Kulturë
Ireshtansi: A ka zot?!
E marte, 07.08.2012, 07:03 PM
A ka zot?!
Shkruan: Ireshtansi
Provimin
e socilogjisë e kisha mësuar shumë mirë dhe si rrallëherë kisha një siguri në vetvete
që këtë provim do ta kaloja pa ndonjë vështirësi. Unë ende pa hyrë e llogarisja
të dhënë këtë provim.
Shkova e
u ula në bankën e parë. Dy të tjerë, një vajzë e një djalë, u ulën pak para
meje. Profesori na i mori indekset dhe zgjati tufën me karta ku ishin pyetjet
tona, prej të cilave ne duhet të zgjidhnim nga një. Unë mora një. I pashë pyetjet.
Të trija i dija, dhe kur profesori pyeti nëse dikush dëshiron të filloj, unë u
lajmërova menjëherë. Ia dhashë kartën me pyetje profesorit dhe fillova të flas
me siguri të plotë për secilën temë. Herë pas here shikoja letrat ku shkurtimisht
kisha shkruar përgjigjet dhe vazhdoja të flisja. Kisha ardhur në temën e fundit
dhe po flisja për egzistencializmin kur profesori më ndali me një pyetje që për
pak më hutoi.
- A ka
zot? pyeti profesori.
- Si thatë
profesor? ia ktheva unë me pyetje. Isha ndërprerë në mes të fjalimit për
egzistencializmin dhe mu deshën pak sekonda që ta marrë veten.
- A ka
zot? përsëriti ftohtë profesori duke më shikuar në sy e duke thithur cigaren.
Unë ula
sytë që të blija pak kohë. Nuk dija si t’i përgjigjesha. Edhe ta kisha mençurinë
e botës nuk do ta dija përgjigjen. Njëherë desha t’i them që këtë s’e di
askush, por menjëherë mu kujtua që profesori mund ta dinte dhe që të mos e fyej
ndërrova mendje.
Kisha dëgjuar
që disa profesorë kanë disa teke, disa ide fikse, dhe po ta bënë pyetjen e ti s’e
dhe përgjigjen që ata kanë në mendje, iku provimi.
E shikova
profesorin pa e ngritur kokën,por ende nuk kisha marrë guximin të flisja. Ashtu
në shpejtësi u mundova ta analizoj situatën. Të jetë ky besimtar apo i pafe?. Këtë
s’e dija, se përgjigja pastaj do t’ishte e lehtë.
Ka apo s’ka,
po endja nëpër kokë këtë pyetje që menjëherë e cilësova si kriminale, këtë pyetje
që në rrethana të tjera do t’i përgjigjesha pa asnjë hezitim. Unë nuk besoj në këtë
zot që ishte këtu për hir të pushtetit e jo për hir të njerëzve. Edhe feja qysh
në fillet e saj lindi pë tu bërë dashnore e pushtetit dhe mjeti më efikas i
zbuluar nga njerëzit për t’i nënshtruar njerëzit. Se t’ishte feja kundër
pushtetit, pushteti qysh moti i kishte dhënë kësaj pyeje një përgjigje të prerë.
Pastaj ky zot që u tha njerëzve gjithë ato fjalë sa u mbushën libra me nga njëmijë
fletë, nuk u tha atyre një gjë shumë elementare, që toka është e rrumbullakët.
Pastaj...
e sa pastaj të tjera, por gjendja ime nuk ma lejonte që mendimet e mia thjesht
t’i zbrazja nga koka. Ato duhej para së gjithash t’i pëlqenin profesorit.
- Shikoni,
nisa unë ngadalë e me kujdesin e një njeriu që ecën nëper një fushë të minuar. Disa
gjëra janë vërtet të pashpjegueshme, vazhdova, por mund të shpjegohen me anë të...
vetëm me anë të.. përsërita unë duke shikuar profesorin se mos po më jepte
ndonjë shenjë se nga duhet kthyer timoni, e pastaj nga kjo shenjë do të vazhdoja
se mund të shpjegohen me anë të zotit apo shkencës, e të dilja nga ky qorrsokak.
- Mirë,
mirë vazhdo,tha profesori, thuaje, dhe thithi cigaren.
Unë vetetimthi
mendova që profesori është njeri besimtar, sepse edhe gjysëmfjalimi im i papërfunduar
kishte anuar në drejtim të egzistencës së zotit. Pastaj përse të ma bënte këtë pyetje
koti në kohën kur fetarët ankoheshin që rinia ka dalë nga rruga e zotit, domethënë
edhe unë.
-
Ai fiku
cigaren, pastaj mori indeksin tim dhe ma hodhi përpara.
- Ti,
tha, i nderuar asgjë s’po ditke. Unë këtë e pashë me fillim por thashë mos po
- Prisni
pak profesor, i thashë, se unë pyetjet nga sociologjia i dita të gjitha.
- Ti asgjë nuk di. Ti ke mësuar përmendësh, pa
logjikë. Tani liroje vendin të lutem. Megjithatë po të jap një këshillë që vlen
më shumë se nota në indeks. Guxo të mendosh me kokën tënde. Tani kalofsh mirë. Hajde
tjetri, iu drejtua profesori dy të tjerëve që prisnin radhën.
Unë u
ngrita ngadalë dhe dola nga salla pa e shikuar askënd. Shkova aty ku më dërguan
këmbët, drejt e në banesë. Kjo humbje e befasishme më kishte goditur. Isha aq
afër dhe nuk e prisja këtë fund, por ja që ndodhi.
Kur dëgjuan,
shokët u tallën me mua dhe thanë që herë tjetër të mos shkoj i papërgaditur në provim,
e unë në afatin tjetër u përgadita, madje u përgadita vetëm për këtë pyetjen e
fundit, se sociologjinë e dija, por profesori këtë pyetje më nuk ma bëri.