E hene, 06.05.2024, 09:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Rasti i veçantë

E marte, 31.07.2012, 07:17 PM


RESMI OSMANI

Tregim me katër episode

RASTI I VEÇANTË

Episodi i parë

I dshur miku im Filip, je bërë për të qarë hallin, për të ardhur keq dhe mëshiruar! Si ja lejove vetes të biesh në dashuri në moshën gjashtëdhjet e gjashtë vjeç? Gjëra që ndodhin, por rrall ama! E kam gjykuar e pleqëruar gjerë e gjatë atë që të ndodhi, dhe më në fund të kam shfajësuar.

Në atë mëngjes pranvere që ishin ditët e para të daljes sate në pension, shkove dhe u ule i vetëm në atë kafen e lirë buzë liqenit, se kuleta jote nuk ta lejonte luksin për më shumë dhe porosite një ekspres. Kur ishe duke rrufitur atë lënguriqe të hollë e pashije, në tryezën tënde ngjau mrekullia: Përballë, papritur , si e zbritur nga qielli, u ul një vashë e bukur si drita. Nga sytë e saj buronte ngrohtësi, mirësi,  gëzim e dashuri, qafa e gjatë si e mjellmës zbukuruar me perla xixëlluese, në krye diadema e artë e me rubinë të kuq si kokrriza shege, flokët e verdha si dritë hëne, mbi supa një pelerinë e lehtë, qëndisur me bletë, që linte të dukeshin veshjet e tejpashme dhe gjithë hiret femërore. Aroma e trupit të saj ishte një ermirim i përzier i vjollcave dhe narcisit. I tronditur fërkove sytë. Ajo ishte po aty, e buzëqeshur me vështrimin ngulitur mbi sytë e tu. Çfarë ishte, zanë, shtojzavalle, nimfë e ujërave? Deshe të pyesje,por ajo nuk të la të flisje. Të vuri gjishtin në buzë dhe të tha:

- Nuk më njeh? Jam muza e poezisë lirike! Bija e Zeusit, Efterpi, njera nga nëntë motrat, që frymëzojmë artet. Kam zbritur me Pegasin nga mali i Parnasit!

Ti deshe ti thoshe pse të kishte zgjedhur pikërisht ty, burrë I shtyrë në moshë, por si njeri i gjindshëm dhe i sjellshëm, që di ta çmosh hijeshinë dhe bukurinë femërore, i urove mirseardhjen dhe deshe ti porositje një kafe.

Ajo buzëqeshi, dhëmbët e saj kishin bardhësinë e lulezambakut, buzët atë të trëndafilit, pamja hijeshinë dhe freskinë e pranverës.

-Ne,në Parnas, nuk pimë kafe si vdektarët, pimë nektar dhe ushqehemi me ambroz. E di se ke vite që më kërkon dhe ja ku erdha. Erdha që të jem frymëzimi yt- tha dhe të dhuroi një penë të artë, dhe një kallamar argjendi.- Shkruaj, mos e lerë talentin të shkojë dëm, frymëzimin do ta dhuroj unë.  Sa herë të kesh nevojë apo dëshirë, më thirr me zërin e mendjes, do të jem pranë teje.

Zëri i saj kishte tingullin dhe jehonën e një kambane argjendi, ishte këndellës si një këngë dashurore. Pastaj ti i ndodhur si në ëndërr,  nuk e kuptove sesi ajo iku apo fluturoi, si një puhizë,  si shpirt i padukshëm dhe ti mbete i trallisur e pa ment para filxhanit të kafes. Qëndrove gjatë ashtu, pa ditur ti jepje një përgjigje vetes, duke besuar dhe mosbesuar atë që të ndodhi. Që atë ditë edhe pse ti e prite po te ajo tryezë, në kafen buzë liqenit . ajo nuk u trupëzua më para teje, por ti e ndjeje që ajo vinte si frymë, si shpirt, si një masë eterike që I fliste mendjes dhe zemrës sate. Ishte pranë teje.

Episodi i dytë

Nise të shkruaje: Këtë dëshirë ja bëre të njohur edhe zonjës sate, Rexhinës , që nuk e priti me gëzim, por as nuk të kundërshtoi. Ishte e drejta jote sesi do ta përdorje kohën dhe mënyrën tënde të jetesës. E ndjeje si një nevojë të brendshme, që stë linte të qetë, për tu treguar të tjerëve,shokëve dhe miqve, ngjarje dhe ndodhi ashtu si i shihje, imagjinoje, ndjeje dhe i kuptoje  nga këndvështrimi yt, që natyrisht ishte ndryshe nga i të tjerëve. Si fillim  nise në tryezën e vogël të kuzhinës, me laps, pastaj gjete dhe bleve një makinë të vogël shkrimi, tastet e së cilës kërcisnin  e rrapëllinin si të shtëna mitrolozi. Që të shpëtonin nga ai siklet, vajzat e tua të blenë si dhuratë për ditlindje kompjuterin. Në atë kuti magjike, ti nise të  ndryje tërë diturinë, filozofinë dhe mënçurinë. Librat erdhën njera pas tjetrës, por në vend që të gëzoheshe e lehtësoheshe, u vure në zor. Shtëpitë botuese  nuk  merrnin asgjë përsipër. Për to ti ishe thjesht një i panjohur. Të shihnin me mosbesim e disi me keqardhje.Me vete ata pyesnin :”Nga na mbiu ky shkrimtar?” Duhet të paguaje dhe t’ua dije për nder! Bëre si bëre, ca me kursimet e tua,  ca me financimin e nipërve (që u vinte keq për ty ngaqë ishe burrë i vjetër,por ndofta edhe i vlerësonin ato që shkruaje) librat u botuan. I shihje, i përsillje nëpër duar, I vendose në një vend të dukshëm në bibliotekën tënde, u gëzoheshe si të ishin fëmijët  e tu të sapolindur. Ja u shpërndave miqve, të njohurve, bibliotekave e librarive. Në librari ti pranonin me hezitim. Ishin aq të mbushura sa s’kishin ku ti vendosnin. Librarët ankoheshin se librat shiteshin pak.Ata që donin të lexonin,nuk kishin me se ti blenin,ata që kishin,nuk lexonin! Për ti dërguar në rrethe,nuk bëhej fjalë.Kusuri mbeti pirg në shtëpi.

Prisje një fjalë të mirë, një koment, por asgjë, shurdhëri.  Miqtë e tu, kolegët, që u ishte dobësuar shikimi  dhe nuk i kishin  lexuar, kur takoheshe me ta,  të thoshin fjalë të mira: Që ti ishe një talent i vërtetë dhe se kishe humbur shumë kohë. Duhet ta kishe filluar që në të ri. I besoje. E kush është ai krijues që nuk ka nevojë për një fjalë të mirë për krijimtarinë e tij? Megjithatë, me modesti ti nuk e pranoje të të quanin shkrimtar.  Ishte një fjalë e madhe. U thoshje se ti ishe një njeri që thjesht  kishte dëshirë për të shkruar, si një nevojë shpirtërore dhe intelektuale, për të mbushur kohën me punë e pse jo, për të qënë disi shoqërisht I dobishëm. Vetëm  kaq. Zure miq të rinj,shkrimtarë që kishin përvojë dhe kishin bërë emër. Me ndrojtje u jepje shkrime të përfunduara , për ti parë miqësisht dhe për të bërë vrejtje. Ata thoshin se I kishin lexuar,i kishin pëlqyer, të uronin, por asnjë vrejtje! Të shkruarit-thoshin ata- është një dhunti vetiake. Gjykimi I mbetet lexuesit dhe kritikës.

Thonë se profetin nuk e besojnë dhe vlerësojnë në shtëpinë e vet. Kjo të ndodhi edhe ty. Vajza e madhe,Luiza ,nuk ta tha sheshazi,  por la të kuptohej se kjo ishte mjë mani pleqërie dhe dëshirë për  tu dukur dhe se ishe kujtuar vonë, ngaqë në këtë moshë nuk kishe se çtë sillje ndonjë  të re dhe se ora jote kishte mbetur në vitet 60-të.  Nuk lexoi asnjë rresht nga librat e tua. Vajza e dytë, Adriana, qe më e kujdesëshme, por ajo ishte shumë e zënë me punën dhe fëmijën dhe se kur të kishte kohë me siguri do të lexonte. Vajza e tretë,shumë e sinqertë të tha se në jetën e saj nuk kishte lexuar asnjë libër artistik,  përveç “Pinokut” edhe atë me detyrym. Se edhe po të lexonte për respekt apo dashuri prindërore, (se ajo të do shumë) nuk do të dinte të bënte ndonjë vlerësim. Kjo të dëshpëronte shumë. Por,e kishe një ngushëllim: Rexhina, zonja jote e mirë tu gjend gjithnjë në krah. Ishte lexuesja dhe vlerësuesja e parë. Si  mësuese gjuhe, ajo lexonte dhe qortonte çdo faqe, fillim e fund, bënte edhe ndonjë vrejtje të vogël, por i vlerësonte shumë ato krijime. Ti u besoje shijeve të saj letrare dhe saktësisë së qortimeve gjuhësore. Ishit një skuadër.

Ps eta fsheh, edhe unë, kisha rezervat e mia, por një ditë, miku ynë, kritiku I njohur K.B. na tha se ti edhe pse i vonuar, me krijimtarinë tënde te bollshme e të gjithëfarshme, ishje një rast i veçantë dhe që meritoje vëmendjen e duhur! Që atëhere u bëra palë me ty.

Episodi i tretë

U bë kohë që nuk të shihnim. E dija se pse. Ishe  i sëmurë. Vuaje nga sëmundja e të shkruarit, nga ajo sëmundje molisëse, që pasi tu shfaq muza, ti asnjëherë nuk deshe të shëroheshe prej saj! Kjo tu bë më e theksuar, kur në shënjën e horoskopit astrologu të paratha se ai do të ishte viti I famës që ti prisje! Ti ishe mbyllur brenda dhe shkruaje veprën e jetës, atë më të mirën. Një libër të trashë.Dihet se i tillë libër është mundim i madh i atij që e shkruan, por edhe vështirësia e atij që do ta lexojë. Punoje si në ethe. Muza të zinte për dore dhe mendjen tënde, si një bletë puntore e shpinte në lulet e fjalëve,  për të mbledhur nektarin e ëmbël dhe aromën e veçantë, për të zgjedhur më të bukurën, më të ndriturën më tingëlluesen. Më domethënësen, për ta veshur mendimin me magjinë dhe bukurinë e ligjërimit, me kripën dhe piperin, për tu dhënë shije, me shpotitë dhe hokat e holla për ti dhënë vibrim gëzimit, me urtësinë, mënçurinë dhe filozofinë, për të qënë të thella dhe domethënëse. Me dykuptimësinë dhe misterin që fshihet midis radhëve e që mund ta kuptonin mendjet e lexuesve  me shije të stërholluar. Me tablo e mozaikë plot ngjyra  e kontraste,  me të papritura befasuese tragji-komike,  me intriga që do ta mbanin pezull e në ankth lexuesin dhe skena lirike që  zgjojnë nënshtresën e ndjenjave dashurore, atë prush të pashuar që mbulohet nga hiri i viteve. O ethe e bekuar e të shkruarit! Jermi i saj dhe dalldia të bënin të përjetoje  një botë e jetë fantastike,  midis lëndores e jolëndores, të qënies e mosqënies. Në atë pak kohë shkëputjeje në drekë apo darkë,ishe I pa përqëndruar, pa  vëmendje për ato që të thoshin, sytë ia ngulje zbrazëtirës dhe ktheje përgjigje kot së koti. Rexhina  u mersakos, po ti e sigurove se ishe mirë. Ti e dije se të shkruarit ishte i mundimshëm,  si një punë skllavi : Ngrehina e librit stisej nga tullat e fjalëve, fjalë pas fjale, paragraf pas paragrafi, faqe pas faqeje e kështu për ditë e deri në fund. Ti e pranoje këtë skllavëri, që të kishte lidhur me prangat e fjalës së shkruar.  Çlirimi do të vinte me përfundimin, pasi të kishe vënë dhe tjegullën e fundit të çatisë. Dhe ajo ditë erdhi. Vure në fund datën dhe frymove thellë Për  romanin zgjodhe një titull folklorik: “E Ëma e Zeqos Majë Thanës”.  Rexhina  pasi e lexoi dhe qortoi , të tha se romani kishte dalë i hatashëm! Shkrimtari K.A. që ia dhe për ta lexuar, të tha se gjë më të bukur për jetën bashkëkohore shqiptare, kishte kohë që nuk kishte lexuar! Romani,në shumë raste I kujtonte “Panairin e Kotësive” të Tekereit. U bëre me krahë.

Ca kohë pas përfundimit të librit u ndjeve bosh, si pa peshë, era e mendimeve të shtynte si një gjethe vjeshte në ajër. Pusi I frymëzimit ishte zbrazur, duhej pritur që të mbushej me materje të re. Pasditeve dilje me Rexhinën në parkun e liqenit, i mbështetur në krahun e saj meditoje dhe filozofoje. Thurje krijimet e se ardhmes, diskutoje me të subjektet, uleshit dhe pinit kafen, takonit ndonjë të njohur. Nuk mungonin edhe bisedat e rëndomta:për shëndetin rritjen e kostos së jetesës, mungesës së shpeshtë të dritave dhe ujit etj. Edhe në to ti gjeje subjekte për ciklet e tregimeve që do të shkruaje. Ndërsa ditët shkonin,të zuri shqetsimi I botimit. Romani nuk mund të flinte në C D. U ndjeve në zor, por sërish iu drejtove Nikos, nipçes . Ai, me keqardhje të tha se ai burim kishte shterrur, por pasi u mendua pak, të tha se e kishte gjetur dhuruesin: Kushëririn Sotir, apo Tirkën si e thërrisnin shkurt. Ai po që ishte një qyp me flori. ishte rasti ti bënit një vizitë për kryeshëndosh pasi para ca kohësh i kishte vdekur xhaxhai. Marrim edhe gratë-tha Nikua. Një rrugë e dy punë. Ti do t’i çosh si dhuratë  edhe disa libra nga të tuat. E ngushëllojmë dhe pastaj i kërkojmë sponsorizimin për botimin e romanit.

Episodi i katërt

Pasi mori telefonatën,Tirka po u priste në oborrin e vilës madhështore, i ulur në shezlong pranë pishinës, nën hije të palmës. Hytë në hollin luksoz të katit të parë. Tirka ,i heshtur,po u sodiste me nge duke u zhbiruar me ata sytë e ftohtë gri të  me reflekse  çeliku. Mëndja e tij u vu në punë. Ç’fshihej vallë pas kësaj vizite?

E ngushëlluat për vdekjen e xhaxha Thanasit.”Shëndoshë miqtë-tha ai-Por i shkreti xhaxha, s’ishte për gjë, u prehtë në paqe atje ku ka rënë, por i rëndohej dheut ku shkelte. U katandis me pension pleqërie. I la djemtë trokë. i kanë ngjarë edhe djemtë e mi. U kam ngritur një lokal luksi, por s’janë për gjë, nuk dinë të punojnë, nuk dinë të bëjnë miq e të përfitojnë. Shkoi për drekë Presidenti i Republikës me miqtë dhe ata, faqezeztë i morën paratë! Nuk dinë as të bëjnë ndere as të zenë miq”

Zonja e Tirkës, Drita,e heshtur dhe si e tromaksur,u shërbeu kafetë dhe priti në këmbë,pastaj mori filxhanët dhe qokën dhe u largua sit ë ishte hije.

Tirka s’po ia ndante sytë asaj qeskës me libra që ti e kishëe ulur në cep të kolltukut.Ti e  vure re dhe që tia hiqje kërshërinë, i nxore librat dhe i vendose mbi tavolinën e mesit. Ai i pa vëngër.

Të falnderoi,por shtoi se ai nuk lexonte. E pse të lexonte,të lodhte sytë dhe mendjen? Ishte e kotë. Të tjerët nuk ishin më të mençur se ai. I mjaftonte mendja e tij, ajo s’e kishte lënë asnjë herë në baltë. Ato broçkullat dhe dëngëlat që shkruanin dynjaja nëpër libra, s’vlenin gjë. Edhe ata që i  shkruajnë janë  mender pa brekë në bythë, më fal se kam për ty. Librat ishin për eglendinë e të papunëve. Të mençurit dinë të punojnë dhe të fitojnë para,lum miku!

Tha këto dhe u ftoi të vizitonit vilën. Çdo material ishte i klasit të parë: dërrasat e tavanit suedeze, që nuk i digjte zjarri, parketi me dru panje e lisi, mermeri nga Italia, mobiljet me dru mogani të kuq e të zi brazilian, tapetet origjinale persiane të blera në Turqi. Foli e foli dhe në fund u pyeti se sa kishte kostuar. Ju ngritët supat. Gjysëm  million euro rrumbullak- tha ai. Në murin e hollit ty të zuri syri një armë gjahu automatike dhe e pyete në se dilte për gjah. Ai qeshi,ishte një e qeshur si krokamë, e thatë dhe e ftohtë.

-Jo kushëri, fishekët i kam mbushur me kripë kokërrmadhe, që tu mbush bythën këtyre gjitonëve që më kanë rënë në pjesë, se kanë nisur të më mërzisin. S’ke çi bën gjitonin nuk e zgjedhim dot. Morracakët, i bren cmira dhe nakari për kamjen dhe gjendjen time. Por ua kam bërë benë!

U kthyet sërish në holl. Vizitës i kishte ardhur fundi. Finoku që nuhati se ju diku duhet të delnit, ia nisi të rrëfente se si i kishte vënë ato pesë lekë: e kishte nisur si ambulant, me shitjen e shkrepseve dhe qirinjve, pastaj puna kishte nxjerë punën dhe leku kishte pjellë lekun. Me djersë, vëlla, me mundim,me gjak. Por edhe shpenzimet nuk kishin të mbaruar. I ishin turrur si mizat mjaltit. I kishte dhënë para për zgjedhjet partisë. Zgjedhja e dhëndrrit kryetar komune,  kishte kostuar një dreq e gjysëm, nga ai vetëm kërkonin e kërkonin! Namin e kishte të madh, por thesi kishte mbetur bosh!

Pasi dëgjove që Tirka  gati ishte rrënuar, i bëre me sy Nikos që të mos e hapte bisedën për financimin e botimit të romanit, por Nikua që e njihte mirë iu kthye:

-Eh,mor Tirkë,na mallëngjeve, mos kij hall se nuk të lemë të vuash për kafshatën e bukës. Ne nga ato milionat e tu duam ca qindarka. Xhaxhai ka shkruar një roman të ri “E Ëma e Zeqos në Majë të Thanës” dhe botimi koston shtatëdhjetë mijë lekë, kuptohet të reja.  I duam nga ti. Në kapak të librit do të shkruajmë emrin dhe firmën tregtare i së cilës je pronar. Është një goxha reklamë. Hë kusho,si thua?

Tirka u prish në fytyrë si të kish gëlltitur një hape të hidhur.

-Mos doni të talleni me mua? Nuk më thoni, ç’bën ajo e ëma e Zeqos në majë të thanës?

-Është si një far orakulli, por midis të tjerave ajo mban një fjalim elektoral.

-Për cilën parti?

-Për partinë e të birit, Zeqos, se ai ka vënë kandidaturën për deputet.

-I djathtë apo i majtë është Zequa?

-Si ta them,as ashtu as kështu.

-E mora vesh. Pa taban,as mish as peshk. Gjithë kohën majë thanës rri ajo?

-Jo. Thana eshtë në mes të fshatit. Ajo hipën aty si në tribunë,kur mban fjalime, e ka huq. Kjo është një metaforë, pjesë e parodisë.

-Kjo metafora ,mos është gjë grua e përdalë?

-Jo,si ta them,është një figurë letrare.

-Po për fshatin tim,ke shkruar në libër?

Ti u zure ngusht nga ajo pyetje e çuditëshme.

-Jo. Nuk kam dëgjuar që të përmëndet për ndonjë të veçantë. Pastaj unë shkruaj letërsi artistike dhe jo gjeografi e biografi!

-Pa shiko çna qënka. Tani në demokraci, veç meje, nga ai fshat që ty të duket i humbur, kanë dalë sipërmarrës  të mëdhenj. Po ti se ditke. Janë ata që bëjnë historinë e këtij vendi dhe jo ajo e ëma e shkalluar e Zeqos që flet dëngëla majë thanës. Më vjen keq, por unë nuk kam para të tepërta që ti hedh në erë  për libra koti!

Biseda u mbyll. E patë që ishte e kotë. Thonë, që e lypura ka faqen e zezë, por pa gjë s’të len. Ju nxitë edhe faqen, por mbetët edhe duar bosh  dhe të poshtëruar! Nga ajo kasafortë nuk mund të delnin para.

Kur dolët në oborr për të ikur,Tirka u tregua bujar:

-Është kohë dreke, nuk keni ku të shkoni,do më mbetet hatri shumë.  Ejani në makinë me mua, se do të kemi rast të hamë një drekë të hatashme. Këtu afër është një lokal klasi dhe pronari më ka shumë detyrime.

Nikua buzëqeshi hidhur.

-Edhe drekën qyl do të na e japësh kusho?

-Jo. Është rasti që ai të më shlyejë diçka nga detyrimet që më ka! Kështu e lehtësoj.

-Ec ha vetë dhe të bëftë mirë. Ne jemi të nginjur. Rri me shëndet dhe tu shtofshin paratë!

Hipët në makinë dhe u larguat. Rrugës nuk folët asnjë fjalë, por mallkuat  castin e lig , që ua solli ndër mend atë vizitë.

*       *        *

Kishte kaluar kohë nga kjo ndodhi dhe kur ishe duke pirë kafe me mikun tënd shkrimtarin K.A. ai të pyeti:

-Ç’bëhet për botimin e romanit?

Ti ju përgjigje se e Ëma e Zeqos ,ka qindra vjet që rri e flet majë thanës, le të durojë edhe ca muaj në dosje  sa ti vijë koha.

I dashur miku im Filip,më vjen vërtet keq. Jetojmë në kohë të vështira për krijuesit, por besoj se muza jote asnjëherë nuk do të braktisë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora