E shtune, 27.04.2024, 09:34 PM (GMT+1)

Mendime

Enklid Milaj: Kur festa të mbarojë!

E premte, 29.02.2008, 06:40 PM


Kur festa të mbarojë!

Nga Enklid Milaj*

I dashur Gjysh,

E di që ti e di. "Mrekullia" u realizua. U kry! Tash, Kosova martire është "e lirë, demokratike dhe multietnike". Është feste e madhe. Festë me flamuj e me qeleshe të bardha. Festë mbarëshqiptare.

Është një "mrekulli" e vërtetë. Them se është "mrekulli" pasi një meritë të jashtëzakonshme ka pasur faktori i jashtëm.

Edhe pse askush nuk mund të mohojë luftën çlirimtare të UÇK-së e sakrificat për vetëvendosje e popullit patriot kosovar, Kosova arriti në këtë ditë të "mrekullueshme" falë sulmeve ajrore të bëra nga fuqitë e mëdha, të mbështetura nga "fanteria" jonë, dhe, më pas, falë asimilimit e përdorimit të gjuhës së tyre.

Por, tani festa mbaroi. E pas festës, fillon puna.

Për ne, shqiptarët, një luftë tjetër duhet të fillojë. Një betejë kulturore për çlirimin e kombit dhe individit shqiptar. Veçse kësaj here, sfida na përket ne.

Ti Gjysh shkruaje që "thesari më i çmuar i një shteti nuk përbëhet prej pasurisë së tokës e të nëntokës së tij dhe prej mundësive të zhvillimit ekonomik, por prej gjakut që qarkullon nëpër venat e tyre".

Është e vërtetë. Por është po aq e vërtetë që shqiptarët e sotëm vazhdojnë të sillen si një "popull anakronik në Evropën e sotme".

Trojet shqiptare e çliruara nga sllavizmi o nga komunizmi, dhunohen e shfrytëzohen nga vetë shqiptarët si me qenë "tokat e hasmit".

Po të vesh re sjelljet në të dyja anët e kufirit, gjen pa vështirësi mjaft njerëz që vendin e vet e konsiderojnë si "shtëpinë e tjetrit" e kur i jepet shansi e bastisin. Motoja e një pjese të njerëzve tanë është "Koha për të fituar". "Carpe diem" do të thoshin latinët.

Me pak fjalë, i dashur Gjysh, ekziston një sens i madh i mos përkatësisë kombëtare dhe i mëvetësimit i veshur me maska nacionaliste.

Formën e (mbi)jetesës mbarëshqiptare, sociologët e sotëm e përcaktojnë si "bashkësi rrjetesh shoqëror, të përhapur horizontalisht e të mbivendosur ".

Gjysh, e di që ky përkufizim duket tepër i komplikuar e shkencor, por, besomë, s'është gjë tjetër veçse anadollëku i mëparshëm i thënë me fjalë të tjera.

Kështu për shembull, sot, si më parë, kush ka pushtet mund mos të jetë në dijeni për atë që ndodh në bazë, por, pavarësisht nga kjo, pa i ndyrë duart, ka përfitime të drejtpërdrejta.

Si rrjedhim, gjen njerëz që nuk përfaqësojnë asnjë vlerë institucionale, por kanë shumë influencë ose njerëz që kanë juridikisht një pushtet të prekshëm e, faktikisht, janë kukulla.

Në trevat shqiptare, pak rëndësi ka se çfarë je i zoti të bësh. E rëndësishme është cili je ose më mirë, cili klan/njeri me pushtet të mbron.

Është për të qeshur e banale, por kur shqiptari i sotëm ndalohet nga polici i trafikut në kundravajtje, para se të japë patentën, me arrogancë, shpjegon kush është.

Ndërsa intriga, si gjithmonë, vazhdon të jetë sporti i preferueshëm për një pjesë jo të vogël shqiptarësh.

Gjysh, e di që do të me hiqje veshin për këto fjalë. E di! Kombi shqiptar nuk është i gjithi baltë, por, fatkeqësisht, ka akoma shumë turbullire.

Ka politikanë të pastër që mbështeten nga klane të caktuar cubash, ka sipërmarrës të ndershëm që mbështesin politikanë të korruptuar, kriminelë që mbrojnë njerëz të mirë e njerëz të mirë që i kërkojnë ndihmë kriminelëve.

Sot, shumica e shqiptarëve të mirë e të ndershëm punon krahas maskarenjve pa u përzier në punë të pista. Si rrjedhim, normat kanunore që rregullojnë raportet mes nesh janë disi të dyshimta e thuajse "paramafioze".

A është krim të abuzosh me të drejtat e tjetrit, për të mirën e familjes tendë? Të ushtrosh dhunë për një përfitim të përbashkët? Të mashtrosh për të mbrojtur njeriun tënd? Të mos denoncosh veprën penale të tjetrit, por ta përdorësh si formë presioni ndaj tij? Të zbatosh urdhrat e atyre që të mbrojnë?

Këtyre pyetjeve nuk i përgjigjet askush, ose më saktë, kriteri në bazë të së cilës i jepet përgjigje këtyre pyetjeve, sot, është ai i dëmit dhe i përfitimit vetjak.

Për mua, Gjysh, dëmin më të madh, dalëngadalë, po e pëson respekti ndaj vlerave që kanë karakterizuar etikën e "turmës shqiptare". Rezultati i këtij dëmi është deformimi i tyre.

E di që do të më përgjigjesh që: "Mëkati për këtë gjendje që u krijua, nuk është i turmës shqiptare, por i atyre që u takonte barra ta leronin këtë turmë, i udhëheqësve të saj të djeshëm e intelektuale e politikane që kanë punuar pak, shumë pak, për të njohur psikikën e shqiptarit, për të kuptuar prirjet e mbëhitë e saj e për t'u dhënë atyre drejtimin e duhur ".

"Për kombet e tjera, para se luftëtari t'i drejtojë shigjetën e fundme armikut që e mbante nën zgjedhë dhe politikani të përpiqet të sjellë bashkimin e brendshëm ose të bëjë politikanizimin, punoi historiani, filozofi, artisti, shkencëtari i cilësdo degë."

Ke të drejtë! Mëkëmbja e ndërgjegjes kombëtare vazhdon të jetë në pritje. Vullnetet e ndërgjegjet e reja që janë të domosdoshme për t'i dhënë jetë një kombi të pavarur jo vetëm politikisht, por edhe shpirtërisht, kanë akoma nevojë të trajtohen.

Por shqiptarët janë të lodhur me profetë të rremë e teorira boshe. Shumë, sidomos të rinjtë, preferojnë të largohen. Ata që ngelen janë të zhytur në këtë sistem që nuk e ndryshojnë dot.
Kemi nevojë për një revolucion kulturor!

Revolucioni kulturor i nisur nga Ibrahim Rugova e Anton Çeta për të transformuar një shoqëri me mentalitet pastoral e të përbërë nga klane në një shoqëri civile e të hapur duhet të vazhdojë në të gjitha trevat e banuara nga shqiptarët.

Nëse arritëm pavarësinë e Kosovës, askush, përveç të metave tona, s'mund të na pengojë për çlirimin e individit shqiptar.

Gjysh i mirë, këto janë ditët më të bukura të historisë moderne të kombit tonë. Nuk ka për të pasur më pastrim etnik. Kosova është e lirë dhe i takon të gjithë atyre që aty jetojnë dhe e duan, qofshin shqiptarë, serbë, romë apo turq.

Sot duhet të jetë dita e fundit e dehjes së ligjshme nga gëzimi.

Nesër duhet të fillojmë të punojmë për një "mrekulli" tjetër. Atë të emancipimit të kombit shqiptar.
Ndoshta, nuk janë ende pjekur kohët për t'i bërë një portret të tillë shqiptarit.

Por, si na mësove Ti, - "Gnothi safton, - i tha orakulli i Delfit filozofit Sokrat" e vetëm nga njohja e vetvetes mund të fillojmë të ndryshojmë!

*Artikulli është bazuar në librin "Raca Shqiptare" shkruajtur nga Jakov Milaj dhe në intervista/ artikuj të gjeneral Fabio Mini, ish-komandant pranë KFOR-it.Enklid Milaj është nip i akademik prof.dr.Jakov Milaj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora