E diele, 04.05.2025, 03:21 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Franklin Delano Roosevelt

E enjte, 02.08.2012, 07:55 PM


FRANKLIN DELANO ROOSEVELT

Seleksionue e përkthye nga:

Daniel Gàzulli

Edhe pse kanë kalue mbi treçerekë shekulli,

thanjet që po sjell këtu, janë shumë të vlefëshme sot e kësaj dite.

LUFTA DHE PAQA

·         Mos e harroni ate që kam zbulue, që ma shumë se nandëdhjetë përqind i gjithë defiçitit publik nga viti 1921 deri më 1939 përbahet nga pagesat për luftrat e shkueme, ato të tashme opo ato të ardhme.

·         Nëse duam që qytetnimi të mbijetojë, duhet të kultivojmë shkencën dhe marëdhanjet humane: aftësinë e të gjithë popujve, të të gjithë tipeve, që të jetojmë së bashku, në paqë, në këte botë që asht e vetmja.

·         Ma shumë se sa fundin e luftës, duam fundin e të gjithë fillimeve të luftrave, po, fundin e kësaj mënyre çnjerëzore e trashamane për të rregullue diskutimet në mes shteteve.

KRIZA DHE DREJTESIA SHOQNORE

·         Asht fatkeqësisht një difekt njerëzor që një portofol i mbushun plot të rënkojë ma shumë se sa një stomak bosh.

·         Jo vetëm soliditeti ekonomik, por edhe vetë soliditeti i instititucioneve tona demokratike varen nga vendosmënia e qeverisë sonë për t’u dhanë punë njerëzve inaktivë.

·         Prova e progresit tonë nuk qendron në ate nëse ua kemi shtue edhe ma shumë pasuninë atyne që kanë shumë, por nëse u kemi dhanë mjaft atyne që kanë pak.

DEMOKRACIA

Fjalim në Kongresin e Shteteve të Bashkueme, 29 prill 1938

Ngjarje të randa të ndodhuna në vende të tjera na kanë mësue dy të vërteta të thjeshta sa i përket lirisë së një populli demokratik.

E vërteta e parë asht se liria në një demokraci nuk mund të jetë e qendrueshme nëse populli toleron rritjen e një pushteti privat, aq sa ai të bahet ma i fortë se vetë shteti demokratik.

Ky, në esencë, asht fashizëm – një qeveri në dorë të një individi, të një grupi, apo të çfarëdo force tjetër e aftë ta kontrolloojë atë.

E vërteta e dytë asht se liria në një demokraci nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse sistemi ekonomik nuk siguron punësim e nuk prodhon dhe shpërndan të mirat në mënyrë të tillë që të sigurojë një nivel jetese të pranueshëm.

të dy këta msime na prekun edhe ne.

Sot në mes nesh po rritet një përqendrim pushteti privat i papamë në histori. Një përqendrim i tillë po kompromenton seriozisht efikasitetin e ndermarjeve private si mjet për të sigurue punësim punëtorëve dhe investim të kapitaleve, sidhe si mjet për të sigurue barazi ma të madhe të të ardhunave e të fitimeve për mbarë kombin.

·         Demokracia nuk mund të ketë sukses nëse ata që shprehin zgjedhjet e tyne nuk janë të përgatitun ta bajnë këte me matuni. Mburoja e vërtetë e demokracisë asht pra shkollimi.

·         Liria e vërtetë individuale nuk mund të egzistojë pa siguri ekonomike dhe pavarësi. Njerëzit e uritun e të papunë janë materiali me të cilin janë ngritë diktaturat.

EKONOMIA DHE SHOQNIA

·         Ndërsa humbet kohë me llafe mbi ligjet ekonomike, burra e gra vdesin nga uria. Duhet të pranojmë faktin që ligjet ekonomike nuk janë vendosë nga natyra. Ata i kanë vendosë njerëzit.

·         Asht vërtetue se konkurenca asht e dobishme deri në njëfarë pike, e jo përtej saj, e se kooperimi, që asht fusha ku duhet të impenjohemi sot, fillon atje ku përfundon konkurenca.

·         Këta janë parimet e mia: taksat duhet të aplikohen në funksion të mundësisë për t’i pague. Ky asht parimi i vetëm amerikan.

·         Asnjë ndërmarrje që e shikon suksesin e saj tue pague punëtorët ma pak se sa ata kanë nevojë për të jetue, do të ketë të drejtë të mbijetojë në këtë Vend.

·         Po të shkoja të punoja në një fabrikë, gjaja e parë që do të baja do të ishte të regjistrohesha në një sindakatë.

POLITIKA

·         Kemi ruejtë gjithmonë shpresën, besimin, bindjen, se ka një jetë edhe ma të mirë, një botë ma të mirë në horizont.

·         Jam një i krishten dhe një Demokrat. Kjo asht e gjitha

·         Mendoj se në të gjitha vendet njerëzit janë ma paqësorë e ma të prirur ndaj lirisë se sa shtetarët e tyne.

·         Në ambicjet tona personale jemi individualistë. Po në kërkim të progresit ekonomik e politik si komb, na përparojmë të gjithë ose kthehemi mbrapa të gjithë si një popull i vetëm.

·         Në politikë asgja nuk ndodh rastësisht. Nëse ndodh, mund të vini bast se ashtu ka qenë projektue.

·         Nuk mjafton të duesh diçka, duhet të gjesh çfarë duhet ba për të realizue ate që dëshiron.

·         Asnjë qeveri nuk mund t’i shërbejë fatit të një populli nëse vë bindjet sektoriale apo të një klase mbi të mirën e përgjithëshme.

·         Nuk janë rregullat të shejta, po parimet.

KULTURA

·         Shkolla asht shpenzimi i fundit ku Amerika të mund të mendojë të kursehet.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx