| E merkure, 08.08.2012, 07:45 PM |
Shenjë ogurbardhë
(Shaip
Grabovci “Ditëlindja e barbit”, botoi FAD, Prishtinë 2012)
Shkruan Fatmire Duraku
Tregimi i
shkurtër për fëmijë-veçmas në Kosovë, është
i zbehtë, i painvencion, i pa gjak, e - çfarë
e bën dhe më të rëndë tërë këtë të keqe, ai është mjaft i mangët, pa shenja të ndonjë
rrjedhe të re, të mbarë. Këtë tregim - mjaft
të vështirë për t`u realizuar, por po kaq të dashur për fëmijë, e shkruan vetëm
aty-aty ndonjë krijues me penë të sprovuar, ndonjë krijues që e njeh mirë zanatin
e shkrimit, që e njeh mirë psikologjinë e lexuesit të vogël. Kjo gjendje mbretëron tash e një kohë të
gjatë, me ndonjë ndërhyrje të vogël të ndonjë autori, i cili shfaqet me ndonjë libër
të suksesshëm për ta shuar sado pak etjen e lexuesit të vogël për tregim të mirë.
Fillimi i shkrimit të tregimit të shkurtër, në vitet e `60-ta, sado që qe mjaft premtues nuk u realizua me ritmin e dëshiruar. Kështu,
çdo gjë ngeli në gjysmë të rrugës, pa
fizionomi të veten, ngeli vetëm me dy-tre
autorë, me tre-katër libra, që sado qenë të realizuar mirë, sado brilant, ata
nuk i plotësonin, e as përafërsisht nuk i plotësojnë, kërkesat e lexuesit të vogël...
Ka emra,
megjithatë, që këtë shterpësi e thyen sado pak me paraqitjet e tyre, me tregimet
e tyre, qoftë të përmbledhura në ndonjë libër, qoftë të botuara në shtypin për
fëmijë të kohës dhe në këtë mënyrë krijuan një fizionomi të caktuar të tregimit
të shkurtër këtu. Në këtë rrjedhë, me tregim të shkurtër, të mirë, vite me radhë
u paraqit edhe Shaip Grabovci, por këtë gjë
ai e bëri vetëm herë pas here dhe vetëm me botime në faqe revistash për fëmijë,
pa i ofruar kështu kënaqësi më të madhe lexuesit të vet deri tash - libër me tregim të shkurtër.
Grabovci,(i
dëshmuar sidomos në shkrimin e dramës, të radiodramës, të humoreskës, të tregimit
për të rritur e për fëmijë) gjithherë - gjatë krijimtarisë së vet të begatë,
tregimin për fëmijë do ta ketë në plan të dytë, sado që këtu – padyshim, është brilant.
Ja pse është mëkat që nuk e ka kultivuar më shumë këtë tregim, ngaqë të shumtën
e herës i duhen vetëm një grusht fjalësh, disa fjali... që, në mënyrë mjeshtërore,
si pak ose fare ndonjë krijues te ne, të ndërtojë një tregim të mrekullueshëm-të
shkurtër për fëmijë. Ai, kështu, sa herë vendosi të shkruajë ndonjë tregim të shkurtër
për fëmijë, përmes një humori të natyrshëm, të lehtë, përmes bëmash të ndryshme
të fëmijës, me afërsi, ngrohtësi dhe qartësi të çuditshme ia dol të depërtojë me
sukses të papërsëritshëm në psikologjinë e fëmijëve, gjithherë pahetueshëm të prek
në të përditshmen e tyre, në ëndrrat dhe
dëshirat e tyre, që ata do t`i
shprehin qoftë përmes lojës apo ndonjë forme tjetër të punës, të mësimit, të aktivitetit
fizik dhe mendor...
Tërë këtë
punë, tërë këtë opus prej dhjetëra librash, prej mijëra faqesh të shkrimit
letrar, ky shkrimtar i bëri – i heshtur, vetë i tërhequr në margjina, duke ikur
nga gjithë hapësira e zhurmshme, nga vetë-promovimet, nga lëvdatat dhe sjelljet
çoroditëse të atyre, të cilët në mungesë të fuqisë krijuese, çirreshin e çirren...
për ta kuptuar në fund vetë kush janë, sa çojnë në kandar dhe sa kanë arritur
t`i ofrojnë kulturës së vet, letërsisë së vet, në cilëndo gjini letrare qoftë. Grabovci,
pa çarë asnjëherë kokë për rrjedhat e papeshë jashtë letrare, me durim, e ndërtoi udhën e vet, fizionominë e vet,
veprën e vet dhe ja, kështu, ia la lexuesit ta thotë fjalën e vet për gjithë atë
që e krijoi - në heshtje, për gjithë atë
që e krijoi nga kënaqësia e vet dhe për
kënaqësinë e lexuesit të vet të shumtë, për shikuesin e vet të shumtë. Këtë, në
mënyrën më të mirë, do ta dëshmojë edhe një herë libri i tij më i ri me tregime
të shkurtra dhe njëaktëshe për fëmijë “Ditëlindja e Barbit”. Këtu, në këtë botim, brenda të cilit në të vërtetë shtrihen dy libra – Tregime të shkurtra dhe
Njëaktëshe, autori dëshmon edhe një herë prirjen e veçuar në shkrimin e
tregimit të shkurtër. Në librin e parë “Biseda e zogjve” autori ka përfshirë pesëdhjetë
tregime, fabula e të cilave është shumë e afërt, shumë e ngrohtë dhe shumë e kapshme
për fëmijë. Realizimin e tillë të tregimit e ka mundësuar përkushtimi i duhur dhe i përhershëm i
autorit, mënyra e të shkruarit të tregimit,
por edhe vetë personazhet - fëmijë, të “shkëputur” nga jeta e përditshme, me
ritmet dhe rrjedhat, me ëndrrat dhe lojën e tyre, që tërë kjo-e shprehur
artistikisht, të kurorëzohet secilën herë me sukses të theksuar. Motivet e afërta,
aventurat e shumta, vijnë dhe para nesh shpalohen të ngjashme kaq shumë me bëmat
që na ndodhin në të përditshmen. Kështu,
më të vegjlit do ta gjejnë tërësisht veten në secilin tregim, do të bëhen
pjesë e tyre dhe – natyrisht, do ta duan ta lexojnë prapë. Kaq më shumë, ngaqë tregimet
nuk i lodhin, as me të vetmen fjalë të tepërt aty, as me paqartësi dhe as me
gjatësi. Tregimi, nga i pari te i fundit, është i shkurtër dhe shumë tërheqës...
gjithherë me zgjidhje befasuese, e cila gjë i le mbresë secilit dhe vetëm e
shton edhe më shumë kërshërinë e lexuesit, që i dedikohet.
Në librin
e dytë “Zërat nga vitrina”, autori ka radhitur dhjetë mini-drama, njëaktëshe, të
cilat në një mënyrë janë tregime të shkurtra-të dramatizuara, shumë të përshtatshme
për t`u inskenuar edhe në shkollë, edhe në mësonjëtore. Secila nga këto njëaktëshe,
ashtu si dhe tregimet nga libri i parë, kanë një prekje të lehtë, shumë të lehtë...
gati-gati të pahetueshme, të lojës, të punës, të mësimit, të aktivitetit fizik
dhe mendor... me një karakter edukativ dhe arsimor, që në të njëjtën kohë e
zgjojnë vetvetiu dashurinë te fëmijët dashurinë për teatrin.
Ky libër
vjen si një sihariq, si një shenjë ogurbardhë, për vlerat artistike të pamohueshme
që ngërthen në vete, por dhe për faktin se tregimi i shkurtër është deficitar
te ne. Secili tregim në librin e ri të Shaip Grabovcit “Ditëlindja e Barbit” është përjetim i këndshëm më vete dhe
kujtoj do të bëhet shumë shpejt pjesë e përditshmërisë së lexuesit, jo vetëm e
lexuesit të vogël. Kjo vjen pashmangshëm, sepse – në fund të leximit të librit, deshi apo nuk
deshi, secili e ndien thellë më vete kënaqësinë e tregimit, bëhet pjesë e
zgjidhjes së problematikës së parashtruar, të ngashërimit apo dhe të zhgënjimit, të lidhura çdo ditë mes nesh, por që nuk i
hetojmë apo nuk u kushtojmë rëndësinë e duhur.