E premte, 26.04.2024, 05:48 AM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ndreca: Strategjia e re e NATO-s dhe pjesmarrja jonë

E shtune, 01.03.2008, 04:08 PM


Strategjia e re e NATO-s dhe pjesmarrja jonë

Nga Ardian Ndreca

Zhvillimet e fundit gjeopolitike dhe rishfaqja e dy fronteve antagoniste në arenën botnore, të përfaqsueme nga politika e SHBA-së dhe ajo e Rusisë së Putinit - bajnë që NATO-ja të marrin rishtas profilin e vet të randsishëm në ruejtjen e ekuilibrit të forcave.
Në nji shkrim të tijin rreth nevojën së përftimit të nji doktrine të re strategjike të NATO-s (Institute for Human Sciences, 2008), gjenerali John Shalikashvili, i cili ka qenë në krye të komandës supreme të trupave të NATO-s në Europë dhe njikohsisht ka qenë komandant i trupave amerikane të USEUCOM në vitet 1992-1993 – shprehte urgjencën e adoptimit të nji mendësije të re në kushtet e sotme.
Doktrina e sotme asht aprovue në vitin 1999, por qysh atëherë bota ka ndryshue rranjësisht.
Nji prej mangësive kryesore asht pamjaftueshmënia e mjeteve ushtarake në zgjidhjen e konflikteve, gja kjo që kërkon nji koordinim kapilar të rrjetit të informacionit mes “shteteve mike” si edhe kontrollin preventiv të elementave potencialisht të rrezikshëm.
Forcat që veprojnë aktivisht kundër terrorizmit kishin nevojë për nji doktrinë të re, këtë gja e tregoi me fakte gjenerali amerikan David H. Petraeus, emnin e të cilit mban doktrina që uli ndieshëm në Irak numrin e ushtarëve amerikan të vramë. Nji prej pikave kryesore të kësaj doktrine asht mos me ndërhy në konfliktet mes dy forcave kundërshtare, me rritë kontradiktat mes vetë popullsisë lokale dhe guerrilasve, me respektue popullsinë dhe mos me ba raprezalje.
Si metodë nuk duket fort origjinale, mbasi romakët disa qindra vjet ma parë përdornin nji taktikë të ngjashme deri diku e cila u quejt asokohe metoda: dívide et ímpera – përçaj e sundo - dhe ishte rruga ma e sigurt, jo thjesht me fitue nji beteje në planin ushtarak, por me qeverisë nji vend.
Kur gjenerali Shalikashvili shprehet se mjetet ushtarake nuk mjaftojnë don me thanë se krahas tyne duhen përdorë mjete të tjera, që përplotsojnë mangësitë e atyne ushtarake.
Siç i pat thanë nji herë Talleyrand-it Napoleon Bonapartit: me bajoneta mundesh me ba shumë gjana, por s’mundesh me u ulë mbi to për me qeverisë nji popull.
Pra, me sa duket edhe NATO-ja e kuptue leksionin: bajonetat kanë vendin e vet por e ardhmja e botës nuk ndërtohet vetëm me to.
Sot NATO-ja numron në gjinin e vet antarë që deri para dy dekadash ishin anmiqtë e saj ma të zellshëm: Bullgaria, vendet balltike, Çekia, Sllovakia Sllovenia, Hungaria, Polonia – të gjitha këto ish pjesmarrëse të Paktit të Varshavës.
Kush mund ta kishte imagjinue deri pak vitesh se në 2008 drejtori i sigurimit të NATO-s do të ishte nji person që ka studjue në akademinë e KGB-së.
Në fakt gjenerali hungarez Sandor Laborc, 49 vjeç, ka studjue prej vitit 1983 deri në vitin 1989 pranë KGB-së në Moskë, ndërsa sot asht zgjedhë me kryesue nji detyrë me randësi të veçantë mbrenda NATO-s.
Sot shqytarët e NATO-s janë Polonia e Republika Çeke të cilët kanë pranue me instalue raketa në territorin e tyne. Por as kjo gja nuk mjafton. Duhet bashkëpunim dhe koordinim në kontrollin e mjeteve ekzistuese dhe veprim parandalues dhe moniturues i territorit.
Kjo asht pak a shumë situata në të cilën ndodhet NATO-ja në prag të ftesës sonë për pjesmarrje.
Të bahesh antar i NATO-s do të thotë të krijosh nji hapsinë ma transparente në politikën shqiptare, nji hapsinë që në vitet ’90 ka mungue krejtsisht dhe sot po vonon me u krijue.
Privilegji i sotëm i Shqipnisë asht se ajo mund të bahet nesër antare e NATO-s pa pasë nevojë me ndërtue mbrenda territorit të vet nji bazë të Aleancës Atlantike, mbasi vendet perreth përbajnë nji ombrelle mbrojtëse përreth Ballkanit perëndimor dhe bazat e NATO-s po shpërngulen ma në Lindje.
Nji strukturë ushtarake kompakte dhe jo shumë e kushtueshme do të ishte e mjaftueshme për me rritë cilësinë e ndërhymjeve të vendit tonë në gjinin e NATO-s, pa randue buxhetin e Shtetit dhe tue sigurue vendin tonë në arenën ndërkombtare.
Por në qoftë se – hipotetikisht - ftesa e qartë dhe data e saktë e hymjes në NATO nuk do të shpallen së afërmi në summit-in e shumëpritun, fajet e kësaj shtymje i ka politika shqiptare dhe mosarritja e standardeve prej saj; në qoftë se ftesa do të vijë, siç urojmë edhe ne, atëherë politikës sonë i dalin detyra të reja prej këtij angazhimi madhor.
Le të presim edhe pak ditë për me kuptue sesi ka ecë Shqipnia nën lenten e vëzhguesve të NATO-s, të cilët për me pranue nji vend shohin përparimet në administratë, në ushtri, në shërbimin sekret, në institucionet shtetnore, në reformat politike, në infrastrukturë etj.
Shpresojmë që Shqipnia ta kalojë provimin, jo për hatër të nji force të caktueme politike, por pse shqiptarët meritojnë nji integrim të këtillë që asht njikohsisht edhe nji radiografi të vazhdueshme e gjendjes sonë politike.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora