E diele, 28.04.2024, 06:04 PM (GMT+1)

Mendime

Shefqet Dibrani: Procesi dhe zhvillimi i paqes demokratike

E enjte, 28.02.2008, 07:27 PM


PROCESI DHE ZHVILLIMI I PAQES DEMOKRATIKE

 

Shefqet Dibrani
DDr. Roland Kley: “PAQJA NDËR DEMOKRACITË”, studim, botoi “Albanisches Institut” , St. Gallen 2007, faqe 124. Nga gjermanishtja përktheu Zef Ahmeti*

 

“Një gjuhë e pastruar nga të gjitha nacionalizmat imitues gërsheton një lidhje neutrale të mirëkuptimit dhe paqes”. Roland Kley

 

 Shkruan: Shefqet DIBRANI

 

“PAQJA NDËR DEMOKRACITË” është një libër që i takon kryesisht fushës së politikës, përkatësisht asaj të historisë politike që ngërthen këtë studim specifik me elemente të caktuara nga dijet e fushave të sociologjisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Autori i librit Roland Kley, është pedagog dhe ligjërues në Universitetin e Sankt Gallenit në Zvicër, departamenti  i Shkencave Politike, përkatësisht katedra e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

R. Kley trajton teorinë e paqes ndër demokracitë. Herë duke shtruar pyetjen se “a kanë bërë dhe a bëjnë luftë ndërmjet veti shtetet demokratike”, e herë duke shtruar dilemën nëse kjo teori është e saktë?! Autori ka bërë një studim tejet interesant, kurse librin e ka përfunduar me hipotezën nëse kjo teori do të ketë ardhmërinë e saj.

Qysh në temën e parë “KONFLIKTI RRETH PAQES DEMOKRATIKE”, autori ka theksuar se “demokracitë nuk bëjnë luftë ndërmjet veti”, sado që mund të implikohen edhe në përdorimin e dhunës kundër autokracisë dhe sidomos kundër diktaturave. Vendet demokratike asnjëherë nuk kanë lejuar të bëjnë luftë ndërmjet veti, “të paktën kështu e thotë teoria e paqes demokratike”.

Duke u marrë me statistika të luftërave R. Kley ka theksuar se “prej vitit 1816 e deri më 1992, kishte 209 luftëra ndërkombëtare”, të cilat vetëm gjatë shekullit të kaluar kanë marrë mbi 87 milion jetëra njerëzish. “Po a është e saktë teoria e paqes demokratike?”, pyet autori dhe njëkohësisht sikur sintetizon këtë dilemë: “Demokracitë vërtet kurrë nuk kanë bërë luftë ndërmjet veti dhe kurrë nuk do të bëjnë. Prej kohësh në shkencën politike dominon një konflikt i ashpër për këtë çështje: Prandaj, për këtë çështje gati gjithçka është polemizuese”.

Por e rëndësishme sipas Kley është të dihet se cilët faktorë janë përbërës të një shteti demokratik dhe cilat vende mund të quhen demokratike sipas përkufizimeve që i shtron në studimin e tij, që zbërthehen në mënyrë sintetizuese duke konstatuar se sa kundërthënëse e kundërshtuese, po aq edhe polemizues, del e dhëna nga përfundimet që mund të nxjerr praktika politike nga kjo teori. Gjithsesi për një palë vlen e thëna se “demokracitë e pjekura nuk bëjnë luftë ndërmjet veti”.

Shtjellimi i këtyre çështjeve është bërë për të provokuar (kuptohet për të mirë) mendjen e të gjithëve, sidomos të atyre që mendojnë ta ushtrojnë politikën si profesion, sepse siç ka thënë Kley: “Pa demokraci nuk do të ketë paqe, mirëqenie e drejtësi për të gjithë”. Çështjet e shtruara, autori i ilustron me shembuj konkret. Ta zëmë “në teorinë e paqes demokratike” është mbështetur politika e jashtme amerikane, sidomos periudha e viteve të para të presidencës së Bill Clinton-it. Ky vizion paksa më liberal e ka tërhequr vëmendjen e profesor Kley-it i cili mendon se strategjia e vjetër për pengimin e komunizmit ishte tejkaluar, dhe pikërisht këto vite ai i konsideron si strategji të politikës së jashtme të ShBA-ve, që kanë pasur suksese më të mëdha.

Por, autori nuk pretendon të vendos konture përkitazi me paqen demokratike. Temën në fjalë e konsideron vetëm si hyrje në këtë studim mjaftë të kompletuar, literaturë që ka munguar  edhe për evroperëndimoret, një libër që do të ishte i kuptueshëm për të gjithë?!

 Nëse prof. Kley konsideron se kjo çështje në Evropë nuk është studiuar sa duhet, çfarë mund të flasim për hapësirën shqiptare e cila pretendon të ndërtoj “paqen e vet demokratike”, qoftë brendapërbrenda faktorit shqiptar apo në raport me vendet përreth. Ishin këto arsye pse mendoj, se një shkëndijë, me interes mund të gjendet pikërisht te ky libër që po e analizojmë, e “kjo vepër e vogël”,  duhet të kuptohet para se gjithash si një ftesë për të menduar edhe ne për paqen demokratike.

Në temën “përkufizimet, përkatësisht përfundimet dhe definicionet”, autori ka shtjelluar versionin apodiktik i cili synon të ruaj paqen, ndërsa versioni probalistik nuk përjashton kategorikisht luftën në mes demokracive. Kurse, (sipas Kley), këto versione nuk kanë dallime esenciale pasi “demokracitë nuk janë të involvuara në luftë më pak se shtetet jo demokratike”.

Sipas autorit, janë dy definicione që do ta përkufizonin demokracinë në një vend: E para: Demokracia ekziston nëse mbahen zgjedhjet e përgjithshme, të lira dhe fer, të cilat krijojnë mundësinë e ndryshimit paqësor të pushtetit? Sipas definicionit të dytë demokracinë e përbëjnë edhe të drejtat themelore liberale, gjyqësori i pavarur, prona private në mjetet prodhuese, si dhe një rregullim më shumë i tregut të lirë etj. Përkufizime këto që shpjegojnë se ç’është paçja liberale dhe ajo demokratike. Kurse sipas përfundimit të mesëm  empirik mësojmë se: “Demokracitë nuk bëjnë luftë ndërmjet veti, por ato nuk janë më pak të involvuara në luftëra se sa shtetet jodemokratike”.

Në libër do të gjejmë analiza të shumta siç janë: shpjegimi demokratik, shpjegimi i ndarjes së pushteteve, shpjegimi kulturor, shpjegimi perceptues, shpjegimi realist, e tema të tjera të cilat janë trajtuar veç e veç duke shtjelluar njërën e duke përkufizuar tjetrën në mënyrë që lexuesi të jetë sa ma i qartë.

Nocionet për demokracinë e luftën si dhe raportet e tyre në mes shteteve e vendeve, sikur përcaktojnë tendencën për të dhënë një përkufizim më të përafërt për ndikimin kulturor edhe në paqe edhe në luftë. Bashkë me këto nocione ky libër më shumë se për këdo tjetër është i nevojshëm për kosovarët, ngase çështjet e shtruara në aspektin shkencorë janë aktuale për realitetin e atjeshëm që do të inicionte ide e mënyra për t’u njohure e pranuar nga fqinji i saj verior, sepse ka rrezik “nëse një demokraci nuk e percepton si demokratike një vend tjetër me të cilin ka rënë në konflikt atëherë nuk aktivizohet procesi i krijimit të besimit të ndërsjellët e kështu konflikti mund të shkallëzohet drejt luftës”.

Profesor Kley i ka shtjelluar mirë edhe katër faktorët që përbëjnë paqen demokratike: shpjegimi demokratik, i ndarjes së pushteteve, kulturor dhe ai perceptues. Në kuadër të këtyre shpjegimeve lexuesi i vëmendshëm do të gjej shpjegim që ka të bëjë me raportin e dy blloqeve “Lindje – Perëndim”, kurse evroperëndimorët paskan arritur ta bëjnë paqen demokratike më mirë se sa shtetet e lindjes, më shumë nga frika e ndikimit rus, se sa që paska qenë ky proces në evulim e sipër. Shikuar nga ky prizëm, frika e kosovarëve nga ndikimi rus edhe në Kosovë duhet ti shtyjë ata që të mendojnë pak më shumë për paqen demokratike, për rregullimin shtetëror, për zgjedhjet e lira, për shtypin e lirë, dhe mbi të gjitha edhe ata, pa hezitim duhet ta  mbështesin politikën amerikane, (ashtu siç vepruan shtetet e Evropës Perëndimore menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore), ngase ndikimit amerikan, jo vetëm në planin ekonomik por edhe në atë politik është i pashmangshëm. Edhe në këtë aspekt, autori është i vetëdijshëm se “të gjitha shpjegimet reflektojnë të jenë të mangëta”, prandaj është marrë me shpjegimin e prapavijave të tyre si dhe për faktorët relevant që kanë ndikuar në zhvillimin e paqes demokratike, siç theksuam, kryesisht në Evropën Perëndimore.

Këto vlerësime për paqen demokratike nuk janë interesante vetëm për shkencën, por, mund të jenë edhe për rëndësinë praktike që “ka të bëjë pa kurrfarë dyshimi me kthesa në politikën botërore të viteve 1989 deri në vitin 1991”, kur “modeli burokratik – socialist” kishte humbur ndikimin e tij.

“Për shumë autor teoria e paqes demokratike dhe përfundimet e saj nuk janë shkencë vërtetë objektive”, porse më shumë nënkuptohet si një mbështetje amerikane dhe përçues i interesave të saj, pasi teoria është zhvilluar kryesisht në ShBA, dhe pasi kjo temë dominohet kryesisht nga hulumtuesit amerikanë. “Teoria e paqes demokratike, me përfundimet dhe shpjegimet e saja, si të tilla nuk janë ideologjike. Ato janë ose të sakta ose të pasakta”, kështu vetëm mund të aludohet?! Prandaj, dilemat nxitin studiuesit që të merren më shumë me hulumtime në sferën e kësaj teorie, për të nxjerr përkufizime më të sakta, më të pranueshme për të gjithë. Gjithsesi paqja demokratike e ka një histori të krijimit dhe ndoshta është rezultat i një procesi mësimor, që ka dal kryesisht nga socializmi dhe mënyrat e integrimit në shoqëri të hapur dhe demokratike.

Në libër gjejmë mjaftë ide e shembuj konkret për zgjidhjen e problemeve politike, ekonomike, kulturore te të gjitha vendet që kanë dal nga kriza dhe luftëra të mëdha. Një ndër këta shembuj është plani Marshall i cili është treguar i suksesshëm për zhvillimin e Evropës Perëndimore, pas viteve të dyzeta, e që ka mundësuar zgjerimin e shoqërive të lira dhe demokratike në njërën anë, kurse në anën tjetër ka ndikuar në mënyrë vendimtare për forcimin e demokracive në vendet e Evropës Perëndimore.

Paqja demokratike në Evropën Perëndimore është “ndikuar nga Lufta e Ftohtë”. Mund të konsiderohet se kjo paqe është zhvilluar nënë trysnin e saj por nuk mund të pranohet si shkaktare kryesore. “Paqja ndër demokracitë e Evropës Perëndimore pas LDB është nxitur nga dy fuqi eksterne”. ShBA-të si integrues pozitiv, kurse Bashkimi Sovjetik si integrues negativ, duke ndikuar për një unitet evropian, në aspektin  politik dhe ekonomik.

Kley paqen demokratike e paraqet si një koncept të përgjithshëm, të ndërvarur nga faktorë të ndryshëm historik e politik që mund të ndodhin rrallë në historinë e shteteve dhe vendeve në krijim. Thelbin e kësaj paqeje të veçantë historike e ka lokalizuar në Evropën Perëndimore duke marrë në shqyrtim periudhën pas Luftës së Dytë Botërore.

Tash në dhjetëvjetëshin e fundit grupi i vendeve demokratike është bërë heterogjen. Prandaj, siç “na mëson  historia deri më tash nuk ka pasur asnjëherë një pikë arkimedike – një ligjëri, një sistem principesh dhe rregullash, një rend prej raportesh njerëzore që ka mundur të sigurojë përherë qëndrueshmëri, siguri, drejtësi dhe paqe” të përhershme.

Paqja demokratike në një vend do të funksionoj vetëm nëse demokracia është formë e qëndrueshme e sundimit politik. Këtë konstatim të profesor Kley e dëshmon edhe studimi i Donalte Kagan në librin e tij mbi burrështetasin grek Perikles, ku ka emëruar tre faktorë për një demokraci të qëndrueshme: 1. Funksionimi i institucioneve demokratike; 2. Qytetarët duhet ti kuptojnë parimet demokratike; 3. Vendi duhet të ketë udhëheqës të aftë e vërtetë demokratik.

Ndonëse fuqia e gjykimit politik ka shumë fytyra, libri i prof Kley, vjen në gjuhën shqipe falë përkthimit profesional të Zef Ahmetit, tamam si një epitaf i mirë, që mund t’u hyj në shërbim  udhëheqësve tanë, nëse dëshirojnë të bëhen të aftë dhe të ndërtojnë Kosovën demokratike, me një paqe të qëndrueshme që do të reflektonte stabilitet edhe për vendet e rajonit.

 

 

SHËNIME PËR PËRKTHYESIN:

*Zef Ahmeti ka qene student i profesorit Kley në Universitetin e qytetit St. Gallen në Zvicër, ku i ka ndjek ligjëratat në fushën e shkencave politike - marrëdhëniet e jashtme ndërkombëtare. Te i njëjti ka pas punimin seminarik me temën "Pavarësia e Kosovës- arsyetimet pro dhe kundër".

Zef Ahmeti, është marrë edhe vet me shkrime shkencore në fushën e shkencave politike. Ka në dorëshkrim librin "Liria dhe Demokraci - raport i ndërsjellë", i gatshëm të botohet. Vlen të theksohet se Zef Ahmeti ka përkthyer edhe librin me poezi të Phil Bosmans "Lulet e fatit duhet t`i mbjellësh vet”, botoi, “Shpresa”, Prishtinë 2002, si dhe librin e poetit zviceran Kurt Marti "Fjalim mortor", botim i Institutit Shqiptar – (Albanisches Institut), St. Gallen 2006.

Përveç këtyre librave Zefi ka përkthyer edhe punime të tjera me karakter shkencor që janë publikuar në organe shkencore periodike.

Libri i R. Kley është libri i katërt me radhë që ka bërë “Albanisches Institut” që nga themelimi i tij para pesë vjetësh.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora