E premte, 02.05.2025, 08:07 PM (GMT+1)

Mendime

Mustafa Nano: Jemi në dorë të një bande kriminale

E shtune, 20.11.2010, 11:32 AM


Jemi në dorë të një bande kriminale

 

Nga Mustafa Nano

 

Ka dy ditë që një pjesë e shtypit po flet për një bodyguard të familjes së Berishajve që ka qëlluar me armë mbi trupin e një kamerieri, duke e lënë këtë të fundit të plagosur rëndë. Fillimisht u fol që ai ishte në zgrip të jetës. "Është me orë", thanë.

 

Tani flitet se e ka marrë veten. Dhe ky është një lajm i mirë. Por ky lajm i mirë nuk na bën dot të harrojmë atë që ndodhi në këtë rast, dhe atë që ka ndodhur në shumë raste në Shqipërinë e këtyre kohëve. E nëse i harrojmë, do të jetë për të keqen tonë. Të të gjithëve. Edhe të bandës kriminale që ka marrë revan. Është mirë që kjo bandë ta dijë këtë gjë.

 

Është domethënëse kronika e ngjarjes. Vëreni hapat një e nga një! 1. Klienti i një restoranti qëllon me armë mbi kamerierin, me motivacionin se ky i fundit nuk i ndërron tavllën. Gjithkush ka pyetur: ç'është ky i marrë kështu, që vret për punë tavlle?

 

2. Del lajmi që klienti ishte pjesëtar i Gardës së Republikës. Gjithkush ka pyetur: ku dreqin i psonisin këta gardistë? 3. Del lajmi që ai gardisti me kobure në dorë ishte shofer a bodyguard i djalit të kryeministrit. Aha, u kuptua gjithçka.

 

Nuk ka më pyetje. 4. Garda, policia dhe PD-ja dalin e përgënjeshtrojnë gjithçka. 5. Të gjitha ato që u përgënjeshtruan dolën të vërteta. 6. Rezultoi që bodyguardi është dhe biznesmen. 7. Autori i plagosjes është sot në arrest shtëpie. Ky është zhvillimi i fundit i kësaj ngjarjeje. E kuptoni?

 

Çdo njeri tjetër që do të akuzohej për një vepër të tillë penale, do të ndalohej pa një, pa dy. Ndërsa bodyguardin e Berishajve e lënë në ngrohtësinë e shtëpisë. Në fakt, është e sigurt se vetëm në arrest shtëpie nuk mund të jetë ai njeri.

 

E kush do ta kontrollojë respektimin e këtij vendimi? Policia e Lul Bashës, që edhe urinën nuk guxon ta bëjë pa lejen e Berishës?

 

Por e keqja nuk ka lidhje vetëm me faktin, që autori i një krimi është duke i shpëtuar ndëshkimit të shtetit. Kjo ka ndodhur e do të ndodhë në këtë Shqipërinë tonë të korruptuar deri në palcë.

 

E keqja e madhe ka lidhje me faktin, që njerëzit e entourage-it të kryeministrit të vendit mund t'i lejojnë vetes të bëjnë ç'të duan në këtë vend. Ata gëzojnë impunitet të plotë. Ata nuk guxon askush t'i arrestojë, t'i hetojë, t'i gjykojë e t'i dënojë.

 

Atyre dhe tavllën duhet t'ua ndërrosh. Atyre edhe sytë nuk bën t'ua hedhësh, pasi në një moment çfarëdo vështrimi neutral mund t'u duket i vëngër, apo kanë qejf ata që t'u duket i vëngër. Dhe pastaj, dihet se çfarë ndodh. Mund ta hash në lule të ballit.

 

Ata janë të mbrojtur nga të gjitha anët. Djali i kryeministrit ndërtoi ditën me diell, tok me ministra, zyrtarë, biznesmenë etj., një aferë korruptive, e cila qëlloi të bëhej shkak për vdekjen e gati 30 vetëve, dhe punët ka rrezik të ecin drejt mbylljes së çështjes për yçkla procedurale apo për mosrespektim afatesh ligjore.

 

Hë, ka skandal më të madh se sa ky? Ka shembull më të qartë të impunitetit të plotë të një njeriu të pushtetit? Po, ka një skandal më të madh.

 

Është në rastin, kur babai i një djali të tillë s'e ka për gjë të bredhë nëpër Shqipëri e nëpër Europë, e të akuzojë të tjerët për korrupsion e për veprimtari mafioze; e jo vetëm kaq, por edhe të ngrefoset si paladin i ligjit e kushtetutës, deri në atë masë sa t'ia dalë të fshehë poshtërsitë e tij e të regjimit të tij pikërisht prapa kinse respektit e merakut të tij për ligjet e për kushtetutën e republikës. E në këto rrethana, historia me bodyguardin të duket edhe si një çikërrimë, edhe si gjëja më e kuptueshme.

 

Çfarë po ndodh? Po ndodh një gjë aspak e koklavitur, por tejet dramatike (ç'është e vërteta, të gjitha gjërat dramatike janë krejt të pakoklavitura): Jemi në rrethanat, kur njerëzit e pushtetit kanë impunitet absolut; jemi në rrethanat, kur pushteti mund t'ia lejojë vetes të jetë edhe kriminal, dhe të mos e gjejë asgjë.

 

Pse? Ngaqë ky pushtet kontrollon gjithçka, e në këtë kuptim ai dhe të vetët mund të bëjnë çdo krim e çdo shkelje ligjore që mund t'u kalojë nëpër mendje.

 

Nuk ka se çfarë t'i gjejë. Nëse s'kontrollojnë prokurorinë (në fakt, e kontrollojnë kur të duan; ndonjëherë bëjnë sikur s'e kontrollojnë, sepse duan të na japin idenë që nuk e kontrollojnë), ata kontrollojnë gjykatat; nëse s'kontrollojnë gjykatat (në fakt, i kontrollojnë kur të duan, s'ka gjë se ndonjëherë "janë të interesuar" të mos i kontrollojnë për të na dhënë idenë se nuk i kontrollojnë), ata kontrollojnë policinë; nëse s'kontrollojnë policinë (në fakt, ky supozim është për të qeshur), ata japin urdhër që krimi të fshihet. Si?

 

Ose duke kërcënuar viktimat, ose duke i blerë viktimat, ose duke i bërë të dyja, si në rastin konkret të kamerierit, i cili "nuk arrin të njohë autorin e krimit". Nëse krimin e nxjerrin gazetarët, këta të fundit sulmohen dhe kërcënohen; nëse s'frikësohen, blihen; nëse s'blihen, margjinalizohen.

 

E kështu me radhë, me të gjitha institucionet e me të gjitha strukturat e shtetit e të shoqërisë, të cilat, për të përcjellë idenë se bëjnë ndonjë lek punë, urdhërohen apo porositen të organizojnë seminare, ku të flitet për të drejtat e gay-ve në ushtrinë shqiptare.

 

E shihni ç'bëhet? Këtu një gay nuk di ku të fshihet, ngaqë ka frikë se mund ta linçojnë, ndërsa ca e ca duan t'u mbrojnë të drejtën për të kryer shërbim ushtarak. Hë, nuk të vjen t'u thuash këtyre të seminareve: Ptu!?

 

Miq, nuk është shaka. Jemi nën një regjim, i cili po kontrollon gjithçka nëpërmjet ose/edhe dhunës së egër, ose/edhe kërcënimit, ose/edhe blerjes, ose/edhe margjinalizimit të faktorëve të tjerë të jetës publike, ose/edhe të kushtëzimit të axhendës së debatit e diskutimit publik.

 

E sikur të mos mjaftojë kjo, ky regjim ka bërë për vete dhe ca eksponentë të diplomacisë ndërkombëtare (faktori ndërkombëtar ka qenë shpresa ime gjithë kohën, por më kot), siç janë Joseph Daul, Doris Pack etj. A e dinë këta të fundit që janë duke marrë në mbrojtje një regjim kriminal?

 

Apo edhe këta janë futur në thes prej banditit të Tiranës? Apo edhe këta janë ca qelbësira, dhe aq? Një dreq e merr vesh. Ajo që merret vesh është një gjë tjetër: Shqipëria është e gjitha në dorë të një bande kriminale.

 



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx