Kulturë
Poezi nga Hyqmet Hasko
E hene, 30.07.2012, 05:33 PM
Hyqmet Hasko
DO TA THAJ LOTIN E MALLIT
Fëshfërin përmbi lastarë,
fllad i ëmbël i mëngjesit,
për mbi faqe një lot si ar,
malli yt këngën më ndezi,
Për mbi lule kundërmon,
malli yt që më shëron,
ai lot malli që më drithëron,
bëhet valë që dallgëzon,
Do ta thaj lotin e mallit,
me zjarrin e dashurisë
do t’ia marr flladin malit,
t’i jap krahë lumturisë.
Të përkundësh përmbi djepe,
një dashuri pa salltanete,
se kur qan e qesh fëmija,
përkulet dhe perëndia.
Malli i yt dhe malli im,
Të flakëroj qiejt me vetëtimë,
të thaj lotin e hidhërimit,
t’i jap syrit lotin e gëzimit
Do thaj lotin tënd të mallit,
përmbi buzë e përmbi faqe,
do ndez flakërimat e zjarrit,
pa lëshuar tym përmbi oxhaqe.
NE TË DY DHE DIELLI
Diellit ia mora rrezet dhe u bëra shpuzë,
për ty këngë do bëhem, të më mbash në buzë!
Erën do ndjek pas, për tek ti do të vi,
trëndafil do të bëhem të më mbash në gji!
Nga ëndrra me zgjon, lule Tepelene,
fjalës i dhashë udhë zjarrin e kësaj pene,
ne zemër me dogje, etjen do ta shuaj,
puthje do të bëhem përmbi buzë të luaj!
Nga drita e syrit tënd u trëndafilova,
me aromën e shpirtit dashurinë të zgjova.
Pranvera kësaj radhe çeli lule vetëm ty,
Henës do t’i marr dritën të të rri në sy.
Eja mos më lodh, me naze me fjalë,
se nuk duroj dot, syri më lëshon zjarr,
zjarri tij do të djege tokën edhe qiellin
në këtë botë të mbesim ne të dy dhe dielli!
TË THËRRET KJO ZEMËR MALLI
Duke të pritur qendroj i vetëm
për ty hënë me mall i tretur,
mike që vrapon thua me thua,
ti je erë që shket mbi mua.
Të sodis dhe më lë pa fjalë,
pulëbardhë bëhesh mbi dallgë,
dallandyshe gushbardhë,
vjen përqark nëpër mëhallë.
Për ty zogjtë gjumë s’flenë,
flladi për ty shkon e vjen,
zemrën time ma shpërthen,
bëhesh këngë me dy refrenë.
Hedh një fjalë e bëhesh erë,
çel si lulja dimër dhe vere,
dhe buis në zemrën time,
dashuri plot vezullime.
Më shetit si yll në qiell
merr rreze lart në diell,
dhe në zemër ato m’i zbret,
më bën të të kërkoj mbi retë.
Të prita deri në mëngjes,
loti syrit m’u bë vesë,
një jet të tërë të kam pritur,
zemra më digjet e zhuritur.
Eja o fllad në zemrën time,
të kam ëndërr në ëndërrime,
mos ma fshi lotin e vesuar,
të dua për jetë të mbretëruar!
Po të thërret kjo zemër malli,
pret si shkrepsja të ndez zjarrin,
drithëron çdo çast duke pritur,
pret si toka diellin për të lindur.
LISI I DHA LAJMIN DIELLIT...
Lisi i dha lajmin diellit se në tok vdiq ai,
që të dy na përjetësoi shpesh ne poezi,
rrënjëve të mia me vargje u dha madhështi,
dhe tek ti e tek unë ai do mbetet në përjetësi.
Dhe pse nuk do e shohim në rrugët ku gjallonte,
ne do ia ndjemë hapin poetik të gjëmojë,
por në fluturim ai do të jetë veç shqiponjë,
e një arti që piedestalin përherë i kërkojë.
Dhe shpirti i tij, në arte dhe shkolla,
dritëson rreze të fuqishme luftëtare,
dhe mbeti aty ku e kërkon koha,
tek liria e madhështisë kosovare.
Ai vdiq në një tokë ku kultura lulëzon,
në shekuj simotra e vjetër e tokës sonë,
ai vdiq në kryeqytetin me emrin Paris,
dhe mbeti një yll që përherë do llamburis.