Kulturë
Kristaq Turtulli: Filozofia e poezisë së Kostaq Dukës
E merkure, 01.08.2012, 07:01 PM
Thjeshtësia
dhe mendimi filozofik te poetika e Kostaq Dukës ne librin poetik
"Ne dy hapesira"
Nga Kristaq Turtulli
Është dëgjuar
mes krijuesve dhe më gjerë, teksa flitet me moskokëçarje në bisedë e sipër,
ndoshta dhe me trishtim të hapur për vdekjen e librit dhe triumfin e
internetit, face bookut, twiters etj. Dikush tjetër ngulmon me kokëfortësi se
kjo ikje, humbje e paralajmëruar është me e mira e të mirave e kollajshmja
moskokëçarëse në jetën moderne. Nuk është më e nevojshme të botosh libër, të ndjesh
fërfërimën drithëruese te fletëve të librit, drithërimën që përçohet
instinktivisht midis autorit dhe lexuesit, erën karakteristike të shtypjes. Seriozitetin,
përgjegjësinë, pa llogaritur këtu shpenzimet dhe ëndërrimet, mjafton ta hedhësh
krijimin tënd nëpër faqet e ndryshme të internetit dhe qëllimi i autorit është i
realizuar.
Krijuesit
'konservatorë' fanatikët e sinqertë të librit të shtypur dhe të botuar,
heshtazi krijojnë dhe botojnë pa u kushtuar rëndësi fjalënajës...
Ndaj kur
na bie ndonjë libër në dorë te një miku, shoku a të njohuri nëpërmjet
internetit, në mënyrë instiktive, pa e pasur plotësisht mendjen e aty, e mban
librin një copë herë në dorë, e kthen e
shfleton nxitimthi faqet, i sheh kopertinën, faqosjen, lidhjen. E lë një copë herë
mbi komodinë duke risjellë nëpër mend kur e ke njohur, rininë, moshën e
pjekurisë, momente të ndryshme të janë ngulur në kujtesë si dhe krijimtarinë e
mëparshme të autorit etj.
Më konkretisht me librin poetik të mikut të hershëm
Kostaq Duka: 'Në dy hapësira.' Botuar në Shqipëri, në shtëpinë botuese D.I.J A.
Pogradec.
Kostaq
Duka erdhi me këtë libër poetik pas disa vëllimeve poetike: 'Thjeshtësi',' Flas
me barin,' 'Trëndafili që çelte në janar.' Drama, dhe dy libra me tregime, duke
na sjellë shqetësimin dhe impenjimin e mërgimtarit dhe krijuesit ndaj
problemeve të kohës.
Poeti
qysh në poezitë e para botuar në gazetën e asaj kohe: 'Zëri i rinisë', kur ish
në bankat e shkollës së mesme, solli një zë të sinqertë, ashtu thjeshtësisht pa
zhurmë dhe bujë, por që tërhoqi vëmendjen e krijuesve dhe dashamirësve. Kjo
thjeshtësi dhe sinqeritet u shpalos në librin e tij të parë të botuar disa vite
më vonë me të njëjtin titull. Dhe nga libri në libër e mbrujti me mendimin
filozofik dhe tensionin poetik.
Në librin
e tij më të fundit: ' Në dy hapësira', poeti Kostaq Duka na vjen më i pjekur me
një vizion më të qartë dhe impenjues. Autori është vëzhgues i hollë i jetës, i
kujdesshëm, i kursyer në fjalë, si gjithnjë i saktë, ndërkohë qëmton, kthjellon
mendimin dhe gjetjen interesante. Ai endet, lëviz, shtrihet, shqetësohet,
preokupohet, përjeton situatat, merr frymë midis dy hapësirave të cilat ndahen
në mijëra kilometra, siç është fati i emigrantit dhe krijuesit. Qysh në kopertinën
e librit të krijohet përshtypja e shtrirjes, hapësirës, largësisë, shkëputjes,
por të rënduar paksa nga ngjyra blu e errët e pasigurisë, dëshirës, përpjekjes
së madhe për të kapërcyer dhe kapur shkëndijimin vezullues që është shpresa,
liria, ëndrra e bardhë endet tutje në sfond.
Libri
poetik ndahet në katër nëntituj: 'Lëvizja e shpirtrave. Në dy hapësira. Botë dhe
Dashuria.' Secila nga të katra cikle poetike ka tematikën dhe veçorinë në optikën
e përzgjedhur të poetit. Pjesa e parë qysh në titull është gjetje të mençur: 'Lëvizja
e shpirtrave.' Autori na jep sendërtimin filozofik dhe shpirtëror. Jetën, lëvizjet
e domosdoshme, ndryshimet e dhimbshme por të natyrshme në kushte e ndryshimit
dhe të zhvillimit. Si tek poezia e bukur, njerëzore dhe koncize: 'Natyrë e qetë.'
Kjo poezi në dukje është e tillë, e natyrshme, e vërtetë por që pranohet me
trishtim, e pamundur për të ndalur ndryshimin, në rrjedhën e harbuar të largesës
së jetës:
Në fillim
një tenxhere mjaftonte për dy.
Pastaj na
u desh një tenxhere e madhe,
Orkestër
gurgulluese për pesë vetë...
Derisa iu
kthyem tenxheres së vogël,
Të vitit
të parë të martesës....
Kjo poezi
me figurën e gjetur të tenxheres mbart të vërtetën tunduese të ndryshimit, të familjes,
rritjes, martesës dhe të plakjes. Gjetje e saktë dhe impresionuese. Poeti është
i lidhur shpirtërisht e respekton ka mall dhe dashuri për shtëpinë prindërore,
familjen dhe të dashurit e tij. Ai
gjithnjë i ka kënduar, prindit, nënës, bashkëshortes dhe djalit që dhe
tani kur është bërë burrë e është larg, përsëri prindi mbetet pa gjumë dhe ka
merak.
Tek
poezia e shkurtër dhe të ngjeshur me mendim: 'Fjala' autori përsëri operon me
mendimin filozofik duke na përçuar një mesazh të rëndësishëm, se fjala përndrit
fjalën kur nga eter diturie del dhe fjala vret
fjalën kur injoranca egërsisht e vjell. Neve gjithnjë na ka mundur dhe
prangosur fjala që të vret më tepër se plumbi dhe të pret më shumë se shpata, e
lëshuar me qëllim, pa përgjegjësi, në erë dhe pas shpine. Autori ka qëlluar në të
vërtetën...
Poeti do
të jetë i çiltër dhe i hapur me miqtë vet poetë dhe me të tjerë, ndaj me
thjeshtësi u drejtohet miqve të tij, nëse e
doni vërtet mos e lodhni me deshifrimesh dhe lavdërimesh pa fund, tek
poezia : 'Miqtë e mi.'
Oh, ju e
dini,
Sheqeri i
tepërt gjakun e helmon paprerë,
Sikurse
Mediokrin
e bën të fluturoje thonjëzuar
Pas
tullumbaceve pa vlerë.
Poeti
beson tek sinqeriteti dhe miqësia sepse dhe i verbëri e shumëfishon pamjen me
sytë e miqve, ndërsa i vetmuari magjinë e ngjyrat e botës i zbardh me ankthin e
kotësisë, të mosekzistencës. Poezia:' I verbëri dhe i vetmuari.'
Tek
poezia:' Në dy hapësira.' Që ka marrë dhe vetë libri, të krijohet përshtypja e
lajtmotivit të vetë mendimit, tematikës dhe problematikës së librit, pse jo dhe
të shumë emigrantëve të larguar në vite por që janë të lidhur me shumë fije të dukshme
dhe të padukshme me vendlindjen. Por artisti, poeti është diçka më ndryshe se të
tjerët, nuk mund ta mbyllë kapitullin e mëparshëm dhe të hedhë tre gurë pas
vetes në momentin e ikjes. Krijuesi përsëri i mbart pas kudo që shkon si një hamall
i madh; mallin nostalgjitë, përjetimet
dhe emocionet përçuese janë më të mëdha. Ndaj dhe poeti Kostaq Duka,paçka se është
mijëra kilometra larg përsëri, fle, ngrihet, punon me orën e vendlindjes. Me të
gjallët e të vdekurit, shpresat jetime të lënë diku rrugëve, përzihen e copëtohen
si meteorë hapësirave të orëve të Shqipërisë. Por autori gjithnjë me shtrirje
njerëzore thotë:
Syri tej
në dialog me diellin dhe shëmbëlltyrat
E mundit
njerëzor të lirisë
Ngre e ul
shatërvanë drite të një realiteti të ri...
I madh është
malli i Kostaqit për vendlindjen, qytetin e lindjes Korçën e dashur, qytetin e
serenatave, Parizin e vogël, për rrugët e pastra karakteristike me kalldrëm me
ajrin e pastër dhe plot diell. Korça e ka dashur fort autorin, si çdo bir të saj.
Dhe këtë qytet me fllad dhe zemër, poeti e ka dashur si dashurinë e parë. E
autori e thotë bukur/ I hutuar, fluturak, këmishë shkopsitur, këpucë ngrënë mbi
kaçurrelat-gurë të rrugëve të tua./ Autori thotë se e ka dashur Korçën si grua,
sepse ka mbjellë dëshira dhe ëndrra, ka grirë e tretur inate burri pa fund/. Dhe
në strofën e fundit të poezisë e thotë bukur:
Të kam
dashur si nënë Korça ime,
Herë më dukesh
e madhe, dhe e vogël,
Plakushe
grindavece...
Të tjerët
ngrenë gradaçiela.
Ti
pastron e llamburit shtëpitë përdhes
Për bijtë
Që me erë
borziloku të ndjejnë përkëdheljen tënde...
Poezitë e
tjera të këtij cikli si : 'Sofati dhe plaka'. 'Takimi i parë me djalin
emigrant'. Me fjalë të sakta dhe të kursyera, të tensionuara, me dhembje të përmalluar
dhe intensitet poeti në këtë poezi aq jetësore, të natyrshme, na jep momentin
emocional drithërues të takimit midis prindit të malluar të merakosur dhe
djalit të lodhur nga rruga e gjatë gjithashtu i dëshiruar për një fjalë dhe përqafim
të ngrohtë.
Kravatë zhubrosur
Mjekër
pushuar.
Sy të trembur
të paqetë
Buzëqeshje
malluar,
Një ankth
të përgjakur,
Katër
duar ne përqafim kryqëzuar...
Interesant
është triptiku poetik kushtuar aktorit të talentuar korçar, artistit të popullit
Vangjush Furxhiut. Ne të gjithë e mbajmë mend atë talent të madh të artit dhe të
skenës, me rolet e tij të spikatura. Kostaqi na i jep me vërtetësi në poezi atë
portet njeriu dhe artisti me art dhe dashuri.
Pjesa e
katërt dhe e fundit e librit poetit të poetit Kostaq Duka është cikli kushtuar
ndjenjës më të brishtë dashurisë. Autori edhe në këtë cikël operon me mendimin
dhe nuk është vetëm, nuk e lë në kuadrin e konstatimin dhe të ndjenjës brishtë,
por gjykon me syrin e ftohtë dhe shpesh herë e kritikon për indiferentizmin dhe
deri diku ndjehet i penduar për ato kohë të mrekullueshme, naive, të sinqerta,
të vrullshme rinore që nuk mund të kthehen më.
Dikush na
ka dashur,
Por o
Zot,
Përse
marrëzisht me lotët e saj jemi tallur?!
Pas
dikujt, pas dikujt jemi 'harruar'
....
Në rini
s'ka kohë ta zgjidhim
Në pleqëri
mbetemi të vonuar...
Gjithashtu
në poezitë e këtij cilki si : 'Zjarri, ' Kasollja e dashurisë,' Puthja' E
dashura ime e parë ishe bora'. Bëmë sikur harruam etj.
Nga cilki
në cikël dhe nga poezia në poezi autori e merr përdore lexuesin dhe ne ndjejmë flladin
e freskët. Kostaq Duka në librin e tij të katërt poetik: 'Në dy hapësira,'
tregon pjekurinë poetike, kujdesin në përzgjedhjen e temës, mendimin filozofik,
figurën, fjalën e gjetur dhe afirmim...