Kulturë
Fatmire Duraku: Zë poetik i veçantë
E enjte, 02.08.2012, 06:58 PM
Zë poetik
i veçantë
(Leonora Lutolli “Nesër është ditë tjetër”, poezi, shqip dhe anglisht)
Nga Fatmire Duraku
Çdo emër i ri në cilën do sferë të krijimtarisë është i mirëpritur.
Sidomos - këtu dhe sot, në mjegullën që vështirë të
kapërcehet.
Paradoks?
Megjithatë, jo gjithherë është kështu, për fat të mirë. Ka – pra, raste, data, paraqitje, ngjarje, që vlejnë të shënohen edhe tash - në hapësirën letrare te ne, sado të mjegullt. Jo njëherë vlen të përshënmdetet shfaqja e ndonjë emër i ri, e ndonjë libri të ri, i cili, me artin e vet, me tematikën dhe mjeshtërinë e realizimit, në një mënyrë e ngjallë shpresën se do të ngjajë doçka edhe më e mirë nesër në sferën e letërsisë.
Ja, një nga rastet që duhet parë në këtë dritë, pa syshim, është paraqitja me libër e Leonora Lutolli, aktore dhe poete, e cila sjellë risi në letërsi dhe sado pak e vret apatinë, e vret shfaqjen e kaq emrash dhe të kaq librash të botuar në vitet e fundit pa ndonjë vlerë. Libri i saj – i parë, është shpresë se do të lëvizin gjërat nga e mbara edhe këtu dhe ndoshta pa vonuar shumë. Nuk do mend, në të mirë të letërsisë së mirë dhe të lexuesit, i cili është ngopur me libra të botuar nga autorë pa talent, pa pritje, pa ngjyrën, pa zemrën dhe mendjen e tyre...të krehur nga ndonjë autor tjetër, apo dhe të shkruar fare – fund e krye, nga të njëjtët, për disa qindra lekë! Për t`u dëmtuar kështu letërsia, lexuesi, autorët e njëmendtë dhe veta ata, që porosisin t`u shkruhen librat në këtë mënyrë! Kujt i duhet kjo dhe sa do të zgjasë kjo mjegull, kjo dukuri, që tash e disa vjet rrënon, krijon huti dhe mashtrim të shumëfishtë.
Libri i mirë do jetë i vetmi mjet të mposhtet e keqja që ka zënë të lëshojë rrënjë, të bëhet e rëndomtë. Dhe ja pse duhet t`i gëzohemi secilit libër që ka shenja libri të mirë, ta mirëpresim, të shkruajmë për të, t`i afirmojmë vlerat e njëmenda, autoret e tre, në mënyrë që më në fund pseudo-autorët, autorët e rrejshëm, vetë ta shohin ku gjenden dhe ta kuptojnë se sa të keqe i bëjnë vetes e letërsisë!
I
Arsyeja për të shkruar për librin “Nesër është ditë tjetër” të Leonora Lutollit është jo kaq shumë vlera që ka poezia e përfshirë në këtë botim, por veçantia e shkrimit; një shkrim i realizuar ndryshe, një befasi, një risi, që mund të pranohet, por edhe të refuzohet. Poezia është tepër specifike që të durojë elemente vulgare. E kjo poezi, ky shkrim, ky krijim-libër i parë i autores së re e ka këtë ngarkesë. Megjithatë, ndoshta për hir të formës, të motivit që shqyrtohet aty, për mënyrën e trajtimit dhe për hir të guximit të thuhen gjërat ashtu si i flasim në jetën e përditshme, përsëri na bën ta ndiejmë, ta përjetojmë dhe të jetë për një kohë pjesë e jona. E mbi të gjitha, duhet cekur edhe një herë - guximin, që të krijohet poezi – vargje me një leksik dhe togfjalësh që përdoren e përsëriten në disa krijime, të cilat pak ose fare, i kemi hasur te poezia shqipe. Ja, ta rikujtojmë për fillim vetëm një varg të poezisë së parë të librit –
“Me trëndafil mes këmbësh”!
- Varg i
guximit të lartë? –
Ndoshta ne ende nuk kemi gatishmëri për një shpërthim siç është kjo poezi, me natyralizëm të tepruar, të stërtepruar!?
Megjithatë, duhet të mësohemi edhe me këtë mënyrë të shprehjes në poezi, me këtë poezi-erotike do të thosha, me këtë pikëpamje, me këtë shkrim të një natyre që i thyen të gjitha rrjedhat e deritashme – te ne, të poezisë, të krijimit më shpirtëror që do të mund të qëndronte në baraspeshë me kërkesën për ujë, për ajër, për bukë... Sepse, poezia, sado elitare dhe personale, sado abstrakte, shpreh mendimin, muzikën, çdo gjë pra që lidhet me shpirtin, kaq sa në të njëjtën kohë e shprehin vetë shpirtin dhe është vetë shpirti!
II
E theksoj përsëri se kjo poezi është jo e rëndomtë, është befasuese, është poezi e re, poezi e çasteve të caktuara, e tiktakut që e ndiejmë në të përditshmen nga e mira dhe e keqja, nga drita dhe errësira, nga trupi dhe shpirti, tokësorja dhe qiellorja. Tërë kjo me kaq shumë dualizëm shkrihet brenda një poezie dhe bëhet pjesë e tërësisë, e tërësia e poezisë së Lutollit është ftohtësia, indiferenca, mllefi, protesta. Ja pse ai natyralizmi i tepruar, i theksuar edhe më parë në këtë shkrim, vjen dhe e flet burimin e vet, e flet pikën e ngacmimit për të rrjedhur në copëza, në vargje, të cilat krijojnë mozaik të bashkëkohësisë, të ndjenjës së ftohtë.
Për këtë arsye ajo dashurinë nuk e konsideron më të amshuar, që të djeg e ti nga kjo flakë ndien kënaqësi gjithnjë, por – vetëm një vesë, një përshëndetje që përfundon në kujtim:
“Vesa e
bukurisë sate
M`i preku
gjinjtë
Një
dashuri
Intimë
Një hiç
Pse të
dashurova për një fjalë goje
Dëshirova
tokën e vizatuar në sytë e tu
Vera
sillej rreth hutimit tim...”
(“Vesa e bukurisë sate”)
Ose, ajo që tashmë e njohe deri në fund, sa të mundësoi ta prekësh pikën e universit, kaq të dëmtoi, t`i këputi iluzionet:
“Njoha
dashurinë
Degë e
ëndrrave u këput”
(“Njoha dashurinë”)
E gjithnjë në këtë mënyrë, në fillim – në fund, në fillim – në fund, në ëndërr dhe në realitet, tehut të dashurisë, e cila bashkë me shumëçka në jetë vjen e mbetet dashuri, veçse jo ajo që këndohej dje, dashuri me përjetim të kohës në të cilën frymojmë, dashuri ndryshe, siç do të transformohet ende shpirti i njeriut, pikëpamja, ndjesia, ngaqë Nesër është ditë tjetër!
Autorja
është aktore, jeton në Londër dhe shkruan edhe poezi, njëjtë, si femra kudo në
rruzullin tokësor, e shfaq botën e vet
pa censurë dhe paragjykime të shoqërisë. Kjo, këtë poezi e kthen në një zë
poetik të veçantë. Siç thotë recensenti
i librit “Nesër është ditë tjetër”, të botuar shqip dhe anglisht, është poezi e
mendimit të lirë dhe “...Pas poezisë së Mimoza Ahmetit, Lindita Arapit dhe
Fakete Rexhës e ndonjë tjetre, të cilat e shqiptojnë botën e tyre të
brendshme pa hezitim, një artikulim të
pastër poetik të kësaj bote e bën edhe
Leonora Lutolli me poezinë e vet. Ajo sjell një gjuhë krejtësisht të veçantë
poetike, një komunikim dinamik përmes një vargu të formësuar dhe të një
shprehje të sinqertë, të dalë nga liria e pacesuruar shpirtërore. Ku shqetësim
i lirisë së brendshme të poetes, sjell një zë që i ka munguar poezisë sonë...”