E shtune, 03.05.2025, 02:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Skënder Hasko: Zemra dhe shpirti i trazuar

E marte, 07.08.2012, 06:57 PM


Zemra dhe shpirti i trazuar i një mërgimtari shqiptar

Në vargjet e Sadulla Zendelit-Dajës, del në pah zemra e tij e lënduar dhe shpirti tepër i ndjeshëm; del në pah dhimbja e vazhdueshme si dhe sytë që rrinë gjithmonë të turbulluar nga lotët e atdhedashurisë dhe nga dhimbja që e kaloi jetën larg tij, për faj të pushtuesve-egërsira, cinikë e pa ndjenja njerëzore. Në këto vargje lexohet bota e tij shpirtërore, lexohen ndjenjat e tij njerëzore, të pastra si uji i burimeve të vendlindjes së tij.
 
Nga Skënder Hasko
 
Në këto poezi gjejmë zemrën dhe shpirtin e trazuar të autorit. Ato janë pak, por thonë shumë. Aty takojmë dashurinë e autorit për vendlindjen dhe për bashkëkombësit e tij, por gjejmë edhe urrejtjen për dhunuesit e të drejtave të tyre; na del parasysh trimëria dhe vetëmohimi i shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre shekullore, por edhe sjelljet antinjerëzore të atyre që autori, me shumë të drejtë, i quan “kanibalë”. Janë vërtet
kanibalë, sepse torturojnë dhe hanë jetë njerëzish të pafajshëm dhe, për këto veprime të ndyra festojnë, duke kënduar e duke kërcyer, me qëllim që të fyejnë e të poshtërojnë luftëtarët e paepur të lirisë, që e japin jetën si me le.
        Mendimi dhe idetë në këto poezi jepen në mënyrë koncize, por që transmetojnë ndjenja të larta atdhedashurie e dhembshurie. Nëpërmjet këtyre vargjeve përcillet te lexuesi edhe përçmimi për tradhtinë e tradhtarët, të cilët vihen në shërbim të keqbërësve të bashkëkombësve, si një nga bëmat më të shëmtuara të njerëzimit; por përcillen edhe trimëritë e luftëtarëve të lirisë, që nuk mposhten, as përpara mbylljes nëpër burgjet e errëta të pushtuesve, as përpara plumbit të armikut, duke shfaqur një nga virtytet më të çmuara të popullit shqiptar.
       Në vargjet e Sadulla Zendelit-Dajës, del në pah zemra e tij e lënduar dhe shpirti tepër i ndjeshëm; del në pah dhimbja e vazhdueshme si dhe sytë që rrinë gjithmonë të turbulluar nga lotët e atdhedashurisë dhe nga dhimbja që e kaloi jetën larg tij, për faj të pushtuesve-egërsira, cinikë e pa ndjenja njerëzore. Në këto vargje lexohet bota e tij shpirtërore, lexohen ndjenjat e tij njerëzore, të pastra si uji i burimeve të vendlindjes së tij.
 
 
Përgjakje prej tradhtisë
 
Ai zvarritej i përgjakur, i shtrirë,
Me ëndrrën e vdekjes në kokë,
Ata qëndronin pranë dhe shënonin...
Lexonin letrën e tradhtisë,
Ndërkohë këpucët,
Shkelnin mbi shpirtin e pafajshëm.
Uppsala, 1969
 
Te sheshi...
 
Afrohen si hienat pas cofëtinave,
Zgjasin feçkën, hapin krahët dhe vjellin
helm,
Gërvishtin rrugën duke trokitur këmbët,
Rrugës së kalldramosur, i lidhur, si të
ishte i çmendur...
Anët e rrugës nuk bëzajnë.
Ditë e zakonshme,
Ato shkojnë e vijnë si gjithmonë,
Gjithçka “në rregull”...
I tronditur,
I dërrmuar,
I mbyllur në karantinë.
Uppsala, 1969
 
Dritë e varrosur në qeli
(Kushtuar Ukshin Hotit)
 
Dritë e varrosur në themelin e qelisë,
Një shpirt i qytetëruar,
Rri shtrirë në “karantinë”,
Nga tmerri i zalisur.
Ka rënë në gjumin e vdekjes:
As dëgjon, as flet dhe as sheh,
I pashpresë, i lënë në harresë,
I dëshpëruar, një emër i harruar...
Dyert e karantinës nuk hapen dot.
 
Ku jeni vëllezër?!
Ku je, o popull i qytetëruar?!
Unë jam bërë viktimë
Për një populli të robëruar,
Por nuk frikohem!
Frika nuk më takon mua,
Se jam ai që isha midis jush!
 
Mikut dhe armikut i thashë të vërtetën,
Kurse ju,
Ju vëllezër dhe mërgimtarë u vonuat!…
Stuhia po afrohet
Dhe s’di ku do të më përplasë…
Aty do më mbetet:
Shpirti i qytetëruar
Dhe emri i harruar…
 
Nëpër shkallë…
 
I shtrirë te shkallët rënkonte,
I përgjakur zvarritej në heshtje.
Sytë, të zhytur në mjegullën e zezë të
tradhtisë,
Ndërsa parmaku i shkallëve i mbante
peshën e trupit.
Zëri i dëgjohej duke ofsharë thellë:
“Oh, vëllezër!”
Ata kalojnë e s’i bëzajnë,
Askush nuk dëgjon,
Askush nuk ndalon.
Kokulur shkojnë e vijnë
E ai…
I lënë në mjerim.
Uppsala, 1969
 
Plepat
 
Shiu lante të vjellat dhe mbulonte gjurmët
e gjakut,
Zalli, i tërbuar, vërshonte me furi,
Përmbyste peshqit t’ia dhuronte Vardarit,
E Vardari?
Vardari i varroste mbi arat e përmbytura.
Plepat qiellgërvishtës lëshonin gjethet e
vjeshtës
Dhe stolisnin gjokset e tyre.
Vërshimi i Vardarit i zhvarroste,
I lante dhe i linte të pavarrosur,
Mbi rrënjët e plepave qiellgërvishtës,
Të shtrirë njësh me plisat e bardhë.
Ngjyra e kuqe, mbi xhamadanët e bardhë,
Bënte peizazhin me lulet e fundit të
vjeshtës së përgjakur.
Vardari, i turbulluar, vështronte gjithçka:
Mbi urën përmbi të,
Drejtuar tytat mbi të pafajshmit!
Gostivar, 1957
 
Nëpër Vardar
 
Me altoparlant, duke bërtitur si të
çmendur:
“Preko Vardar!”*
U shkonin pas duke i shtyrë me bajoneta,
I afronin, si kafshët, të kalonin Vardarin.
Vardari i furishëm rrëmbente çdo gjë që i
dilte përpara.
Mbi urën e Vardarit, të armatosur gati të
vepronin,
Thërrisnin prerazi: “Nëpër Vardar!”.
Vardari i furishëm i priste t’u afronte
gotën e fundit
Dhe sillte rrëmbimthi pemët e shkulura
Me frytet e para të vjeshtës së përgjakur.
Thirrjet e fundit, thirrje të prera:
“Preko Vardar!”
Një grua, me një fëmijë në shpinë,
bërtiste:
“Vëllezër dhe motra,
Të dashur fëmijë,
Do ta kalojmë Vardarin!
Më mirë të na mbysë uji i Vardarit tonë,
Se pushka e armikut shekullor!
Ecni, ecni,
Mos u frikoni!
Ecniiiii!”
U kapën pas njëri-tjetrit,
Pas kuajve, gomarëve dhe lopëve...
Ime ëmë na kapi për dore
Dhe filluam të ecnim nëpër ujin e turbullt
të Vardarit.
Peshqit, ende të gjallë, Vardari i përplaste
Nëpër këmbët tona.
Plepat qiellgërvishtës kishin ulur kokën
Dhe lëshonin lotët e fundit të vjeshtës së
përgjakur.
Gostivar, 1957
* (Nëpër Vardar!)

 
Urrejtje
 
Të betuar t’u sjellin kokën “kanibalëve”.
Urrejtja e tronditi fushën e Pollogut,
Gostivarin me rrethinë dhe Sharrin plak.
Qengja të braktisur, të lënë pa barinj,
Barinj të trishtuar kërkojnë trupin me
kokë të prerë.
Qentë e Sharrit nuk pushojnë së ulërirë,
Rrezet e diellit i mbrapste mjegulla e zezë
mbi Sharrin e motmotshëm,
Liqenet e Sharrit turbullohen
Dhe mbulohen me mjegullën lotsjellëse.
Sharri lëshon lotët e fundit dhe lan trupin
me kokën e prerë.
Burimi i Sharrit plak i ofroi gotën e fundit
Dhe filloi të rridhte helm...
Gostivar, 1957
 
Miq të betuar

 
Kokë e prerë e një zemre,
Që rreh edhe pas vdekjes!
Miqtë e betuar - të dekoruar...
Lulet e pranverës u vyshkën.
Mali i thatë lëshon shiun e fundit
Dhe lan gjurmët e gjakut të pafajshëm.
Sharri ushton,
Qengjat e braktisur blegërijnë,
Gjaku mbi barin e njomë pikturon
peizazhin e pranverës.
Barinjtë me qentë kërkojnë kokën e prerë
T’ia bashkëngjisin trupit
Dhe ta varrosin në fshehtësi.
Tradhtia bart kokën t’ua dhurojë
“kanibalëve”...
Gostivar, 1957
 
Pamje makabre
 
Sheshi plot me spektatorë,
Artistët sjellin kokën e veçuar prej trupit...
Asgjë nuk lëviz.
Njerëzit zgjasin qafën,
Shikojnë me ankth,
Presin në heshtje.
Rrugë e heshtur, spektatorë të zbehur,
Litari ndan anët e rrugës memece,
Në shesh shkarkohen kanibalët dhe
Nxjerrin kokën e prerë.
Brohoritje kanibalësh,
Spektatorë të tronditur,
Sy të çapëluar e të mbushur me lot.
Babai më shtrëngonte për dore dhe
gulçonte:
“Shpagim! Shpagim! O Zot ç’bëri
tradhtia!”
I gjatë dhe i kërrusur, mallkonte me zë
të ulët.
 
E shikova tinëzisht,
Buzët i dridheshin dhe lotët i pikonin.
Mendoja: “Ku është tradhtia?! Përse është
tradhtia?! Çfarë është tradhtia?!”
“Shiko, o bir!
Mos harro, o bir!
Ky është trimi i maleve tona!
Ky është i gjallë në zemrën e një populli
të tërë!”
Me lot në sy shpejtonte të largohej nga
sheshi i mbushur
Me spektatorë të tubuar me dhunë,
Për të parë kokën e prerë të gjeneralit të
tyre,
Tradhtuar në besë nga të vetët.
Më mbante për dore dhe më tërhiqte
sikur edhe unë isha fajtor
Dhe më pëshpëriste:
“Shiko dhe mos harro!
E sollën në sheshin e vendlindjes,
Mes vendasve të tij vetëm që ta koritin
e ta poshtërojnë!”
Kanibalët tregonin kokën e prerë ngulur
në shtizë
 
Dhe, duke u skërmitur, e drejtonin drejt
Malit të Thatë,
Drejt fshatit të vendlindjes
Dhe spektatorëve.
Filluan të këndonin dhe të vallëzonin.
Ulërinin si ujqër të uritur.
Spektatorë të tronditur,
Ankth,
Lot,
Heshtje,
Tragjedi e paparë!
Brohoritje trimash:
“Urra! Urra! Këtu e kemi! Ky është ai...
Urra!”
Ushtima dëgjohej deri në Malin e Thatë
dhe deri në Sharrë,
Jehona e përcillte zërin sikur po jepte
urdhrin e fundit:
“Me dooorë, o trima, me dooorë!
Armiku dhe tradhtia nuk kanë vend në
tokën tonë!”
Gostivar, 1958



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx