E shtune, 27.04.2024, 09:41 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Zefi

E marte, 07.08.2012, 07:59 PM


Daniel Gàzulli

Z e f i

- Tregim –

At Gjeregj Fishta nuk asht se kthehej shpesh tek të tijët: ishte përherë i zanë me punë, aq sa edhe në raste të veçanta nuk mund të merrte pjesë.

Edhe kur vinte në vendlindje, ma shumë rrinte në Kuvend të Troshanit, ku kishte ba studimet e para, se sa tek të tijët në Fishtë.

Atë pranëverë, mbas një bronkiti të fortë në të dalë të dimnit, vendosi të ndalej pak ma shumë në shtëpinë e lindjes.

Njerëzit e shikonin me çudi se si ndalej e shikonte ngultas një viç të njomë tek pinte qumësht, aq sa edhe po t’i flisje, nuk të dëgjote, aq shumë përqëndrohej. Ndalej tek një lule që ndoshta kishe kohë që nuk e kishte pà, ose i sillte në mend kujtime të fëminisë.

I pëlqente ma shumë të shëtiste vetëm, se sa i shoqnuem. Edhe kur ndokush donte t’i bante shoqni, e kuptonte shpejt se frati, i randuem tashma nga vitet e nga pesha, donte të lëvizte nëpër ato rrugë të ngushta të rrethueme me manaferra, apo kodrave të ulta mbi shtëpinë e tij, në shoqni vetëm të kujtimeve.

Tashma edhe të afërmit e thërrisnin se gjithë Shqipnia: pader Gjergj.

I vetmi që e thërriste me emnin e pagëzimit ishte Leka.

Ishin moshatarë. Kishi luejtë bashkë qysh dyvjeçarë. Bashkë kishin shkue mbas deleve e bashkë kishin mbledhë manaferra, apo kishin hy në ndonjë baçe pa leje për dy fiq shëngjinës.

Leka, pra, e thërriste me emnin e pagëzimit, Zef.

Me të po, shëtiste ma shpesh e ishte ma i vëmendshëm. Se po të mos reagonte kur fliste Leka, ai do të fliste me za të naltë, që t’i tërhiqte vëmendjen Zefit, e kjo e bezdiste poetin. Ma mirë të ishte i vëmendshëm kur fliste Leka e t’i kthente përgjgije.

Në të vërtetë Leka nuk asht që fliste shumë.  I bante rrallë e tek ndonjë pyetje, sidomos për Franc Jozefin. Kushedi nga i kishte ngelë mendja tek ish perandori i Austrohungarisë dhe e pyeste shpesh për të.

Atë ditë At Gjergji kishte ngelë me sy përqiell. Kishte shumë dallendysha, si asnjëherë tjetër. I ndrinte fytyra kur i shikonte.

“ A të bie në mend, Zef ….” do ta ndërpriste në kundrimet e tij Leka. At Gjergji përqednrohej, i kthente një përgjigje të shkurtë dhe vazhdonte të kundronte atë lojë magjepsëse të dallendyshave në atë mëngjes të ngrohtë maji.

Shtëpitë atë kohë kanë pasë strehë shumë të gjana, si e ka edhe sot e kësaj dite rrallë, shumë rrallë, ndonjë shtëpi e vjetër në Shkoder. Nder katunde nuk gjen ma strehë aq të gjana.

Pikërisht aty, në ato strehë ndërtonin foletë dallendyshet.

Tek kalonin krejt afër shtëpisë së Mark Keqit, dy të moshuemit u shtangen. Djali i Markut, që sa ishte kthye prej sherbimit ushtarak, goditi me terfurk tri a kater fole rresht nën strehen e shtëpisë së tij.

At Gjergji lëshoi një “Mos!” të çjerrë, por pa shumë forcë dhe u shemb buzë rrugës.

“Zef, bre! … Zef, bre!... Çka pate?!” – thirri Leka i shqetësuem.

At Gjergji ishte ba verdh dhe tundte kryet pa folë.

“Zef! ….. Hej, Zef!” – i foli përsëri Leka.

At Gjergji i zgjati dorën shokut të fëminisë, dhe tue u mbajtë fort për te, u ngrit ngadalë pa thanë asnjë fjalë. I ktheu shpinën shtëpisë së Mark Keqit dhe eci me hap shumë ma të shpejtë se zakonisht, tue u mbajtë fort tek shkopi, aq sa Leka mezi po e ndiqte.

“Zef, si po ndjehesh? A je ma mirë”?

At Gjergji nuk i ktheu përgjigje. U përpoq t’i buzëqeshte shokut të fëminisë, por buzëqeshja i doli e ngrime.

Nuk i hiqeshin mendjet foletë e dallendyshave, që binin copë-copë nën goditjen e tërfurkut të djalit të Markut.

Po kthejmë tek shtëpia jote e pijmë nga një gotë raki” – i tha Lekës.

Leka u çudit.

Zefi kishte vite që nuk e vinte rakinë në buzë. Thonte se ia kishte ndalue doktori.

Ishin ulë nën hije të manit e po hurmoni ngadalë rakinë, kur Zefi foli si me vehte, krejt nën za: “Mos ………………… “.

Leka, për herë të parë në jetën e tij, nuk e thirri me emnin e fëminisë, Zef: “Pader Gjergj, a je mirë”?.

Poeti buzëqeshi, po me të vështirë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora