E shtune, 27.04.2024, 11:45 AM (GMT+1)

Kulturë

Bajrush Morina: Letra e Shkrelit për Podrimjen

E merkure, 08.08.2012, 09:25 PM


Letra e Azem Shkrelit për Ali Podrimjen

Nga Bajrush Morina

Kur Azem Shkreli puthi tokën e Kosovës për herë të fundit në pranverën e vitit 1997, ndër miqtë më të mërzitur më është dukur Ali Podrimja.  I dridhej buza e poshtme tek kujtonte Azemin dhe me modestinë më njerëzore të një poeti  të thjeshtë më tha: “Kam dëgjuar se ti njëherë ia ke shpëtuar jetën Azemit, ma ka thënë vetë Azemi…”

Përballë një falënderimi kaq njerëzor, gjithçka që kam mundur t’i them ka qenë “arsyetimi” im se “…I kam ndihmuar Azemit një kohë kur ishte pa qef, por jetën…jetën nuk ia kam shpëtuar. Por po i kam ndihmuar për më shumë se një muaj ditë në vilën Walberta, në Feldafing, në periferi të Minhenit të Gjermanisë. Azem Shkreli atëbotë, më vitin 1993, po qëndronte për 3 muaj i ftuar nga Qendra Kulturore e Bavarisë me seli në Minhen.

Por seç më vjen të kujtoj Azem Shkrelin, sot kur mora lajmin e keq për “rilindjen e A.P.” siç do të shkruajë Azemi për mikun e tij të ngushtë Ali Podrimjen në një letër poezi të shkruar në Feldafing të Gjermanisë, në ditët kur Azemi po lëngonte nga një “grip i keq” e kur unë po kujdesesha për shëndetin e tij duke “e detyruar” që t’i pinte ilaçet rregullisht dhe të rrinte sa më shumë I shtrirë në shtrat.

Në një nga netët e shkurtit të vitit 1993, kur vërtetë Azem Shkreli mori një të ftohur të rëndë në gjoks dhe mezi merrte frymë e kollitej pa ia nda, diku pas mesnate dëgjoja tik-taket e makinës së shkrimit të Azemit që vinin nga dhoma e fjetjes së Azemit. Kur dikur pushuan “të rrahurat” e makinës së shkrimit të Azem Shkrelit, i afrohem ngadalë dhomë së Azemit, e hap lehtë dhe në shtrat, në kokërr të shpinës e shoh Azemin. Zakonisht kur nuk e merrte gjumi por që bëhej se po flinte, Azemi e vinte njërën dorë mbi ballë.  E kuptova se ende ishte i zgjuar  apo vetëm sap o kotej.

Duke e mbyllur derën pashë se mbi makinën e shkrimit kishte vënë një letër të bardhë. Të nesërmen ma dha të lexoj. Ishte poezia “Letër mikut tim A.P. Atë ditë kur Ali Podrimja po më falënderonte për  përkujdesjen time ndaj shëndetit të Azem Shkrelit për disa ditë në Feldafing të Gjermanisë, i thashë se unë jam lexuesi i parë i poezisë që Azemi  ka shkruar për Ty. “E di më tha, edhe këtë ma ka thënë Azemi!”

Ali Podrimjen e kam njohur  shumë, shumë vite më parë.  Por jo si poet, si kërcimtar nga Ura e Fshejtë. I lindur dhe i rriur në afërsi të kësaj ure vërtetë të Fshejtë,  jo njëherë  por disa herë e kam parë Ali Podrimjen tek hidhej nga Ura e Fshejtë.  Si fëmijë ia kisha zili për guximin në ndërkohë që lidhja besën me vetveten se kur të rritem edhe unë do të hidhem nga Ura e Fshejtë.

Kur u rrita e takova nëpër vargje poetin Ali Podrimja ndërkaq e “theva besën” ndaj vetvetes sepse asnjëherë nuk pata guximin të hidhem nga Ura e Fshejtë. Kur lexonte poezi në mbrëmjen poetike që i organizonim në sallën e Fakultetit Filologjik në vitet 1985-86, më bëhej se poezitë e Ali Podrimjes ishin më të mirat.

Ali Podrimjen e takoja rregullisht mëngjeseve në Gërmi. Ai ishte i rregullt e unë mungoja shpesh. Pak ditë para se të nisej për në Francë e takova përballë Akademisë. Si gjithmonë Aliu të pyeste “si i ke punët, si po të shkojnë punët…” e pastaj qetë  largohej me një përshëndetje krejt njerëzore.

Tash e tutje e di se nuk do ta takoj më kurrë Ali Podrimjen në orët e hershme të mëngjesit në Gërmi. Por para se ta takoj Atje bashkë me Azemin,  dua t’ia kujtoj Ali Podrimjes që ta marrë me vete edhe poezinë e Azemit, e ka shkruar miku më i mirë për mikun  më të ngushtë!

Ai që di të rilindet, le të fitojë A.P.

 

Letër mikut tim AP

 

Natën tek gërhas në një dru bavarez

Që mi’i bie kokës me rrema në katua

Hatullave më vinë deri në mëngjes

Hallakamët, sharjet, recitimet tua

 

Më thonë: në varg po u varëm mes Evrope

Do të bijnë gjeneralë, gyle dhe raketa

Korparmata, tanke do të shkelin mbi trope

Për vrimë të miut do të përbirohet jeta

 

Nesër koka ime s’do të jetë veç një bust

Një këmbanë e madhe që rrah ditën kot

Grindem me Liqenin e zymtë, i Shtraustë

Vërtetë, kjo armë jona një pendël s’e lot

 

Dhe durimi ndizet, mbyshet fjala fryme

Do t’ivemë te hunda zotit që nuk sheh

A ta vrasim vdekjen me pushke ame pështymë

Ai që di të rilindet, letë fitojë! A. P.

 

(Feldafing 1993)



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora