E premte, 01.11.2024, 12:05 AM (GMT)

Mendime

Marcel Steiner: Identiteti dhe imazhi i gabuar

E shtune, 04.12.2010, 07:58 PM


Identiteti dhe imazhi i gabuar

 

Nga Marcel Steiner

 

Sipas disa statistikave, të cilat asnjëherë nuk kanë qenë zyrtare, tregohet se afërsisht 70% e qytetarëve të shtetit shqiptar janë myslimanë. Ky imazh islamik për këtë vend, pothuajse mbizotëron në përshtypjen e njerëzve jashtë shtetit për shqiptarët. Kur bëhet fjalë për “Albanezët”, të huajt imagjinojnë një popull konservator dhe fanatik me mjekër dhe perçe, që shkon në xhami me Kuranin nën krah, ashtu si nëpër diktaturat fetare në Iran apo në Jemen. Natyrisht në Shqipëri ka besimtarë të tillë, por ata janë një pakicë pothuajse e papërfillshme. Ndërsa jashtë shtetit më shumë janë kosovarët dhe shqiptarët nga Maqedonia ata, të cilët e krijojnë këtë imazh të gabuar, sepse ata kanë një marrëdhënie më të ngushtë me fenë islame dhe manifestojnë një kulturë më të ndikuar nga Turqia, sesa shqiptarët e Shqipërisë. Fakt është që shumica e europianëve nuk kanë akoma idenë për t’i njohur apo dalluar.

 

Nisur nga ky realitet, mund të themi arsyen pse çuditen të huajt, të cilët vijnë për herë të parë në Shqipëri (dhe kjo është e vetmja mundësi për të krijuar një imazh real për këtë vend dhe njerëzit e tij). Ai vizitor nuk gjen një vend islamik ose një vend të prapambetur, por takohet kudo qoftë me një shoqëri moderne dhe me një mentalitet liberal; ai njihet me një popull, që i ka mbyllur hesapet me të kaluarën dhe që është i orientuar drejt Perëndimit; dhe ai gjen shumë njerëz, të cilët besojnë te Zoti, duke mos qenë të skllavëruar nga fetë e ndryshme me institucionet e tyre!

 

Keqkuptimi ndaj këtij imazhi është një fatkeqësi kombëtare që po na prish shumë punë në një botë të globalizuar, sepse pikërisht identiteti dhe qëndrimi i një shteti është tepër i rëndësishëm për politikën mes aleatëve, partnerëve strategjikë për tërheqjen e investimeve apo për çështje të ndryshme si p.sh. lëvizja e lirë. Për këto arsye, gjykojmë se qeveria dhe populli shqiptar duhet sa më shpejt të gjejnë dhe përcaktojnë identitetin e vet dhe t’ia komunikojnë këtë botës!

 

Po: Cila është Shqipëria?

 

Një identitet të përbashkët për të gjithë shqiptarët, ne nuk do të gjejmë, sipas mendimit tim, sepse shoqëria shqiptare e cila ka jetuar për dekada me radhë nëpër krahinat e ish-Jugosllavisë, ka kaluar një tjetër histori zhvillimi dhe ka marrë tjetër drejtim. Por ne e kemi në dorë t’i japim shtetit tonë, Shqipërisë së Re, një imazh real mbi atë çfarë përfaqësojmë. Pse të na ngatërrojnë apo identifikojnë në botë me mentalitetin dhe fenë e shteteve të tjera dhe fqinje? Pse e kemi lënë në dorën e të tjerëve të na krijojnë këtë imazh në botë?

 

Shqipërinë e quajmë të Re, sepse ajo rrëzoi sistemin socialist dhe vendosi marrëdhëniet shoqërore të ngritura mbi pluralizmin politik. Në këtë periudhë, Shqipëria kishte një identitet të qartë në të gjithë botën: Jemi shtet laik komunist! Por tashmë kjo kohë ka përfunduar. Ka rreth 20 vjet që në këtë vend ka filluar demokracia dhe ushtrohet liria e besimit dhe fesë, por ky shtet akoma nuk e ka gjetur vetveten, për të shpallur se cili është identiteti i tij.

 

Nuk ka nevojë t’ju kujtojmë historinë e Shqipërisë, pasi ju vetë e dini, por dikur ilirët ishin paganë dhe të lirë, derisa u pushtuan nga Perandoria Romake. Në kohën e Apostullit Pal, ata dëgjuan Lajmin e Jezusit dhe disa u kthyen në kristianë. Perandoria Romake në shekullin IV u bë katolike. Ndarja e Kishës në shekullin XI shkaktoi ndryshimin e fesë së shumë kristianëve nga katolikë në ortodoksë. Pas kësaj periudhe, Shqipëria u pushtua përsëri, këtë radhë nga perandoria osmane. Gjatë 500 viteve e në vazhdimësi një pjesë e madhe e shqiptarëve u kthyen duke përqafuar në fenë islame, disa nga bindja, më shumë prej interesit apo dhunës dhe barbarisë së egër të ushtruar nga pushtuesit. Pas shpalljes së pavarësisë kombëtare nga shqiptarët, në vitin 1912, dhe përfundimit të Luftës së Parë Botërore, e cila shënoi dhe fundin e Perandorisë Otomane, Shqipëria vijoi përpjekjet për perfeksionimin e shtetit të saj, ku pas disa vitesh u bë për herë të parë mbretëri. Do të kalonte përsëri një tjetër luftë, Lufta e Dytë Botërore që ky vend të provonte përsëri thundrën e diktaturës komuniste dhe izolimin e regjimit të Enver Hoxhës, në të cilën praktikat fetare ishin të ndaluara dhe Perëndimi u shpall armik. Po ku kemi arritur tani, 20 vjet pas rënies së murit...?

 

Identiteti i Shqipërisë së Re

 

Shqipëria e sotme, natyrisht nuk mund të quhet më “e pa fe” si në kohën e sistemit të monizmit, pasi ky vend sot ka lirinë e besimit, e cila ushtrohet me mirënjohje nga shumë institucione fetare dhe qytetarë. Ky ndryshim është një fitore e madhe dhe nuk do të dëshironim ta kthejmë kohën prapa. Por sot, realisht nuk mund të flasim për një vend mysliman, sepse statistika e treguar nuk është e drejtë dhe në Shqipëri nuk ka 70% të popullsisë myslimanë. Duhet të themi një herë të drejtën për veten mbi këtë çështje ku: ata shqiptarë që thuhet se janë shumica dhe që pohojnë se janë myslimanë, as nuk e dinë se çfarë do të thotë të jesh fetar! Ata thjesht kanë “trashëguar fenë” e paraardhësve të tyre si emër, por nuk shkojnë në xhami, nuk lexojnë Kuranin dhe nuk zbatojnë ritet fetare (normalisht me përjashtim të riteve që shoqërohen me një mish qengji! Dhe në këto raste, si të mos i lejojnë vetes të pinë dhe nja dy teke raki?). Sigurisht që feja islame është rrjedhojë e një influence dhe sundimi disashekullor të Perandorisë Turke në historinë e popullit shqiptar, por ajo definitivisht duket se nuk ka zënë rrënjë të forta në këtë vend dhe si rrjedhim nuk është identiteti, shpirti apo zemra e shqiptarëve!

 

Politikisht, një identitet islamik do ishte shumë i padëshirueshëm për një shtet demokratik. Së pari, kemi kuptuar problemet që mund të sjellë kjo ngatërresë me aleatët e rinj të lidhur me Europën. Por më i rëndësishëm është faktori i ndarjes së shoqërisë shqiptare. Një identitet fetar gjithmonë do t’i ndajë njerëzit e këtij vendi. Shqipëria është një shtet në të cilin ekzistojnë disa fe, të cilat janë të detyruara të jetojnë bashkërisht në paqe. Madje, në këtë vend, ka familje dhe çifte me fe të ndryshme që bashkëjetojnë mrekullisht.

 

Një problem tjetër i rëndësishëm nga ana politike është kontradikta mes Kuranit dhe parimeve demokratike. Secili që e quan veten mysliman, duhet të lexojë një herë Kuranin me vëmendje dhe të kuptojë, se ky libër kërkon patjetër autoritetin dhe pushtetin e plotë vendor, jo vetëm fetar, por edhe shtetëror! Nëse duhet të kemi parasysh këtë, një qeveri myslimane do të kufizonte liritë themelore të njerëzve dhe sidomos lirinë e besimit!

 

Prandaj, ky identitet i Shqipërisë së Re, duhet të përmbajë patjetër një element lidhës dhe ky nuk mund të jetë imazhi i një feje të caktuar. Ky imazh që do të shpallë Shqipëria, do të jetë i përbashkët, krenaria e të gjithëve në vend dhe themeli i një bashkëjetese të bekuar në harmoni mes shumë njerëzve me besime të ndryshme, secili me të drejtat dhe detyrimet e veta.

 

Besimi i secilit duhet të jetë i lirë dhe vetjak. Besimin në Shqipëri nuk e kemi të përbashkët. Prandaj ai nuk mund të përcaktojë identitetin e vendit tonë.

 

Rilindja e Shqipërisë së Re është një shans i jashtëzakonshëm

Shqipëria ka përjetuar këto vite një rilindje të dhimbshme, duke hyrë në një sistem tjetër demokratik. Parimet, qëndrimet dhe pikëpamjet ndryshuan menjëherë dhe plotësisht. Çdo fillim i ri ka vështirësitë e veta, por është dhe një shans i madh:

 

Bota po globalizohet. Vendet po u nënshtrohen ndryshimeve të mëdha. Emigrimi i jashtëzakonshëm sot në planetin tonë mund të përshkruhet me fjalën “shtegtim i popujve”. Miliona njerëz po i drejtohen Amerikës dhe Europës. Si shembull në Gjermani jetojnë sot rreth 3 milionë turq. Për këtë arsye, shumë nga këto vende të quajtura “kristiane” janë në dilemë dhe po kërkojnë një rrugëzgjidhje. Si mund të jetojnë bashkërisht kaq shumë njerëz prej popujsh me mentalitete dhe fe të ndryshme?

 

Shqipëria të bëhet model!

 

Shqiptarët krenohen për unitetin dhe bashkëjetesën e tyre ndërfetare. Shqiptarët janë një popull mikpritës dhe tolerant, ku racizmin fetar nuk e njohin, me përjashtim të një grupi të vogël fundamentalistësh islamikë, të cilët e zbatojnë Kuranin në mënyrë dogmatike dhe shprehin ritet e tyre me zhurmë akustike. Në Shqipëri vërtet ka shumë fe, por ato kanë jetuar bashkë në paqe. Shqipëria faktikisht e ka shansin sot, të themelojë dhe t’ia shpallë modelin e saj të tolerancës fetare, së gjithë botës së globalizuar.

 

Ne faktikisht nuk kemi për të ndryshuar shumë, vetëm imazhin. Fillimisht do ta quajmë shtetin tonë “ndërfetar” apo “multifetar”, ashtu siç është në realitet, jo më laik, që ka më shumë nuanca ateizmi. Një përcaktim edhe më saktë do të ishte “shtet monoteist”, pasi të gjitha fetë kryesore në Shqipëri besojnë se Zoti është Një. Fetë monoteiste besojnë se Zoti është vetëm një, këto janë Kristianizmi, Islami dhe Judaizmi, secili me sektet e tyre të ndryshme. Edhe pse po krijojmë një shtet fetar, shteti nuk do të përzihet me kultin fetar, siç nuk bën edhe sot. Si ditë feste shtetërore do përcaktohen vetëm ngjarjet kryesore të këtyre feve. Edhe arsimin fetar nuk do ta marrë përsipër shteti. Shkollat kanë për detyrë vetëm të mësojnë se cilat janë fetë e ndryshme ekzistuese me bazat e tyre, pa favorizuar ndonjë fe dhe cilat duhet të jenë marrëdhëniet e tyre me shtetin. Ndërsa arsimi dhe mësimi fetar u përket familjeve dhe besimtarëve. Çdo familje ka të drejtë t’i çojë fëmijët nëpër leksionet fetare jo shtetërore, sipas dëshirës dhe të pa detyruar, qoftë kristianë, myslimanë, apo të ndonjë feje tjetër. Besimi i njerëzve është personal dhe jo në masë dhe ai as nuk duhet të jetë institucionalizuar. Sigurisht në shtetin tonë monoteist do të praktikohet edhe Liria e fjalës mes feve, që secila të ketë të drejtë të konkurrojë tjetrën, duke argumentuar për çështjen e besimit mbi bazat e së vërtetës, por pa shpifur dhe pa e ofenduar njëri-tjetrin për zgjedhjen e lirë të besimit. Besimtarëve u është lejuar të takohen apo mblidhen në vendet e tyre të kultit, të cilët nuk duhet të japin një përshtypje publike, të praktikojnë fenë brenda ligjeve njerëzore dhe të shpallin doktrinat dhe lajmin e tyre popullit, pa krijuar shqetësime në publik, nëpërmjet përdorimit të pajisjeve akustike.

 

Kjo do të ishte Shqipëria monoteiste, në të cilën bashkëjeton një popull ndërfetar, pa u ngatërruar! Ky rast do të ishte shembull për botën. Sigurisht që e vërteta është vetëm një dhe jo të gjitha këto fe mund të jenë të drejta! Unë besoj vetëm tek Bibla. Unë e di se Bibla është e vërteta dhe s’do të pushoja për t’ju bindur edhe për t’ju shpëtuar. Por ama, unë nuk dua t’ju cenoj, unë ju respektoj si njerëz, edhe pse mund të zgjidhni një besim tjetër.

 

A nuk është pikërisht kjo Shqipëria, një vend me tolerancë fetare? Pse të mos zhvillojmë këtë dhunti dhe të bëhemi model zhvillimi për të tjerët? Pse të mos jemi një herë të parët shembullorë dhe t’ia tregojmë botës rrugën e drejtë?

 

Kërkesat për realizimin e këtij “vendi” shembullor mësohen në Bibël:

Respekti dhe dashuria ndaj njeri-tjetrit, pavarësisht nga feja e secilit, bile dhe për armiqtë e vet! Le të fillojmë pra, secili, që sot: Ta kërkojmë të vërtetën mbi Zotin, pa kisha dhe xhamia! Dhe të përhapim imazhin e Shqipërisë reale!



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora