E shtune, 03.05.2025, 11:53 PM (GMT+1)

Mendime

Daniel Gàzulli: Kanuni - Monument i kulturës kombëtare

E marte, 30.11.2010, 10:58 PM


K  A  N  U  N  I -

MONUMENT I KULTURËS KOMBËTARE

 

Ndalnju! Ku veni burra? …

Pash Zotin, lëshoni hutat!

Pse tepër gjak asht derdhë,

Pse tepër mbajtë kem’ futat;

Prej vajit na asht marrë zani …

Medet, o qiell, medet!

 

“Gjaksorëve” - At Gjergj Fishta

 

Nga Daniel Gàzulli

 

1

            

            Gjakamarrja asht një plagë e randë, reale, që damton shëndetin tonë kombëtar. Ajo, si e tillë, asht dënue historikisht nga forcat ma përparimtare e atdhedashëse të shoqnisë. Çdo gja që mund të bahet për shërimin e kësaj plage, nga individë, shoqata apo institucione, përsëri asht pak, sakohë që ajo të mos ketë as hijen mbi trojet shqiptare.

            Mirëpo, të trajtojsh këte temë, sa të dhimbëshme, aq edhe paradoksale, tue u nisë nga mendësi paragjykuese se fenomeni i ka burimet te Kanuni, e një paragjykim edhe ma i randë i natyrës fetare, si përgjegjësi historike dhe aktuale e Klerit Katolik, e si fenomen i mbartun nga pjesa katolike e shoqnisë shqiptare, asht jo vetëm një shtrembënim i plotë i analizës së fenomenit, por edhe një dashakeqësi ose e paramendueme, ose që rrjedh nga një mosnjohje e plotë e natyrës dhe historisë shqiptare në përgjithësi.

            Çashtja e gjakmarrjes nuk mund të zgjidhet tue fye një komb, aq ma pak tue ngarkue barrën e përgjegjësisë mbi ata që e kanë luftue si askush tjetër në historinë e vendit tonë.

            Shkencëtarë të mirëfilltë të historisë juridike, shqiptarë e të huej, e jo çapaçula, e konsiderojnë Kanunin një  monument i kulturës kombëtare, e, natyrisht, në stadin e sotëm të Shtetit të së drejtës, ku veprojnë Kushtetuta e ligjet tjera përkatëse për rregullimin e marëdhënjeve shoqnore e juridike, kuptohet se Kanuni ka vlera historike, por jo për t’u zbatue.

            Historia e së drejtës  na mëson se sistemet juridike ma të lashta, si E drejta Romake (shek. VIII p.K - VI mb. K.), apo E drejta anglo-saksone (shek. XIII) lindën në kontesktin e egzistencës së shtetit, kurse e Drejta dokesore shqiptare lindi dhe veproj në mungesë të shtetit administrativ apo edhe si kudnërvumja atij (gjatë pushtimit osman), në mënyrë që të siguronte vetëqeverisjen në bashkësi, çka i jep një vlerë edhe ma të madhe historike e kombëtare. Kanuni rregullonte marëdhanjet shoqnore, ekonomike e juridike tue përfshi fusha të tilla si marrëdhëniet familjare e martesore, marrëdhëniet e pronësisë, të trashëgimisë, të punës, të vetmbrojtjes si dhe në fushën penale e procedurale për dhanjen e drejtësisë nga pleqnia.

Por struktura ma e qenësishme e Kanunit janë vlerat e etike morale shoqnore: nderi, besa, mikëpritja, burrnia, falja, pajtimi etj. Kjo ka ba që ai të tërheqë qysh në shek. XIX e deri më sot vëmendjen e shumë studjuesëve të huej e vendas, si Johanes G. Hahn (1853), Edith Durham, M. Hazllëk, Hiacinthe  Hequard, Teodor  Ippen,  A. Degrand,  Fr. Nopça, E. Koci, Z. Valentini, E. Koliqi, Rr. Zojzi, G. Villari, J. Puarié, N. Buland

 Kanuni asht përkthye në italisht, gjermanisht, rusisht e në gjuhën angleze në vitin 1989; ky botim i fundit u prit me një interesim të jashtëzakonshem qoftë nga studiuesë të fushave juridike dhe etnologjike, por edhe nga politikanë, historianë etj, që kanë vu në dukje kulturën e lashtë juridike të popullit shqiptar, vlerësime këto të shprehuna në gazetat ma të njohuna amerikane si Nju Jork Times, Washington Post etj., por edhe nga presidentë e senatorë të SHBA, juristë, etnologë e shumë të tjerë, si nga SHBA, ashtu edhe nga Anglia, Kanadaja, Australia e deri nga Japonia. Studiusi japonez prof Kazuhiko Yamamoto ka botue librin: “Struktura etike e Kanunit dhe nënkuptimet e saj kulturore” (USA – 2005), ku ndër të tjera thotë se “sistemi i vlerave etike të shoqnisë homerike ka pasë strukturë të ngjashme me strukturën e Kodit zakonor shqiptar – kanunit” (asht fjala për gjashtë koncepte – besa, nderi, miku, gjaku, buka dhe hakmarrja). Këto krahasime janë tregues i lashtësisë së vlerave etike morale të Kanunit shqiptar.

Ja si e përmbledh Prof. Ismet Elezi, autor i rreth 25 studimeve mbi Vepren e Gjeçovit, vlerën e paçmueshme të Kanunit: "Çdo herë që shkruaj, bindem gjithnjë e më shumë se sa i madh është ky thesar i kulturës sonë. E drejta zakonore shqiptare është dëshmi tjetër e gjallë, krahas gjuhës shqipe dhe gjithë kulturës materiale e shpirtërore, që vërteton autoktninë dhe individualitetin e popullit shqiptar"

 

2

 

Në historinë tonë ma të herëshme e deri në ditët tona asht ba e zakonshme që të dalë dikush e të hedhë baltë mbi monumentat kombëtare, qofshin ata materiale, shpirtnore apo korifej të historisë sonë ndër shekuj. Tashma kush të çohet i pari e të baltosë Kryetrimin e Atdheut, Gjergj Kastriotin, të përgojojnë e të përçmojnë Nanëmadhen, të Shejtën Nanë Terezë, të qesin në harresë a të prozhmojnë kundër Poetit të Poetëve, At Gjergj Fishtës, të përçmojnë traditat tona ma të mira që na bajnë të jemi krenarë para botës.

            Kështu, një djalë plangprishës, që prej “naltësive” të Amerikës, lëshon përditë shigjetat e tij të helmta mbi traditat tona, mbi doke e zakone, pse i asht mbushë mendja që të këqijat Shqipnisë e Shqiptarëve u vijnë prej Kanunit. Blerim Uka, si thotë Renato Carusone në kangën përqeshëse “Tu vo far american” (Ti do të hiqesh amerikan), ka gjetë mënyrën si me u ba “i famëshëm” tue përbaltë Atdheun e tij (nëse e konsideron ende Shqipninë Atdhe e nuk i ka ra mohit). Në emën të një analize kritike, mirëfillit të një kritizerit patologjik, me ndihmën edhe të një injorance shembullore në njohjen e traditës, marëdhanjeve e të psikës së shqiptarit, ai përdorë gjithë bagazhin e tij (edhe pse mjeran) që të njollosë popullin tonë, në radhë të parë Klerin Katolik, çka të kujton fushatën barbare të ndërmarrë nga PPSH më 1967.

            Të ishte vetëm një biçim Blerimi (blerim krejt i vyshkun), as do t’ia vlente me u marrë me të, po sakohë  që pak a shumë me të njëjtën gjuhë po vjellin vner edhe të tjerë, pinjoj të kohës së ferrit apo të errësinës aziatike që do të na zajë “diellin andej nga përendon”, si bie fjala atdhemohuesi Olsi Jazexhi, jemi të detyruem me u marrë me të, që të mos dizorientohet lexuesi.

            Fshehja gjoja mbas një synimi të mirë, me ba gjithçka që të shuhet fenomeni i gjakmarrjes, nuk mund të mbulojë trajtimin denigrues e jo shkencor, për ma tepër jo dashamir ndaj kombit të tij.

            Ky biçim “amerikani” ka sajue edhe një blog të posaçem për këte temë, “http://bloguiblerimukes.blogspot.com” e gjoja ka trajtue natyrën çnjerëzore të Kanunit, që na mbaka peng ecjen në rrugë të mbarë të vendit tonë, tue botue shkrimet çoroditëse si: 1. Shko në Shqipëri dhe bleje një grua !; 2. Kanuni është shumë interesant për lexim; 3. "Prilli i thyer" në frëngjisht: Një gabim përkthimi ose pikpamjeje?; 4. Kanuni... i Lekë Dukagjinit?!; 5. Alergjia ime ndaj dasmës së Kanunit; 6. Si duhej ta vrisja Ilirin sipas Kanunit; 7. Nuk e kam kritikuar Kanunin por i kam bërë analizë kritike.

            Çfarë thotë në esencë Uka në shkrimet e tij?

            Po i përmbledh, me gjithë se më vjen ndotë me hedhë në shënimet e mia përçudnimin e tij.

T.Sh: Ju mendoni fuqishëm se Kanuni është fajtor për gjakmarrjen në trojet shqiptare?

Blerim Uka: Po plotësisht. ... Kanunin është fajtor, jo vetëm për nxitjen e vrasjes me paramendim apo gjakmarrjes por, edhe për nxitjen e trafikimit me qenie njerëzore, për nxitjen e psikologjisë së konflikteve, për nxitjen e psikololigjisë së prapambetjes ekonomike, e shumë fenomene tjera negative të shoqërisë shqiptare.

T.Sh.: Kanuni paraqet doket dhe zakonet shqiptare, së paku ato të shprehura nga Shtjefën Gjeçovi. Vetë Fishta i madh e shkruan parathënien e këtij botimi. Apo jo?

Blerim Uka: Unë besoj se vepra e Gjeçovit e quajtur “Kanuni i Lekë Dukagjinit” është e falsifikuar. Ajo ka dalë në botim katër vite pas vrasjes së autorit të pretenduar nga serbët për të njëjtën arësye që serbët e vranë edhe albanologun jevrej me origjinë kroate Milan Shuflaj. Që të dy janë vrarë nga armiqtë e shqiptarëve sepse ishin mbledhës të folklorit të mirëfilltë shqiptar i cili ishte në atë kohë i nevojshëm për t'i vënë themelet albanologjisë...albanistikës. Besoj se vepra e vërtetë e Gjeçovit nuk ka qenë e kodifikuar. Fishta i madh, siç thoni me të drejtë, në parathënien e tij të Kanunit nuk flet fare për kodifikime as për ligje. Mund të lind pyetja: Cilin version e ka lexuar Fishta para se ta shkruajë parathënien? Fishta flet për folklor në parathënie, për përralla, për legjenda. Ndërsa Kanuni, ai që na vret dhe na turpëron në botë, është i kodifikuar. Pra nuk kemi të bëjmë me folklor por me ligje. ...........................

.......... §.911. Po erdh kush me m'i dhânë zjarré shpis, a ksollës, a tbanit, un e prita edhè e vrava, î kam gjakun.

§.915. Të hypi kush në qafé, edhè pse jânë dy duer per nji krye, po e vrave, i ké gjakun.
Këto dy paragrafe i ngjajnë njëri tjetrit. Sipas Kanunit, nuk ka vrasje në vetëmbrojtje. Patjetër, çdo vrasje duhet të shpie në gjakmarrje.  .... Nuk mund të thuhet se Kanuni i ka bërë kodifikimet e mësipërme për të parandaluar vrasjen. Mjafton të shikohet tërësia e veprës dhe të konstatohet se nxitja e konfliktit ndodhet gjithkund në Kanun, .... Besa, e nxit konfliktin.........Pra, po nuk deshët që dikush t’ju presë në besë mos i besoni.

Mikpritja nxit frustracione në familje që mund të çojë dhe në konflikt.

Në të njëjtën mënyrë, manipulimet psikologjike si burrëria, trimeria, krenaria… e nxisin konfliktin. Kanuni i ngrit aq lart këto gjëra (cilësi apo të meta) deri në shenjtërim saqë mendja e pazgjuar nuk ka as më të voglin dyshim se janë elemente të nxitjes së konfliktit.
Tani të kthehemi te besa. “Besa” si fjalë tingëllon bukur në shqip. Shumë emra vajzash quhen Besa. Shumë intelektualë shqiptarë e mburrin popullin e tyre me atë çka shpreh ajo fjalë. Sa keq që popujt tjerë nuk kanë një gjë të tillë! Sa keq që nuk e dinë se çka humbin! Madje ajo fjalë në gjuhët tjera shqippohet “besa” si në shqip sepse nuk mund të përkthehet në gjuhë tjera. Nuk ka ekuivalent! Besa është ajo që na dallon në botë si popull.
T’i marrim si analizë tri fjalë nga kanuni: “duhani”, “kafja” dhe “pushka.” Këto tri fjalë emërojnë tri prodhime në Kanun sikur të ishin ato në kulmin e përdorimit të tyre. E vërteta është se këto produkte kanë arritur në trojet shqiptare, Ballkan ose Evropë shumë vjet pas vdekjes së Lekë Dukagjinit.

Ka gjurmë në histori se pushka ka pasur disa forma primitive që nga shekulli i 17-të por formën e asaj “grykhollës” që përshkruhet në Kanun, që bartet mby supe e varet, e tjera... nuk e ka pasur para shekullit të 19 të, mëse tre shekuj pas vdekjes së Lekë Dukagjinit. Imagjinoni sa shumë ka dhënë kontribut Kanuni të komercializohet pushka (e të nxitet krimi e konfliktet) në trojet Shqiptare.........!!!

§.499. Kanûja e malevet nuk njef uhà me shtojca fitimesh (Fajde).

Ky ligj përkujton ligjin e librin e shenjtë që dominon shtetet arabe. Kam pasur disa kolegë në universitet në Amerikë nga ato shtete të cilët qaheshin se kjo dogmë i pengon të zhvillohen ekonomikisht. Unë nuk thoja asgjë... por, do të mund të qahesha edhe unë me Kanunin. Shpresoj se nuk e rrespekton kush Kanunin në ditët tona!

§.520. Gjuha âsht tulit e gjithshka bluen.

Pasi e kam lexuar këtë nen, e kam kuptuar pse të gjithë ...gënjejnë, arësye e pa arësyre, të rinjtë, pleqtë, stërpleqtë... A keni takuar ndonjëherë në jetë një shqiptar që nuk gënjen? Ah? .............

Gjatë festës na u bashkangjit në tavolinë një student (si neve) jugosllav.

.................. Jugosllavi sikur u zhgënjye dhe më tha në anglisht:

- Pse nuk shkon në vendin tënd, në Shqipëri, të blesh një grua ? - Gruaja shqiptare të kupton më mirë sesa e huaja sepse ju shqiptarët jeni një popull me zakone të vjetra ? Me dollarë amerikanë, një grua nuk kuston shumë. .... - Shiko në Kanun i ke edhe çmimet për gratë, në monedhën tuaj … në lekë… tregohet edhe sa lekë kushton.

- Nuk ka më Kanun në Shqipëri, ajo punë ka ndodhur gjatë kohë më parë, si gjakmarrja për shembëll, për të cilën njihet Kanuni – i thashë.

Ai ndërhyri :

- S’është e vërtete, kam parë një emision televiziv për gjakmarrjen që ndodh në ditët tona. Nëse ndodh gjakmarrja sipas Kanunit shiten edhe gratë sipas Kanunit. Nëse ti nuk shkon të blesh një grua në Shqipëri, do të shkoj unë…- më tha duke qeshur.

Në atë kohë, nuk i dhashë shumë rëndësi asaj bisede. Më vonë kur u permend Kanuni në shtëpinë time, në një konflikt që doli në sipërfaqe, m’u kujtua biseda me jugosllavin.:

E kuptova se jugosllavi kishte të drejtë.

Kanuni thotë: Në bazë të këtij neni, kaq grosh shitet gruaja. Në bazë të këtij neni, ....

 

 

            3

 

            E, mbasi sollem përmbledhtas vnerin (deshta me thanë shqyrtimin analitik të Kanunit nga Blerim Uka) e këtij “shkencëtari”, po e mbyllim njëherë me të me parzmoren poaq të helmtë që ve ndaj kritikave: “Shqiptarët, po u the të vërtetën, të shajnë”. (Presjet, natyrisht, tek kjo thanje e tij, i shtova unë, se “dijetari ynë” nuk merret me pikë e me presje). Pra, shqiptarët, jo ai, pse, si i ka rrëshqitë diku, ka zgjedhë të jetë jugosllav, edhe pse Jugosllavia ka pothuej dy dekada që nuk egziston ma – pra, me fjalë të tjera, serb.

            Se kush asht ky plangprishës që ka marrë përsipër baltosjen e Atdheut, na e ka thanë At Fishta qysh 77 vjet ma parë: “Mjerisht disa nder atà të bij të fisit shqyptar, qi mbahen per intelektuala e udhëhjeksa të fatit e të shartevet të komit, por qi shkolla, neper të cillen paten kênë pershkrue, nuk mrrîjti me u a qirue shpirtin krejt prej zdramit të do parimeve sterelizuese e shkatrrimtare, e as me u a hjekë at lmashk pedantizmi e kulimlleku vagabond-modern, qi ata quejn «kultur», perbuzin njomsín e vallevet popullore, bâjn n’asgja bukurín gjithmonë të njethtë e të kerthnestë të rapsodijavet kreshnike , kerveshin buzen mbí randsí të vendimevet të kanunit doketar – droit coutumier – mbí fjeshtsín e artë të mytologís, të prrallavet, e mbí marë «folkloren» t’onë komtare”.

            Tashti më duhet me u marrë pak gjatë me historinë e Kanunit dhe qellimin e mbledhjes e botimit prej Provincës Françeskane mbas vrasjes barbare prej serbëve të At Shtjefen Gjeçovit (që moralisht po përpiqet ta rivrasë ky biçim studiusi “amerikan”).

            Nga fundi i shekullit XIX, e sidomos në fillim të shekullit XX, Kuvendi Françeskan në Shkodër ishte kthye në një Akademi të vogël studimore. Përveç shërbesave fetare, secili prej fretënve shqiptar merrej me studime në fusha të ndryshme, si në gjuhësi, histori, pedagogji, muzikë e folklor. Shoqnia “Bashkimi”, e ma vonë revista zamadhe “Hylli i Dritës”, janë votrat ku zhvilloi veprimtarinë e vet kjo “Akademi”.

            Fretnit që shërbenin ndër Malësi iu përkushtuen mbledhjes së Visareve të Kombit: mitologji, legjenda, përralla, kangë, rrëfime, doke e zakone; me fjalë të tjera, gjithçka që përmblidhet në termat etnografi e folklor, si At Shtjefen Gjeçovi, At Bernardin Palaj, At Donat Kurti; ndërsa në Kuvend dhanë ndihmesë të jashtëzakonshme në shumë fusha At Gjergj Fushta, At Anton Harapi, At Martin Gjoka, At Justin Rrota, At Gjon Shllaku etj.

            At Gjeçovi, dijetar erudit në fusha të ndryshme, mund të konsiderohet një ndër arkeologët e muzeologët e parë shqiptarë, po ai mbetet në kujtesen e shqiptarëve sidomos si etnolog për mbledhjen e normave dokesore të Malësive ndër shekuj, i quejtun edhe “Kanuni i Lekë Dukagjjinit”, vepër me vlera të jashtëzakonshme studimore për vetë historinë e kombit tonë. Ai, si thotë Fishta, “Metaforikisht shenjon shtillin e ligjvet gojdhânse e të pa kodifikueme, mbas të cillave hecte dikúr hullija e jetës e e veprimit të popullit shqyptár”. Pra, e qartë: “dikur”, jo dje e aq ma pak sot. Megjithate, ai do të shërbejë edhe në hartimin e Kodeve që njohim sot, pse, prap Fishta: “ Ligjët neper kohë e rrethâna ndrrojn: prandej edhe ligjët e kanunint do të ndrrojn; por, para se të ndrrohen, jurista të specjalizuem do të studiojn kohen, mndyren se si me i ndrrue, tue ruejtë gjithmonë frymzimin karakteristik të tyne edhè nder ligjë të reja, neper të cillat të zevendsohen. Kshtû kan punue të gjitha kombet e gjytetnueme”.

            Ai nuk mund të shërbente atëherë, jo ma sot, si Kod që do të rregullonte apo do të rregullojë marëdhanjet shoqnore e ato juridike të popullit tonë, aq ma tepër se, përsëri Fishta: “Merret vesht prej vedit, se, mbas të hîmit të Turqvet në Shqypní, «Kanuni i Lekës» ká hupë si formë kodi, e âsht perdhosë si landë drejtsije”.

            Kanuni ishte jashtë kohe, këte Fishta e thotë qartë, aq ma tepër se gjatë shekujve ai kishte marrë shumë zgjyrë turke, si ishte e pashmangëshme në gati pesë shekuj robni.

            E Kanuni, si e gjejmë te Shuflaj (citoj simabs parathanjes së Fishtës), nuk ka qenë i vetmi e aq ma pak mbarëkombëtare apo mbarë Veriore normë ligjore gojëdhanore: “Prej vepret të citueme të Dr. Šufflay theksohen do fakte, qi mund të kenë të perpjekun me kodifikim të ligjvet në Shqypní. Qe nji herë Auktori thotë, (f. 23 et seq.) se që prej së të tremdhetes qindvjete nder do gjytete të Shqypnís gjindeshin zyre noterjale, kû u shkruejshin e prej kahë u perhapshin lajmet gjygjtare të vendit. «Prej trajtës e prej mbrendsís së lajmevet noterjale shqiptare – dukljane, shkruen mandej (f. 25 et seq.) mund të xjerrim ndonji gjâ mbí faret e statutevet të gjytetevet...»

.. se edhe Drishti n’interland të verit të Shqypnís – ká pasë Statutin e vet të kodifikuem (op. c. f. 25) nuk âsht krejt fjalë e pa vend, me thâne, se edhè kto republika kan mûjtë me pasë të kodifikueme ligjët e veta – mos seecilla m’vedi, nji kanûn të perbashktë të gjitha.

            Sot, veç Kanunit në fjalë, janë mbledhë, analizue e studjue edhe kode të tjera të së drejtës dokesore si  "Kanuni i Dibrës", "Kanuni i Skanderbegut", "Kanuni i Arbnisë", "Venomet e Labërisë", "Venomet e Sulit", "Venomet e Himarës".

            Shtrimja e veprimit të Kanunit të Lekë Dukagjinit ka qenë mjaft e kufizueme : ... mund të thohet se ká pasë vlerë legale nder Lekë (Malsorë të Mbíshkoders) e në Dukagjin. – Dukagjini nder kohë të kalueme perfshîte Shalë e Shosh, Pukë e Iballe, Mirditë, Kthellë e Selitë e Zhuben (Malsín) e Lezhës. – Per ket punë thonë nji palë, se Kanuni quhet i Lekë Dukagjinit, jo pse ká kênë kodifikue prej Lekë Dukagjinit, por pse ká kên zbatue nder «Lekë» e «Dukagjin»; pra: «Kanuni Lekë-Dukagjin», e jo i «Lekë Dukagjinit». Kto çashtje tash i zhvillon me kohë historija.

            Pra, nga këto pak citime prej Fishtës, kuptohet ma së miri se asht fjala për një Kod me vlera studimore historike e juridike, jo për një Kod, që simbas “amerikanit” tonë, na ban plojë edhe sot e kësaj dite popullin shqiptar, viktimë e një norme që “ .. është më i prapambetur se Sheriati.” (Uka).

            Shkrime e intervista gjithë mllef, urrjejte, ironi, deri tallje e përbuzje, akuza nga ma të përbindshmet për qellimin e botuesëve të tij më 1933, ... “Unë besoj se vepra e Gjeçovit e quajtur “Kanuni i Lekë Dukagjinit” është e falsifikuar. Ajo ka dalë në botim katër vite pas vrasjes së autorit të pretenduar nga serbët për të njëjtën arësye që serbët e vranë edhe albanologun jevrej me origjinë kroate Milan Shuflaj. Që të dy janë vrarë nga armiqtë e shqiptarëve sepse ishin mbledhës të folklorit të mirëfilltë shqiptar i cili ishte në atë kohë i nevojshëm për t'i vënë themelet albanologjisë...albanistikës. ... Cilin version e ka lexuar Fishta para se ta shkruajë parathënien?

            Ja pra deri ku arrin “shkencëtari” Uka: deri sa të akuzojë Françeskanët që e botuen si fallsifikatorë! Këte nuk e kishte ba as klani i Enver Hoxhës!

Gjeçovi vërtetë nuk e pa të botueme veprën e tij, por ai ndërkohë kishte botue me kohë, pjesë pjesë, në revistën “Hylli i Dritës”, nga viti 1913 e deri në vitin 1929, kur u vra, pothuej gjithë landën e Kanunit. Sot në Arkivin e Shtetit gjendet i plotë dorëshkrimi i tij mbi të cilin asht redaktue botimi i vitit 1933.

            Ai nuk kujtohet (ose nuk dëshiron të kujtohet) se gjakmarrja ka qenë shumë ma e përhapun para vitit 1933 kur u botue Kanuni, se ata që zbatojnë gjakmarrjen në përgjithësi as e dinë se egziston një libër i tillë, se gjakmarrja asht aty edhe ma e përhapun në treva ku Kanuni i Lekës nuk njihet e nuk zbatohet, prej Kruje në Dibër, prej Skrapari në Labëri, si tek të krishtenët, ashtu edhe tek muhamedanët.

            E ma tej thotë: “Mendoj se po të dilte një prif intelektual katolik apo klerik tjetër e të deklaronte se vlerat e Kanunit janë antikrishtere, gjakmarrja do të shuhej në zonat ku ka katolikë... në zonat ku ka më së shumëti gjakmarrje.”

            Ky “biçim” nuk e di, apo ma mirë nuk do të dijë se Kleri Katolik ka vu energji të pallogaritëshme në shekuj për shuemjen e konfliktit të gjakmarrjes. Me muej niseshin nëpër Malësi meshtarë, e katund më katund, shtëpi në shtëpi, luteshin, ndërhynin, mallkonin që të pajtoheshin gjaqet, të zhdukej ky zakon i mbrapshtë, si antinjerëzor, si jo i krishtenë. Për këte ka një leteraturë të tanë, mjaft të mos duesh të vjellish e të vjellish vner tue mohue historinë e fakteve të veprimtarisë së Kishës Katolike kundër gjakmarrjes.  Ka qenë Fishta ndër të parët që, kur i vranë të vëllanë, Çupin, fali gjaksin ende pa varrosë të vëllanë, e atëherë shkroi edhe poezinë dridhëruese “Gjaksorët”, strofen e parë të së cilës e citova në krye.

            Le të sjellim e analizojmë një pasazh tjetër:

 §.911. Po erdh kush me m'i dhânë zjarré shpis, a ksollës, a tbanit, un e prita edhè e vrava, î kam gjakun.

§.915. Të hypi kush në qafé, edhè pse jânë dy duer per nji krye, po e vrave, i ké gjakun.
Këto dy paragrafe i ngjajnë njëri tjetrit. Sipas Kanunit, nuk ka vrasje në vetëmbrojtje. Patjetër, çdo vrasje duhet të shpie në gjakmarrje. 

            Për një njeri me dy pare mend këtu del e qartë se qellimi asht të ndalen vrasjet për konflikte të përmasave që nuk e përligjin ate e se vetëmbrojte nuk mund të konsiderohet sot e kësaj dite e tillë në asnjë kod penal në botë kur kapërcehet masa e nevojshme e vetëmbrojtjes.  Por sërishmi kjo nyje nuk ka të bajë fare me çka mundet me ndodhë sot, pse askush as e njeh atë paragraf, por Ukës i duhet të gjejë shkak me hedhë baltë, jo për të luftue kancerin e gjakmarrjes, por për të denigrue një popull, veçanarisht Klerin Katolik, që ka qenë ndër shekuj sogje e lirisë dhe udhëheqje drejt përparimit e një mendësie europiane.

            Ma tej vijon me denigrimin e virtyteve si besa, burrnia, mikpritja, krenaria, trimnia etj:, herë me tallje, herë me ironi, e ma së shumti me urrejtje, urrejtje, urrejtje. Se çfarë do të thotë besë, kuptimi i saj historik e semantik, shqiptarët e dinë. Se sot ka akte noteriale, kontrata etj., edhe këte shqiptarët e dinë. Se mikpritja, kudo në botë, asht e vlertë. Se në rrethanat e shpërndamjes gjeografike të atëherëshme, mjetet e levizjes, mungesën e bujtinave apo restoranteve, mikpritja shpesh herë ishte edhe kusht mbijetese për udhëtarin nevojtar; natyrisht, në kohë të tjera, mikpritja merr të tjera konturime e njëherësh edhe semantikisht kuptim të ri. Çvlerësimi i saj arbitrarisht tregon sa i pavlerë asht “autori” Uka.

            E për të shpalosë erudicionin e tij na kujton se duhan, kafe etj., nuk kishte në kohën kur jetonte Lekë Dukagjini, pra, ja një element tjetër fallsifikimi. Harron, ashtu si për armët, për “grykëhollen”, se edhe normat dokesore kanë evolue bashkë me evoluimin e shoqnisë e se Kanuni, edhe pse quhet i Lekë Dukagjinit, asht plotësue e ndryshue nga shekulli në shekull, asht përmirësue e asht dreqosë, asht shpërfytyrue e si i thonë toskët “nakatosë”, simbas rrjedhave të historisë, e në kushtet e dekulturimit të kombit tonë. Pikërisht këtu e jo tek një kod doketar duhen kërkue rranjët tragjike të gjakmarrjes, tek dekulturimi i shqiptarëve gjatë sundimit osman e sidomos tek mosveprimi i shteti.

            Thotë Plini: «Ilirët  kanë krijue të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyne e morën nga ilirët» (Historia e natyrës, vëllimi VII), çka do të thotë se ai alfabet, që sot një botë mbarë e njeh si alfabeti latin, mirëfillit asht alfabet ilir. Shkruen Gulielm Ade më 1332 (libri I, pjesa 8):  “Shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinishtja; megjithatë kanë alfabetin latin në përdorim në tanë librat e tyne”. Ma qartë, a mund të ketë? “Në tanë librat e tyne”, jo në një, a në disa prej librave, por, e përsëris, në tanë librat e tyne”. Por dallgët e historisë banë që populli ynë të vetmohej ndër male, të egërsohej, të zhytej në errsinën e gjatë sllave e otomane.

            Shtypshkronja e parë në botë asht ajo e Gotebergut më 1466. Vetëm 26 vjet ma vonë, pra më 1492, na kishim shtypshkronjën tonë në Shkodër (Obot). Çka kishte me iu dashtë një populli të padijtun shtypshkronja, një populli të pashkolluem, që nuk di të shkruejë e të lexojë?! Na kishim atëherë universitarë që kryenin studimet në Universitet e para europiane e shkruenin për sistemet e yllësive. Po erdhi kolera osmane e populli ynë, si gaforrja, bani hapa mbrapa.

            Janë këto kushte historike të pafavorshme sidhe mospajtimi i tij me sistemin e gjykimit simbas Kuranit, që bani të lindnin institucionet paralele të drejtësisë. Përveç Kanunit (ose ma mirë me thanë, të Kanuneve e të Statuteve qytetare), u krijuen edhe gjykata të mirëfillta, të quejtuna parota e me dy nivele: parota e vogël, me 12 vetë, që shqyrtonte konflikte jo tejet të randa, e parota e madhe, me 24 vetë, që shqyrtonte konfliktet ma të randa. Qellimi i tyne ka qenë gjithmonë zgjidhja e jo nxitja e konflikteve, interpretimi krijues i bazës së konfliktit dhe dhanja drejtësi me kahje nga pajtimi apo gjobitje, bile edhe kur konflikti kishte në themel një vrasje. Pra del e qartë se Kanuni nuk kishte vlerë pa kuvendin, pa pleqtë, pa dheun që mblidhej për të nda të drejtën.

            Këtu e në radhë të parë këtu, tek mbrapambetja kulturore, tek mangësia në civilizim, e imponueme nga kushtet e disfavorshme historike, tek mungesa e shtetit, duhet kërkue dukunia atavike e gjakmarrjes, jo tek ato insinuata patologjikisht denigruese të Kanunit.

            Nuk asht vendi të zgjatem, as ia vlen të analizohet fakti se 90 % e rasteve të gjakmarrjes kryehen në kundërshtim me vetë normat e Kanunit; por natyrisht, edhe sikur të vritej vetë dorasi, do të ishte gjithësesi një akt barbar. Pra jo Kanuni, po mbrapambetja kulturore e diktueme nga historia tragjike e popullit tonë asht në themelin e së keqes. Asht vendi të kujtojmë edhe se jo sa herë vriten dy trafikanta apo hajdutë ordinerë, vepron Kanuni, edhe pse gazetat i titullojnë artikujt e tyne: “U vranë tre vetë në Shkodër. Veproi edhe një herë Kanuni!” Këtu dashakeqësia e injoranca konkurrojnë njena me tjetrën. Por si e kemi thanë edhe ma parë, tue qenë se Kanuni vepron në një shoqni pa autoritet shtetnor, kuptohet vetiu se asht pikërisht mungesa e autoritetit shtetnor i këtyne viteve ajo që i ka shty njerëzit me ba zgjidhje simbas Kanunit. Rigjallnimin e Kanunit e ka nxitë largimi i kriminelëve “në drejtim të panjohun”, jo rrallë me ndihmën e policisë, gjykimi i tyne i rremë, lirimi përkundrejt pagesës së shumave të mëdha gjyqtarëve, me fjalë të tjera, mungesa ose çalimi i ndjeshëm i autoritet shtetnor, i ligjit. E me që z. Uka asht ekonomist (në mos gabohem), po i kujtoj atij se Kanuni do të tërhiqet përfundimisht në muze me gjithë nderimet që meriton, jo nga sulmet e tij të paprincipta, por kur konkurrencën në mes tij e Shtetit ligjor ta ketë fitue Shteti ligjor. Vetëgjyqësia asht tragjike jo vetëm për atë që e pëson, por edhe për atë që vepron, kështuqë, në rrethanat e veprimit të Shtetit ligjor gjithkush do të tërhiqej nga kjo mendësi e mallkueme e gjakmarrjes.  

            Këto, në mos nuk i di z. Uka, t’i mësojë.  flasish në emën të mosnjohjes, të  paditunisë, asht ma e pakta papërgjegjshmëni e randë.

            Ja ku na del edhe se paskish mësue prej “jugosllavit” se gratë në Shqipni shiten.

            Asht e vërtetë që dhandrri i paguente një sasi paresh familjes së nuses. Cili ishte qellimi i kësaj pagese? Simbas traditës nusja duhej të merrte me vete aq pajë (prikë – veshmbathja) sa t’i mjaftonte gjithë jetën. Shumë familje, përcveç veshmbathjes që i siguronin bijës nga të hollat që sillte dhandrri, banin të pamundunen t’i siguronin sa ma shumë veshmbathje, që të mos ndjehej asnjëherë ngusht për to, si element shumë i randësishëm në jetën e grues. Po natyrisht, Blerim Uka këto nuk i di; ai di çfarë i ka thanë “jugusllavi” dhe mendja e tij e çoroditun, e mbushun me urrejtje për shqipatrët në përgjithësi e për Klerin Katolik në veçanti. Pikërisht kështu: një mendje e çoroditun, a si thotë Fishta, “ ..... lmashk pedantizmi e kulimlleku vagabond-modern, qi ata quejn «kultur»,........................ kerveshin buzen mbí randsí të vendimevet të kanunit doketar – droit coutumier – ........ e mbí marë «folkloren» t’onë komtare”...........”, e jo dëshira e logjikshme me luftue gjakmarrjen me çdo mjet të mundshëm. A, nëse gjithçka rrjedh nga naiviteti, nga mosdija, nga dehja me vetveten tue u shikue tepër gjatë në pasqyrë, përsëri do të ishte i falun, por të paktën të ketë thjeshtësinë e të reflektojë: vallë paska pritë “amerikanin”  të gjejë vezen e Kolombit dukunia tragjike e gjakmarrjes?

            Pyetja e vetme që mbetet për t’u sqarue asht: Çfarë e shtyn Ukën të hedh gjithë këte baltë? Nuk e njoh; nuk due ta paragjykoj pa fakte, veç atyne sa shkruen në blogun e tij e tek TSH; megjithate, një gja mund ta them pa mëdyshje: një shërbim i tillë mund t’i pëlqejë fare mirë mikut të tij “jugosllav”, por asnjë shqiptari të ndershëm.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx