Kulturë
Xheladin Mjeku: Ali Podrimja
E premte, 03.08.2012, 08:24 PM
Me Ali Podrimjen dhe Vladimir Muçën në Sarandë
XHELADIN MJEKU
ALI PODRIMJA
Sot nuk do të shkruaj poezi
As ngushëllim fjalës që ma nis ditën
Veç kujtimit që do ta qes në letër
Se ikjet janë si hijet e na lënë peng fjalën
Që thuhet për ditë të vështirë
Kumti ka peshën e rëndë si plumbi
Dhe forcën e gjoksshkëmbeve që trondisin
Po ikja e poetit ka emër tjetër
Mban flatrat hapur drejt bardhësive njerëzore
Që frymë e shpirt çojnë në folen e urtisë
Kujtoj ditët që bëmë pikën e qejfit në emër të poezisë
Veç një muaj në mes fjalës dhe heshtjes tënde
Gjatë folëm e kënduam vargje në kaltërsinë e Jonit*
E të dielën e fundit këmbyem fjalët e ndarjes
Me uratën për rrugëtim të mbarë!
Shtruar llafosëm me miqtë gjithandej
Sa kishin zbritur tek fronet e perëndive të këtij nënqielli
Aty takojmë Fatmirin, Agim Maton, vetë mikun
Me Vilhelmen ia themi për poezinë, për jetën plot halle
Alma e Raimonda frymonin vargje me kaltërsi jonike
Gjatë shtrihej fjala deri tek Mali i Vetëtimës
Shkreptimë fjalësh e labërisht kënga merrte dhenë
Dhe nuk e dinim se po thurnim merimangën e kujtesës
Që na ndanë pafundësisht
Në këtë fatkob kohe
Ne kthyem prej nga erdhëm ditë më parë
Të rrahim furtunën e heshtjes shekullore
E ti nise rrugët në pakthim drejt Durrësit, drejt botës…
Se jetën e poezinë i deshe njëtrajtshëm
Dhe nuk iu shqite vargut plot kaltërsi, plot zjarr promethean
Për të vazhduar tutje botës ta shpërndash fjalën e dritës
A të takosh Lumin e mallit që të djeg për një shekull
E ne mbetëm të rrahim furtunën e heshtjes shekullore
Ti ia gjete rrugën vargut që të zaptoi shpirtin plot një jetë
Mbi flatra të mallëngjimit
Sot nuk do të shkruaj poezi
As vargje nuk do të shkëpus nga kujtesa
As ngushëllim s’kam fjalë për të thënë
Veç një kujtim mbi letër-pergamenën që mbijeton
Për mallin që djeg vargun e ndryrë në shpirt
E shtrin flatrat e prekjes në gjithë skajet e botës
Që frymon shlirshëm si vet shpirti yt plot zjarr
E kandil shekullit i qëndron deri në frymën e fundit
Lum miku, thuaje edhe i’herë në kupë të qiellit
Fjalën që ndryn në shpirtin tënd rebel
-A falet Kosova e gjakut, e shpresave …
M’sa falet poeti që luleve ua jep shkëlqimin e dritës
Dhe aromën e lirisë ua mbështjell rreth qafe
Shekujve në vargëzim
Ali Podrimja
_________________
*Në “Takimet e Shkrimtarëve Jonian” në Sarandë, ku për herë të fundit ishim bashkë prej 22-24 qershor 2012. Ali Podrimja u nis drejt Durrësit, e ne u kthyem në Prishtinë, për të mos u takuar kurrë më për të gjallë të tij.