E hene, 29.04.2024, 12:03 AM (GMT+1)

Mendime

Getoar Mjeku: Arsimi dhe gjuha e njësuar në Kosovë, Thikë me dy tehe

E merkure, 27.02.2008, 06:25 PM


Arsimi dhe gjuha e njësuar në Kosovë
Thikë me dy tehe

Një gjuhë standarde më gjithëpërfshirëse, efikase dhe e përshtatshme ndaj kohës e përdoruesve siguron mundësi më të mëdha arsimimi. Pre e parimit regjicentrik dikur, shqipja sot duhet ta gëzojë lirinë e saj dhe të jetë e përafërt, e kapshme dhe e përdorshme për të gjithë.

Nga Getoar Mjeku

Mes ankesave të prindërve për një gjuhë të dalë dore që e flasin fëmijët e tyre dhe çmistimeve të skajshme për një “gjuhë” të re a version të ri të shqipes në Kosovë, gjuha shqipe qëndron mjerisht dhe ngec në zhvillimin e përdorimin e gjithëmbarshëm të një gjuhe të shkruar kombëtare. I mbarë diskursi zhvillohet mbi dy drejtëza: e para gjykon cilësinë e sistemit arsimor, ndërsa e dyta i rreket vetë gjuhës standarde – efikasitetit, gjithëpërfshirshmërisë, përdorshmërisë dhe përditësimit. Këto dy shpjegime janë relativisht të qarta e të arsyeshme, por plotësisht të lidhura një me tjetrën. Që shqipja të flitet e të shkruhet drejt, pastër dhe virtytshëm, këto dy drejtëza, që në të vërtetë janë shkaktare problemesh, kërkojnë trajtim, zgjidhje; kërkojnë të shlyhen.
Shumë prindër e dashamirë të gjuhës kritikojnë, deri diku me të drejtë, sistemin e dobët arsimor që nuk arrin t’i aftësojë nxënësit në Kosovë për përdorim të drejtë dhe të rrjedhshëm të gjuhës së tyre standarde. Mbase këta prindër shpejt rreken për pagat e ulëta të mësimdhënësve, madje edhe i qortojnë fëmijët për rebelizëm, por këto janë dy tema që do t’i diskutonim me plot përkushtim në ndonjë faqe tjetër të përditshmërisë sonë. Të mbesim tek relacioni arsim-gjuhë për çastin. Ankesat ndaj sistemit arsimor më kujtojnë sakaq nxënësit anglishtfolës në Irlandë që përpiqen ta mësojnë gjuhën e tyre kombëtare, irlandishten. Jo të gjithë arrijnë ta mësojnë këtë gjuhë goxha të vështirë, e shumë fajësojnë mësuesit për jokompetencë. Sidoqoftë, kur e mendon më mirë njeriu këtë punë sheh se paralelet mes Irlandës dhe Kosovës nuk mund të tërhiqen, të paktën në këtë çështje. Në Irlandë nxënësit po mësojnë një gjuhë krejtësisht tjetër nga anglishtja, gjuha e tyre e parë. Ndërkaq, në Kosovë është fjala për të nxënit e një shtrese tjetër të gjuhës së njëjtë, standardit mbi dialektin. Për më tepër, përderisa standardi qëndron mbi dialektin me përbuzje dhe armiqësor ndaj thesarit të tij, do të rritet zbrazëtia mes dy shtresave, e madje do të zvetënohet të arsimuarit e të rinjve. Në fund, mbesim te lidhshmëria e dy faktorëve në përpjesëtim të drejtë: niveli i arsimit dhe vetitë dalluese të gjuhës standarde. Një standard më gjithëpërfshirës, efikas dhe i përshtatshëm ndaj kohës e përdoruesve siguron mundësi më të mëdha arsimimi. Aq më pak, shtresat e arsimuara nuk mund të komunikojnë me lehtësi pa një gjuhë me vetitë e sipërcekura.
Gjuhëtarë, por edhe intelektualë të cilët kanë nevojë të përdorin një gjuhë të regjistrit të lartë, flasin shpesh për një gjuhë të njësuar të dështuar dhe kërkojnë reforma, me të drejtë në parim. Gjuha standarde shqipe e ndërtuar thuajse kryekëput rreth të folmes toske, është parë qartë se ishte rezultat i një politike gabimisht të orientuar të diktaturës komuniste në Shqipëri. Rregullat që u poqën pas Luftës së Dytë Botërore dhe u sanksionuan për të gjithë shqiptarët me Kongresin e Drejtshkrimit më 1972 janë një shembull i regjicentrizmit që mbizotëronte në atë kohë. Gjithçka do të duhej t’i përshtatej udhëheqësit autokratik të vendit, Enver Hoxhës, i cili sipas shembullit, po të ishte nga Shkodra, me gjasë do të shtynte drejt përpilimit të një standardi po kryekëput gegë.
Sot, për hir të demokracisë dhe sistemeve demokratike në dy vendet tona, është e udhës të krijohen kushte për diskutim të mirëfilltë akademik. Si rezultat, futja e elementeve gramatikore dhe thesarit të leksikut gegë është parë nga disa studiues e kritikë si e domosdoshme. Mirëpo, për këtë punë flitet dhe nuk bëhen asgjë. Për këtë arsye, duhet të bëhet shkrime si ky, nga ata që nuk janë gjuhëtarë të shkolluar. Mbase një ditë do të ishte e natyrshme që përdorues të gjuhës, botues librash e gazetash, pa miratimin e gjuhëtarëve kompetentë, të standardizojnë “gegizma” si paskajorja (me shkue, me punue etj.).
Përkrahësit e vendimeve të Kongresit të ’72-ës, na ofrojnë pak arsye shkencore për këto vendime. Një prej tyre mund të jetë, për shembull, eliminimi i zanoreve hundore (këto janë mënjanuar në masë edhe në të folmen e Prishtinës se shihen si veti rurale), megjithëse në standard vetëm u kopjua forma toske. Njëlloj u veprua edhe me pranimin e rotacizmit (kthe “n”-në në “r”), që u paraqit si deformim i natyrshëm në toskërishte sikurse zanoret hundore në gegërishte. Ku mbetën më pas rregullat për gjatësinë e zanoreve? Që edhe gegët edhe toskët ta kenë njësoj lehtë, të paktën një këshillë: Gjatësia e zanoreve të mbetet në përzgjedhjen e folësit. Një gegë nuk duhet ta imitojë një toskë. Dhënia e dritës së gjelbër dhe/ose ndalimi i elementeve gjuhësore u krye konform parimit regjicentrik. I pashpjegueshëm është edhe përjashtimi i paskajores, e cila nuk është e huaj për toskët. Vetë e kam hasur në të folmet e kufirit Gegëri-Toskëri; struganët shpesh thonë “me bamun”, “me shkumun” etj. Veçse paskajorja nuk u ndodh në të folmen personale të sundimtarit në kohën e Kongresit.
Prej shkrimeve të shumta të botuara rreth kësaj teme, arsyetohet themelimi i standardit të shqipes mbi toskërishten sipas shembujve për gjuhët letrare italiane, frënge, spanjolle e gjermane. Është e natyrshme që një gjuhë shqipe e njësuar të anonte pak nga njëri dialekt, sepse një ndarje matematikore është jashtë mundësive reale të një shkence shoqërore. Megjithatë, shembulli i shqipes së standardizuar nuk është i arsyetueshëm. Nëse italishtja e shkruar ishte testament i Alighierit, shqipja e shkruar mund të jetë testament i Pal Engjëllit e Gjon Buzukut. Mirëpo, të shkruarit gegë të këtyre autorëve nuk pati fatin të përvetësohet nga të gjithë shqiptarët dhe të kthehet në standard. (Gegërishtja sot ka humbur tiparet arkaike që i përdorte Buzuku, por disa të tilla ndodhen sot në toskërishte. Këtu na duhet të ecim pak prapa, jo për të folur si Bogdani, por për të gjetur forma të përbashkëta të dy dialekteve.) Të thuhet tani se për shkak të vjetërsisë gegërishtja e sotme duhet të jetë standardi për shqiptarët është gabim; edhe toskërishtja u shkrua po aq herët. Asnjëri nuk janë më me nam se tjetri. Gjatë periudhës së Rilindjes dhe para LIIB, toskërishtja pati zhvillim të hovshëm letrar, por u zhvillua edhe gegërishtja sidomos nga priftërinjtë shkodranë. Kur u mbajt Kongresi më 1972, asnjë e folme e shqipes nuk ishte e panjohur që standardi të mbetej një formë e të folurës brenda kufijve të RP të Shqipërisë. Për këto e arsye të tjera shqipja standarde do të duhej të ishte vërtet shqipe e njësuar, gërshetim i sinqertë i dy dialekteve. Ishin tek e mbramja dy dialekte, e jo më shumë si në rastin e italishtes, frëngjishtes e të tjera gjuhëve.
Është e pakuptueshme, plotësisht e paarsyeshme dhe e padobishme në shkallë kombëtare, nëse gjuhëtarët tanë vazhdojnë të këmbëngulin që shqipja të mbetet aty ku është dhe të mos ecë me kohën. Kështu, gjuhën standarde shqipe e marrim dhe e kthejmë nga një gjuhë të natyrshme në një gjuhë të vdekur, sepse shqiptarët do të detyrohen të krijojnë vetë një gjuhë të re standarde, madje edhe dy e tri sosh, sipas disa pretendimeve. Në qofshin të paktë në numër, janë të zëshëm e me ndikim disa që na thonë, “folni qysh t’munni”. Idetë e tilla dil-në-qytet-lakuriq nuk i kontribuojnë një diskursi të vërtetë intelektual, mirëpo nuk mund t’iu shmangemi për hir të një paraqitje më të denjë të dy çështjeve të prekura më lart. Nëse veprohen në këto dy aspekte, ngritje të cilësisë së arsimit dhe gjithëpërfshirshmërisë e përdorshmërisë së gjuhës, kjo ide radikale, që e përmendëm së fundi, do ta humbte fuqinë joshëse ndaj folësve të shqipes në Kosovë.
Nëse ekziston bindja se në Kosovë mund të ndërtohet një standard i ri për gjuhën – bazuar në një të folme gjithëpërfshirëse kosovare, me gjasë sipas asaj të kryeqytetit – duhet të ekzistojë edhe gatishmëria për t’i përballuar një drejtshkrimi të koklavitur dhe djersëve që kërkon nxënia e tij. Standardi i sotëm i shqipes, me gjithë defektet, është më i lehtë. Reforma gjuhësore do t’i likuidonte ndasitë mes të folmes gege të Prishtinës dhe gjuhës standarde. Përafrimi i këtyre dyjave do të ofronte mundësi më të mëdha për arsimim efikas, ndërsa cilësia e ngritur e arsimit përmes hapave të tjerë, do të kontribuonte për një përdorim më të saktë të gjuhës. Shoqëria shqiptare nuk duhet t’i ngjasojë Romës së Vjetër ku flitej latinishtja e klasës së lartë dhe ajo vulgare. Shqipja duhet të jetë e përafërt për të gjithë. Vendet tona respektojnë barazinë e pjesëtarëve të shoqërisë, dhe për të gjithë synojmë nivel të lartë arsimor. Fundja, njëri gjithmonë do të jetë më i shkolluar se tjetri dhe gjuha e të shkolluarit do të jetë më e lartë se e këtij të dytit, mirëpo komunikimi do të jetë njëlloj i lehtë për të dy. Gjuha shqipe është një, e pasur, e veçantë, e bukur, konkurruese me gjuhët e zhvilluara madje mahnitëse për folësit e tyre.

(Fjalët gege të përdorura në këtë shkrim e që nuk janë pjesë e “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” janë të qëllimshme dhe të pashmangshme për një komunikim më depërtues.)
(Autori është student me lëvdata kombëtare në Texas Lutheran University, ShBA.)
Prishtinë, 28 dhjetor 2007



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora