E shtune, 27.04.2024, 08:34 AM (GMT+1)

Kulturë

Fatmire Duraku: Shenjë ogurbardhë

E merkure, 08.08.2012, 07:45 PM


Shenjë ogurbardhë

(Shaip Grabovci “Ditëlindja e barbit”, botoi FAD, Prishtinë 2012)

Shkruan Fatmire Duraku

Tregimi i shkurtër për fëmijë-veçmas në  Kosovë, është i zbehtë, i painvencion,  i pa gjak, e - çfarë e bën dhe më të rëndë tërë këtë të keqe, ai është mjaft i mangët, pa shenja të ndonjë rrjedhe të re,  të mbarë. Këtë tregim - mjaft të vështirë për t`u realizuar, por po kaq të dashur për fëmijë, e shkruan vetëm aty-aty ndonjë krijues me penë të sprovuar, ndonjë krijues që e njeh mirë zanatin e shkrimit, që e njeh mirë psikologjinë e lexuesit të  vogël. Kjo gjendje mbretëron tash e një kohë të gjatë, me ndonjë ndërhyrje të vogël të ndonjë autori, i cili shfaqet me ndonjë libër të suksesshëm për ta shuar sado pak etjen e lexuesit të vogël për tregim të mirë. Fillimi i shkrimit të tregimit të shkurtër, në vitet e `60-ta,  sado që qe mjaft premtues  nuk u realizua me ritmin e dëshiruar. Kështu, çdo gjë ngeli në gjysmë të rrugës,  pa fizionomi të veten, ngeli vetëm  me dy-tre autorë, me tre-katër libra, që sado qenë të realizuar mirë, sado brilant, ata nuk i plotësonin, e as përafërsisht nuk i plotësojnë,  kërkesat e lexuesit të vogël...

Ka emra, megjithatë, që këtë shterpësi e thyen sado pak me paraqitjet e tyre, me tregimet e tyre, qoftë të përmbledhura në ndonjë libër, qoftë të botuara në shtypin për fëmijë të kohës dhe në këtë mënyrë krijuan një fizionomi të caktuar të tregimit të shkurtër këtu. Në këtë rrjedhë, me tregim të shkurtër, të mirë, vite me radhë u paraqit edhe Shaip Grabovci, por  këtë gjë ai e bëri vetëm herë pas here dhe vetëm me botime në faqe revistash për fëmijë, pa i ofruar kështu kënaqësi më të madhe lexuesit të vet deri tash -   libër me tregim të shkurtër.

Grabovci,(i dëshmuar sidomos në shkrimin e dramës, të radiodramës, të humoreskës, të tregimit për të rritur e për fëmijë) gjithherë - gjatë krijimtarisë së vet të begatë, tregimin për fëmijë do ta ketë në plan të dytë, sado që këtu – padyshim, është brilant. Ja pse është mëkat që nuk e ka kultivuar më shumë këtë tregim, ngaqë të shumtën e herës i duhen vetëm një grusht fjalësh, disa fjali... që, në mënyrë mjeshtërore, si pak ose fare ndonjë krijues te ne, të ndërtojë një tregim të mrekullueshëm-të shkurtër për fëmijë. Ai, kështu, sa herë vendosi të shkruajë ndonjë tregim të shkurtër për fëmijë, përmes një humori të natyrshëm, të lehtë, përmes bëmash të ndryshme të fëmijës, me afërsi, ngrohtësi dhe qartësi të çuditshme ia dol të depërtojë me sukses të papërsëritshëm në psikologjinë e fëmijëve, gjithherë pahetueshëm të prek në të përditshmen e tyre, në ëndrrat dhe  dëshirat e tyre,  që ata do t`i shprehin qoftë përmes lojës apo ndonjë forme tjetër të punës, të mësimit, të aktivitetit fizik dhe mendor...

Tërë këtë punë, tërë këtë opus prej dhjetëra librash, prej mijëra faqesh të shkrimit letrar, ky shkrimtar i bëri – i heshtur, vetë i tërhequr në margjina, duke ikur nga gjithë hapësira e zhurmshme, nga vetë-promovimet, nga lëvdatat dhe sjelljet çoroditëse të atyre, të cilët në mungesë të fuqisë krijuese, çirreshin e çirren... për ta kuptuar në fund vetë kush janë, sa çojnë në kandar dhe sa kanë arritur t`i ofrojnë kulturës së vet, letërsisë së vet, në cilëndo gjini letrare qoftë. Grabovci, pa çarë asnjëherë kokë për rrjedhat e papeshë jashtë letrare, me durim,  e ndërtoi udhën e vet, fizionominë e vet, veprën e vet dhe ja, kështu, ia la lexuesit ta thotë fjalën e vet për gjithë atë që e  krijoi - në heshtje, për gjithë atë që e krijoi  nga kënaqësia e vet dhe për kënaqësinë e lexuesit të vet të shumtë, për shikuesin e vet të shumtë. Këtë, në mënyrën më të mirë, do ta dëshmojë edhe një herë libri i tij më i ri me tregime të shkurtra dhe njëaktëshe për fëmijë “Ditëlindja e Barbit”.  Këtu, në këtë botim, brenda të cilit në të vërtetë  shtrihen dy libra – Tregime të shkurtra dhe Njëaktëshe, autori dëshmon edhe një herë prirjen e veçuar në shkrimin e tregimit të shkurtër. Në librin e parë “Biseda e zogjve” autori ka përfshirë pesëdhjetë tregime, fabula e të cilave është shumë e afërt, shumë e ngrohtë dhe shumë e kapshme për fëmijë. Realizimin e tillë të tregimit e ka mundësuar  përkushtimi i duhur dhe i përhershëm i autorit,  mënyra e të shkruarit të tregimit, por edhe vetë personazhet - fëmijë, të “shkëputur” nga jeta e përditshme, me ritmet dhe rrjedhat, me ëndrrat dhe lojën e tyre, që tërë kjo-e shprehur artistikisht, të kurorëzohet secilën herë me sukses të theksuar. Motivet e afërta, aventurat e shumta, vijnë dhe para nesh shpalohen të ngjashme kaq shumë me bëmat që na ndodhin në të përditshmen. Kështu,  më të vegjlit do ta gjejnë tërësisht veten në secilin tregim, do të bëhen pjesë e tyre dhe – natyrisht, do ta duan ta lexojnë prapë. Kaq më shumë, ngaqë tregimet nuk i lodhin, as me të vetmen fjalë të tepërt aty, as me paqartësi dhe as me gjatësi. Tregimi, nga i pari te i fundit, është i shkurtër dhe shumë tërheqës... gjithherë me zgjidhje befasuese, e cila gjë i le mbresë secilit dhe vetëm e shton edhe më shumë kërshërinë e lexuesit, që i dedikohet.

Në librin e dytë “Zërat nga vitrina”, autori ka radhitur dhjetë mini-drama, njëaktëshe, të cilat në një mënyrë janë tregime të shkurtra-të dramatizuara, shumë të përshtatshme për t`u inskenuar edhe në shkollë, edhe në mësonjëtore. Secila nga këto njëaktëshe, ashtu si dhe tregimet nga libri i parë, kanë një prekje të lehtë, shumë të lehtë... gati-gati të pahetueshme, të lojës, të punës, të mësimit, të aktivitetit fizik dhe mendor... me një karakter edukativ dhe arsimor, që në të njëjtën kohë e zgjojnë vetvetiu dashurinë te fëmijët dashurinë për teatrin.

Ky libër vjen si një sihariq, si një shenjë ogurbardhë, për vlerat artistike të pamohueshme që ngërthen në vete, por dhe për faktin se tregimi i shkurtër është deficitar te ne. Secili tregim në librin e ri të Shaip Grabovcit “Ditëlindja e  Barbit” është përjetim i këndshëm më vete dhe kujtoj do të bëhet shumë shpejt pjesë e përditshmërisë së lexuesit, jo vetëm e lexuesit të vogël. Kjo vjen pashmangshëm, sepse –  në fund të leximit të librit, deshi apo nuk deshi, secili e ndien thellë më vete kënaqësinë e tregimit, bëhet pjesë e zgjidhjes së problematikës së parashtruar, të ngashërimit apo dhe të zhgënjimit,  të lidhura çdo ditë mes nesh, por që nuk i hetojmë apo nuk u kushtojmë rëndësinë e duhur.



(Vota: 85 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora