E hene, 29.04.2024, 07:30 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Intelektuali shqiptar i shekullit XXI

E premte, 03.12.2010, 10:59 PM


Intelektuali shqiptar i shekullit XXI       

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Cila është përgjegjësia e intelektualit për atë që i ndodh vendit të tij, nacionit (kombit) të tij? Intelektuali i vërtetë, dhe këtu flas për Intelektualin me të madhe, atë i cili ka një aftësi, një vokacion për të kuptuar atë që po i ndodh, vendit, nacionit të tij, si dhe për të ofruar një zgjidhje intelektuale, është përgjegjës më tepër se politikanët dhe shtetarët për atë që i ndodh vendit të tij, nacionit të tij. Dhe sa më i vogël që të jetë vendi, nacioni i tij, sa më të mëdhenj armiqtë e tij, në raport me të, aq më e madhe përgjegjësia e këtij intelektuali. Ai duhet të bëjë mrekullinë, t' i japë nacionit një libër që të përmbajë zgjidhjen magjike për ndërlikimin në të cilin gjendet, në trajtën e një teorie, të një ideje. Intelektualët e vërtetë e kanë bërë këtë gjë në kohra, në mënyra të ndryshme.

Shembulli më i jashtëzakonshëm që më vjen në mendje është ai shkrimtarit polak, Aleksandër Glowacki, i cili njihet me pseudonimin letrar, Boleslaw Prus (1847-1912). Ai ishte një aristokrat, i cili në moshën 16 vjeç pjesëmori në kryengritjen e madhe polake kundër pushtimit rus, në 1863. Ai u plagos në luftë dhe ashtu u arrestua nga rusët dhe doli para një gjyqi ushtarak. Për shkak të moshës dhe prejardhjes fisnike bëri vetëm dy vite burg. I zhgënjyer nga lufta, ai vendosi të luftojë për nacionin e vet në mënyrën e vet. Arma që ai zgjodhi ishte një libër, një roman i jashtëzakonshëm, i cili shpejt u bë një kryevepër botërore. Titulli i tij është "Faraoni". Për t' u kamufluar, Boleslaw Prus, shkon pas mbi 3000 vite më parë, në kohën e Egjiptit të Vjetër. Prej atje, Prus orvatet që të dialogojë me sundimtarin e vendit pushtues, Carin e ri rus, Nikolai II, i cili ishte ngjitur në fron një vit para se të botohej libri i Prus, në 1894.

Prus punoi për librin e vet shumë vite dhe ndoshta ishte një rastësi që ai filloi të botohej një vit pas ardhjes në pushtet të Car Nikollës II, ndonëse Prus e dinte se një car i ri do të vinte jo shumë vonë, pas vdekjes së atij ekzistuesit. "Faraoni" u botua së pari pjesë-pjesë në 1895-96 në gazetën polake "Tygodnik Ilustrowani", ndërsa si libër u botua në 1897. Ngjarjet në roman zhvillohen në Egjiptin e Vjetër, në vitet 1087-1085 para e.s. Personazhi kryesor është Ramsesi i ri (faraoni i ardhshëm Ramses XIII). Në të vërtetë historia njeh vetëm njëmbëdhjetë faraonë me emrin Ramses dhe ky i trembëdhjeti është një shpikje e autorit.

Asnjë nga studiuesit e shumtë të Prus, nuk ka parë tek libri një orvatje për dialog të tij me carin e ri rus, dhe këtë gjë e them me siguri, se enciklopeditë, të cilat përmbajnë shkurtimisht mendimet e studiuesve, nuk e thonë një gjë të tillë. Prus vetë nuk mund ta thoshte këtë gjë, se ai vdiq në 1912, pra në kohën kur vendi i tij ishte ende nën sundimin autokratik të carit rus. Prus, në librin e vet bën qartësisht një analogji mes situatës në Egjiptin e Vjetër në atë kohë dhe një situate hipotetike në të ardhmen e Rusisë së kohës. Në roman përshkruhet një periudhë trazirash të brendshme dhe rreziqesh të jashtme, në të cilën ngjarjet më pas do të precipitonin deri në rënien e asaj që në histori njihet si Mbretëria e Re.

Analogjia me Rusinë e kohës nuk është e vështirë që të bëhet. Derisa Egjipti kishte hyrë në borxhe tek fenikasit, Rusia kishte hyrë në borxhe tek fuqitë perëndimore, posaçërisht Franca dhe Britania e Madhe. Derisa klasa e priftrinjve egjiptianë kishte

vënë pasuri të madhe dhe kontrollonte dijen, në Rusinë e kohës Kisha Ortodokse zotëronte pasuri dhe pushtet të madh në Rusi.

Në roman, Princi trashëgimtar egjiptian, Ramses, i gjendur në këtë situatë studion dhe mëson mekanizmin e pushtetit. Jeta private e Faraonit Ramses bëhet shesh lojërash e intrigave të fenikasve dhe klerit egjiptian, një aluzion ky i Prus për shndërrimin e Nikollës II në një lodër në duart e klerikëve, nga të cilët më i spikaturi do të ishte Rasputini më pas, si dhe të të diplomacisë së fuqive të mëdha perëndimore. Në roman Ramsesi kërkon të bëjë reforma shoqërore, të cilat kërkon t' i financojë me thesaret e fshehura në tempujt e administruar nga kleri. Këtu, qartësisht Prus i propozon carit rus që të ndërmarrë reforma të thella në imperi, të cilat do të sillnin dhe përmirësimin e ndjeshëm të statusit të nacionit polak, pjesa më e madhe e të cilit gjendej nën pushtimin rus.

Në Roman, Egjipti rrezikohej fuqitë e huaja fqinje, Asiria dhe Persia, çka kishte një analogji me rrezikun që i vinte Rusisë nga Gjermania dhe Austro-Hungaria, të cilat mbanin të pushtuar pjesën e mbetur të territoreve polake. Prus, pas të gjitha gjasave, po i propozonte carit që të bënte aleancë me polakët kundër Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë. Pas të gjitha gjasave, Prus mendonte se polakët duhet të bënin aleancë me fuqinë e cila zotëronte pjesën më të madhe të territoreve të tyre. Kështu do të krijohej një shtet polak, për të cilin Cari do të ishte i sigurt se do të ishte aleat i tij dhe armik i Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë, për shkak se këto dy të fundit mbanin të pushtuara territore polake.

Shumëkush mund të thotë se si mund të mendonte një ish-kryengritës katolik polak për aleancë me Rusinë ortodokse, armikun religjioz. Kështu duket në pamje të parë, por ajo që duhet ditur është se polakët atëherë qenë veçanërisht të zhgënjyer nga tradhtia e Austrisë. Polakët nuk ia falnin Austrisë që bashkëveproi me Rusinë për të coptuar Poloninë, se në 1683, Viena shpëtoi nga turqit falë ndihmës polake. Mbreti polak Jan Sobjeski, me kalorësinë e vet trime, ishte ai që në momentin vendimtar të luftës, kur turqit kishin shembur me artileri dhe mina një pjesë të madhe të mureve mbrojtëse të Vienës, kundërmësyu dhe e shpartalloi ushtrinë turke. Ekziston dhe një pikturë e famshme që paraqet takimin e imperatorit habsburg me mbretin polak, takim në të cilin imperatori habsburg iu betua mbretit polak për mirënjohje të përjetshme ndaj polakëve. Një shekull më pas, Austria, në aleancë me Rusinë dhe Prusinë e coptoi Poloninë. Kjo ishte arsyeja që nga të gjitha pushtuesit e tyre polakët urrenin më shumë austriakët.

Në libër Ramsesi u rrëzua nga reaksioni i klerikëve. Por autori na thotë se gabimi më i madh i Ramsesit ishte se ai nënvlerësoi dijen e mirëfilltë. Ramsesi u zëvendësua nga kundërshtari i tij, Herihor, i cili e pa veten të detyruar që të orvatej të realizonte reformat e Ramsesit, por ishte vonë. Mbretëria u shemb dhe Egjipti hyri në atë që njihet nga historia si Periudha e tretë e ndërmjetme, 1070 para e.s. deri 664 para e.s., kur u themelua dinastia e njëzetekatërt. Car Nikolla II do të rrëzohej nga froni, duke rënë edhe imperia bashkë me të, 21 vite pas botimit të librit të Prus. Krejt ashtu si thuhej në librin e Prus, Car Nikolla II u zëvendësua nga opozitari i tij, Kerenski, i cili u përpoq që të bënte reformat që nuk i bëri Cari, por tashmë ishte vonë.

Nuk dihet nëse Car Nikolla II e lexoi këtë libër, i cili më pas do të ishte romani më i pëlqyer i sundimtarit tjetër të Rusisë, Stalinit, i cili do ta mbante këtë libër në tryezën e dhomës së punës në shtëpinë e tij. Stalini dhe shumë të tjerë pas tij, ndër ta dhe shumë studiues që nuk kanë pasur bindje diktatoriale, e kanë vlerësuar këtë libër si një traktat të filozofisë së pushtetit. Prus vdiq në 1912, vetëm pesë vite para se të shihte të realizohej ajo çka aludohej në librin e tij profetik. Vështirë se Prus ka besuar që ato çka shkruante në librin e vet do të realizoheshin kaq shpejt, prandaj të vjen keq që ai nuk jetoi edhe

pak. Por jetoi bashkëshortja e tij, ajo së cilës i dedikohej libri, e cila e pa profecinë të përmbushej deri në detaje. Prus nuk priste që bashkëatdhetarët e tij bashkëkohës ta kuptonin atë që kishte bërë, të rroknin kumtin e librit të tij. I vetmi preokupim i tij ishte që ta kuptonte "Ramsesi" në kryeqytetin imperial, San Petërsburg. Ndoshta i vetmi njeri tjetër që e dinte të fshehtën ishte gruaja e Prus, Oktawia Glowacka (Trembinska), një aristokrate, e cila i qëndroi pranë në jetën e tij të vështirë. Pikërisht asaj i dedikohet libri, me një shënim kuptimplotë: "Gruas sime, Oktawia Glowacka, e lindur Trembinska, si një shenjë e vogël vlerësimi dhe afeksioni".

Ne sot mund të pyesim se përse Prus zgjodhi pikërisht këtë libër të tij për t' ia dedikuar bashkëshortes së tij. Por nga ky çift krenar aristokratësh polakë nuk na vjen asnjë përgjigje për këtë pyetje. Pas të gjitha gjasave, ai ia ka dedikuar këtë libër gruas së tij, si shpërblim që ajo e mirëkuptoi atë çka në atë kohë dukej si fantazia e tij e shfrenuar. Tekefundit, a nuk kishte ajo një emër historik prej zonje romake, Oktawia. Një emër i femrave që u patën qëndruar pranë njerëzve të mëdhenj. Me gjasë Prus ia ka dedikuar librin gruas së tij edhe si mbretëreshës polake virtuale: "Eja mbretëresha ime të shkojmë në takimin me carin -imperator!" Kështu duhet të ketë folur Prus në dhomën e tij të varfër të ndriçuar keq, një natë dimri të ashpër të Varshavës. Si aristokrat ai nuk mund të mos kishte bindjen se Polonia duhet të kishte një mbret, ndonëse liberal. Tekefundit a nuk filluan fatkeqësitë e Polonisë qëkurse ajo humbi dinastinë nacionale?

Boleslaw Prus, me librin "Faraoni", bëri detyrën ndaj nacionit të vet si intelektual, ashtu siç e mendonte ai, në momentin e dhënë. Kur ai i adresoi një libër carit rus, armikut më të madh të polakëve, nuk mund të dyshohej se Prus po tradhtonte idealin nacional polak. Për sinqeritetin e tij nuk mund të dyshohet se ai luftoi kundër rusëve dhe derdhi gjak në kryengritjen e madhe kundër tyre.

Çka do të thotë rasti i Prus për shqiptarët? Natyrisht jo se një intelektual shqiptar duhet të komunikojë në këtë mënyrë me sundimtarët e sotëm serbë apo rusë. Sot nuk është rasti që të kemi iluzione për serbët apo rusët, siç mund të kishte Prus. Por unë mendoj se intelektuali shqiptar mund të komunikojë në këtë mënyrë me shtetarët në Paris, apo edhe në Berlin, ku sot ka një paragjykim të keq për shqiptarët dhe një mendim të ngulur thellë se nacioni shqiptar, në dy anët e kufirit, nuk është gjë tjetër veçse një ekspedient taktik amerikan, të cilin SHBA-të e përdorin për t' i shkaktuar trazira Europës në Ballkan dhe për t' i provuar asaj se nuk është në gjendje që ta përballë sfidën e sigurisë pa ndihmën amerikane.

Intelektuali shqiptar duhet të meditojë mbi atë që sot është dilema qendrore e nacionit shqiptar, në dy anët e kufirit. Për mendimin tim, dilema qendrore e përbashkët, e shqiptarëve në Republikën e Shqipërisë, Kosovë, trojet shqiptare në Maqedoni, Luginën e Preshevës, Malin e Zi, ka të bëjë me atë nëse SHBA-të e kqyrin nacionin shqiptar thjesht si një ekspedient taktik, pra si një gjenerator destabiliteti të kontrolluar, një prej atyre faktorëve që e bëjnë Europën të pranojë varësinë strategjike amerikane sa i përket sigurisë, apo SHBA-të kanë një projekt për zhvillimin solid të nacionit shqiptar, në një disa shtete, apo në një shtet të bashkuar. Nëse SHBA-të nuk e kanë këtë projekt, atëherë nacionit shqiptar nuk i mbetet tjetër veç që të kthehet kah Europa, e cila në këtë rast e percepton si problem, dhe t' i ofrojë asaj një alternativë në të cilën nacioni shqiptar do të ishte një forcë kontruktive për Europën.

I vetmi rast kur nacioni shqiptar mund të bëhet një forcë konstruktive për Europën, është nëse nacioni shqiptar gjen forca brenda vetvetes për të ndërmarrë luftën për deislamizimin e tij. Europa e ka të qartë se SHBA-të e shohin Islamin ballkanas si një forcë destruktive, e cila i krijon probleme Europës, duke u bërë faktor i varësisë së saj strategjike ndaj SHBA-ve. Europa do të donte shumë që problemi islamik në Ballkan të merrte fund, por për shkak të marrëdhënieve të saj komplekse ekonomike me botën islamike, nuk do të parapëlqente ë kjo gjë të bëhej nëpërmjet të krishterëve ballkanas. Pra, për Europën do të ishte konvenuese që llogaria me Islamin shqiptar të mbyllej nga vetë shqiptarët. Këtu duhet të hyjë në lojë intelektuali shqiptar, intelektuali me të madhe, i cili duhet t' u ofrojë Europës, kancelarive të saj, një teori, një ide, një libër ku elaborohet kjo nevojë e kohës, dhe t' i thuhet Europës, ashtu siç i tha Winston Churchill Amerikës në fillim të Luftës së Dytë Botërore: Give us the tools and we, will do the job.

Në analogji me Prus, e mira do të ishte që këtë gjë ta bënte Ismail Kadare, për shkak të njohjes ndërkombëtare që ka, por ai definitivisht nuk e ka atë sens përgjegjshmërie që duhet të kishte si intelektual ndaj nacionit shqiptar. Por nëse nuk e bën Ismail Kadare këtë gjë, mund ta bëjë dikush tjetër. Tashmë ka ardhur koha që nacioni shqiptar t' i paraqesë Europës një manifest intelektual, një agjendë, një projekt të detajuar për deislamizimin e tij. Çdo intelektual i përgjegjshëm shqiptar, në Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Preshevë, Ulqin, e ka për obligim që të bëjë një sprovë të kësaj. Rasti i Prus na tregon se gjërat mund të ndodhin shumë më shpejt nga sa beson edhe vetë ai që shkruan dhe parashikon se çka do të ndodhë. E gjithë kjo mund të ngjajë si ekzotikë, por koha ka treguar se e shkuara shpesh është më instruktive se e tashmja, kur është fjala për të parashikuar të ardhmen.

Studiuesi i njohur amerikan Robert D. Kaplan, në librin e vet , tregon një episod nga vizitat e veta në Jugosllavi, në fillim të viteve 1980: . (Robert D. Kaplan: , , New York 1994, f. 74)

Kjo mënyrë të menduari e Djilas u verifikua të jetë realiste nga ngjarjet e viteve 1990, kur në ish-Jugosllavi filloi një epokë luftrash, që vazhduan 10 vjet dhe që në analizë të fundit qenë një riciklim i konflikteve historike midis nacioneve të kësaj hapësire. Mos do të thotë kjo se futurologjia gjeopolitike është esoterikë, domethënë një dije e fshehtë e kuptueshme vetëm për ata që njohin kodet e fshehta të saj. Në njëfarë mënyre po. Prus u ekzilua në të shkuarën e largët dhe prej atje profetizoi ardhmërinë e afërt. Sado e çuditshme t' i duket ndokujt, me shqiptarët mund të ndodhë si në atë filmin francez "Les visiteurs", ku kalorës që udhëtojnë në kohë, vijnë prej shekullit XII në kohën tonë dhe përcaktojnë ecurinë e ngjarjeve. Kalorësit shqiptarë të shekullit XV të cilët luftuan kundër Islamit, do të ngjajnë shpejt në shekullin XXI shumë më të kohës se sa mund të mendohet momentalisht. Tekefundit, ata do të jenë shumë më të kohës se islamikët shqiptarë me veshje arabe të shekullit VII, imamët, femrat me ferexhe, meshkujt me mjekra talebanësh etj.

Intelektuali i vërtetë shqiptar i shekullit XXI do t' i ngjajë kalorësit arbër të shekullit XV. Shekulli XXI do të jetë epoka kur do të arrijë përkryerjen ajo specie e re e kohëve moderne, intelektualët-luftëtarë të cilët përpunojnë idetë për nacionet e tyre, dhe u prijnë atyre në zbatimin e tyre, do të thotë në betejat jetike ndërmjet nacioneve.

 

kastriotmyftaraj@sot.com.al



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora