E diele, 28.04.2024, 08:01 PM (GMT+1)

Mendime

Migjen Kelmendi: Kosova u ba. Tashti duhet me i ba kosovaret

E enjte, 28.02.2008, 04:15 PM


KOSOVA U BA. TASHTI DUHET ME I BA KOSOVARET

Nga Migjen Kelmendi 

Në ato momente gëzimi e euforie shkaktue njaj ngjarje historike – Pamvarësimit të Kosovës – me 17 Fror, tue i ndjek momentet emocionante në Kuvendin e Kosovës kur lexohet Deklarata e Pamvarësisë dhe shpallet Flamuri i Kosovës, e para gja që më shkoi në mend, njashtu heshtun, ishte Faik Konica.

Asobote, Konica, i gëzuem se Shqipnia arriti me e shpall pamvarësinë dhe me u ba shtet, konstatoi:

“Shqipnia u ba. Tashti duhet me i ba Shqiptarët”.

Njisoj isha i kapluem kësaj ndjesie, kur i shifsha kuvendarët çue n’kambë n’Kuvend, tuj aplaudue momentin historik.

Njimend, Kosova u ba, mendova. Por tashti duhet me i ba Kosovarët.

Asht frapante kjo parabolë që lidh dy momente historike për shqiptarët në Ballkan.  Lindjen e dy shteteve në fillimet e dy shekujve dhe ballafaqimi me dy sfidat e mëdha të dy shekujve:  formimin e Shtetit Komb në fillim të shekullit XX, dhe formimin e Shtetit Shumkombësh në fillim të shekullit XXI.

Po kush ishin ata njerëz n’Vlorën e fillimi të shekullit që po gëzoheshin?   A nuk ishin Shqiptarë? Pse Konica ishte i bindun se Shqiptarët  henez duhet me i ba?

Dhe, kush ishin këta njerëz që po aplaudonin  n’Kuvend, n’Prishtinë, në fillim të shekullit XXI, shpalljen e pamvarësisë së Kosovës? A nuk ishin Kosovarë?  Kush janë Kosovarët?

Pse jam i bindun posi Konica me Shqiptarët, se Kosovarët henez duhet me i ba?

Shqipnia, që lindi nga proceset e shkatërrimit të perandorive të mëdha të kohës si Perandoria Otomane dhe ajo Habsburgiane, ishte e popullueme me njerëz që modelet e identifikimit parësor nuk i gjeneronin nga etnia e përkatësia kombëtare. Ata së pari ishin muslimanë, katolikë, ortodokosë, beglerë, ushtarakë, shtetas turk, turqisht-folës, greqisht-folës, dhe vetëm diku në fund, shqiptarë. Që këtej  ai konstatim i Konicës: Shqipnia u ba. Tashti duhet me i ba Shqiptarët. Me i ba koshientë për Kombin, për Kombin si përkatësi parësore identifikimi. Me i ba shqiptarët etnocentrikë. Koshientë për etninë si esencën e atij identiteti shqiptar që duhej krijue. Etnia si lidhja ma e fuqishme organike e asaj që ka me u quejt “Shqiptar”. Për Gjuhën Shqipe që ishte i vetmi argument i tyne se janë Shqiptarë. Klithma e Konicës ishte se ne ma s’pari jemi shqiptarë dhe vetëm mandej muslimanë, katolikë, turqisht-folës, e gjithçka tjetër. Që këtej ajo klithma e Vaso Pashës…Feja e shqiptarit asht shqiptaria…Shqipnia u ba. Tashti duhet me e ba Shqiptarin. Me e ba prej vjershave si të Naimit, prej epeve si ato të Fishtës, prej idealizimit të Gjuhës së Bukur Shqipe dhe peisazhit shqiptar, prej pragmatizmit si ai i Mbretiti Zog….

Shqipnia u ba. Dhe dikur u banë edhe Shqiptarët.   Dhe poenta  kryesore,  që kam frikë se diku na humbi rrugës, ishte se – Kombi po u bajka! Po u konstruktojka! Po u inventojka!

Mirëpo, le të shkëputemi nga fillimi i shekullit XX dhe të vijmë sot, në fillim të shekullit XXI.

Kush ishin këta njerëz që po aplaudonin  n’Kuvend, n’Prishtinë, në fillim të shekullit XXI, shpalljen e pamvarësisë së Kosovës? A nuk ishin Kosovarë?  Kush janë Kosovarët? Pse Kosovarët henez duhet me i ba?

Sfida kryesore e shekullit XXI, nuk asht Shteti-Komb, por Shteti Shumkombësh apo si u ba i njoftun në Kosovë me ardhjen e ndërkombëtarëve, Shteti Multietnik, i ndërtuem mbi Vlerat si respekti për të drejtat njerëzore, multietnia, multikulturaliteti, barazia gjinore, liria, demokracia, shteti ligjor…Në letrën e tij presidenti i SHBA Bush përshëndeti shtetin e ri Kosova, të cilin e cilësoi si - Shtet Multietnik.

Në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës asht edhe fjalia:

“Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtjes së barabartë sipas ligjit….”

Kosova u ba. Tashti duhet me i ba Kosovarët.

Po kush na qenkan Kosovarët?

Gjegja ma e shpejtë dhe me e lehtë asht – shtetasit e këtij shteti të sapolindun. Por gjegja e zorshme asht ajo që flet për partikularitetet kulturore e identitare të këtyne shtetasve të këtij shteti të ri.

Nuk po due me u zgjatë, se po m’duket se po përsëritem. Po sjelli në vazhdim nji kontribut temin nga sympoziumi “Identiteti Europian i Kosovës”, si nji gjegje e mundshme se - Kush janë Kosovarët?

Une deshta vetëm me e ba nji parabolë mes dy shejave kohore kruciale për shqiptarët, kur ata nuk ishin vetëm gëzue, po edhe hutue. Njihere me Shqiptarin, e mandej me Kosovarin!

 A asht fjala “KOSOVAR” fjalë tjetër për fjalën “EUROPIAN”

PËR NJI EUROPË VLERASH

Kur e artikuluem pyetjen dhe i krijuem hapsinë brenda numrit të parë të nji produkti të ri medial asokohe n’Kosovë – Gazeta JAVA (ishte 1 Dhetori i vitit 2001), ne në redaksinë e gazetës “Java” ishim plotësisht koshientë se po e hapnim debatin për nji temë tabu dhe asnjihere të folun e të debatueme n’Kosovë, dhe përgjithësisht në shoqninë shqiptare – mundësinë e paraqitjes së moduseve supra-etnike t’identifikimit n’Kosovën post-NATO.

I kishim shtu gazetës nji suplement të tanë, ku për 20 numra me radhë u zhvillue nji debat me diku 30 kontribute rreth pyetjes artikulue:

KUSH ASHT KOSOVARI?

Në frontespic kishim shtue:

Kosova s’asht Hinterland. Tokë e Askujt. Kosova i ka kufijtë e saj. Kosova s’asht pa njerëz, Kosova i ka njerëzit e saj. Dhe, ata s’janë vetëm shqiptarë. Kosova s’asht pa histori, Kosova e ka historinë e saj. Kosova s’asht pa kryeqytet, Kosova e ka kryeqytetin e saj. Kosova s’asht pa idenë e shtetësisë dhe Kosova asht tue e ndërtue shtetin e saj. Por, kush janë shtetasit e kësaj Kosove? Kush asht “Kosovari”? A egziston “Identiteti Kosovar”?  N’edicionin ma të ri e t’pasunuem me fjalë të reja të fjalorit t’Oxfordit u shtue nji fjalë e re: “kosovar”. Po a ia kemi shtue na fjalën “kosovar” fjalorëve tanë?

Ky debat, që kryesisht u zhvillue mbrenda periudhës kohore 2001-2002, dhe tek-tuk edhe nëpër numrat tjerë të gazetës deri në vitin 2005, po këte vit, n’Dhetor 2005, u përmbledh edhe në formën e librit, n’Shqip e n’Anglisht, me po të njajtin titull – “Kush Asht Kosovari?”[1]

Debati për tanë këte kohë, deri në këte sympozium organizue “Forumi 2015” (Qershor 2007), mbeti i ndryem mbrenda numrave të kësaj gazete dhe mbrenda këtij libri. Mediat tjera, as të shkrueme e as elektronike, nuk guxonin ose nuk donin me i krijue hapsinë nji debati të këtillë. Debati për “kosovarin” mbeti “etiketë”, kryesisht negative, e këtij produkti medial, “Java”, i cili bashkë me debatin tjetër që i kushtonte nevojës së rishikimit të Standardit Gjuhësor të vitit 1972, si dhe debateve rreth famurit, identitetit vizuel t’Kosovës si dhe islamit latent të shumicës kosovare, u perceptue si provokimi dhe sfida ma e madhe që i asht ba “kulturës shqiptare” deri sot.

Nga ana tjetër, ashtu si spjegonim përgjithësisht, por edhe n’editorialin e parë të gazetës “Java”, me 1 Dhetor 2001, që titullohej  “NDRYSHE”[2],  lansimin e këtij debati e kuptonim si nji përpjekje me u bashkue n’reflektim e n’analizë me debatin që po nxinte vend n’qendrat kulturore europiane, qyshmoti, mbi Identitetin Europian. Eksplorimi dhe debatimi i identitetit që kushtimisht e quenim “Kosovar”, për ne kishte kuptimin e përpjekjeve shtesë me e hulumtue dhe eksplorue ate që quhet ‘Identitet Europian’. Për ne në “Java”, fjala “Kosovar” ishte vetëm fjalë tjetër për “Europian”, sepse që të dy konceptet nuk gjeneroheshin etnikisht dhe kjo për ne kishte shumë kuptim. Ishin koncepte që duhej me i veshë e me ju dhanë kuptim.

TEBDILI I NACIONALIZMIT SHQIPTAR

Nëse ka diçka që i ka determinue konfliktet në ish Jugosllavi ishte etnia e kombi kuptue si fatalitete. Esencializimi i “Kombit’, “Etnisë”, idealizimi i Shtetit Kombtar dhe gadishmënia me i flijue gjithçka ktyne në të vërtetë “kimerave”, i jepte domethanie dhe iluminim ma shumë nevojës së debatimit t’identiteteve supra-etnike. Të debatimit të”kosovarit” (lexo: “europianit”).

Vukovari, Sarajeva, Bllace[3]…s’janë asgja tjetër pos ekstrapolimi i këtij keqkuptimi ballkanik për Kombin, Shtetin, Etninë, Tokën e Gjakun.

Derisa keqkuptimi i Serbisë së Milosevic’it ishte nji ekstrapolim i gërditshëm e brutal, i lamë n’gjak e n’eshtna, keqkuptimi i shqiptarëve të Kosovës e përjetoi edhe nji episod trivial: në hollin e Palamentit të Kosovës, si nji institucion i përkohshëm si e quenin, kryetari i asokohshëm i Parlamentit, zoti Nexhat Daci, kishte porositë dhe lejue nji mural që ishte replikë e nji pikture autorësh nga Shqipnia, që i kushtohej mitit për Skenderbeun[4]. Ky mural lidhet me gazetën “Java”, sepse me shkrimin, komentin dhe foton që “Java” botoi, u krijue opinioni i nevojshëm që të intervenohej dhe u kërkue nga Parlamenti i Kosovës të mbulohej ai mural. Arsyetimi: Parlamenti nuk asht parlament i shqiptarëve, por Parlament i qytetarëve të Kosovës.

Edhe sot e kësaj dite, ai mural qëndron tebdilue, si nji metaforë e përkryeme e keqkuptimit nacionalist për Kosovën si shtet-komb. Murali vazhdon me mbet mbulue me nji perde, mbi të cilën ende s’ka asnji imazh vizatue e gdhendë. Nocioni “Kosovar” njisoj si nocioni “Europian”, ende asht paemanue, pakonstruktue. Mbi ate tebdil parlamenti asht vetëm nji përpjekje për ‘me shkrue’ e ‘me vizatue’ derisot: Gazeta JAVA.

“AMERIKA” asht prova se andrra supranacionale europiane s’asht naj nonsens e as naj ideal që s’un rroket

Titulli i sympoziumit “Identiteti Europian i Kosovës” për mue asht i sforcuem, dhe buron nga po i njajti keqkuptim që e ka përcjell gjatë gjithë kohës gazetën JAVA dhe debatin rreth modeleve supra-etnike t’identifikimit: keqkuptimi i konceptit “Europa” dhe  paragjykimi dhe keqkuptimi i projektit politik ”Europa”. Me këte emnim, kihet përshtypja se “Identiteti Europian” asht diçka e definueme, e saktë, e matshme dhe e rrokshme. Kam frikë se kjo ka burimin te po ai simplifikim që konceptin ‘Europa’  e definon dhe redukton si koncept gjeografik, që gjenerohet nga autoktonia e popujve në këto hapsina, që gjenerohet nga tradita e krishtenë e popujve dhe kombeve që përbajnë Europën, që besojnë në natyrën intrinsike të ‘Europës’.

“Europa” dhe “Identiteti Europian” asht diçka që duhet me u emanue, ose ma mirë me thanë me u konstruktue e inventue nga përjekjet e përbashkëta me e thjeshtu jetën dhe me e alternu Shtetin-Komb. Dhe nji model tashma e kemi, plot 200 vjet: AMERIKËN. Si e tha Bernard-Henry Lévy, “Amerika” asht prova dhe argumenti i matshëm e i prekshëm se andrra supranacionale europiane s’asht naj nonsens e as naj ideal që s’un rroket.[5]

Po çka qenka “Europa”? Nuk gjej definim ma të saktë e ma kuptimplotë për “Europën” sesa ai i përfshimë në preambulën e Kushtetutës së pafatë europiane (që nuk u votue n’Francë e n’Holandë): - “Europa asht komunitet i vlerave”.

Më lejoni me i kujtue vetëm disa:

-          respekti për dinjitetin njerëzor;

-          liria;

-          demokracia;

-          barazia;

-          solidariteti dhe barazia mes femnës dhe mashkullit;

-          sundimi i ligjit;

-          respektimi i të drejtave njerëzore;

-          toleranca;

-          diversiteti;

-          etj.

 Nëse Kosova ka me gjetë forcë me i interiorizue e me i ba të vetat këto vlera, atëhere debati për ‘Identitetin Europian të Kosovës’ asht i panevojshëm.

“Kosovar” mbetet fjalë tjetër për “Europian”.

--------------------------------------------------------------------------------

[1] Libri “Kush Asht Kosovari?” asht botim i “JMP” (Java Mulimedia Production). Libri i përkthyem n’Anglisht ka përjetue edhe edicionin e dytë të tij.

 [2] Sot fjala “Ndryshe” asht nji nga fjalët ma të shpeshta në jetën publike shqiptare. Deri te JAVA, fjala ‘ndryshe’, ishte nji fjalë kolokuiale, vulgare, nji fjalë gegnisht, ptuuuu.  Mbas JAVES dhe editorialit të saj të parë, sot në hapsinën shqiptare ka nji gazetë me titull “NDRYSHE”, suplementi i gazetës ma të madhe n’Shqipni “SHQIP” titullohet ‘Ndryshe”, L?vizja Qytetare p?r Demokraci dhe Mbrojtjen e t? Drejtave t? Njeriut n’Maqedoni quhet  “Ndryshe” …maca e kuca sot e kanë fjalën ma të përdorun mbas frazës stereotipe “për momentin”, madje edhe Jakup Krasniqi (PDK) ka nis me e përdorë fjalën “ndryshe” (sic!).

 [3] “Bllace” quhet katundi dhe nji fushë e madhe në kufinin mes Kosovës dhe Maqedonisë, ku forcat policore dhe ushtarake të shtetit të Serbisë deportuen krejt qytetin e Prishtinës, mbi 60000 banorë…(sulmet startuen me 23 Mars 1999, ndërsa deportimi nisi me 28/29 Mars). Deportimi i qytetit të Prishtinës zgjati 7 ditë, dhe qytetarët e kryeqytetit të Kosovës janë transportu me trena, me shlepera, me autobusa urbanë.

[4]  Shif  “Java” Nr. 91 (1 Prill 2004) dhe “Java” Nr. 95 (29 Prill 2004)

[5]  Bernard-Henry Lévy  –  “American Vertigo” (2007 Random House)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora