E premte, 03.05.2024, 08:49 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Lufta e madhe bizantino-persiane (603-630) ishte për Muhametin...

E premte, 26.11.2010, 10:58 PM


Lufta e madhe bizantino-persiane (603-630) ishte për Muhametin ajo çka ishte Lufta e Parë Botërore për Leninin

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Patricia Crone, një studiuese e njohur e Islamit dhe Arabisë, e përfundon kështu librin e saj të famshëm: "Se në ç' masë, e ndoshta në tërësi, ngritja e Islamit duhet shpjeguar me argumente lokale, mbetet që të përcaktohet nga studimet e ardhshme; nuk ka dyshim se ka mënyra të tjera në të cilat ndërveprimi mes arabëve dhe të huajve mund të shqyrtohet. Por, në çdo rast shqyrtimi duhet të bëhet nga pikëpamja e impaktit të

Bizantit dhe Persisë mbi Arabinë. Kjo, dhe jo tregtia mekane duhet të jetë balli i kërkimeve të rritjes së fesë së re". (Patricia Crone, "Meccan Trade and the rise of Islam", New York 2004, Gorgias Press, f. 232)

Në kohën kur lindi Muhameti, dhe për pothuajse gjatë gjithë jetës së tij, në Lindjen e Mesme, dhe në Gadishullin Arabik by proxy, vazhdoi lufta mes dy fuqive më të mëdha të kohës, Imperisë Bizantine dhe asaj Persiane. Dy imperitë e mëdha rivale luftonin prej 500 vitesh kundër njëra tjetrës, një luftë kjo që kishte nisur mes Romës dhe Parthës (Persisë parasasanide). Në kohën kur lindi Muhameti Persia ishte fqinji lindor dhe jugor i Gadishullit Arabik, ashtu që Imperia Persiane përfshinte ato që sot janë Irani, Iraku, Jemeni në pjesën jugore të Gadishullit, si dhe Turqinë juglindore, Armeninë, Azerbajxhanin, Turkmenistanin. Por Hexhazi, ku lindi Muhameti, deri pas mesit të jetës së tij, për shkak të pozitës gjeografike, ashtu që gjendej në pjesën perëndimore të Gadishullit, kishte qenë larg influencës persiane, dhe nën influencën bizantine.

Gadishulli Arabik ishte një tokë e egër e banuar nga fise të egra nomade, të cilët duheshin mbajtur në fre që të mos përbënin rrezik për provincat kufitare bizantine, dhe të mos bëheshin bazë fuqie për Persinë rivale. Edhe pse dy imperitë e mëdha rivale të regjionit, ajo bizantine (romane) dhe ajo persiane nuk kishin qenë të interesuara që ta pushtonin Gadishullin Arabik, ky territor nuk kishte qenë kurrë jashtë vëmendjes së tyre. Si bizantinët (romanët para tyre), ashtu dhe persianët bënin klientët e tyre ndër tribunë arabe, me anë të shteteve-vasale të tyre që kishin një shtrirje në Gadishullin Arabik, Mbretëria Ghazane probizantine dhe Mbretëria Lakhmide propersiane.

Mbretëria Ghazane ishte një shtet i krishterë që zinte një pjesë të atyre që sot janë Siria, Libani, Palestina dhe Jordania. Autoriteti i saj arrinte deri në veri të Hexhazit, në Yathriba (Medina). Ghazanët u qëndruan besnikë bizantinëve gjatë gjithë kohës së luftrave bizantino-persiane, derisa mbretëria u aneksua nga Khalifati islamik në 636. Bizanti u kishte ngarkuar Ghazane vasalë detyrën që të merreshin me fiset e egra beduine të Gadishullit, dhe të kujdesej që ata të mos qenë një problem për Imperinë Bizantine. Mbretëria Lakhmide gjendej në Irakun jugor të sotëm dhe kishte si kryeqytet Al-Hirah, në bregun perëndimor të Lumit Eufrat, pranë qytetit të sotëm Kufa. Edhe pse Mbretëria

Lakhmide ishte e krishterë, ajo ishte armike e Bizantit dhe aleate e Persisë, se krishterimi lakhmid i përkiste sektit nestorian, që për Kishën Bizantine ishte një herezi, të cilën ajo dhe shteti bizantin e luftonin me egërsi të madhe. Nestorianët e dëbuar nga Bizanti gjetën strehim në Persi, ku u krijua një kishë e fuqishme nestoriane.

Mbretëria Ghazane dhe ajo Lakhmide ishin rivale dhe armike dhe mbetën të tilla deri në fund. Këto dy mbretëri, ndërhynin në konfliktet fisnore në Gadishullin Arabik, duke bërë klientë probizantinë apo propersianë. Për tributë arabe ekzistonte ai që mund të quhet si tregu i luajalitetit, ku ato e shisnin luajalitetin e tyre tek njëra nga dy imperitë. Ky përbënte një burim të rëndësishëm të ardhurash për prijësat tribalë të Gadishullit, dhe një mënyrë të sigurt për të konsoliduar bazën e tyre të fuqisë. Bizanti dhe Persia bënin në Gadishull një luftë by proxy, me anë të tribuve-kliente arabe. Imperia Bizantine kishte si imperativ të natyrshëm të politikës së saj në Gadishullin Arabik atë që të mos lindte një qendër fuqie armike në pjesën perëndimore të Gadishullit (do të thotë në Hexhaz, ku gjendeshin Meka dhe Medina), e cila do të kërcënonte drejtpërdrejt provincat bizantine, rrugëkalimin e tregtisë bizantine në Detin e Kuq, si dhe provincën e rëndësishme bizantine, Egjiptin, në bregun perëndimor të këtij deti.

Përndryshe politika persiane ishte që në pjesën perëndimore të Gadishullit të lindte dhe të zhvillohej një qendër fuqie arabe, e cila nga vetë natyra e gjërave, do të ishte në konflikt me Imperinë Bizantine. Prandaj Mbretëria Ghazane, probizantine bënte gjithçka për ta futur Hexhazin kufitar në sferën e saj të influencës. Koha paraislamike nga arabët e sotëm quhet Xhahilia, koha e padijes. Hexhazit, krahinës ku gjendej Meka dhe Medina, i shkonte më së miri ky emërtim. Në kohën kur lindi Muhameti nuk kishte një qytetërim arab, aq më pak në Hexhaz, ku lindi ai. Qytetërim do të thotë shtet, qytete, alfabet, literaturë, ndërtime guri, gjëra që arabëve u mungonin. Arabët e Hexhazit nuk kishin alfabet e literaturë. Toka ku jetonin arabët ishte armike e njerëzve dhe impononte jetesën nomade. Arabët e Jugut, Jemenit, të cilët kishin arritur që të ndërtonin deri në njëfarë niveli një qytetërim, një shoqëri urbane, nuk patën asnjë impakt në lindjen e

Islamit.

Tributë arabe (Qabilah) qenë të ndara në klane. Njësia bazike ishte tenda (khaymah), e cila përmbante një familje. Një kamp tendash përbënte një Hayy. Anëtarët e kampit përbënin një qawn (klan), mbi bazën e lidhjes së gjakut. Kreu i klanit quhej sheikh. Arabët kishin si pronë private vetëm tendën e sendet e luajtshme. Të tjerat qenë pronë e përbashkët. Ky ishte një komunizëm primitiv, baza për një shtet totalitar. Shteti musliman e ruajti sistemin tribal. Njësitë e Armatës së khalifatit do të ndërtoheshin mbi bazë tribale. Në territoret e pushtuara nga khalifati u vendosën pjesë të tribuve arabë, njerëzit e të cilave i bënë klientë (mawali) vendasit e nënshtruar të islamizuar.

Çdo fis arab kishte dialektin, kultin dhe qeverisjen e vet dhe asnjë ndjenjë afërsie të posaçme ndaj fiseve të tjera. Umma Al-Arabia erdhi pas vdekjes së Muhametit. Arabët idhujtarë nuk kishin ngritur veçse tempuj primitivë, si Kaaba. Ata kishin kultivuar vetëm një idhujtari primitive. Nuk kishin zhvilluar as mite, as kozmologji. Arabët, si krejt popullit nomadë, adhuronin Hënën. Dielli ishte kult i popujve agrarë, më të zhvilluar, se kishte të bënte me ciklet agrare. Në mjedisn arab dielli ishte torturues, ndërsa hëna ishte ajo që i favorizonte, se arabët i bënin natën, në freski udhëtimet dhe punët, si kujdesin për bagëtinë etj. Arabët, duke qenë nomadë, në lëvizje, nuk i nderonin të vdekurit, duke ngritur varreza për ta. Ata nuk kishin një kult të jetës pas vdekjes, ditës së gjykimit, parajsës e ferrit.

Arabët e Hexhazit, si të krejt Gadishullit, luftonin për burimet e ujit, të cilat qenë aq të rralla. Ai që zotëronte një oaz, vendoste sundimin në një zonë të gjerë, se të gjithë kishin nevojë të kalonin andej, dhe itinerari i karvaneve kushtëzohej nga oazet. Sa më i rëndësishëm oazi, aq më e gjerë zona e kontrollit. Gjithashtu ata luftonin për të bërë pre, duke msyrë karvanet dhe vendqëndrimet e tribuve të tjera. Nga këto luftra kishin lindur gjakmarrje. Mbi këtë konflikt tribal, Bizanti dhe Persia, me anë të Ghazanëve dhe Lakhmidëve, projektuan sistemin e klientelizmit, bashkë me luftrat e reja që gjeneroi ai.

Derisa Hexhazi kufizohej me shtetin vasal të Bizantit, Mbretërinë Ghazane, ishte e kuptueshme që ai të hynte në sferën e influencës bizantine. Në shekullin V pas Kr., fisi kurejshi, të cilit i përkiste Muhameti, filloi të bënte tregtinë e erzave, mes Indisë dhe Bizantit. Tashmë kjo tregti zhvillohej pjesërisht në tokë, pasiqë rrugët detare qenë bërë të pasigurta, meqënëse flota ushtarako-detare bizantine nuk qe në gjendje të ndalonte piraterinë në rritje, në Detin e Kuq. Kështu që mes kurejshëve dhe bizantinëve, ose më saktë mes vasalit të këtyre të fundit, Mbretërisë Ghazane, u krijua një marrëdhënie mbi bazën e interesave të përbashkëta. Fakti se kurejshët qenë paganë nuk i pengonte as bizantinët dhe as ghazanët e krishterë. Nuk qe hera e parë që bizantinët kishin pasur marrëdhënie me paganët, madje i kishin ndihmuar ata që të fuqizoheshin. Kështu bënë dhe me kurejshët. Me ndihmën e bizantinëve dhe të ghazanëve, kurejshët në shekullin V morën nën kontroll Mekën, dhe me kalimin e kohës filluan të shtrijnë influencën e vet në krejt Hexhazin. Bizantinët dhe ghazanët i mësuan kurejshit primitivë se si të zhvillonin

idhujtarinë e tyre primitive deri në një kult relativisht të sofistikuar dhe ta shndërronin atë në një instrument fuqie politike për të kontrolluar Hexhazin.

Meka, duke pasur një burim të rëndësishëm uji të pijshëm, Pusin Zamzam, ishte oazi më i rëndësishëm në Hexhaz. Kjo kushtëzonte dhe itinerarin e karvaneve, të cilët qenë të detyruar të ndaleshin atje, si dhe e bënte Mekën vend për zhvillimin e panaireve tregtare. Kjo gjë u dha mundësi mekanëve që t' u impononin vullnetin e tyre tribuve nomade të Hexhazit, që disa gjenerata para Muhametit. Tashmë tributë e tjera të Hexhazit qenë të detyruara që të bënin një pelegrinazh vjetor në Mekë për të nderuar tempullin e tyre politeist të quajtur Kaaba. Mekanët imponuan edhe rregulla të tjera, sipas të cilëve në disa muaj të vitit lufta do të ndalohej, duke qenë kjo periudha kur bëhej pelegrinazhi në Mekë, i cili ishte fitimprurës për mekanët, dhe periudha kur lëviznin karvanët e tyre tregtarë. Kështu, Meka u deklarua vend i shenjtë që para Muhametit dhe në një rreze 32 km nga Kaaba nuk lejohej lufta. Me këtë Meka u bë vend pelegrinazhi dhe qendër tregtie. Natyrisht se në periudhën tjetër të vitit, kurejshit dhe tributë kliente të tyre bënin luftë pandërprere kundër tribuve armike. Kështu, Hexhazi, në kohën e lindjes së Muhametit hyri në një fazë të përparuar të organizimit shoqëror tribal, në qendër të të cilit ishte Meka dhe kurejshët.

Rifillimi i luftës persiano-bizantine, në vitin 603, e cila vazhdoi 27 vite, e përmbysi realitetin e fuqisë në Hexhaz. Zbulesa e parë hyjnore i erdhi Muhametit në vitin 610, dy vite pasi filloi ofensiva e madhe persiane, në drejtim të Detit Mesdhe, me synim pushtimin e atyre që sot janë Siria, Libani, Izraeli, Jordania, Egjipti, Palestina. Ashtu si Gjermania, e cila në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, me anë të spiunazhit të saj kërkonte të influenconte sipas interesave të saj subversive debatet teorike në emigracionin e majtë marksist rus, edhe Persia bëri të njëjtën gjë me rrymat religjioze që lindnin në Hexhaz dhe posaçërisht në Mekë, ku "profetët" qenë një specie në lulëzim. Pas të gjitha gjasave, spiunazhi gjerman, nuk hyri në marrëdhënie për herë të parë me Leninin në vitin 1917. Gjermanët duhet të kenë hyrë në lidhje me Leninin që kur ai emigroi për herë të parë në Perëndim, në fillim të shekullit XX, me ç' rast qëndrimi i tij i

parë ishte pikërisht Gjermania, ku ai jetoi në Munih për dy vite (1900-1902). Natyrisht se Lenini kur ka hyrë në Gjermani i ka deklaruar policisë gjermane atë çka i kishte ndodhur në Rusi, dhe spiunazhi gjerman i ka bërë trajtimin e vet Leninit gjatë qëndrimit në Gjermani.

Nuk duket që të jetë rastësi që pikërisht në vitin 1902, në kohën që Lenini gjendej që prej dy vitesh në Gjermani, shkroi dhe botoi veprën e tij të parë madhore "Ç' të bëjmë?", e cila shënonte dhe kapërcimin prej tij të "Rubikonit" në teorinë marksiste. Ky libër i Leninit u botua për herë të parë në Gjermani, në Shtutgart. (Në librin "Ç' të bëjmë?" është shënimi: "Në fillim të marsit libri 'Ç' të bëjmë?' doli nga shtypi në Shtutgart", V. I. Lenin, "Ç' të bëjmë?", Drejtoria e Botimeve të Klasikëve të Marksizëm-Leninizmit pranë KQ të PPSH, Tiranë 1955, f. 180)

Lenini në këtë vepër shpalli se në kushtet e një shoqërie kryesisht agrare, çka ishte Rusia, ku mungonte një parti punëtore, dhe do të mungonte për një kohë të gjatë, rolin e partisë punëtore për kryerjen e revolucionit socialist do ta bënte një organizatë revolucionarësh profesionistë, e cila do t' i kultivonte idenë revolucionare tek proletariati i vogël dhe fshatarësia ruse. Lenini pretendoi se kjo tezë e tij ishte një rrjedhim i teorisë marksiste, por kjo qartësisht ishte e pavërtetë. Teza e Leninit ishte thjesht idea e vjetër e konspiracionit për përmbysje me dhunë të pushtetit, e shprehur në terma ideologjike të majta. Ajo çka ofronte Lenini nuk ishte organizata klasike konspirative, të llojit të atyre të cilat Marksi dhe Engelsi i kishin kritikuar shumë kur qenë shfaqur në lëvizjet revolucionare të kohës së tyre. Kjo e Leninit nuk mund të ishte teza e një intelektuali marksist, por vetëm teza e spiunazhit gjerman, i cili synonte ta përdorte lëvizjen marksiste ruse, për t' i krijuar probleme shtetit rus. Por kjo nuk do të thotë se Lenini ishte thjesht një agjent i paguar gjerman. Ai ishte një revolucionar dhe padyshim se e shikonte ndihmën gjermane nga pikëpamja e Raison d' Revolution, nëse mund të shprehem kështu.

Formula e Muhametit "la ilaha illá l-Lahi wa Muhammadan rasulu l-Lahi" ("Nuk ka Zot tjetër veç Allahut dhe Muhameti është profeti i tij") ishte një gjetje e ngjashme me teorinë e elitës pararojë të Leninit. Teoria e elitës revolucionare pararojë e Leninit ishte një formulë për krijimin e një baze fuqie personale, të një force militantësh fanatikë, në shërbim të një udhëheqësi absolut, një diktatori. Edhe formula e Muhametit ishte një mënyrë për krijimin e një baze fuqie personale, të një force militantësh fanatikë religjiozë dhe një udhëheqësi të plotfuqishëm, një diktatori. Zoti identifikohej me të dërguarin e tij të supozuar dhe ata që e pranonin këtë shndërroheshin në puppet-on-a-string të këtij të fundit, në skllevër-automatë të bindur të tij.

Ekuivalenti i qëndrimit të Leninit në Gjermani, për Muhametin ishte udhëtimi i tij në moshën 17 vjeçare, në Jemen, i cili gjendej nën sundimin persian. Atje Muhameti erdhi nën kontakt me persianët të cilët qenë të interesuar të gjenin njerëz të përshtatshëm për t' i përdorur për subversion në Mekë. Persianët sigurisht që i mbanin nën vëzhgim karvanet tregtare që vinin nga Meka. Muhameti duhet t' u ketë rënë në sy persianëve gjatë ndonjë debati religjioz mes udhëtarëve mekanë dhe vendasve se debate të tilla janë të natyrshme mes njerëzve të kulturave të ndryshme. Kur shikon mënyrën se si Muhameti i përdor kumtet e pretenduara hyjnore, në funksion të karrierës së tij politike, do të thotë të aspiratës së tij për t' u bërë sundimtar i Mekës dhe së paku i Hexhazit, nuk duket e besueshme që Muhameti të ketë besuar vërtet se ai ishte profet. Persianët mund ta kenë trajtuar me droga të ndryshme, për t' i krijuar iluzionin se kishte një komunikim hyjnor gjatë të cilit kishte fituar dhunti profetike. Persianët qenë të njohur për përdorimin e drogave me qëllim manipulimin e njerëzve, prej kësaj tradite erdhën edhe ashashinjtë e famshëm ismailitë të mëvonshëm, vrasësit e manipuluar me narkotikë, nga të cilët në gjuhët perëndimore hyri fjala "assasin", vrasës. Në Suren En Nahl Muhameti shpall këto fjalë të Allahut, duke folur për akuzat që mekanët i bënin atij, Muhametit:

"Ne e dimë shumë mirë se ata thonë: Atë e mëson një njeri". Mirëpo gjuha e atij që kanë parasysh është joarabe, ndërsa kjo e Kuranit është gjuhë arabe e pastër dhe e qartë".(Kuran, Sure En Nahl: 16, 103)

Fjala arabe që përdoret këtu është "ajan", e cila do të thotë "i huaj", por edhe "persian". Në të vërtetë i vetmi i huaj që binte në sy në rrethin e njerëzve të Muhametit qe persiani Salman, një njeri shumë misterioz ky, derisa gjatë rrethimit të Medinës, e këshilloi Muhametin që të urdhëronte hapjen e një kanali përreth qytetit, çka e shpëtoi atë nga pushtimi prej kurejshëve. Këtu na bëhet e ditur se mekanët e akuzonin Muhametin si agjent persian, gjë që ka shqetësuar edhe vetë "Allahun". Në paragrafin e mësipërm arsyetimi i Allahut është me të vërtetë qesharak. Fakti se Salman persiani nuk dinte mirë arabisht, nuk do të thotë se binte çdo mundësi që një tjetër persian të ishte dërguar pranë Muhametit për t' i mësuar shpalljet. Persia ishte një imperi shumëshekullore dhe ajo kishte një shërbim inteligjent të zhvilluar. Ky shërbim kishte njerëz të përgatitur, të cilët e njihnin shumë mirë arabishten, aq sa mund të dukeshin si arabë. Sa për Salman persianin ai më tepër duhet të ishte një këshilltar ushtarak i Muhametit, siç u duk gjatë rrethimit të Medinës, kur e këshilloi për hapjen e një kanali mbrojtës përreth Mekës.

Karriera e Muhametit si profet i supozuar, në vitet 610-632 përkon me periudhën e shkallëzimit të luftës bizantino-persiane. 16 vitet e para të karrierës profetike të Muhametit përkojnë me periudhën e triumfit persian në luftën kundër bizantinëve. Persianët përparuan në Kaukaz, Anadoll, Siri, Palestinë, Egjipt. Në vitin 614 Gadishulli Arabik kufizohej gjithandej në tokë me territore persiane, po të konsiderohet se që në vitin 598 persianët kishin aneksuar edhe Jemenin, në jug të Gadishullit.

 

***

 

Zbulesa hyjnore, pasi shpalljes së parë, iu ndërpre Muhametit për të rifilluar pas tre vitesh. Rifillimi i zbulesës hyjnore koincidon me suksesin e madh të ofensivës persiane, ashtu që në vitin 613 Persia pushtoi pjesën më të madhe të atyre territoreve që sot janë Siria, Libani, Izraeli, Palestina, Jordania, pra edhe Mbretërinë Ghazane, fqinjin verior të Hexhazit. Me zhdukjen e Mbretërisë Ghazane kurejshët, që sundonin Mekën, humbën patronin e tyre. Por ata nuk patën pasojë tjetër imediate nga fqinjët e rinj dhe kjo për dy arsye. Së pari, persianët e dinin se luajaliteti i kurejshëve të Mekës ndaj bizantinëve ishte thjesht rezultat i një tregtie politike dhe kurejshët fare lehtë mund t' ua shisnin luajalitetin persianëve, kur shikonin se këta qenë më të suksesshëm. Së dyti, persianët, si të gjithë fuqitë e tjera tëhuaja të cilat kishin luftuar në regjion para tyre, nuk ndërmorën një fushatë për pushtimin e Gadishullit Arabik, se kjo shihej si e kotë dhe pafrutshme.

Derisa kurejshët vazhduan të bëjnë tregti me Sirinë, edhe pasi kjo u pushtua nga persianët në 613, kjo tregon se kurejshët qenë bërë klientë të persianëve. Por natyrisht se persianët nuk kishin besim tek kurejshët, prandaj nuk mund t' i linin krejt të pashqetësuar ish-klientët bizantinë, të cilët tashmë qenë në një afërsi të rrezikshme me territoret e tyre. Pas të gjitha gjasave, persianët përdorën të njëjtën metodë si të bizantinëve, do të thotë e përdorën religjionin si ekspedient politik, për të ngacmuar kurejshët. Nuk është asfare rastësi që zbulesa e parë hyjnore i erdhi Muhametit në vitin 610, dy vite pas fillimit të ofensivës së madhe persiane në drejtim të Detit Mesdhe, e cila kalonte pranë kufijve të Gadishullit Arabik. Muhameti nuk ishte gjë tjetër veçse një agjent persian, i cili zbatonte një agjendë persiane për përmbysje politike në Mekë dhe Hexhaz. Në këtë pikë Muhameti qe krejt i ngjashëm me Leninin. Studiuesi James Howard-Johnston, në librin e tij "Witnesses to a world crisis: Historians and histories of the Middle East in the Seventh

Century", të botuar në vitin 2010, aludon se Muhameti ishte njeriu i bizantinëve. Hoëard-Johnston thotë se nuk ka të dhëna për të arritur në përfundimin se kishte kontakte mes Muhametit dhe bizantinëve, por paraqet një tezë që të çon tek ky përfundim, madje edhe tek përfundimi se Muhameti ndiqte një agjendë të përpunuar nga bizantinët, kur shkruan:

"Por nuk ka gjasa që të ketë qenë koincidencë e thjeshtë fakti se në të njëjtin vit, imperatori bizantin (Herakli) Heraclius dhe Muhameti filluan t' i inkurajojnë trupat e tyre me perspektivën se ata që do të vriteshin në luftë dhe do të fitonin hyrje direkte në parajsë. Heracliusi, për herë të parë deklaroi publikisht doktrinën e re (për të cilën duhet të jetë marrë vesh më parë me autoritetet kishtare) në pranverën e vitit 624, kur ushtria e tij kapërceu kufirin e vjetër me Persinë. Muhameti bëri të njëjtën gjë në kohën e Betejës së Badr, e cila është zhvilluar në mars 624. Muhameti tashmë kishte shpallur një tablo joshëse, mjaft persiane, të parajsës, në thëniet e tij të para nguruese. Tashmë, të vdekurit muslimanë mund ta shikonin të ardhmen me besim se pas vdekjes i priste një jetesë luksoze në shtëpi të mëdha të rrethuara me lulishte dhe  kopshte pemësh të ujitura mirë, të veshur me mëndafsh, perla e belezikë të artë, ata do të preheshin në divanë të butë, të shtruar me mëndafsh të qëndisur me ar, nën hijen e pemëve me fruta, në anë të rrjedhave të ujit, dhe do të shërbeheshin në enë të argjendta dhe gota të arta nga të rinj, ndërsa në pritje të tyre do të rrinin virgjëresha të ndritshme". (James Howard- Johnston, "Witnesses to a world crisis: Historians and histories of the Middle East in the Seventh Century", Oxford University Press Inc., New York 2010, f. 447)

Por kjo nuk provon domosdoshmërisht se Muhameti e mori këtë ide nga bizantinët. Në vitin 624 ishte shumë e vështirë që të dërguarit bizantinë të infiltronin në Gadishullin Arabik, se persianët kontrollonin të gjithë rrugëkalimet, si ato tokësore, ashtu dhe ato detare. Nuk kishte asnjë gjasë që një i dërguar i Herakliut të shkonte brenda muajit, nga Turqia qendrore e sotme, në vijën e frontit bizantino-persian, ku në atë kohë gjendej Herakliu, në Medinë të Gadishullit Arabik, ku gjendej Muhameti, duke ditur se gjithë këtë rrugë të gjatë duhej ta bënte në territor persian. Përndryshe, nëse persianët qenë në dijeni të doktrinës së Herakliut, ata kishin shumë më tepër mundësi që ta përcillnin idenë Muhametit.

Më shumë gjasa ka që të kenë qenë spiunët persianë në Konstantinopol që kanë mësuar për doktrinën e re të Herakliut, kohë më parë se ajo të shpallej. Se është e sigurt që doktrinën e kanë përpunuar teologë pranë Herakliut që kohë më parë se ajo të shpallej dhe ajo është diskutuar gjerësisht në oborrin e Herakliut, aq më tepër kur bizantinët qenë shumë të pasionuar në debatet religjioze. Pas sukseseve të mëdha ushtarake të viteve të fundit, të cilat kishin bërë që persianët të përparonin thellë në territorin bizantin, duke pushtuar më tepër se gjysmën e territorit të Turqisë së sotme, do të thotë të bazës kryesore të fuqisë bizantine, persianët qenë në pozitë shumë të favorshme për të dërguar spiunë në Konstantinopol, në rrugë tokësore dhe detare. Në panikun që kishte përfshirë Konstantinopolin, të shkaktuar nga përparimi persian në thellësi të Anadollit dhe msymjet e frikshme avare në Ballkan, nuk ishte e vështirë që Persia të gjente spiunë në rrethin e Herakliut, njerëz të cilët donin që të bënin një investim tek persianët për të siguruar të ardhmen që dukej aq e frikshme. Spiunët persianë duhet të kenë mësuar edhe se doktrina e re do të zbatohej me fillimin e kundërmësymjes bizantine, e cila ishte planifikuar në pranverën e vitit 624.

Persianët, duke qenë në dijeni të doktrinës së Herakliut që para se ajo të shpallej, i sugjeruan Muhametit që të zhvillonte një ide të ngjashme, ashtu që të bënte rezonancë me ëndrrat e beduinëve. Fakti se sureja kuranore ku Muhameti shpall një ide të ngjashme me

atë të Herakliut, për shpërblimin në botën tjetër të luftëtarëve të vrarë, vjen në të njëjtën kohë me shpalljen e Herakliut, flet më tepër në favor të tezës se Muhameti e mori këtë ide nga persianët. Se në atë kohë Muhameti gjendej në Medinë, në veri të Mekës dhe afër tij qenë persianët, të cilët kontrollonin pjesën më të madhe të territorit të mbretërisë ghazane, duke përfshirë, çka kishte rëndësi në këtë rast, territoret që kufizoheshin me Hexhazin. Pastaj, nëse Muhameti do të kishte qenë njeriu i bizantinëve, atëherë persianët nuk do ta kishin lejuar që të rrinte tetë vite në Medinë, me një forcë të vogël, nën hundën e tyre. Persianët natyrisht se nuk mund t' i hynin aventurës që të msynin Mekën, duke ndërmarrë një fushatë të vështirë në shkretëtirë, por deri në Medinë mund të shkonin. Medina ishte shumë më afër se Meka nga bazat persiane dhe nëse persianët do të kishin msyrë Medinën që kur Muhameti shkoi atje, do të qenë ballafaquar me një forcë të papërfillshme. Kundër tezës se

Muhameti ishte një agjent persian shkon ajo që thuhet në Kuran, në Suren en-Rrum (E Bizantinëve), e cila fillon kështu:

"Rumët (bizantinët) u mundën,

Në tokën afër por pas disfatës së tyre ata do të ngadhnjejnë,

brenda pak viteve.

Çështja është vendim i Allahut, fillim e mbarim. E atë ditë besimtarët do të gëzohen". (Kuran, Er Rrum: 30/ 2-4)

Kjo sure është shpallur në Mekë dhe këto fjalë janë thënë qartësisht, si përgjigje ndaj akuzave se Muhameti ishte agjent persian. Në të njëjtën mënyrë edhe Lenini, në kohën që e akuzonin si agjent gjerman, shprehej se gjermanët do ta humbnin luftën dhe se ky do të ishte një lajm i mirë për proletariatin ndërkombëtar.

Ngjashmëria mes Muhametit dhe Leninit të sugjerohet së pari nga datëlindja e tyre e afërt. Muhameti ka lindur në 20 prill (e njëjta datë me Hitlerin), ndërsa Lenini në 22 prill. Por kur kqyr jetën dhe veprimtarinë e tyre shikon dhe shumë ngjashmëri të tjera. Muhameti, paradoksalisht është paraardhësi i doktrinave revolucionare totalitare moderne, të cilat kombinojnë propagandën me dhunën, dhe që krijojnë pushtet e fuqi për një prijës absolut i cili vetëshpallet si kumtues dhe ushtrues i vullnetit të forcave

mbinjerëzore. Derisa për Muhametin feja ishte politikë, për Leninin politika ishte fe. Të dy, Muhameti dhe Lenini e patën veprimtarinë e tyre në kohën e konflikteve globale, të cilat i favorizuan shumë ata. Historia përsëritet deri në fund: Persia e pësoi nga Arabia islamike si Reich gjerman nga Rusia komuniste në Luftën e Dytë Botërore. Në të dy rastet, dy imperi u shkatërruan nga një fuqi të cilën ato e kishin ngritur, islamikët në rastin persian dhe bolshevikët në rastin gjerman. Khalifi Omar bin el-Kattab, i cili sundoi në vitet 634-644, në vitin 635 dërgoi një ultimatum imperatorit persian Yazdgird III, ku i kërkonte që të pranonte Islamin, ndryshe vendi i tij do të msyhej dhe do të shkatërrohej nga ushtria islame. Kështu, mund të thuhet se Persisë i ndodhi ashtu si Gjermanisë. Gjermania e dërgoi Leninin në Rusi, i ndihmoi bolshevikët që të merrnin pushtetin dhe pastaj e pësoi prej shtetit bolshevik në Luftën e Dytë Botërore. Ultimatumi i Omar për imperatorin persian, ia vlen të citohet i plotë, se ai flet shumë për mënyrat e përhapjes së Islamit:

"Në emër të Allahut, të ndjeshëm dhe të mëshirëplotë

Mbretit të Persianëve

Unë nuk shoh një të ardhme të mirë për ju dhe popullin tuaj veçse që ju të pranoni kushtet e mia dhe të më nënshtroheni mua. Dikur ka qenë një kohë kur vendi juaj sundonte gjysmën e botës, por e shikoni tash se si dielli juaj ka perënduar? Në të gjitha frontet ushtritë tuaja janë mundur dhe populli juaj është i dënuar që të shfaroset. Unë ju tregoj ju rrugën nëpër të cilën ju mund t' i ikni këtij fati. Më qartë, ju filloni të adhuroni Zotin e vetëm, të vetmin Zot që krijoi gjithçka. Unë jus jell juve kumtin e tij. Urdhërojeni popullin tuaj që t' i japë fund adhurimit të rremë të zjarrit dhe të bashkohet me ne, ashtu që ju të mund t' i bashkoheni së vërtetës.

Adhuroni Allahun, krijuesin e botës. Adhuroni Allah-u-Akbar e pranoni Islamin, si rrugën e shpëtimit. I jepni fund riteve tuaja politeiste dhe bëhuni muslimanë, që jut ë mund të pranoni Allah-u-akbar, si shpëtimtarin tuaj. Kjo është mënyra e vetme që

ju të siguroni mbijetesën tuaj personale dhe paqen për persianët tuaj. Ju do ta bëni këtë nëse ju e kuptoni se çka është e mirë për ju e për persianët tuaj. Nënshtrimi është opsioni juaj i vetëm.

Allah-u Akbar

Kalifi i muslimanëve, Umar bin el-Khattab"

Kështu, khalifi Umar e kërcënon imperatorin persian me shfarosjen e krejt popullit të tij, nëse nuk pranon Islamin. Imperatori persian iu përgjigj kështu:

"Në emër të Ahuramazda, Krijuesit të Jetës dhe Dijes

Nga ana e Mbretit të Iranit dhe Përtej, Mbretit të Shumë Mbretërive, Mbretit të Arianëve dhe joarianëve, Mbretit të Mbretërve të Imperisë së Persisë, Yazdgird III i Shtëpisë së Sasan.

Për Umar bin el-Khattab Khalif i Arabëve

Në letrën tuaj ju na ftoni ne iranianëve që të adhurojmë zotin tuaj, të cilin ju e quani Allah-u Akbar; e për shkak të barbarisë dhe padijes suaj, pa na njohur se kush jemi ne dhe Cilin ne adhurojmë, ju kërkoni që ne të gjejmë zotin tuaj dhe të bëhemi adhurues të Allah-u Akbar.

Sa e çuditshme që ju mbani postin e Khalifit arab, por megjithatë jeni po aq injorant sa cilido arab endacak i shkretëtirës! Ju më këshilloni mua që të bëhem monotheist. Njeri i vogël injorant! Për katër mijë vjet ne Iranianët kemi qenë monoteistë në këtë tokë të kulturës dhe artit, dhe pesë herë në ditë ne i ofronim lutje Zotit, Fronit të Njëshmërisë. Derisa ne vumë themelet e filantropisë, drejtësisë e mirësisë në këtë botë dhe mbajtëm lart emblemën e "Mendimeve të Mira, Fjalëve të Mira dhe Bëmave të Mira", juve dhe paraardhësit tuaj ishit endacakë të shkretëtirës që ushqeheshit me gjarpërinj e zvarranikë të tjerë, dhe që i varrosnit të gjalla vajzat tuaja të pafajshme.

Ju arabët nuk keni kujdes për krijesat e Zotit. Ju u prisni kokën fëmijëve të Zotit, madje edhe robërve të luftës, përdhunoni femra, varrosni të gjalla vajzat tuaja, msyni karvanet, bëni vrasje në masë, rrëmbeni gratë e të tjerëve, dhe vidhni pasurinë e tyre! Zemrat tuaja janë prej guri, ne dënojmë gjithë këtë të keqe që ju e kryeni. Si mund të na mësoni ju ne rrugën hyjnore kur ju kryeni këto krime?

Ju më thoni mua që të pushoj së adhuruari zjarrin dhe në vend të tij të adhuroj Zotin1 Për ne iranianët drita e zjarrit është përkujtesë e dritës së Zotit. Ndriçimi dhe ngrohtësia diellore e zjarrit gjallëron zemrat tonë, dhe ngrohtësia e pëlqyeshme e tij i afron bashkë zemrat dhe shpirtrat tanë, ashtu që ne të mund të jemi mirëbërës, të sjellshëm e përfillës, që xhentilesa dhe falja të bëhen mënyra jonë e jetesës, dhe që Zoti i Dritës të mund të mbajë ndriçimin në zemrat tona.

Zoti jonë është i Madhi Ahuramazda. Është e çuditshme që ju gjithashtu keni vendosur që t' i jepni një emër atij dhe ta quani atë Allah-u Akbar. Por ne nuk jemi asfare si juve. Ne, në emër të Ahuramazda, praktikojmë ndjeshmërinë, dashurinë, mirësinë, drejtësinë dhe faljen, e kemi kujdes për të varfrit dhe të pafatët. Ju, në anën tjetër, në emër të Allah-u Akbar tuaj kryeni vrasje, krijoni mjerim dhe i bëni të tjerët që t' u nënshtrohen vuajtjeve! Më thoni të vërtetën se kush duhet të fajësohet për bëmat tuaja të këqija? Zoti juaj që urdhëron genocidin, grabitjen e shkatërrimin, apo juve që i bëni këto gjëra në emrin e tij? Apo të dy?

Ju, të cilët jeni ngritur nga nxehtësia e shkretëtirave dhe tokat jopjellore, kërkoni të na mësoni ne dashurinë e Zotit me anë të fushatave tuaja ushtarake dhe me fuqinë e shpatave tuaja? Ju jeni njerëz të egër e megjithatë ju doni t' u mësoni dashurinë e Zotit njerëzve të qytetëruar si ne, të cilët jetojnë në qytete për mijëra vjet. Ne kemi mijëra vjet kulturë pas vetes, një mjet i fuqishëm, vërtet! Na thoni ne! Me të gjitha fushatat tuaja ushtarake, barbarinë, vrasjet e grabitjet në emër të allah-u Akbar tuaj, çka u keni mësuar ju ushtrive muslimane? Çfarë ju keni mësuar ju në emër të Allah-u Akbar tuaj ushtrive të Islamit, veç shkatërrimit, grabitjes e vrasjes, që ju tashmë të mendoni se mund t' i ftoni forcërisht të tjerët tek zoti juaj?

Sot fati i popullit tim ka ndryshuar. Ushtritë e tij, të cilat qenë të nënshtruara ndaj Ahuramazda, tashmë janë mundur nga ushtritë arabe të Allah-u Akbar. Dhe ato janë detyruar me anë të shpatës të bëhen ndjekës të zotit me emrin Allah-u Akbar. Dhe janë detyruar që t' i ofrojnë atij lutje pesë herë në ditë, por tashmë vetëm në arabisht, derisa Allah-u Akbar juaj kupton vetëm arabisht.

Unë ju këshilloj juve që të ktheheni tek zvarranikët tuaj të shkretëtirës. Mos i lëshoni mbi qytetet tona arabët tuaj barbarë dhe mizorë të cilët janë si kafshë të tërbuara. Pushoni së vrari popullin tim. Pushoni së grabituri popullin tim. Pushoni së rrëmbyeri vajzat tona në emër të Allah-u Akbar tuaj. Pushoni së kryeri këto krime dhe të këqija.

Ne iranianët jemi një popull falës, një popull i llojit mirëkuptues. Kahdo që ne shkojmë ne mbjellim farën e mirësisë, miqësisë dhe drejtësisë. Dhe kjo është arsyeja se përse ne jemi të aftë të mbikqyrim krimet dhe bëmat e këqija të ju arabëve.

Qëndroni në shkretëtirën tuaj me Allah-u Akbar tuaj dhe mos iu afroni qyteteve tona se e tmerrshme është feja juaj dhe brutale është sjellja juaj. Mbreti i Mbretërve Yazdgird Sasan"

(Dokumenti origjinal me të dy kumtet, atë të khalifit islamik dhe atë të imperatorit persian gjendet në Muzeumin Britanik në Londër dhe mund të kqyret në linkun: http://www.youtube.com/watch?v=6DTDIUvepSA)

Mbreti Yazdgird luftoi kundër arabëve derisa u vra prej tyre në vitin 651. Por jo para se të shijonte vdekjen e armikut të tij të madh, Umarit, i cili u vra nga një skllav persian në 644.

 

 

kastriotmyftaraj@sot.com.al

 

Vijon...

 



(Vota: 20 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora