Mendime
Mujë Buçpapaj: Kosova e pavarur dhe roli i SHBA
E hene, 25.02.2008, 06:10 PM
Kosova e pavarur dhe roli i SHBA
Mujë Buçpapaj - RD
Presidenti G. W. Bush e mbajti fjalën e dhënë për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Prej disa shekujsh, liria dhe Amerika kanë udhëtuar së bashku në zemrat e kombeve të shtypura, duke mbajtur gjithmonë një rreze shprese për miliona qytetarë të botës. Kështu ka ndodhur edhe me shqiptarët në Ballkan, edhe me shqiptarët e Kosovës. Në qoftë se po shohim një mbështetje gati planetare për pavarësinë e shtetit më të ri të Europës, nuk do pyetje se pas saj ka një fuqi që e çon atë përpara dhe kjo është SHBA dhe Presidenti Bush. Amerika është krijuar nga besimi në liri. Ajo ka nxitur kombet për të shkuar tek liria, duke u qëndruar gjithmonë besnike premtimeve të saj. Amerika, në tërë historinë e vet, nuk i ka braktisur miqtë dhe këtë e provon edhe premtimi i dhënë Kosovës. Amerika ka një histori të pagabuar ndaj lirisë dhe një fuqi ndikimi në botë. Qysh më 1630, Xhon Uinthrop, një nga prijësit e parë shpirtërorë të puritanëve, dha një predikim për të gjithë pasuesit e tij, ku u bëri thirrje të krijonin një "qytet mbi kodër", teksa po përgatiteshin për t'u vendosur në Masaçusets. Një nga frymëzuesit e Presidentit G.W. Bush, Presidenti amerikan Regan, gati tre shekuj e gjysmë më vonë, do t'i kthehej këtij krahasimi, duke e përshkruar Amerikën si "qytetin që shndrit mbi kodër", për të përshkruar kështu përkushtimin e SHBA-ve ndaj lirisë dhe demokracisë. Siç shkruan Robert Leiber, "ndër shekuj, mendimtarët dhe presidentët amerikanë jo vetëm e kanë parë lirinë dhe demokracinë si shembull për popujt e tjerë, por edhe kanë nxitur dhe mbështetur ata që vuajnë nga shtypja dhe kërkojnë të çlirohen". Ky ka qenë një premtim i lirisë për të gjithë popujt e shtypur, bile edhe për shqiptarët e Kosovës që vuajtën gati një shekull nën pushtimin e egër serb. Më 10 qershor 2007, gjatë një vizite në Tiranë, Presidenti George W.Bush ritheksoi edhe një herë vendosmërinë e SHBA-ve për të njohur Pavarësinë e Kosovës. Pavarësisht padurimit të shqiptarëve për të patur një rezultat final, ai bëri të ditur se do të duheshin edhe 120 ditë bisedime shtesë. Por kjo pritje nuk do të ishte e pafund. SHBA-ve nuk do t'u mungonte guximi për të marrë një vendim për të ardhmen e Kosovës. Presidenti Bush bëri të qartë gjatë një konference shtypi me kryeministrin Berisha në Tiranë se, "nëse pas një farë kohe nuk arrihet në asnjë përfundim, më mirë shpejt se vonë duhet thënë: Mjaft më! Kosova është e pavarur. Ky është qëndrimi që mbajmë".
2.
Presidenti Bush, qysh në fjalimin e tij të inaugurimit, kishte deklaruar se "vetë politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është kërkimi dhe mbështetja e rritjes së lëvizjeve dhe institucioneve demokratike në çdo vend dhe kulturë, duke patur si synim të mëtejshëm dhënien fund të tiranisë në botën tonë". Ka një lidhje të fuqishme mes ëndrrës së popujve për të qenë të lirë dhe të pavarur, dhe inkurajimit amerikan të lirisë dhe demokracisë në mbarë botën, sidomos ndaj kombeve miq, siç i konsideron Amerika edhe shqiptarët. Presidenti Bush e ka bërë të qartë qysh në fillim të mandatit të tij "...se do të mbrojmë veten dhe miqtë tanë, përmes forcës së armëve, sa herë që të jetë e nevojshme. ...Amerika nuk do t'u imponojë të pavullnetshmëve stilin e vet të qeverisjes. ...Përkundrazi, synimi ynë është të ndihmojmë të tjerët të gjejnë vetveten, të fitojnë lirinë dhe të ecin në rrugën e zgjedhur". Besimi i Amerikës në liri është shpirti i këtij kombi të madh, i cili ka ndërtuar filozofinë e lirisë për çdo administratë. Ndërkohë që sot ka edhe nga ata që dyshojnë tek kjo bindje, Kosova e pavarur e provon bindjen e Amerikës tek liria si dhe ndjenjën e sakrificës së Amerikës për miqtë, si dhe ndarjen me ta të fryteve të lirisë. Kjo është një filozofi e qëndrueshme e lirisë, që buron nga vuajtje të mëdha dhe sakrifica të kombit amerikan ndaj miqve dhe aleatëve. Ne do t'i mbrojmë aleatët dhe interesat tona, - thotë Bush. Për shembull, në janar të vitit 1961, Presidenti Xhon F. Kenedi kishte deklaruar: "Le ta mësojë çdo komb, dashamir apo dashakeq i yni, se do të paguajmë çdo lloj çmimi, se do të përballojmë çdo lloj barre, se do të kapërcejmë çdo lloj vështirësie, se do të mbështesim çdo mik, se do t'i kundërvihemi çdo armiku, me qëllim që të garantojmë mbijetesën dhe ngadhnjimin e lirisë". Njëzetë vjet më vonë, në janar të vitit 1981, Ronald Regani e përshkroi Amerikën si "shembull të lirisë dhe fanar të shpresës për ata që tani nuk gëzojnë liri". Bill Klinton, në fjalimin me rastin e betimit, më 1993, shpalli se "shpresat tona, zemrat tona, duart tona janë në çdo kontinent, me këdo që është duke ndërtuar demokracinë dhe lirinë. Kauza e tyre është kauza e Amerikës". Secili nga këta presidentë, përfshirë edhe Presidentin Bush, e ka parë lirinë si të drejtë të falur nga Zoti, ide kjo që e ka zanafillën te krijimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj, Presidenti Bush ka theksuar se "mbijetesa e lirisë në SHBA varet gjithnjë e më shumë nga ngadhnjimi i lirisë në vende të tjera. Shpresa më e mirë për paqe në këtë botë është shtrirja e lirisë në mbarë botën". Në të vërtetë, fjalët e Presidentit Bush u bëjnë jehonë atyre të Udrou Uillsonit, Xhon Kenedit, Frenklin Ruzvelt dhe Ronald Regan, të cilët përballuan dy luftërat Botërore dhe Luftën e Ftohtë.
3.
Tani që shohim përkushtimin e fortë të SHBA-ve për Pavarësinë dhe pastaj njohjen e shtetit të Kosovës, duke të kuptojmë se ky shërbim ndaj lirisë së një kombi të vogël, siç janë shqiptarët, ka rrenjë të thella në historinë e Amerikës. SHBA-të "kanë luajtur rol të domosdoshëm në nxitjen ose në ndihmesën e të tjerëve, që të çlirohen, të krijojnë ose të konsolidojnë institucionet e lira dhe shtetin ligjor". Këtu futen vende që u përkasin shumë rajoneve, duke përfshirë, mes të tjerave, Gjermaninë, Japoninë, Italinë, Korenë e Jugut, Filipinet, pjesë të Azisë dhe të Afrikës, pjesën më të madhe të Evropës Lindore, një pjesë të mirë të Amerikës Latine dhe tani Afganistanin dhe Irakun. Në fillim të viteve 1970 kanë qenë rreth 40 demokraci në të gjithë botën, por falë mbështetjes së SHBA-ve, shumë shpejt, lindën demokraci të reja në Amerikën Latine, ndërsa institucionet e pavarura u përhapën kudo, në Kore, Tajvan dhe Azinë Lindore. Në vitet 1989-1990, regjimet komuniste ranë njëri pas tjetërit përgjatë Europës Qendrore dhe Lindore, duke çliruar energjitë e popujve të robëruar për rreth 50 vjet nga ushtria e kuqe. Lufta e Ftohtë kishte përfunduar me fitoren e SHBA-ve. Dhjetra kombe u bënë të lira për të zgjedhur të ardhmen e tyre. Falë kontributit dhe përkushtimit të SHBA në fund të shekullit të XX, bota kishte rreth 120 demokraci. Siç thotë Presidenti Bush, "nuk është rastësi që lindja e kaq shumë demokracive ndodhi në një kohë kur kombi më me ndikim në botë ishte vetë demokraci". SHBA-të u angazhuan në veprime ushtarake dhe morale në Europë dhe në Azi, çfarë i mbrojti kombet e lira nga agresioni dhe krijoi kushte për lindjen e demokracive të reja. Falë përkushtimit solid të Amerikës dhe aleatëve të saj, sot Gjermania dhe Japonia janë vende demokratike dhe nuk përbëjnë më rrezik për botën. Gara globale me Bashkimin Sovjetik përfundoi paqësisht si dhe vetë shpërbërja e kësaj superfuqie. Diktatorë gjakatarë si Millosheviç dhe Sadam Hysein nuk jetojnë më. Amerika ka sjellë një shembull të madh për njerëzimin, së pari, se "për lirinë ia vlen të luftosh, të vdesësh dhe të qëndrosh, kurse përparimi i lirisë sjell paqe". Amerika ka frymëzuar kudo popujt e shtypur, të cilët njihnin një vend të ndritshëm që nuk do t'i harronte, siç nuk i harroi as shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në Ballkan. SHBA-të merren me çështjen shqiptare intensivisht, të paktën që nga viti 1986. Në fillim të viteve '90, kur edhe filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë, ish-Presidenti Bush paralajmëroi vijën e kuqe në Kosovë, vijë e cila nuk do të duhej të kalohej nga serbët. Në mars 1999, ish-Presidenti Bill Klinton urdhëroi forcat e NATO-s për të filluar sulmin nga ajri kundër ushtrisë pushtuese të Millosheviçit. Luftë që përfundoi më 12 qershor 1999 me çlirimin e Kosovës. Gjatë nëntë vjetëve të tranzicionit të administratës ndërkombëtare në Kosovë, SHBA-të udhëhoqën përgatitjen e vendit për pavarësi. SHBA-të ishin engjëlli mbrojtës i shqiptarëve të Kosovës, por edhe i shqiptarëve të rajonit. Presidenti Bush përshëndeti menjëherë aktin e shpalljes së Pavarësisë nga Parlamenti i Kosovës më 17 shkurt 2008. SHBA-të qenë shteti i parë në botë që e njohu shtetin e ri të Kosovës, duke u afruar përkrahjen e tyre ndaj synimeve të Kosovës drejt lirisë, tolerancës dhe drejtësisë për të gjithë qytetarët e saj, parime këto të shpallura edhe në Deklaratën Kushtetuese. Sipas Presidentit Bush, "këto janë parime që nderojnë dinjitetin njerëzor, janë vlera që Amerika kërkon nga një mik dhe ne shpejt do të vendosim marrëdhënie të plota diplomatike me shtetin e ri të Kosovës". Siç u shpreh ai, "Pavarësia e Kosovës është një hap historik për rajonin e Ballkanit. Ajo përbën një mundësi për të ecur përtej konflikteve të së shkuarës dhe drejt një të ardhmeje në liri, stabilitet dhe paqe". I pyetur nga gazetarët për qëndrimin amerikan ndaj Kosovës, Presidenti Bush tha: "Pozicioni ynë ka qenë shumë i qartë gjatë gjithë kohës. Në takimin e G8 (qershor 2007, shënimi im) për shembull ose në Shqipëri, unë shpreha shumë qartë qëndrimin tim, kështu që nuk duhet t'i duket askujt si surprizë. "Pra, Kosova, sot, është e pavarur dhe Presidenti Bush dhe Amerika e mbajtën fjalën e dhënë shqiptarëve në Tiranë, më 10 qershor 2008".