si një ushtar i vjetër/../ Me
një çetë lugetërish/ Kujtime nga një botë/ Që rikomponon/ Anatemën e
një refuzimi/ Porsi një trupë diplomatike./ E kundroj Aramisin/ Me konturet/ E
syrit të blertë/ Ndërsa me syrin a kaltërt/ Shikoj me kujdes fytyrën/ E
ridimensionuar/ Në shkëlqimin e guacës madre./ I bëj ballë mundimit/ Të
mendimeve dhe bardhësisë/ Që vërtiten/ Pa respektuar gjeografinë/ E një qarku
të gjorë/ Që luan rolin e snobit/ Duke e humbur sërish cakun/ Në një ruletë të
thjeshtë/ Në kazinonë e fantazmave.” (Dezerterë principesh).
Disa nga poetët rumunë dhe shqiptarë, prezantohen me
vargje në të dy gjuhët. Anne Marie Bejliu, autore e vëllimeve Diku
lumturia, Qielli i fshehur në ne, Vallëzuesja e brishtë, Mendime e rrjeshta,
etj., vjen me një spektër të ri shqipërimesh të reja. Nga poezia Dremita duke
menduari lirinë, citojmë: “Në një vonesë/ E tubova në grushtat e
mahnitjes/ Oqeanin e ëndrrave./ Në valë idetë dhe mendimet/ E mbetura të
palindura/ Rrëshqitën me krenari në shira// Duke e ngulfatur me ndruajtje/
Fërgëllimën e shpirtit,/ Duke koloruar në liri/ Horizontin e kësaj
shtrirjeje/Të vetullave.../ U përlinda/ Në sekondën e dashurisë!” Pason, me
vargje për herë të parë, edhe në gjuhën shqipe, aktorja dhe poetesha Isabella
Gr?ghici (1977), me studime të larta në Universitetin e Bukureshtit
(Fakulteti i Gjuhëve të Huaja): “Ndezmë!/ Jam materja e pare…/ Përvëlomë/ Në
zjarrin e dashurisë puro/ Modelomë nga valët e kaltra që/ Të më
mbulojë erëtima e mallit./ Të kem formën a krahëve tu/ Të
mendimeve/ Të zemrës sate./ Në lartësi të ngjitem/ Drejt Teje/ Tejmatanë ajrit/
Kah asgjësia…” (Alkimi).
Patricia Lidia (1987),
poete, inzheniere dhe përkthyese nga gjuha angleze, autore e disa vëllimeve
poetike, laureate e disa çmimeve letrare, vjen në faqet e një antologjie
bilinguale me subjekte të ndryshme kushtuar dashurisë, jetës dhe filozofisë: “E
thellë është jehona/ E përmbysur/ E çasteve që përplaseshin/ Dritën ta shohin,/
Qetësinë ta dëgjojnë,/ Acarin ta ndjejnë./ Për një çast/ Nuk u ndjeva e
vetmuar.“ (Për lindje). Apo: Puthmë/ Ngadalë/ Thuajse lindja/ Mbetet i vetmi
mister/ Mes nesh,/ Dhe thuajmë/ Me ndruajtje/ Se më dashuron/ Thuajse
perëndimi/ Do të presë/ Të ma shuash/ Etjen/ Për dashuri. (Lindje dashurie). Andon
Kristo, poet korçar me origjinë arumune. Kreu studimet ekonomike në
Universitetin e Tiranës, është kontabilist, flet disa gjuhë, shkruan poezi
origjinale dhe merret edhe me përkthime. Përveç disa përkthimeve nga poetesha
arumune Vanghea Steriy, prezantohet në këtë vepër edhe me vargje origjinale,
si: „Kopeja ime e fjalëve/ e ruaj me jetën/ e ruaj me dashuri/ e ruaj duke
folur/ kur këndoj, kur qaj,/ kur mallkoj, kur uroj,/ kur ngushëlloj/ ajo më
ushqen,/ ajo më shuan etjen,/ ajo më rrit!/ Kope me egërsira/ nëpër/ mjegullat
e kohës/ më afrohen veshur lloj-lloj/ me rrobe të vjetra, të reja/ të futen
duan në kopenë time/ të grabisin ndonjë gjë/ ta pakësojnë kopenë/ të shtrejtën
time/ kope të fjalëve,/ Por unë me krabë ditë e natë/ li largoj egërsirat/ do
jem më këmbë/ Bariu i fjalëve! (Kopeja e fjalëve arumune).
Atdheu si metaforë e dhembjes dhe dashurisë
Një poet i mirënjohur shqiptar, pronar i disa faqeve të
këtij libri, është edhe Skënder Buçpapaj. Po ia japim fjalën: “Retë e bardha/ Do të qajnë për mua/ Me lotët
e drenushave/ Bjeshkët do të dënesin/ Me ofshamat e pishnajave.”. Apo: „Dalëngadalë/
Dalëngadalë/ Gjithnjë e më shumë/ Emigranti e ndjen/ Se kufijtë e Atdheut/ Ngushtohen/
Duke u ngushtuar/ Jo më larg/ Se lëkura e trupit/ Në të cilën/ Emigranti rron.”
(Emigranti). Pasojnë poezi tjera bilingve, si Valbona dhe Alpet, Më pëlqen të
dëgjoj heshtjen e pyllit, Ah Gjon i Gjergjit të Gjonit, Era në pyll, Maratoni
etj. Fatmir Terziu, pedagog, shkrimtar, poet, gazetar, publicist,
prozator, skenarist, editor dhe regjisor filmi, është një emër tjetër i
rëndësishëm i letrave shqipe, present me vargje si: “Zbret ngadalë/ i heshtur i
vetëm/ Fati i një viti të plotë/ Mbledhur grusht/ Ditëmuaj,/ Rite/ Këngë/ Valle
dhe një daulle/ Sheshi ka vend për të gjithë./ Ngjeshur bula djerse fytyrat/
Gatuajnë bukën e sofrës së madhe/ S’ka vend për ftesa as për lutje/ Dasma e
nisur vitesh/ Çafkat i ka flakur tutje/ Biznes i vetëm glasat që lënë pas/ Një
bust i ndotur prej tyre/ Ashtu veshkëputur/ Gojëlidhur nisi të flasë!” (Peisazh).
Pothuajse çdo poet është i prezantuar me nga 7-10 poezi, ndër to edhe Myrvete
Mehmeti nga Norvegjia, një krijuese e mirëfilltë e penës, një krijuese e
cila në jetën e përditshme është e qetë, por e thellë në mendime. Sipas Ramiz
Kuqit, ajo shkruan vargje që lakmohen nga çdo krijues. Nëpër vargjet e saj
është pasqyruar bota shqiptare, jeta në mërgim dhe dashuria për njeriun: „Dehur
në pritje./ Pi për të ikur./ Pi, gëzohu,/ Askush s'ka dy jetë./ Këndo Omar
Khajamçe/ Dhe ik për të mbetur…/ Pa(k)burrat s'ndalen/ Duke pirë lotë grashë...“
(Lotë shpirti). Harrimi, Mall që s’shuhet, Kjo kohë (që flet me gjuhën e
djallit, kur një zë më thirri nga ëndrra, për të më trandur), janë disa nga
vjershat e saja prezente në këtë vepër që na fton përmes sintagmës „Mirëse
erdhe në shpirtin tim!“
Çdo antologji krijon miq dhe kundërshtarë. Dikush
mund të thotë „Pse nuk më ka prezentuar edhe mua?“, ndërsa ne i themi urdhëro,
mik apo mike, se deri tani i kemi botuar rreth 20 sosh, duke filluar me Ali
Podrimjen, Sali Bashotën, Basri Çapriqin e tjerë (Ishulli i pavdekësisë, 2005).
Nezir Prokshi (1945), anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, vjen
nga Fortesa e Drenicës. Jurist dhe poet vlerash të veçanta. Deri tani botuar
këto vepra: “Kohë idhnake”, ”Mbijetesa e
njerëzve të Drenicës në rrethim”, ”Shi me diell”, ”Sheshi i Shpëtimit”, ”Lulet
e Kosovës”, ”Më flamur në zemër”, “Qiejt ilirianë”, “Mbretëria e ëndrrave”. Ja
disa nga vargjet e tij të frymëzuara: “Fluska bojëhiri ajri/ U shndërruan në
copëza/ Thanë/ Gur u bëfshin o zot// Përbrenda bardhësi shkëmbi/ As në tokë as
në qiell/ 50 shekuj Dardani/ 2000 vjet Iliri/ Njëqindvjet Shqipëri/ / Shkëmbi/
Përmbrenda soll/ Bardhësi drite“ (As në tokë, as në qiell). Fatmir Minguli
vjen nga Tirana (1946), me studimet e larta në Universitetin e Tiranës
(Fakulteti i Inxhinerisë Mekanike). Boton artikuj kritikë, ese,
studime për poezinë moderne, tregime dhe skica letrare. Eshtë specializuar në
studimet e poezisë haiku që shkruhet nga autorë shqiptarë duke bërë një sërë
studimesh, përsiatjesh për këtë lloj poezie. Si eseist ka dhënë një
ndihmesë në rrahjen e disa çështjeve të kulturës shqiptare, sikundër edhe
prirjeve moderne në letërsi dhe arte. Ka botuar në fushën e letërsisë: Tjetërlloj
ese dhe kritika letrare, Poezia moderne dhe Moikom Zeqo ese virtual, Kanuni i
përkitur, ese, Lexikon mbi krijuesit e artit dhe letërsisë së Durrësit, me
bashkëautor Halim Maloku. Në faqet e kësaj antologjie prezantohet me dy tregime
në gjuhën shqipe: Valixhja që lëviz, me personazhe që janë “të
padukshmit gjyshi Gaqi, gjyshja Agathi, babai Aristidh dhe nënë Sofi, unë dhe
vallai im”, dhe Qeni i Slabinës, një tregim i së kaluarës që
i shërben të tashmes.
Ramiz Kuqi u lind më
2 shtator 1948 në fshatin Kotlinë të Kaçanikut. Është magjistër i Letërsisë dhe
anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, autor i librave "Degë e
ndarë", "Asnjë zog", "Një copë diell", "Atdheu, metaforë e dhembjes", Në
botim e sipër ështe edhe monografia "Aspekte të krijimtarisë letrare të
Ndre Mjedjes", punim i magjistarturës. Shkruan herë pas here vështrime për
autorë dhe vepra letrare. Nga viti 2010 jeton dhe krijon në
Besnik Lajqi është një emër i ri që
premton. U lind në
Kosovë dhe jeton e vepron në Danemarkë. Prezantohet për herë të parë në faqet e
antologjive tona me tregimin “Një dashuri tragjike në Rekën e Llagës”, me
fragmente si: “E gjithë popullata e këtyre trojeve, si Rugovase, si e pjesëve
tjera të Sanxhakut të Nishit, që nga kohërat më të lashta ishte katolike
shqiptare. Kishte shumë famulli me kisha të bukura dhe madhështore e që
veçoheshin ato të ngritura në bjeshkët e bukura të Rugovës heroike. Poashtu
edhe në vet fshatin e Maries, pra në Rekën e Lluges, ishte poashtu një Kishë e
madhe dhe shumë e bukur ku u mblidhnin për çdo ditë në lutje popullata e këtij
fshati dhe fshatrave të tjerë për rreth.”
Imri Trena u
lind më 1961 në fshatin Begrace të Kaçanikut. U diplomua në Fakultetin e
Bujqësisë në Prishtinë. Në vitin 1999 bashkë me familje migroi në Norvegji, ku
jeton dhe vepron sot e kësaj dite. Me vetiniciativën e tij, në vitin 2001
themeloi Radiostacionin Regjional "Zëri i Arbërit", medium ky tjejet
i rëndësishëm për bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Oslo e rrethinë. Është
kryeredaktor i kësaj radioje, si dhe arsimtar i Shkollës Shqipe në Oslo, që nga
viti 2000. Eshtë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe ka botuar këto
vepra: "Buzëqeshja e
tretur", "Plagë
në zemër", „Shtegtimi i shqipeve", "Prapa
grilave", "Kosova ime e madhe", "Andej është Kosova",
„Rruga e hidhur”, “Dhembje e lot”, “Në Kampin Bjonerbek”, “Aromë manushaqeje”,
“Mall i (pa)shuar, “Me zërat e Zërit të Arbërit”. Është prezenca e tij e dytë
në spektrin e antologjive bilinguale, shqip/rumanisht, ësaj here me poezitë në
gjuhën rumune Për ty jam Konstantini, Dëgjomë, Vuajtja, Besona, Të falënderoj,
Ah sikur, Liman pritjeje. Në gjuhën shqipe vjen me poezitë Paradoks, Prishtina
sa afër, sa larg, Pa trokitur, Në dyqanin e luleve, etj., si dhe me Vargjet e mia, nga e cila po citojmë: „E
shkruara/ Shprehje pavarësie/ Akt që maturon/ Nevojën për të folur në
shurdhëri/ Për t`u ndjerë gjallë/ Ku lagësia të fruston.// Një varg sot/ Një
varg nesër/ Si mbi një kala dasme të bardhë/ Ëndërrat e mia ngarkoj/ Te çdo
Njeri/ Perënditë e së Mirës/ Të zgjoj.// Një varg sot/ Një varg nesër/ T`ua
lëmë peng atyre që vijnë/ Të thonë ata për ne/ Atë që ne s`e thamë.“
Antologjia Zjarr i pashuar përmbyllet me një poeteshë të
re nga Zvicra: Fahrije Krasniqi – Kllokoqi, me shpalimin e dashurisë
ndaj mallit dhe njeriut. Sipas Nexhat Rexhës (poet dhe kritik letrar), poezia e
Fahrije Krasniqit vjen si preokupim e mall për të thënë fjalën e bukur
artistike, nëpër të cilën kalojnë fatet e individit e të kolektivitetit.
Autorja në mënyrë eksplicite ka depërtuar në botën e brendshme të njeriut me
dashuri e besnikëri për të shtruar e shëruar ethet ngadhnjimtare të ruajtura në
thellësitë e zemrave njerëzore. Arti poetik në këtë rast reflekton përjetimin
korrespondues pa ngarkesa dhe krijon hapësirë në ngritjen e përgjegjësisë kah
arritshmëria universale. Në tërësinë e vargut të saj ndriçon eklipsin e
periudhës dritare e mbyllur, kështu afirmon hapësirën e lirë, në shërimin e
klithmave shpirtërore me refleksione për ta mundur heshtjen. Vargu e mesazhi
depërtojnë në realizimin e prekjes identifikuese në motivin e pranueshëm
konvencional.“ Sa për ilustrim po japim poezinë Natëlindje:
„Kremte Krishtlindjesh/ Dhjetor i ftohtë, acar/ Nëna i/ gëzohej fëmijës së parë/ E unë s'ndaloja qaja, qaja/ E pakënaqur që po nisja jetën/ Në këtë botë të marrë“. Apo: „Shtatë buzëqeshje t'i dhashë/ Shtatë fjalë t'i thashë/ Shtatë ngjyrat e ylberit/ Shtatë mrekullitë e botës/ Shtatë jetë sikur t’i kisha/ Shtatë herë do t’i falja/ Shtatë netë dashuri/ Shtatë ditë lumturi/ Shtatëqind vjet përjetësi.”