Kulturë
Fatmire Duraku: Kam mall për erën tënde Kosovë
E shtune, 04.08.2012, 06:54 PM
Kam mall
për erën tënde Kosovë
(“E diela në dhomën time”, poezi nga Burbuqe Rushiti)
Nga Fatmire Duraku
Secili krijues është botë më vete; e ka specifikën e mendimit të vet, e ka motivin, trokitjen e zemrës, muzikën e shpirtit dhe tërësinë e vet të filozofisë së gjithësisë së paprekshme, në të cilën ka yje, flutura, ka kujtime, plagë dhe dhembje. Dhe, aty, secili, ai që njëmend mishërohet me krijimin e vet, shpalos botën e brendshme, shpalos pikëpamjen për gjërat që e rrethojnë në të përditshmen , me të gjitha baticat e zbaticat, me vetminë dhe tingujt e hareshëm, me hapësirat intime, me dizgjet e dritës, sa dhe të territ.
Në përgjithësi, poezia e Burbuqe Rushitit është fryt i përvojës, është shprehje e individuales, e cila brenda tërësisë së vet ka universin, siç është e bukura dhe e shëmtuara, dashuria dhe urrejtja, dhembja dhe kënaqësia, etja dhe ëndrra... të gjitha këto-copëza, që secili shpirt i ndien në mënyrë të veçantë, që përjetohen kudo dhe nga secili kudo të jetë dhe çfarëdo gjuhe të flet. Arti zaten (sidomos poezia, muzika, piktura), e ka këtë gjithësi, që përjetohet edhe nga ritmi i vet, nga forma dhe mendimi.
Është e çuditshme sesi ndjeja një kënaqësi nga e lexoja librin e Burbuqe Rushatit “E diela në dhomën time”. Jo njëherë, gjatë leximit të librit, bëhesha pjesë e ndonjë vargu, pjesë e ndonjë strofe, e ndonjë poezie. Ndoshta pse secila gjë ngërthente në vete emocionin e poetes, shpirtin e saj që sikur lulja që çelet ndrit rreth vetes ngrohtësi, kuptim dhe bukuri. Ja, kështu, siç e thotë dhe recensenti i librit “Në poezinë e Burbuqes ngjarjet dhe mendimet kondensohen dhe fitojnë dimensione krejtësisht të reja kuptimore...”
Kjo, njëkohësisht lidhej dhe me bindjen time të vjetër. Ndoshta pse në këtë përshtypje
- po e përsëris prapë, do të ketë ndikuar dhe një shkrim i hershëm në “Zëri i rinisë” për të, shkrim në të cilin hasa rastësisht nga po kërkoja mes librash e revistash, mes gazetash, një notes timin, në të cilin kisha shënuar disa data, emra, ngjarje, disa çaste, vargje, të cilat tash më kujtoheshin në copëza të shkëputura. E kërkoja me ngulm atë shkrim për autoren e re – tash, me rastin e botimit të librit “ E diela në dhomën time”, si një shenjë, si rrethanë fillestare prej nga do të nisja të shkruaja një ese, një vështrim të shkurtër, ndoshta, për të... Dhe, pikërisht në këtë rrjedhë, duhet pranuar, ai shkrim-reportazh, peshonte rëndë në mua, ngrihej në bindje se do të më ndihmonte në mënyrë të natyrshme të lidh distancën kohore nga atëherë e deri tash, për të parë çfarë qe burimi e çfarë është rrjedha, që pakapërcyeshëm lidh dhe zgjon çastin-mallëngjimin, çastin tjetër përmes të cilit ndezim kujtimet, ndiejmë fijet e gëzimit dhe të hidhërimit, që kanë ngelur tashmë ndoshta vetëm gjurmë brenda nesh.
“Qielli është thyer, derdhet, e bulat e shiut që ngelin si lot në dritare, në qelqin e shkruar me rrugë zigzage, thua shkëputen nga sytë e njeriut, që jeton me pjesën e vet të vetmisë, me atë guacë, që ruan shumë kujtime, thellësi të fshehura... – po. Çdo gjë në jetë ka zjarr të flasë në gjuhën e vet dhe ngapak është e bukur, e shëmtuar, është ngapak fatlume, e tragjike ndoshta, sillet brenda rrethit të vet, rropatet, nuk është e qetë, nuk gjen hapësirë prandaj aty është thellësia, zemra, dhe nëse në shkëmb nuk ka vend pisha, ka vend në shuplakën e zjarrtë, dhe nëse në pishë nuk ka vend qielli, ka vend në sytë e kaltër, e – sërish, nëse në qiell nuk ka vend zogu, ka vend në zemër e- këto, të gjitha, në gërshetë, në frymëmarrjet e gjimnazistes nga Prishtina, në bukën e kripen e zemrën, në dashurinë e poetes së re, Burbuqe Rushiti”
Kanë ikur
nga atëherë vite e vite dhe ka mbetur
vetëm të kujtohet ambicia e një vashe,
ai entuziazmi rinor, ajo ëndërr e bukur, që ja tashmë është realizuar me
shumë mund dhe sakrifica. Kështu, po e përsëris edhe një herë, vite më vonë, ajo po
Gjatë leximit të poezisë së Burbuqe Rushitit ke përshtypjen se gjërat – në cilën do kohë të jenë krijuar, ato lidhen me kohën, me frymëmarrjet e të tashmes së njeriut, të tokës dhe qiellit – të universales, siç është etja, dhembja dhe dashuria, zjarri dhe uji, ëndrra, që është pjesë e pashkëpusthsme e jetës. Kjo vetvetiu bëhet pjesë e lexuesit, sepse secili në vargjet e poetes e gjen një pjesë të vetes, e kjo, pa dyshim është cilësi e shkrimit me durim dhe përkushtim të madh.
Libri, që nga fjala e parë “e diela” e në vijimësi “në dhomën time”, ende pa e hapur zë e flet për diçka që lidhet me një diçka tjetër, të shpjegueshme, lidhet me të djeshmen, me sy nga e nesërmja, lidhet me të besueshmen, kaq sa me të pabesueshmen, me diçka të bukur e të hidhur në të njëjtin çast, ndoshta pse të dielën përfundoi krijimi i botës, pse të dielën jo një herë bëhemi një me ëndrrat, me heshtjen, kthehemi të qetë nga vetvetja dhe i kujtojmë çastet e ikura, të bukura, e herë dhe të hidhura. Pra, duhet të shkruhet një libër i tërë me shumë faqe të shpjegohet e diela mitike. Burbuqe Rushiti e ndien dhe e flet kështu,
“Në
dhomën time erdhi vetmia
Kishte
sjellë heshtjen dhe kujtimet
Më
mallëngjeu me qetësi
Dashuritë
e ikura filluan të përpëliten...”
“E diela në dhomën time”
E merr
librin në dorë dhe – ende pa e hapur, siç e theksuam, ti tashmë ke diçka nga
brendia e tij, ke diçka që paraprakisht e mendon se do ta gjesh në brendësinë e
poezisë, të vargut të punuar me kujdes dhe durim. Vetë ballina flet shumë për
kohën, për traumat që i përjetuam nga armiku i vjetër, i përbetuar yni...
Shpina e autores, flokët e saj, hapat e saj stoik – pjesë me të cilat është
ilustruar ballina e librit, shprehin ecjen mbi mbetjet e një vatre, të një
kujtimi, të një jete, mbi rrënimet që ndodhën si – ato fizike, ashtu edhe ato
shpirtërore, flasin dhe rrëqethin, shprehin pa fjalë krajatat nëpër të cilat
kaloi populli ynë i lashtë, e me të bashkë edhe zemra e autores, e cila –
kthehet në shtëpinë e vet, ec me hapa të rëndë, por të patundshëm, shkel mbi
hirin e shtëpisë së vet, të një pjese të jetës dhe të dashurisë, e cila, gjatë
leximit të librit do të lulëzojë gjithnjë e më fuqishëm. Megjithatë, dhembja,
vetmia dhe ëndrrat ngelin. Pra, autorja ec, e paepur, veçse me plagën që ngelën
në të, ec mbi copëzat e mbetura,
imagjinon hyrjen në dhomë, në të cilën do ta gjej të dielën e ikur, të dielën e
tashme, të dielën që do të vijë. E gjen dhe
e shikon me përqendrim. E shikon nëpër dallgët e detit!
“E
shikova nëpër mjegull
Ishte
shtrirë në kanapenë ngjyrë qielli
U frikësova
mos do ta zinte gjumi...”
“E diela
në dhomën time”
Frikësohet se do t`ia zë gjumi të dielën, se ajo do të rikthehet pastaj në ëndrrat e rënda, nga të cilat do të trishtohet sërish! Pak paradoksale, ngaqë ajo e diela nuk është ajo që e kujton autorja, është një e diel tjetër, një e diel kujtimi, nga e cila ka mbetur vetëm natyrë e vdekur.
“Të
gjitha shkuan
E ma lanë
pas vetëm
Buzëqeshjen në fotografi...”
Autorja e
përfundon këtë poezi me vetminë, ngaqë përkrye humbjes, plagës, përkrye çdo
gjëje, sado të jetë tashmë vetmi, ajo vetmi e pëlqen të dielën në dhomën time.
E diela e re, e rikrijimit të një pjese të rrënuar, qoftë fizike dhe
shpirtërore. Sepse, thotë në një poezi autorja,
“ Kur të
piqet rrushi
E
zverdhon ftoi,
Fillojnë
shirat,
Zogjtë shtegtojnë,
Ti do të
shkosh në shkollë
Shqip t`i mësosh shkronjat...”
Një pjesë e poezisë plot emocione, plot shpresë e autores, një pjesë e poezisë, kushtuar Rinorit, fëmijës së vet, i cili do ta ketë të nesërmen tjetër, jo me gjak dhe dhembje, por një të nesërme me mollën e lirisë në degë. Tërë këtë, në vargun e vet plot muzikalitet dhe mendim, cilësi e poetëve të shquar, Burbuqe Rushiti e shpreh me mjeshtri. Lidhur me lirikën që e krijon autorja në këtë libër, ndër të dalluarit-të botuar në kohë të fundit, recensenti thekson ndër të tjera se “Poezia e saj na flet diçka nga thellësitë e shpirtit. Me gjuhën e artit na flet për përjetimet e saj, për vetminë, për krajatat e jetës, për ditët e vështira (shtrëngatat) të përjetuara nën pushtim, për shpresat, për pikëpamjet e një femre, një bashkëshorteje e një nëne, për ëndrrat dhe iluzionet...”
Një libër
i mirë, i afërt dhe i ngrohtë, një libër i shkruar me ndjesi dhe me plot ritëm,
një libër që do të zë vend dhe do të jetojë në hapësirën tonë letrare, kaq të varfër
në vitet e fundit.