Mendime
Kastriot Myftaraj: Kaba (Qabja) dhe Kremlini, Guri i Zi dhe Kulla Spaskaja (I)
E shtune, 20.11.2010, 08:59 PM
Kaba (Qabja) dhe Kremlini, Guri i Zi dhe Kulla Spaskaja (I)
Nga Kastriot MYFTARAJ
Arabët e Gadishullit Arabik, në sens të historisë së kulturës mund të quhen sllavët e shkretëtirës, posaçërisht rusët. Ekziston një ngjashmëri e madhe mes sllavëve të Rusisë në kohën kur ata u konvertuan në të krishterë, në shekullin X dhe arabëve
të Gadishullit Arabik, në kohën kur ata u konvertuan në fenë islame, në shekullin VII. Të dy palët qenë fise të pazhvilluara nomade, të cilët posa kishin filluar të bëheshin popullsi sedentare.
I njëjti shpirt i formuar në hapësira të gjera, stepa dhe shkretëtira. Ky krahasim vlen edhe për sllavët e ardhur në Ballkan, të cilët qenë formuar shpirtërisht në stepat. Edhe ekstremet klimatike kanë pasur të njëjtin impakt në formimin e shpirtit dhe mendësisë arabe dhe sllave. I nxehti i madh i shkretëtirës dhe i ftohti i madh i stepës, në thelb kanë paraqitur të njëjtin problem për banorët e stepave dhe të shkretëtirave. Ato kanë imponuar jetesën nomade. Një ngjashmëri interesante ka mes tendës arabe të vendosur mjedis oazit, si kufiri i botës së pëlqyeshme për jetesë në shkretëtirë, dhe izbës ruse, strehës së ndërtuar duke gërmuar tokën dhe duke e mbuluar me një çati prej trungjesh të prerë drurësh. Izba ruse është ndërtim tipik i nomadëve, të cilët duke qenë se zhvendohen nuk ndërtojnë banesa mbitokësore, të cilat kërkojnë shumë punë, ashtu si nomadët e shkretëtirës ngrejnë vetëm tenda. Izba është ekuivalenti rus i tendës arabe. Me izbën, e pajisur me sobën, samovarin dhe saunën në version rus, rusët n klimën e ftohtë të stepës sllavët krijuan një version të nxehtë të oazit, i cili përbënte për ta kufirin e botës së pëlqyeshme për të jetuar.
Arabët, ashtu si sllavët qenë fise nomade idhujtare, në një shkallë të ulët idhujtarie. Të dy palët qenë sinkretistë, do të thotë adoptonin kulte idhujtare, deri edhe kulte monoteiste, sipas përthyerjes në prizmin e shpirtit dhe mendësisë së vet. Kështu, derisa sllavët adoptuan Krishterimin bizantin, arabët adoptuan pjesë të Judaizmit dhe Krishterimit, sipas përthyerjes në prizmin e shpirtit dhe mendësisë së tyre, duke krijuar me to dhe me idhujtarinë arabe një fe të re, Islamin.
Është thënë shpesh se komunizmi rus ishte një lloj derivati ideologjik i Krishterimit ortodoks rus. Në fakt ai ishte revansh i idhujtarisë parakristiane ruse, e cila u inkorporua në mënyra të ndryshme tek Krishterimi rus. Kisha Ortodokse në Rusi bëri kompromis me idhujtarinë, për të mundur të bënte për vete rusët. Sllavët besonin tek një zot suprem, emri i të cilit ishte Perun, çka do të thotë “rrufe”. Princi Vladimir i Madh, i Rusisë së Parë, asaj të Kievit, i cili ishte ai që bëri konvertimin e rusëve në të krishterë, kur u ngjit në pushtet, në vitin 980, ngriti para pallatit të vet statujat e pesë zotërve idhujtarë, me Perunin në qendër. Disa vite më pas, kur Vladimiri i Madh e konvertoi Rusinë në fenë e krishterë të ritit lindor, pallati u bë manastir i krishterë, por emrin e pati Manastiri Perun! Kjo simbolizonte më së miri sinkretizmin e krishterimit rus me idhujtarinë ruse parakristiane. Kulti i Perun kaloi tek hagiografia e shenjtorit të krishterë rus, Gromovnik (Ilia Rrufegjuajtësi), i cili ishte një zhvillim i profetit biblik Elia. Misionarët e krishterë që ungjillëzuan rusët e gjetën shumë konvenuese hagiografinë e profetit Elia, i cili u ngjit në qiell i hypur mbi një karrocë të zjarrtë, çka ishte e ngjashme me bëmat e Perun.
Në librin “Encyclopedia of & Slavic people: Myth and Legend” thuhet: “Në Novgorod (qyteti më i rëndësishëm i Rusisë së hershme-K.M.) Peruni tolerohej dukshëm edhe në erën e krishterë. Rrëfimet e shkruara na bëjnë me dije se statuja e Perunit fshikullohej çdo vit për të nxjerrë prej saj forcat demoniake. Në zona të tjera të Rusisë Peruni thjesht u amalgamua me profetin Elijah, ose Ilya, sic njihej në Rusi, për shkak se sipas Testamentit të vjetër, Peruni kishte shumë nga fuqitë e Elijah, duke përfshirë dhe aftësinë për të lëshuar shi dhe zjarr prej qiellit”. (Mike-Dixon Kennedy, “Encyclopedia of Russian & Slavic people: Myth and Legend”, ABC-CLIO Inc., Santa Barbara 1998, f. 218)
Edhe shenjti tjetër i krishterë, Vitusi, u bë shumë popullor mes sllavëve, duke përfshirë edhe serbët, për shkak se emri i tij në sllavisht, Sveti Vid, kishte ngjashmëri me emrin e zotit pagan Svantovid, zoti i luftës dhe pjellorisë. Një nga pesë zotat idhujtarë, të cilëve Princi Vladimir i Madh u ngriti statuja para pallatit të vet në 980, ishte Dazbog. Emri e ka origjinën nga fisi sllav Dazbog, i njerëzve-ujq. Sipas mitologjisë sllave, ujqërit u mësuan njerëzve gjuetinë në grup dhe jetesën në grup në përgjithësi. Elementë të kultit idhujtar të Dazbog kaluan tek shenjti i krishterë serb, Shën Sava, ati i kishës serbe dhe virtualisht i nacionit serb. (Veselin Cajkanovic: “Mit i religija u Srba”, Beograd 1973)
Tensioni i ardhur nga sinkretizmi i idhujtarisë sllave me krishterimin është në origjinë të asaj që është quajtur si drama mistike e shpirtit rus, dhe për të cilën kanë shkruar shumë studiuesit rusë. Nuk është ironi e vogël se studiuesit antikomunistë rusë, të llojit të Nicola Berdaev, kanë pranuar më mirë që ta quajnë komunizmin rus një përthyerje të komunizmit perëndimor në prizmin e shpirtit rus të formësuar nga krishterimi ortodoks, se sa të ballafaqohen me të vërtetën e frikshme për ta, se komunizmi rus ishte produkt i tensionit që ekzistonte tek shpirti rus mes krishterimit dhe traditës idhujtare sllave. Krishterimi ortodoks nuk e bëri dot kurrë vërtet të vetin shpirtin rus. Ky tension dhe konflikt vazhdoi për dhjetë shekuj. Ky raport shprehet më së mirë në personin dhe figurën e Rasputinit, murgut të urryer nga Kisha Ruse dhe të dashur nga populli. Rasputini sinjifikonte prevalimin e idhujtarisë së hershme sllave mbi Krishterimin sllav. Vrasja e Rasputinit ishte vetëm një triumf i përkohshëm. Historia saktësoi çmimin për t’ u paguar, me komunizmin bolshevik, i cili ishte revanshi i idhujtarisë sllave, dhe që erdhi vetëm pak muaj pas vdekjes së Rasputinit.
Një proces i ngjashëm ka ndodhur edhe me arabët, ku në vend të komunizmit bolshevik është Islami. Islami ishte një sinkretizëm mes idhujtarisë arabe dhe besimeve monoteiste, Judaizmit dhe Krishterimit. Prej këtej hermetizmi i Islamit si religjion ultradogmatik, ku nuk pranohet asnjë lloj diskutimi, dhe paraqitja e Muhametit si model sjelljeje që duhet ndjekur në çdo rrafsh të jetës, prej nga vjen dhe emri i degës kryesore të Islamit, Sunizmit, që vjen nga fjala “Sunah” dhe do të thotë modeli i sjelljes dhe thëniet e Muhametit. Nëse do të hapej diskutimi, atëherë kjo do të thoshte që të shkohej deri tek rrënjët idhujtare, dhe me këtë minoheshin themelet e fesë. Kur në Bashkimin Sovjetik u lejua debati mbi dogmat ideologjike dhe raportin e tyre me realitetin, do të thotë funksionimin e tyre ose jo, atëherë u shpërbënë vetë themelet e kultit ideologjik. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Islamin nëse bën diçka të ngjashme.
Ngjashmëria e Islamit me komunizmin rus duket më së miri tek ngjashmëria e Kaaba-s (Qabes) dhe Kremlinit. Si Kaaba, ashtu dhe Kremlini qenë tempuj të shenjtë të periudhës paraislame dhe parakomuniste, në Arabi dhe në Rusi. Kremlini ka qenë një tempull politiko-religjioz për Rusinë, dy fusha këto që kurrë nuk ka qenë të ndara në Rusi, ashtu si në Arabi. Kremlini ishte vërtet rezidenca e sundimtarëve rusë, por sheshi qendror në Kremlin quhej dhe quhet Sheshi i Katedraleve, ku janë tre nga katër katedralet e Kremlinit. Një prej tyre është dhe Uspenski Sobor, e ndërtuar në 1479, e cila njihet si Kisha Nënë e Rusisë dhe ku janë kurorëzuar të gjithë carët-imperatorë të Rusisë. Lenini e zhvendosi regjimin bolshevik nga Petrogradi në Moskë, në 12 mars 1918, në prag të fillimit në shkallë të gjerë të luftës civile në Rusi. Nuk duhet të kenë qenë vetëm motivet e sigurisë ato që e bënë Leninin që ta merrte këtë vendim. Lenini e dinte se largimi i carëve nga Moska në Kremlin, nuk qe pëlqyer kurrë nga pjesa më e madhe e rusëve dhe qe parë si një shenjë e keqe. Lenini e ndjente se, kur rusët të cilët në rreth 80% të tyre qenë fshatarë supersticiozë, të mësonin se regjimi i ri e kishte qendrën në Kremlin, ata do ta shikonin këtë si shenjë fuqie, madje edhe si shenjë vullneti hyjnor.
Ajo çka është për Kaaba-n e Mekës, Guri i Zi, është për Kremlinin e Moskës Kulla Spaskaja. Kjo kullë është më e madhja ndër njëzet kullat e Kremlinit dhe kryesorja ndër to. Tradita ruse thotë se ai që shkon në Kremlin duhet të hyjë nga porta e kësaj kulle, në të kundërt duhet t’ i përkulet pesëdhjetë herë Kullës Spaskaja. Porta e Kullës Spaskaja njihet si porta e shenjtë. Nga kjo portë hynin procesionet religjioze si dhe sundimtarët e Rusisë. Kulla Spaskaja është quajtur Kulla e Shpëtimtarit se mbi portën e saj qe vendosur ikona e Spas Nerukotvormy (Shpëtimtarit Hyjnor). Në këtë kullë është vendosur ora e famshme e Kremlinit. Kulla Spaskaja ishte gur i shenjtë për rusët. Gjatë procesioneve ata e preknin atë si pelegrinët islamikë Gurin e Zi të Mekës.
Kur Stalini në vitin 1935 vendosi pesë yje të kuq mbi kulmin e pesë prej kullave të Kremlinit, ylli i parë u vendos mbi kulmin e Kullës Spaskaja, në 25 tetor, në përvjetorin e ditës kur Rusia gdhiu nën pushtetin bolshevik. Kështu, u bë sinkretizmi mes kultit bolshevik dhe kultit të krishterë rus, i cili nga ana e vet kishte qenë në sinkretizëm me kultin idhujtar rus. Yjet pesëcepësh të vendosur mbi kullat e Kremlinit qenë yje të mëdhenj prej çeliku, të veshur me rubinë dhe të ndriçuar nga brenda me llampa elektrike. Këta yje qenë të ndërtuar sipas parimeve ikonografike, për të qenë pjesë e Ikonostazit bolshevik. Aty pranë, si pjesë e kultit të ri, të ndërtuar mbi një mistikë të llojit të vet, nga një regjim ateist, ishte dhe nekropoli bolshevik, varret e krerëve bolshevikë, në murin e Kremlinit, pranë Mauzoleumit të Leninit.
Shndërrimi i Kremlinit në qendrën e pushtetit komunist rus, dhe ylli i kuq mbi Kullën Spaskaja, qenë simbole që shprehnin më së mirë nacionalizimin e komunizmit nga Lenini dhe Stalini. Kremlinizimi i komunizmit rus do të thoshte shndërrimi i tij në ideologji nacionale ruse, ashtu si edhe Krishterimi rus qe shndërruar në ideologji nacionale ruse. Komunizmi rus nuk harroi as mitologjinë sllave parakristiane. Kryehyjnia idhujtare ruse, Perun, dikur ishte paraqitur duke mbajtur në dorë një çekan. Çekani u vu në flamurin sovjetik, bashkë me yllin e kuq. Numri pesë kishte sinjifikim të posaçëm në mitologjinë sllave parakristiane dhe për këtë edhe në kujtesën kolektive sllave. Pesë qenë idhujt të cilët princi Vladimir i Madh, i Rusisë së Parë, të Kievit, ngriti para pallatit të vet. Kështu që edhe Ylli i Kuq me pesë cepa u përshtat më së miri me vetëdijen idhujtare ruse. Nikola Berdaev, në librin e vet “Zanafilla dhe kuptimi i komunizmit rus” shkruan për fitoren e komunizmit në Rusi:
“Ra mbretëria e vjetër dhe e shenjtë ruse dhe u formua një mbretëri e re, po aq e shenjtë, një teokraci së prapthi. Ndodhi një transformim i mahnitshëm. Marksizmi që nuk kishte as prejardhje ruse, as karakter rus, mori një stil rus, një stil lindor, pothuajse të afërm me sllavofilizmin. Deri edhe ëndrra e vjetër e sllavofilëve për ta çuar kryeqytetin e Rusisë nga Petërburgu në Moskë u realizua nga komunizmi i kuq. Dhe komunizmi rus shpalli përsëri me të madhe idenë e vjetër të sllavofilëve ex Oriente lux. Nga Moska, nga Kremlini buron drita që duhet të ndriçojë errësirën borgjeze. Në të njëjtën kohë komunizmi ngre në këmbë një shtet despotik e burokratik, të thirrur për të mbisunduar në tërë jetën e popullit, jo vetëm mbi trupin por edhe mbi shpirtin e tij, në përputhje me traditat e Ivanit të tmerrshëm dhe të pushtetit carist”.( Nikollaj Berdjajev, “Zanafilla dhe kuptimi i komunizmit rus”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2008, f. 222)
Por Berdajeve dhe të tjerët si ai, nuk e shohin fare atë aspekt të komunizmit rus që është revanshi i idhujtarisë ruse parakristiane mbi monarkinë e krishtere ruse.
Vijon...