Mendime
Fadil Lushi: Linkolni, Hasan Prishtina dhe Albin Kurti
E hene, 22.11.2010, 10:58 PM
LINKOLNI, HASAN PRISHTINA DHE ALBIN KURTI
Nga Fadil LUSHI
Këtë shkrim të radhës po e filloj me disa paragrafë nga retrospektiva e Abraham Linkolnit (1809-1865), presidentit të 16-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga ajo e Hasan Prishtinës (1873-1933). Që mos të keqkuptohem nga lexuesit e mi të nderuar dhe të paanshëm, do të bëj përpjekje që në këtë opinion timin gazetar të mos marr taraf (anë). Nuk do të lë hapësirë për paralelizma ose edhe krahasime politike dhe historike mes dy personaliteteve të sipërpërmendura me lidershipin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, ndonëse prej jush mund të hetohet ndonjë analogji e pjesshme.
Njohësit e mirë të historisë së Abraham Linkolnit thonë se ai kishte një qëndrim e një pikëpamje krejtësisht tjetërfare ndaj historisë së popullit e atdheut si dhe ndaj skllavërisë, lirisë dhe demokracisë. Dhe jo rastësisht ky burrështetas amerikan në një rast do të thotë: “AQ SA NUK DUA TË JEM SKLLAV, PO AQ NUK DUA TË JEM ZOTËRI. GJITHÇKA QË NUK PËRPUTHET ME KËTË KONCEPT, BIE NË KUNDËRSHTIM ME DEMOKRACINË”! Atentatin e tij e kishte përshkruar denjësisht një historian amerikan me fjalët: “Kur Abraham Linkolnin e kishin qëlluar për vdekje, në xhepat e tij kishin gjetur një palë syze të gërvishtura, një brisk xhepi, një copë letër të prerë nga një gazetë e zhubrosur, por të palosur me kujdes, gazeta ishte e vitit të fundit të luftës civile, dhe kurrgjë tjetër”!
Thonë se Abraham Linkolni vepronte për të gjetur rrugët si t’u shpëtonte jetën njerëzve në të dy anët e luftës. Qëllimi i tij ishte që vendi të shpëtonte dhe t’i jepej fund luftës. Për të gjitha që bëri për vatanin Linkolni, amerikanët, pavarësisht se a ishin të bardhë a të zinj, i ngritën përmendore për çështje kombëtare, një përmendore për një figurë më shumë se historike. Dhe Abraham Linkolni derisa ushtroi detyrën e presidentit te Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lëre që nuk keqpërdoroi fondet e atdheut, por nuk shpenzoi kot as një të vetmin cent a dollar, as edhe një pëllëmbë tokë të shtetit të tij! Shi për këtë shkak, nënshtetasit amerikanë, qofshin me ngjyrë të bardhë a të zezë, pos fjalëve të mira, nuk thanë asnjë llaf të keq për Abraham Linkolnin, gjegjësisht për presidentin e tyre të sajdisur.
Edhe Hasan Bej Prishtina, si një figurë historike shqiptare, do të shkrijë të gjithë pasurinë e tij për çështjen kombëtare, respektivisht për Shqipërinë natyrale apo për mirëqenien e vatanit të tij, të cilin vatan, lordët pederast të Konferencës së Londrës, ia bënë pikë e pesë. Hasan Bej Prishtina do ta shkrijë të tërë pasurinë e tij për çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbomadhe dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar. Dikur Hasan Bej Prishtina pat thënë: “Në vend të një kolltuku me turp në Stamboll, preferova kryengritjen me nder në malet e Kosovës”!
Ky veprim patriotik i Hasan Bej Prishtinës ndoshta është një shembull i paparë për politikanët e sotëm shqiptarë krejtësisht të moderuar. Kjo përçapje e tij, sa fisnike po aq edhe patriotike, për politikanët e korruptuar është thjesht qesharake. Ku ta dijë njeriu. Unë duke e lexuar biografinë e tij sa nacionaliste po aq edhe largpamëse, vura re edhe një të vërtetë tjetër. Ai u arsimua në orient gjegjësisht në institucionet e Perandorisë osmane, atje ku dikur fare pak përfillej fjala shqipe dhe ideja për një shtet shqiptar këtej Gadishullit Ilirik.
Mendimtari i vjetër grek Herodoti në veprën e tij të njohur “Historia” rrëfen se dikur persianët çdo çështje të rëndësishme e diskutonin dy herë: “në gjendje esëll dhe në gjendje të dehur”! Ata që mendojnë esëll, do ta përcjellin me (pa) dyshim lajmin se “Lideri i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti, kohë më parë e kishte shitur shtëpinë e tij për të financuar subjektin e tij politik në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, që pritet të mbahen më 12 dhjetor. Një anëtar i Vetëvendosjes në një komunikim për mediet në Kosovë tha se Albin Kurti ka shitur shtëpinë e tij në lagjen Dardania në Prishtinë, në një vlerë prej 70 mijë eurosh, të cilat do të shkojnë të gjitha në buxhetin e Vetëvendosjes. Sipas Vetëvendosjes Albin Kurti pasi ka shitur shtëpinë e tij është kthyer për të jetuar me prindërit”! Në këtë rast do të ishte jokorrekte ta lëmë mënjanë një pjesë të deklaratës së Albinit, ku ai me ngulm preferon që të mos trumbetohet veprimi i tij që ka të bëjë me shpronësimin e shtëpisë. Me siguri se këtë Albin Kurti e bën nga modestia e tij paksa e tepruar për rrethanat e sotme. Kjo “kërkesë” e tij është e ligjshme, sepse ai këtë e bën si njeri, si filozof ose edhe si politikan.
Lajmin e shitjes së shtëpisë (dhashtë Zoti që pronar i shtëpisë së Albin Kurtit të mos jetë ndonjë politikan i pasur dhe i korruptuar) gojëkëqijtë e dehur, madje edhe ata që janë bërë tapë, do ta komentojnë si një muhabet i kot dhe i vjetër, si një veprim i tij qesharak, adoleshent, pseudopatriotik, folk-patriotik, romantik, idilik, utopik, blof politik dhe në instancë të fundit si një veprim me prova të rreme. Disa do të thonë se Albin Kurti shiti shtëpinë për arsye se vuan nga një provincializëm politik tejet thellë, disa do të thonë se Albini e bëri këtë shitje për hir të një përfitimi material që do të bëhet në “KAZINONË E ZGJEDHJEVE PARLAMENTARE QË DUHET TË ORGANIZOHEN ME 12 DHJETOR TË VITIT 2010 ???” Disa të tjerë këtë veprim të Albin Kurtit, gjegjësisht kampionit të opozitës politike shqiptare, do ta nëpërkëmbin deri në atë shkallë sa që do thonë se ai këtë e bëri për ngritjen e dinjitetit politik dhe kombëtar të tij, e jo të VETËVENDOSJES?
Dashamirësit politikë që frymojnë gjithandej në Kosovë po edhe përtej saj, thonë se Albini me veprimet e tij të deritanishme politike ka sensibilizuar ndërtimin e një filozofie krejt tjetër këtu në hapësirat e Shqipërisë Londineze, dhe njëkohësisht do të bëjë përpjekje ta rrënojë kështjellën ku sundon ajo monotonia e të bërit politikë recidiviste, klandestine, të bezdisshme dhe provinciale. Kështu siç perceptohet albinizmi, të lë përshtypjen se në hapësirën kosovare sot e gjithë ditën e Perëndisë, hetojmë dy koncepte diametralisht të kundërta: konceptin e korrupsionit deri në fyt (kriminalitet të organizuar) dhe konceptin filozofik, gjegjësisht politikëbërjen racionale të tij. Ndoshta Albin Kurti nuk mund të jetë i barabartë me historinë e Abrahamit e as me atë të Hasan Prishtinës, por ama historia e deritashme e tij mund të jetë një guralec në murin e historisë së patriotizmit, si dhe një depërtim a paraqitje dinjitoze e tij në arenën politike kosovare dhe pse jo edhe gjithëkombëtare, një depërtim që përfundimisht edhe do t’i sfidonte seriozisht disa parti politike shqiptare që karakterizohen (disa) me oligarki unike e disa të tjerë me oligarki të çorientuar dhe të fraksionuar, parti politike tok me politikanë, tani veç të korruptuar dhe botërisht të komprometuar! Ai do t’i sfidojë edhe diplomatët ndërkombëtarë që “veprojnë e frymojnë” në Kosovë, diplomatë të cilët jo rastësisht nuk do t’i vizitojnë hapësirat e Vetëvendosjes, edhe pos faktit se kjo Vetëvendosje do të shndërrohet në subjekt politik (kohë më parë e regjistruar në Gjykatën e Prishtinës).
Të nderuar lexues, a e dini pse ky subjekt politik tok me lidershipin e tij anashkalohet nga diplomatët ndërkombëtarë të sistemuar në Prishtinë? Ja, po jua them unë: sepse aty (te Vetëvendosja) nuk ka asnjë të vetmin cep ku ndërkombëtarët e Martti Ahtisarit, së paku për një kohë të caktuar, do të mund t’i “lanin, shpërlanin dhe t’i tundnin paratë e tyre të pista!!?? Me gjithë vëmendjen e duhur që në këtë shkrim të mos krijoj analogji ndërmjet dy figurave, njëra amerikane e tjetra shqiptare, me figurën e Albin Kurtit, prapëseprapë nuk mund të anashkalohet një e tillë, pavarësisht se ajo analogji ose ajo provë është e pjesshme. Albin Kurti përfundimisht është një personalitet me koeficient kundërshtie dhe kokëfortësie politike goxha të lartë. Për këtë dhe arsye të tjera, vokacioni i Albin Kurtit nuk mund të perceptohet si vokacion folk-patriotik e as nihilist, përkundrazi duhet të pasqyrohet si një kundërshtim përballë njerëzve që bëjnë politikë të mbrapshtë, joparimore, cinike, djallëzore, trillane, politikë antikombëtare, grabitqare, politikë të kulaçit dhe të kërbaçit! Tekefundit, Albin Kurti, tok me partinë e tij politike nuk e ka për “kulturë” grabitjen e pasurisë së Kosovës. Provat e deritanishme janë bindëse dhe si të tilla shkojnë në favor të tij. Një gjë është e vërtetë: Hasan Bej Prishtina nuk e shiti pasurinë e tij për t’u ulur në një kolltuk të Perandorisë otomane. Edhe Albini nuk e bëri këtë për t’u ulur në kolltukun e Vetëvendosjes, ndonëse gojëkëqijtë do të thonë se ai këtë e bën po për këtë qëllim?
Të nderuar lexues, nëse s’është kështu dhe nëse nuk u besoni këtyre provave që janë në favor të (jo të këtij shkrimi-qoftë këmbë e krye i gabuar) Abraham Linkolnit, Hasan Bej Prishtinës dhe Albin Kurtit, atëherë jepni një të vetmin shembull dhe thoni se cili politikan i vaktit të tranzicionit të stërzgjatur shqiptar i “shiti opingat e vjetërsuara të babagjyshit” për të shlyer së paku një borxh të vockël, të partisë së tij politike, të asaj partie që e kostumoi politikanin, atë politikan që edhe ia ktheu prapanicën “partisë së tij të dashur”!??