| E enjte, 09.08.2012, 09:37 PM |
DEMI
Nga: KALOSH ÇELIKU
Vite më parë gjatë studimeve në
Prishtinë, në një konkurs letrar të shpallur nga gazeta e përditshme “Rilindja”
kam kunkuruar edhe me një tregim për fëmijë: Sagjini. Përçudi, tregimi në atë kohë bashkë me dy të tjerë u ble
për botim. Edhe, u botua në “Rilindja për
fëmijë” (1976). Ishin ato hapat e parë të mi në letërsi drejtë afirmimit si
shkrimtar. Ose, ndryshe: vija si emër i ri premtues në letërsi përmes
konkurseve letrare të asaj kohe. Arsyeja ishte se, shumica e redaktorëve në
redaksi mendonin se isha pseudonim letrar. Interasant, për atë kohë, më lehtë e
kisha t’i botoja krijimet e mia letrare me pseudonime, se sa me emrin dhe
mbiemrin tim: Kalosh Çeliku. Nuk ishin shumë pseudonime: Kaemçe Çuka, Ilir
Emini, Asdren Deralla, Xha Deralla, Ramë Çeliku e ndonjë tjetër, që nuk më
kujtohet tashti pas kaq viteve.
Vite më vonë, atë punim letrar e botova
edhe në librin me tregime për fëmijë: Lepuri
me pushkë (Shkup, 1983). Kritika letrare e priti mirë si libër me tregime
në atë kohë. Edhe lexuesit e vegjël e gëlltitën me një frymë. Ndonjëri nga ato
tregime përfundoi edhe në librat e këndimit kokë më kokë me shumë shokë nëpër
shkolla shqipe.
Gjysmë shekulli më vonë e sjell si
ribotim në këtë shkrim një fragment të atij tregimi interesant për fëmijë që
edhe sot rrëfen histori:
… Dy
ditë para Plaku i fshatit doli te kodra dhe thirri që atë ditë të gjithë
fshatarët, burra e gra, të mblidhen te xhamia. Ditën e caktuar në fshat u dukën
njerëz të armatosur gjer në dhëmbë.
Flisnin një gjuhë që s’ua merrte vesh as dreqi. Këta duhet të ishin pushtuesit.
Fshatarët qysh herët i kishin lëshuar shtëpitë dhe kishin dalë te xhamia. Vetëm
Rama i vogël kishte mbetur duke ruajtur kafshët në livadhin e madh, përpara
shtëpisë. Ushtarët hynin e dilnin nëpër shtëpia, thyenin arka dhe pastaj mbasi
merrnin me veti çka ju pëlqente atyre, disa shtëpive ua vinin zjarrin. I tërë
fshati vlonte nga pushtuesit. Sëfundi disa hynë edhe në shtëpinë e Ramës. Rama
i shikonte me urrejtje nga Lisi midis livadhit duke ruajtur kafshët, i pafuqi
t’i ndalë pushtuesit të mos e plaçkisnin shtëpinë e tij rrëzë Çukës.
Pas dy orësh
kontrollimi pushtuesit dolën nga shtëpia me disa plaçka në duar. E kishin
gjetur edhe mauzerrin e babait që e kishte fshehur në hatulla. Një ushtar
mbante në duar disa tesha dhe florinjët e nënës sime. Disa të tjerë muarën nga
kasolla pesë-gjashtë kosha me kashtë dhe i derdhën para pragut të derës së
shtëpisë. Donin t’ia venin zjarrin. Në oborr hyri një epror ushtarak i stolisur
me dekorata lufte. Me siguri ai do të ishte udhëheqsi i tyre. Mbasi i mblodhi
ushtarët dhe biseduan diç, për Ramën e vogël të pakuptuar, i mlodhën plaçkat
dhe u nisën nga lëma. Shtëpinë e lanë, nuk e kallën. Kur ranë nëpër livadh,
përpara shtëpisë ku kullosnin kafshët, kah ata u turr Sagjini – kau që Rama i
vogël e donte më së shumti. Ushtarët duke mos qenë të përgaditur nga kjo e
papritur, ua dhanë këmbëve. Por Sagjini me brirët e tij e rrëzoi për tokë një
ushtar të armikut dhe e la pa frymë. Një ushtar tjetër shprazi automatikun në
kaun e fuqishëm e guximtar. Sagjini lëshoi një zë të tmerrshëm dhe pas disa
hapash u rrëzua për dhe. Pushtuesit e muarën ushtarin, i cili nuk jepte shenja
jete, me zorrët jashtë dhe u nisën teposhtë livadhit. Rama i vogël vrapoi dhe u
sul mbi kaun, duke derdhur lotët rrëke. Ia vuri veshin në krahëror. Ai nuk
merrte frymë. Zemra e Sagjinit kishte pushuar.
Në mbrëmje kur u
kthye babai i Ramës nga malet në shtëpi, ai ia tregoi ngjarjen dhe e luti
babain që t’ia bëjnë një gropë dhe ta shtinë Sagjinin në dhe. Babai e kuptoi
voglushin – ia plotësoi dëshirën. Baba e bir, me lot në sy, Sagjinin e shtinë
në dhe, nën hijen e lisit midis livadhit përpara shtëpisë. Edhe sot dihet
vendi, nuk është rrafshuar me tokë. E, Rama sa herë që kalon nëpër livadh nuk e
lë pa kthyer kokën kah ish shoku i tij nën hije të Lisit midis livadhit.
-Të tilla ishin
ato ditë të tmerrshme… - më tha xha Rama - kështu ishte atëherë kur u dilnim
përballë hordhive pushtuese…
Prishtinë,
Rilindja 1976
Edhe, e dini ku e pata qëllimin në këtë
shkrim?! Jo, nuk e dini si lexues. Patjetër, duhet t’ju hap rrugë mes këtyre
rreshtave, hyni krah për krahu në këtë portë historike.
Sagjini, si e patë edhe më lartë në
tregim, ishte emri i kaut të zgjedhës, që gjatë okupatorit pushtues me brirë i
rrëzoi në mes të livadhit disa ushtarë të armikut. Vërtet e humbi jetën, po nuk
mundi ta duroj dot këmbën e huaj pushtuese. Robërinë.
E ky Demi ynë i sotshëm melez i rritur
dyerve të hallkut nëpër botë, nuk është në gjendje sot të rrëzoj në mes të
livadhit as edhe një lopë. Qafën vetë e futë në zgjedhë. Vetëm e vetëm për një
krah kashtë në grazhd. Ose, një torbë taxhi, pasi ia heqin zgjedhën nga qafa në
lëmë. Dhe, e lidhin me kërpesh për brirësh në Livadh.
Padashtas, mes këtyre rreshtave më
kujtohet Mirko Gashi, një poet i madh bohem shqiptar, kur gjatë një ore letrare
lexonim poezi në një xhami të Kosovës. E gjithë kjo ndodhte shkaku Serbisë
shoveniste, që pas demonstratave të ’81 -shit na i mori të gjitha të drejtat
kombëtare dhe institucionet arsimore e kulturore. Dhe, ku të lexonim poezi në
tjetër vend më të sigurtë, përveçse në xhami. Mirko Gashi i armatosur atë ditë
me dy “kashikara” me raki rrushi në xhepat e gunës, lexoi plot emocione një
poezi për Lumin.
Në bisedë e sipër, pas Orës së madhe
letrare Gani Xhafolli i tha Mirko Gashit: Edhe Kaloshi është poet bohem si ti
në poezi e jetë. Po, iu përgjigjë aty për aty Mirko Gashi. Vetëmse, Kalosh
Çeliku është bohem i stilit të vet origjinal. Nuk gjason aspak me mua, as në
poezi e as në jetë. Dikur, doli para të pranishmëve dhe e lexoi një poezi për
Lumin e vogël, “që ende nuk i ka mbushë
dy vjet, e nuk do të lidhet në djep”.
Dhe, u kthye në mesin tonë duke i kënduar
ato dy vargjet e këngës popullore, që kurrë për së gjalli nuk i hoqi nga goja:
“Para
se shpirti i ka dalë, i ka folë dy-tri fjalë”…
Mirko
Gashi, bohemi vizionar i “Plagë uji (”1990)..
Mirko Gashi (1939-1995)
Mirko
Gashi lindi më 2 janar të vitit 1939 në Kralevë (Serbi). Shkollën fillore e
kreu në Preshevë ndërsa Gjimnazin në Gjilan. Ka kryer edhe një shkollë për
gazetarë. Ka punuar si mësues në fshatin Caravajkë të Preshevës, pastaj gazetar
në Radio Prishtinë, Në Teatrin e Kombësive në Shkup, në Teatrin Popullor të
Prishtinës e së fundit ka redaktuar gazetën “Kosova” të një ndërmarrje
ndërtimore në Prishtinë. Me krijime letrare ka filluar të merret qysh herët.
Është marr edhe me përkthime nga gjuha shqipe në ate serbe dhe anasjelltas.
Punimet e Mirko Gashit janë përkthyer në gjuhën frënge, italiane, gjermane,
arabe, sllovene, angleze, turke dhe maqedonase. Është prezantuar në shumë vepra
të autorëve që kanë shkruara për shkrimtarët shqiptarë. Ka kaluar një jetë prej
bohemi, gjatë kohës sa ishte pensionist. Vdiq në vitin 1995, në Prishtinë.
Veprat e
Mirko Gashit: “Në vorbullën e ujit”
Prishtinë 1972 “Netët e bardha”,
Prishtinë 1975 “Gjarpëri i shtëpisë”,
Prishtinë, 1980 “Arbror vitae”,
Prishtinë 1988 “Plagë uji”, Prishtinë
1990 “Liberto për gjenetivin e ujit”(serbisht)
“Jedinstvo” Prishtinë 1977.
Përkthimet e Mirko Gashit në serbisht: Poezitë e Ali Podrimjes Poezitë e Din Mehmetit Poezitë e Qerim Ujkanit Poezitë e Sabri Hamitit Poezitë e Ibrahim Kadriut “Gof” të Anton Pashkut “Anija e vjetër” të Resul Shabanit “Bregu i pikëllimit” të Teki Dërvishit “Memoaret” të Ismet Shaqirit etj.