E shtune, 03.05.2025, 08:57 AM (GMT+1)

Mendime

Kristo Frashëri: Një Kryepeshkop nuk mund të fyejë - Janullatos na tregon përralla të pahijshme

E enjte, 18.11.2010, 10:58 PM


Një Kryepeshkop nuk mund të fyejë

 

Nga Kristo FRASHËRI

 

Nuk është e habitshme që shkrimi im mbi hirësinë e tij A. Janullatos, kryepeshkopin e KOASh-it, shkaktoi reagime jo vetëm te kryepeshkopi, por edhe në radhët e disa dashamirësve të tij. Kjo për arsye ngaqë vija në dukje mungesën e pozicionit të tij kombëtar shqiptar të papajtueshëm me funksionin që ai ka si kryepeshkop i KOASh-it. Po shoh me habi se dashamirësit e tij përpiqen ta mbrojnë Janullatosin me argumente që unë nuk i kam venë asnjëherë në dyshim. Thonë se ai ka mëkëmbur Kishën Ortodokse, se ka ndërtuar kaq faltore, se ka nxjerrë aq kuadro, se ka përkrahur të varfërit, se ka ndihmuar emigrantët, se është një prelat me një kulturë të gjerë dhe një kryepeshkop me konsideratë edhe në arenën ndërkombëtare, etj, etj. Në retorikën mbrojtëse kushtuar hirësisë së tij, krahas disa besnikëve ortodoksë shqiptarë u rreshtua, edhe me sa jam në dijeni, gazeta e rëndësishme greke "To vima", që botohet në Athinë. Nuk kam arsye të mohoj të drejtën që ata kanë për të mbrojtur prestigjin e kryepeshkopit të KOASh-it. Por, ata nuk kanë aspak të drejtë të deformojnë përmbajtjen e shkrimit tim kritik.

Unë nuk e kam mohuar kontributin që A.Janullatos ka dhënë në rimëkëmbjen e rrjetit kishtar ortodoks në Shqipëri, në ngritjen e kishave të shkatërruara gjatë regjimit komunist, në përgatitjen profesionale të famullitarëve të rinj ortodoksë. Nuk e kam vënë aspak në dyshim kulturën e tij të gjerë kishtare dhe enciklopedike, as prestigjin që ai ka në radhët e simotrave ortodokse të botës, megjithëse deri sot nuk e kemi dëgjuar të trajtojë në përshtatje me titujt e tij akademikë probleme dhe tipare të historisë kishtare ortodokse të Shqipërisë, për shembull të vuajtjeve dhe të persekutimeve që ajo ka pësuar në të kaluarën nga Patriarkana Fanariote e Stambollit.

Ditët e fundit hyri për të dytën herë në skenë edhe vetë hirësia e tij A. Janullatos. Në një Apologji të gjatë në "Gazetën Shqiptare" (Tiranë, 31 tetor 2010), ai, siç duket tepër i shqetësuar, mbron me imtësi, një për një, veprimtarinë që ka zhvilluar në favor të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit. Edhe ai rreshton si në një inventar veprat e dobishme që ka bërë për kishën shqiptare. E përsëris, nuk e kam mohuar atë inventar, pra e quaj të panevojshëm të merrem me të. Do të debatoj me atë pjesë të shkrimit të hirësisë së tij, e cila i ngjet ligjëratës së një avokati që përpiqet të shpëtojë të pandehurin nga akuza me argumente jo bindëse. Por, përpara se të kaloj në debatin me të, do të them dy fjalë në lidhje me shkrimet e dashamirësve të tij.

***

Në lidhje me dashamirësit e kryepeshkopit A. Janullatos, kam disa pyetje. Përse ata nuk hyjnë në thelbin e çështjes? Përse nuk na sqarojnë bashkëpunimin e Janullatosit me mitropolitin Sebastianos? Përse më 1991 ai i paralajmëronte himarjotët se krahina e tyre së shpejti do të bashkohej me Greqinë? Përse në seminarin që ai ka ngritur në Shën Vlash të Durrësit priftërinjtë e KOASh-it mësojnë historinë e Greqisë dhe nuk e prekin fare historinë e Shqipërisë? Përse ata ua mbushin nxënësve kokën me emrat e shenjtorëve grekë dhe nuk u mësojnë emra të martirëve të kishës shqiptare? Përse kryepeshkopi e ka shndërruar selinë e KOASh-it në një ambasadë të dytë të Greqisë dhe plot "përse" të tjera? Mbi të gjitha, kam shtruar tre pyetje tepër serioze, të cilat deri tani kanë mbetur ende pa përgjigje.

E para, është e vërtetë se më 1991 KOASh-i ishte shkërmoqur në të gjitha drejtimet dhe nuk kishte Sinod të Shenjtë, as prelatë që të formonin Sinodin e Shenjtë. Përderisa u mendua se në ato rrethana për t'u rimëkëmbur KOASh-i kishte nevojë për një ekzark, një emisar të përkohshëm dhe përderisa Patriarkati e emëroi si ekzark Anastas Janullatosin, a nuk është dredhi që A. Janullatosi, nuk vazhdoi punën si ekzark derisa të formohej një Sinod i Shenjtë, por e shndërroi ofiqin e ekzarkut në kryepeshkop pa një Sinod të Shenjtë? Si e shpjegojnë dashamirësit e tij këtë shndërrim?

E dyta, KOASh-i kishte një statut të shpallur rregullisht nga Kongresi i saj më 1929 dhe të miratuar nga Patriarkana e Kostandinopojës me Tomin e vitit 1937. Përse më 1992 ky statut u shkel me të dyja këmbët? Hirësia e tij kujtoi se në ndërhyrjen e tij të parë na bindi kur tha se për të vlerë kishte statuti i vitit 1950, një statut i fabrikuar nga uzina e regjimit komunist, i cili megjithatë edhe ai vinte si kusht zgjedhjen e kryepeshkopit me nënshtetësi shqiptare nga një Sinod i Shenjtë.

E treta, a ka të drejtë Patriarkana e Kostandinopojës, e cila konsiderohet simotër e madhe e kishave ortodokse autoqefale të tjera, të emërojë nëpërmjet sinodit të saj një kryepeshkop në krye të një kishe ortodokse autoqefale të një vendi tjetër? A nuk është ky emërim një shkelje e pavarësisë së Kishës Ortodokse Shqiptare? Përse vetë Patriarkana e Kostandinopojës e shkeli Tomin e vetë të nënshkruar nga patriarku Benjamin më 1937?

Kam dhe një pyetje të fundit. Në kundërshtim me të gjitha dëshmitë okulare dhe dokumentare, të cilat të bindin se fronëzimi i tij në Kishën Katedrale të Tiranës më 2 gusht 1992 ishte i parregullt, përse dashamirësit e hirësisë së tij A. Janullatos, përpiqen të na bëjnë syleshë? Në ndërhyrjen e tij të parë kryepeshkopi Janullatos u përpoq të mbronte saktësinë e fronëzimit të parregullt të tij me argumentin se unë (Kr. Frashëri) nuk kam qenë i pranishëm në ceremoninë kishtare që u zhvillua më 2 gusht 1992. Hirësia e tij harron se unë jam historian dhe jo gazetar dhe se ndryshe nga gazetari, i cili shkruan për ato që sheh me sy dhe dëgjon me veshë, historiani shkruan duke u mbështetur në burimet dokumentare, sa të jetë e mundur më të sakta. Harrojnë se si historian, unë kam shkruar për shembull për Skënderbeun, pa e njohur atë personalisht dhe pa qenë i pranishëm në betejat e tij.

Sa kohë do të vazhdojnë të mbrojnë me këmbëngulje parregullsinë e fronëzimit të kryepeshkopit më 2 gusht 1992? Pikërisht duke u mbështetur në njoftimet e sakta, në dëshmitarët okularë të ceremonisë kishtare të 2 gushtit 1992 dhe në kronikën televizive të ceremonisë të regjistruar po atë ditë - unë vazhdoj të jem i bindur edhe sot se hirësia e tij nuk thotë të vërtetën kur shkruan se fronëzimi i tij më 2 gusht 1992 ishte i rregullt. Pyes: po ato "Jo", "Jo", "Jo"-të që e tundën kishën katedrale; po ato këngë patriotike që buçitën në sallë, të regjistruara në CD nuk janë dëshmi për t'u marrë në konsideratë? Po ata qindra intelektualë ortodoksë që u mblodhën në Konferencën e Pallatit të Kulturës më 29 gusht 1992, nuk kanë vlerë dokumentare?

Disa qytetarë të Beratit në një letër që kanë botuar në "Gazeta Shqiptare" (25 tetor 2010) thonë se "e ndiejnë veten të ofenduar" nga shkrimi im. Unë nuk di t'i kem ofenduar qytetarët e Beratit. Unë ata i kam nderuar dhe i nderoj. Në lidhje me kishën, kam arsye t'i nderoj më tepër. Kjo sepse në Beratin e bekuar banorët e nderuar të këtij qyteti me ortodoksi të lashtë e mbështetën me ngrohtësi dhe me patriotizëm të lartë më 1922 Kongresin historik që shpalli autonominë e Kishës Ortodokse Shqiptare. I nderoj për vendosmërinë që treguan në atë kohë kundrejt presionit të Kishës Ortodokse Greke, e cila përpiqej me këmbëngulje ta mbante ortodoksinë shqiptare përsëri nën zgjedhën e saj si gjatë shekujve të kaluar. I nderoj se më 1922 ata miratuan njëzëri parimin që KOASh-in ta drejtonin prelatë dhe priftërinj jo të huaj, por shqiptarë, nga kombësia dhe shtetësia. Për të gjitha këto arsye, qytetarët e Beratit nuk kanë përse ta ndiejnë veten të ofenduar nga Kristo Frashëri, i cili në fund të fundit mbron parimet patriotike të prindërve dhe gjyshërve të tyre. Përkundrazi, qytetarët që kanë vënë nënshkrimin në peticionin e botuar në "Gazeta Shqiptare" (25 tetor 2010) duhet ta ndiejnë veten e tyre të turpëruar, mbasi me atë shkrim kanë ofenduar prindërit dhe gjyshërit e tyre. Me këtë rast nuk kam se ç'të them më tepër, veçse iu kujtoj fjalët që tha Jezu Krishti, për ata që flisnin përçart: "O Perëndi, mëshiroji ata se nuk dinë se ç'flasin".

Në letrën e tyre, po ata qytetarë të Beratit më akuzojnë se unë me shkrimin e përmendur paskam shprehur mllefin personal ndaj Kishës dhe mitropolitit të Beratit. Unë nuk e njoh fare hirësinë e tij Ignatin. Nuk di të më ketë bërë mua personalisht ndonjë të keqe. Për këtë arsye, nuk kam përse të kem mllefe ndaj tij. Unë u revoltova kur pashë në internet intervistën e tij të botuar në gazetën "Blic" të Beogradit më 8 shtator 2010 - një intervistë fyese për mbarë shqiptarët, përfshirë edhe mbarë qytetarët e Beratit, të Vlorës, Kaninës dhe Myzeqesë. Ju thoni se ai e ka përgënjeshtruar deklaratën që ka bërë më 8 shtator, në atë formë që është botuar në shtypin serb. Para së gjithash, ai e ka përgënjeshtruar pasi unë e denoncova dhe e kritikova deklaratën e tij fyese. Ky qenka faji im, se e kritikova para se ai ta përgënjeshtronte? Megjithatë, le ta lemë këtë pikë mënjanë, që i ngjet kofinit mbas të vjelit. Pyes: përse hirësia nuk e përgënjeshtroi që kur agjencitë e lajmeve e dhanë deklaratën e tij që më 8 shtator? Pyes: përse nuk protestoi në gazetën "Blic", siç e kërkon e drejta e replikës? Pyes përsëri: ç'janë këto përgënjeshtrime të shtirura, të cilat duket sikur janë sa për të hedhur hi syve? Kush i beson këtyre përgënjeshtrimeve të vonuara, të cilat duken sheshit se kanë për qëllim të mbulojnë pohime të pahijshme të mëparshme?

Po ata qytetarë, për të mbrojtur peshkopin e Beratit renditin ndihmat që ai ka dhënë për banorët e mitropolisë së tyre. Jashtë dëshirës time më kujtohen ngjarje analoge historike. Më kujtohet se para LIIB, agjentët fashistë të Italisë në Shqipëri mburreshin se i jepnin Shqipërisë ndihma mbasi u digjet zemra për popullin shqiptar. Koha provoi se prapa atyre ndihmave fshiheshin synime antikombëtare shqiptare, që kishte Italia, të cilat paralajmëronin pushtimin e 7 prillit 1939. Kjo është arsyeja përse ndihmat të cilat mitropolitët grekë i marrin sigurisht nga Athina, nuk më ngrohin kur shoh se herë pas here dalin në sipërfaqe synimet që ka Greqia për të aneksuar Shqipërinë e Jugut.

Autorët beratas përpiqen të na qetësojnë se hirësia e tij Ignat Triandis nuk është grek, por është arvanid shqiptar. Nuk e dimë se çfarë kuptojnë ata me apelativin arvanid shqiptar. Dihet se grekët quajnë arvanidë shqiptarët e diasporës mesjetare të shkëputur nga trungu etnik shqiptar dhe të shndërruar në qytetarë helenë shqipfolës. Përkundrazi, ata quajnë shqiptarë (albanus) pjesëtarët e trungut etnik që banojnë në trojet e tyre historike ku përfshihen ashtu si kosovarët, edhe çamët. Në këtë vështrim, ç'është mitropoliti Ignat, arvanid apo shqiptar apo ndonjë shartim i tyre? Pavarësisht nga ky konfuzion, të jesh shqiptar do të thotë të kesh ndërgjegjjen e shqiptarësisë. Ne kemi shembuj që tregojnë se Kisha Ortodokse Greke ka patur prelatë me përkatësi etnike shqiptare, disa me ndërgjegjje kombëtare greke, disa me ndërgjegjje kombëtare shqiptare. Kujtojmë me këtë rast hirësinë e tij Kristofor Kisi, një shqiptar beratas, i cili para shpalljes së autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare ishte mitropolit i Sinadhës greke. Kur më 1922 u mblodh Kongresi kishtar i Beratit, u kthye në atdhe si një shqiptar i vërtetë dhe u bë mitropoliti i Beratit, kurse më vonë në sajë të ndërgjegjjes së tij të shqiptarësisë u shpall edhe kryepeshkop i KOASh-it. Kemi edhe raste të hidhura, nga të cilat po marrim si shembull Pandelejmon Kotokon, një shqiptar nga Korça, edhe ky mitropolit i një dioqeze greke, i cili më 1937 me presionin e Patriarkanës së Stambollit, u bë mitropolit i Gjirokastrës. Por, edhe pse me origjinë shqiptare, ai qe zhveshur nga çdo ndjenjë e shqiptarësisë. Ai qe shndërruar në një grekoman thellësisht fanatik, një antishqiptar i tërbuar, një militant i shovinizmit grek. Mjafton të kujtojmë se një nga veprat e shëmtuara të dhespot Kotokos ishte bashkëpunimi i tij me gjeneralin grek Zervas, në persekutimin e shqiptarëve të Çamërisë dhe në dëbimin me dhunë nga vendbanimet e tyre historike. Veprimtaria e tij më 1945 për aneksimin e të ashtuquajturit Vorio-Epi nga Greqia, i shkaktoi shumë telashe Shqipërisë. Moshatarët e mi i mbajnë mend vargjet shqipe që shoqëronin melodinë e famshme të Sofia Vembos (Ta elenika kanonja /dhen ine makaronja), të cilën e këndonin shqiptarët në vitet e para të Pasluftës "Kotokoja me Zervën/kërkojnë viset tona/neve u përgjigjemi/nuk jemi makarona". "Nuk jemi makarona" aludohej për ushtrinë italiane, e cila u thye që në fillim nga ushtritë greke.

Të sqarohemi. E dua Greqinë. E çmoj kontributin që bijtë e saj kanë dhënë në qytetërimin evropian. Jam mahnitur sa herë kam vizituar Akropolin. Magjepsem kur shoh skulpturat e Fidiasit. Adhuroj mendimet e Platonit dhe të Aristotelit. Por dua më tepër Shqipërinë. E dua Atdheun tim dhe i mbaj sytë hapur. Greqia dhe Shqipëria janë fqinjë prej mijëra vjetësh. Sikurse thuhet në një fjalë të urtë popullore, "mikun mund ta zgjedhësh vetë, vëllanë ta japin prindërit, por fqinjin ta jep historia". Me fqinjin kemi përshkuar historinë. Me fqinjin do të ecim bashkë edhe në të ardhmen. Jemi pra, të detyruar që rrugën e së ardhmes ta përshkojmë jo vetëm si fqinjë, por edhe si miq. Miqësia e vërtetë kërkon të mos kesh plane të errëta ndaj fqinjit. Evropa e re kërkon respektimin e kufijve. Në kuadrin e respektimit të kufijve, ajo kërkon edhe respektimin e të drejtave të minoriteteve. Nga kjo pikëpamje, Shqipëria e cila i respekton minoritetet është më e avancuar se Greqia, e cila i përçmon minoritetet. Ajo nuk e respekton të drejtën që kanë arvanitët si minoritet kulturor-linguistik, as të drejtën që kanë shqiptarët e Çamërisë si minoritet etnik-linguistik. Ç'është më e keqja, ajo po përpiqet të fabrikojë me anë të euros minoritete që nuk ekzistojnë në Shqipëri, si në Korçë, Himarë ose në Përmet, ndoshta dhe në Berat. Më keq akoma, dërgon prelatë dhe priftërinj, të cilët si nëpërka mbajnë nën gjuhë helmin e antishqiptarizmës. U jep fonde të bollshme për të mashtruar qytetarët ortodoksë naivë, të cilët gënjehen si fëmijët nga karamelet e pleqve.

***

Në një artikull greqisht me titull "Kryepeshkopi i Shqipërisë në shënjestër të fanatikëve", botuar kohët e fundit në organin mjaft të njohur të Athinës "To vima" (21 tetor 2010) një korrespondente e saj, Maria Andoniadhis, e sulmon Kristo Frashërin se ky e cilëson Janullatosin si një vegël të Athinës dhe se qëllimi i tij, sipas akademikut shqiptar, është të rivendosë influencën dhe kontrollin e kishës greke mbi kishën shqiptare. Deri këtu korrespondentja greke thotë të vërtetën. Por, ajo del jashtë së vërtetës kur thotë se Kristo Frashëri është vënë në krye të kritizerëve kundër kryepeshkopit Anastas. Ndërkohë, ajo ia prezanton publikut grek Kristo Frashërin si një shqiptar që ka lindur më 1920 në Stamboll. Pastaj e cilëson si një akademik të regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Në pamundësi për ta informuar opinionin publik grek se të trija këto pohime janë të pasakta, po i përgjigjem nëpërmjet shtypit shqiptar. Para së gjithash, Kristo Frashëri nuk është kritizer. Nuk bën kritikë për kritikë, as nuk trillon akuza. Thotë një të vërtetë, sigurisht të hidhur për zonjën Maria Andoniadhis: se kryepeshkopi A. Janullatos e ka përvetësuar me mashtrim postin si kryepeshkop i KOASh-it, mbasi ka shkelur Kushtetutën e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të miratuar nga Patriku i Kostandinopojës Benjamin më 1937. E dyta, është e vërtetë se Kristo Frashëri ka punuar në Institutin e Historisë së Tiranës, por regjimi komunist, për arsye që këtu nuk është vendi të thuhen, nuk i dha atij titullin akademik, madje as titullin profesor. Të dy këto tituj i ka marrë pas përmbysjes së regjimit komunist. Në lidhje me të tretën, me faktin se unë kam lindur në Stamboll më 1920, mendoj se zonja Andoniadhi ndoshta kërkon të hedhë një hije dyshimi se meqenëse kam lindur në Stamboll mund të jem nën ndikimin e politikës turke, e cila dihet se nuk është dashamirëse ndaj Greqisë. Këtu zonja Maria Andoniadhi, e cila dyshoj se nuk është greke, por shqiptare - nga familja e njohur shqiptare himarjote Andoni dhe si grekomane ka ndërruar dhe mbiemrin, - gabohet rëndë. Nuk e kam fjalën te mbiemri që ka ndërruar, por së bashku me mbiemrin ka ndërruar edhe ndërgjegjjen.

Shfrytëzoj rastin për të treguar një ndodhi personale. Kam kaluar nëpër duar një libër greqisht kushtuar Epirit me autor Aleksandros Mamopoulos. Më thanë se ishte nga fshati Stegopull i Lunxhërisë së Gjirokastrës ku nuk ka asnjë banor grek. Më thanë gjithashtu se ky Aleksandros Mamopoulos kur ishte i ri në fshat quhej Lekë Mame dhe se ishte kushëri i Misto Mames. Në librin që ai ka botuar thotë ndër të tjera se të krishterët e fshatit tim Frashër janë grekë. Kur më 1980 e takova në Athinë dhe kur i dhashë dorën e pyeta shqip: Si jeni, zoti Lekë Mame? Përse më keni bërë grek? U hakërrua sikur e kisha ofenduar. Ndoshta dhe zonja Andoniadhi mund të hakërrehet po t'i them zonja Andoni. Aluzionin e saj meqë unë kam lindur në Stamboll mund të jem nën ndikimin turk, e quaj fyerje. Me këtë rast po e shpjegoj arsyen përse unë kam lindur në Stamboll më 1920.

Të parët e mi kanë banuar brez pas brezi për qindra vjet në fshatin Frashër të rrethit të Përmetit, një fshat me banorë krejtësisht shqiptarë, myslimanë bektashinj dhe të krishterë ortodoksë. Im atë, Anastasi, i cili ndiqte studimet në Stamboll, lidhi fejesë me një vajzë shqiptare nga fshati Ogren, dy orë larg Frashërit. Kjo fejesë është botuar dhe në shtypin e kohës. Martesa do të kurorëzohej në verën e vitit 1914 në vendlindje, në Frashër. Por, në pranverën e atij viti, kur me mbështetjen e qeverisë së Athinës të kryesuar nga Elefteros Venizellos, një kuvend fantazmë shpalli në Gjirokastër në muajin mars "krahinën autonome të Vorio-Epirit", bandat e andartëve grekë të kapedan Papagjeorgjiut dogjën më 6 maj 1914, Frashërin. Përveç masakrave dhe përdhunimeve, bënë në Frashër shkrumb e hi jo vetëm 158 shtëpitë e familjeve myslimane bektashiane, por edhe 60 shtëpitë e familjeve të krishtera ortodokse, midis tyre dhe shtëpinë e prindërve të mi së bashku me kishën e Shën Thanasit. Dihet se nuk u dogj vetëm Frashëri, por 144 fshatra të të ashtuquajturit Vorio-Epir. Kjo qe "dhurata" më e madhe që pati Frashëri dhe fshatrat e jugut nga autonomia vorioepirote. Banorët e tyre ikën të lebetitur drejt Vlorës ku nuk shtrihej dora e ushtrive helenike. Por, edhe atje pësuan vuajtje të tjera. Si rrjedhim, im atë, Anastasi, mbeti në Stamboll. Aty, fill në mbarim të luftës, kur u hapën rrugët, u celebrua martesa. Kjo është arsyeja përse unë kam lindur në Stamboll.

Shtëpia ku ne banonim në Stamboll ndodhej në lagjen Sirkexhi, një lagje me banorë grekë, në afërsi të selisë së Patriarkanës së Stambollit. Sa për dijeni, unë kam lindur jo si turk, por si i krishterë ortodoks. Jam pagëzuar, siç po e vërtetoj me çertifikatën e pagëzimit, në Kishën e Shën Mërisë së Peras në Stamboll, një nga kishat e lashta bizantine të Patriarkanës së Kostandinopojës. Po të mos ishte djegur Shqipëria e Jugut unë ndoshta do të kisha lindur në Frashër. Si rrjedhim, përgjegjësia që unë kam lindur në Stamboll, i takon qeverisë së Athinës dhe Kishës Ortodokse Greke që bekonte andartët e Papagjeorgjiut.

Banorët e kohës së barbarizmës së andartëve pothuajse kanë vdekur të gjithë. Por, fëmijët e tyre dhe fëmijët e fëmijëve të tyre e dinë se ç'pësuan paraardhësit. Këta kanë pritur më kot që dikush të përgjigjej për këtë barbarizmë. Ata kanë pritur nga Athina që në mos të shpërblente dëmet e shkaktuara me djegien dhe me persekutimet, të paktën të kërkonte falje. Por, Greqia nuk ka dëgjuar asnjëherë nga ai vesh. Ç'është më e keqja, ajo kujton se shqiptarët e kanë harruar atë faqe të zezë të historisë së Greqisë.

Midis atyre që kërkojnë ta përsëritin tragjedinë e "Vorio Epirit" janë edhe prelatët dhe priftërinjtë grekë që vijnë nga Athina. Por, ngjarjet e kohëve të fundit, - sidomos ngritja nga Athina e memorialeve për ushtarët grekë të rënë më 1940, në vijën e kufirit të të ashtuquajturit Vorio-Epir dhe aluzioni që konsulli grek i Korçës bëri në fjalimin e tij në 28 tetorin e kaluar se shqiptarët e Korçës, të cilët nuk dinë fare greqisht, janë grekë - tregon se jo vetëm kisha, por edhe zyrtarët e Athinës po punojnë për të realizuar ëndrrën e tyre kimerike të Vorio-Epirit. Ata harrojnë se me përpjekjet e tyre nuk bëjnë gjë tjetër veçse ringjallin në kujtesë një barbarizmë të cilën kemi menduar se nuk do të përsëritet.

Me të vërtetë kam lindur në Stamboll, por në familjen tonë nuk ndjehej fare fryma e sundimit turk. Shtëpia jonë ndodhej, siç u tha, pranë Fanarit, por në të nuk ndjehej as fryma greke. Im atë, Anastasi, ishte përkrahës i flaktë i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Më 1922, kur u mblodh Kongresi i Beratit ai ishte kryeredaktor i gazetës shqipe "Paqja", që botohej në Stamboll dhe njëkohësisht korrespondent i gazetës shqiptare "Shqipëria e Re", që botohej në Rumani. Si gazetar patriot ai shoqëroi delegacionin kishtar të kryesuar nga At Vasil Marko, i cili i kërkoi patrikut Meleti IV, Tomin për njohjen e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Dihet se në atë kohë Sinodi i Shenjtë i Kostandinopojës e refuzoi atë që patriku pasardhës, Benjamin e dha 15 vjet më vonë. Në një artikull që botoi në gazetën "Paqja", duke folur për tre peshkopët e parë shqiptarë të KOASh-it, - Fan Nolin peshkop i Metropolisë së Durrësit, hirësisë së tij Jerotheut, nga Çarshova e Përmetit, mitropolit i Korçës dhe hirësisë së tij Kristofor Kisit, nga qyteti i Beratit, mitropolit i Beratit, - Anastas Frashëri shkruante ndër të tjera: "S'ka zemër shqiptari që të mos lëvrinjë nga gazi për këtë lajm kaq të interesaçme (që Fan Noli u bë peshkop - K.F.) për dorëzimin e pëlqyer (për thirrjen aksios - K.F.). Ky dorëzim i bërë kanonikërisht prej dy peshkopëve të tjerë (imzot Kristoforit dhe imzot Jerotheut - K.F.) të shkallës së Patrikanës Ekumenike, do t'i japë fund ndërhyrjeve të Patrikanës në Shqipëri me intrigat e saj. Elementi ortodoks i Shqipërisë dhe si gjithë shqiptarët me një tmerr dhe me krypë përmendin gjithë punët që bënë agjentët e Patrikanës shërbëtorët e Idesë së Madhe (Megali Idea), metropolitët e dërguar prej klikës fanariote në Shqipëri dhe në sot ndodhen gërmadha, qytete dhe katunde të bëra hi, ajo u detyrohet atyre që me kryqin si vegël, me fenë si mjet mundoheshin të ngulnin rrënjët e Panhelenizmës në Shqipëri. Dhe kush mund të harrojë aksionet e këtyre pasonjësve të megalloidesë te e ngrata Shqipëri? Që të zemë një nga një të shkoqitim të tëra punët e tyre, aksionin e tyre dhe të këqijat që prunë me emrin e Krishtit, na duhen volume të mëdhenj që t'i përshkruajnë. Populli shqiptar, elementi ortodoks i Shqipërisë, besnik në idenë kombëtare, duke parë politikën e mërzitur të këtyre murgëve, bëri kongresin e Beratit, ku vendosi të shkëputë çdo lidhje me Patrikanën dhe deklaroi autoqefalinë, domethënë indipendencën e kishës". (Paqja, Stamboll, 17 dhjetor 1923). Riprodhova këtë fragment për të treguar ambientin familjar ku unë kam lindur dhe jam rritur - një ambient krejtësisht ortodoks, por patriotik shqiptar.

***

Vijmë më në fund te Apologjia që hirësia e tij botoi ditët e fundit në "Gazeta Shqiptare" (31 tetor 2010), në të cilën ai mbron veprën që ka kryer si kryepeshkop i KOASh-it që nga viti 1992, deri në ditët tona. Në Apologjinë e tij ka edhe epitete, madje dhe akuza, natyrisht jo të këndshme, për Kristo Frashërin. Epiteteve dhe akuzave të hidhura unë nuk do t'iu përgjigjem, pasi ato janë fryt i mllefit apo inatit të grumbulluar në shpirtin e hirësisë së tij. Do të them vetëm se nuk e prisja nga një prelat i përkushtuar fesë së krishterë, nga një nxënës i devotshëm i Jezu Krishtit, nga një bari shpirtëror që ka për mision të bindë njerëzit, me butësi dhe me bujari, me dashuri dhe me zemërgjerësi - të përdorë një fjalor ordiner fyerjesh duke më akuzuar mua si gënjeshtar, si mashtrues, sikur prapa meje qëndrojnë forca të errëta, etj, etj.

Më kujtohet Papa Gjon Pali II, i cili në momentin më kulmor të zemërimit të opinionit publik botëror, nga atentati që Hali Agça kreu me plumba të vërtetë kundër tij (13 maj 1981), ati i shenjtë as nuk e shau, as nuk e akuzoi, as nuk e mallkoi atentatorin që desh t'i merrte jetën, por e fali, e ndjeu dhe e mbylli me aq. Shpresoja se një qëndrim të përafërt do të mbante edhe hirësia e tij, kryepeshkopi i Shqipërisë. Si rrjedhim, unë nuk do të kisha më nevojë të përgjigjesha. Por ai u hakërrua më tepër. Dëshmi është Apologjia e gjatë që botoi më 31 tetor 2010. Megjithatë, unë do të ndalem vetëm në disa pika të saj, të cilat kanë nevojë të domosdoshme për sqarime, pasi janë, më vjen keq ta them, shtrembërime, mashtrime, shkurt të pasakta.

Hirësia e tij thotë se nuk ka dijeni për marrëveshjen e lidhur më 1991 midis dy hirësive, Janullatos dhe Sebastianos, si përfaqësues të Kishës Ortodokse Autoqefale Greke nga njëra anë dhe Aleko Dhimës, sekretarit të Përgjithshëm të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare nga ana tjetër. Për këtë marrëveshje flitet në një trakt të shtypur në shtypshkronjë dhe të shpërndarë në fshatrat e krahinës së Himarës nga "Dega e Organizatës së Vorio-Epirit me qendër në Korfuz", degë e cila kishte kryetar Rafailidhis Andrikas, sekretar të Përgjithshëm Antonios Sollaros dhe sekretare Eftalias Papadhimitris.

Për të larguar çdo dyshim se ky trakt nuk është ndonjë trillim nga ne, po e riprodhoj atë të fotokopjuar ashtu siç u shpërnda më 1991 kur mua më ra në dorë.

Ju thoni se më 1991 nuk keni qenë në Korfuz. Këtë pohim tuajin dua të besoj dhe të pranoj se informata që kisha se ju në atë kohë ishin në Korfuz, del se nuk është e saktë. Për këtë kërkoj ndjesë. Por, kjo nuk e përmbys thelbin e çështjes. Nuk e besoj që ju të mos keni dijeni se emri juaj është përhapur në Himarë si firmëtar i një marrëveshjeje me zotin Aleko Dhima, i cili është zgjedhur me propozimin tuaj sekretar i Përgjithshëm i KOASh-it. Këtë e kam shumë vështirë ta besoj, aq më tepër që në këtë deklaratë ka dhe emra të tjerë, anëtarë të Komitetit vorio-epirot, të cilët në vitet e para që pasuan përmbysjen e regjimit komunist, ata hynin e dilnin shpesh në Shqipëri, sidomos në Himarë. Kam edhe një arsye tjetër të mos e besoj. Prelatët e Kishës Ortodokse Greke, të paktën ata që kanë vepruar në Shqipëri, mohimin e deklaratave të tyre të mëparshme të pahijshme, kur ato u sillnin dëm, e kishin metodë pune. Edhe sot e kësaj dite, megjithë kujdesin që prelatët grekë të ardhur në Shqipëri përgjërohen për kishën shqiptare, kur vjen dita shpalosin flamurin e helenizmit dhe të Vorio-Epirit. Dëshmi kemi, ndër të tjera, edhe qëndrimin e mitropolitit të Beratit, Ignat Triandi, i cili kur pa se deklarata e tij antishqiptare e 8 shtatorit doli në shesh, u detyrua në vend që të kërkojë falje, ta mohojë. Këtë po e shohim edhe sot në ngjarjet e Boboshticës. Madje, po shohim te krerët e sotëm të organizatës "OMONIA", të cilët gënjeshtrën e kanë në majë të gjuhës, duke filluar që nga Vasil Bollano dhe deri te kryetari i degës së OMONIA-s në Korçë.

* * *

Po kaloj në fronëzimin e hirësisë së tij, Janullatos, si kryepeshkop i KOASh-it në kishën katedrale të Tiranës, më 2 gusht 1992. Sikurse është thënë deri tani, që të nesërmen e fronëzimit, më 3 gusht 1992, ATSh njoftoi se procesi i fronëzimit në kishë u ndërpre nga kundërshtimet e disa besnikëve dhe se ceremonia u krye në hotel "Tirana International". Ju hirësi duke e kundërshtuar këtë njoftim, mbrojtët në atë kohë pikëpamjen se fronëzimi u krye në përputhje me rregullat kanonike, se ata që e kundërshtuan qenë disa qytetarë myslimanë, pra nënkuptohet se midis tyre nuk kishte besnikë të krishterë. Por, opinioni publik nuk u bind. Madje, edhe sot e kësaj dite dyshon se gjatë ceremonisë së 2 gushtit 1992 nuk u respektuan rregullat kanonike. Për habinë tonë, gjatë këtyre 18 vjetëve po na serviren nga pikëpamja e argumenteve variante të ndryshme për të vërtetuar se fronëzimi i kryepeshkopit qe në rregull.

Më 1992, disa javë pas fronëzimit, bashkëpunëtori i ngushtë i hirësisë suaj, Teodor Papapavli, një teolog, siç e quan tani kisha, me një shkrim që botoi në gazetën "RD" më 16 shtator 1992, shkruante se "gjatë ceremonisë së fronëzimit u dëgjuan edhe zëra kundërshtimi (anaksios), disa nga të cilët ishin myslimanë". Kur ai thotë "disa ishin zëra myslimanësh", do të thotë se të tjerët, pra shumica e tyre, ishin zëra besnikësh të krishterë. Pastaj, pa të keq shton se këta zëra kundërshtarësh nuk mund ta zhvlerësonin ceremoninë e fronëzimit, mbasi qenë në pakicë. Shkurt, ai pranon se zëra kundërshtare besnikësh të krishterë, pavarësisht se qenë në pakicë, u shprehën gjatë ceremonisë së fronëzimit.

Bashkëpunëtori tjetër i ngushtë juaji, Andrea Llukani, edhe ky teolog, siç duket pasi u mendua të gjejë një rrugëdalje më bindëse, na servir një variant të ri. Sipas tij, zërat kundërshtare (anaksios) shpërthyen pasi kishte përfunduar ceremonia, pra pasi ishte dhënë pëlqimi (aksios) nga besnikët e krishterë. Si rrjedhim, britmat "anaksios" pas ceremonisë, sipas tij, nuk kanë vlerë. Siç shihet, kemi të bëjmë me një dredhi qesharake fjalësh.

Tani doli një variant tjetër, i cili sipas radhës është varianti i tretë, krejt i ndryshëm nga dy të parët. Autori jeni ju hirësi. Në Apologjinë e gjatë botuar më 31 tetor 2010, ju thoni se më 2 gusht 1992 në katedralen e Tiranës u bë jo zgjedhja e kryepeshkopit, mbasi kryepeshkopi ishte zgjedhur nga Sinodi i Kostandinopojës më 24 qershor 1992, por vetëm ceremonia formale e fronëzimit. Shtoni pastaj se gjatë ceremonisë së fronëzimit nuk pyeten besnikët, për ta dhënë ose për të mos e dhënë pëlqimin. Si rrjedhim, sipas jush, kundërshtimet që u bënë në kishë më 2 gusht dhe në konferencën e Tiranës më 29 gusht 1992, janë pa pikë vlere.

Nëse është me të vërtetë kështu siç thoni ju - pyesim: nuk e dinin teologët tuaj se gjatë fronëzimit nuk pyeten besnikët e krishterë për të dhënë ose për të mos dhënë pëlqimin (aksios ose anaksios)? Po ju vetë hirësi, që kryesonit ceremoninë më 2 gusht, përse e lejuat që të pyeteshin besnikët e pranishëm nëse e pëlqenin ose jo fronëzimin tuaj si kryepeshkop? Përsëri pyesim: përse duhej të prisnim 18 vjet për të dëgjuar një përrallë të tillë, të cilën mund ta besojnë vetëm syleshët?

Ky interpretim i ri më bën të pyes: me këtë lojë fjalësh - zgjedhje ose ceremoni, kur besnikët u pyetën: A e pranoni A. Janullatosin për kryepeshkop? - u tallët me besnikët në tempullin e Krishtit? Apo kërkoni tani të talleni me tërë opinionin publik shqiptar? Nëse, sipas jush, më 2 gusht nuk ishte e domosdoshme të pyeteshin besnikët në Tiranë, po në Stamboll kur u bë zgjedhja juaj a u pyet ndonjë besnik i krishterë shqiptar nëse e pëlqente ose jo zgjedhjen tuaj. Deri tani nuk kemi dëgjuar që në Stamboll të jenë pyetur besnikët shqiptarë për zgjedhjen tuaj. Me një fjalë, meqenëse ju vetë e pranoni se edhe në Tiranë nuk ishte nevoja të pyeteshin besnikët, atëherë del se ju si kryepeshkop nuk morët në asnjë rast pëlqimin e besnikëve shqiptarë. Hirësi, ky është thelbi i kundërshtimit tim, dua të mbroj dinjitetin e kishës shqiptare dhe shumë pak më intereson nëse ju personalisht prekeni ose jo. Edhe nëse nuk vete në kishë, siç thoni ju, unë e dua kishën shqiptare të jetë dinjitoze, të jetë shqiptare, mbasi ajo është kisha e Atdheut tim.

***

Një nga argumentet që ju hirësi parashtroni për të justifikuar zgjedhjen juaj si kryepeshkop nga Patriarkana e Stambollit, është se më 1991 kisha shqiptare ishte e shpërbërë nga goditjet që kishte pësuar nga regjimi komunist. Dakord! Është e vërtetë se më 1991 kur ju erdhët në Shqipëri KOASh-i ishte shpërbërë: nuk kishte as struktura, as prelatë, as Sinod të Shenjtë. Megjithatë, ju tërthorazi e pranoni se më 1991 KOASh-i, pavarësisht nga goditjet, ekzistonte, përderisa ju u vutë në krye të tij si kryepeshkop pa një kongres kishtar. Në fakt, ai ekzistonte dhe kishte në historinë e tij dy statute - njërin të shpallur nga Kongresi II i tij më 1929 (sipas të cilit kryepeshkopi duhej të ishte me kombësi dhe shtetësi shqiptare - K.F.), tjetri hartuar nga pushteti komunist më 1950 (sipas të cilit kryepeshkopi mjaftonte të kishte vetëm shtetësi shqiptare - K.F.). Ju nuk morët në konsideratë as njërin statut, as tjetrin. Ju pretendoni se më 1992 të dy këto statute të KOASh-it ishin shfuqizuar nga shteti shqiptar me dekretin e vitit 1967, i cili në të vërtetë abrogonte të gjitha statutet e institucioneve fetare, përfshirë edhe atë të KOASh-it. Shtoni pastaj se më 1992, pas përmbysjes së regjimit komunist edhe shteti shqiptar nuk kishte Kushtetutë. Por, këto pohime janë krejtësisht të pasakta. Nuk është e vërtetë se më 1992 Shqipëria nuk kishte Kushtetutë. Na e thoni të paktën, kur u abrogua Kushtetuta e mëparshme? Veç kësaj, përderisa sipas jush, më 1992 Shqipëria nuk kishte Kushtetutë, ju hirësi ku u mbështetët që i morët autorizim Presidentit të Republikës dhe Presidenti ku u mbështet që iu dha leje juve për t'u bërë kryepeshkop i Shqipërisë? Dihet se vendimet që merr një kryetar shteti, pa Kushtetutë, janë vendime pa asnjë vlerë juridike. Pra, nga kjo pikëpamje, edhe pëlqimi që ka dhënë në atë kohë Presidenti i Republikës për zgjedhjen tuaj si kryepeshkop nuk ka vlerë juridike. Pra hirësi, zgjidhni e merrni: ose pranoni që shteti shqiptar më 1992 kishte Kushtetutë, si rrjedhim, pëlqimi i Presidentit ka vlerë juridike; ose po qe se në atë kohë Shqipëria nuk kishte Kushtetutë, atëherë duhet të pranoni se ju jeni mbështetur abuzivisht në pëlqimin që dha Presidenti për ju. Edhe pohimi juaj se të dy statutet e KOASh-it ishin abroguar nga regjimi komunist më 1967, nuk është plotësisht i vërtetë. Dekreti i vitit 1967 anulonte statutin e vitit 1950, të cilin vetë shteti komunist e kishte miratuar. Kjo do të thotë se u anulua dekreti që anulonte statutin e vitit 1929. Sipas logjikës juridike, kur abrogohet një akt ligjor, i cili ka abroguar një akt të mëparshëm ligjor, akti i mëparshëm ligjor (në rastin tonë statuti i vitit 1929), vetvetiu rimerr fuqi. Pyetje tjetër: Dekreti i shtetit shqiptar i vitit 1967, a e abrogonte Tomusin e Patriarkanës së Stambollit të vitit 1937? Nëse nuk e përfshinte Tomusin - sigurisht nuk mund ta përfshinte mbasi Patriarkana nuk varet nga shteti shqiptar, veç kësaj, në Tomusin e përmendur shteti shqiptar nuk është palë, mbasi nuk ka vënë nënshkrimin- a nuk do të thotë kjo se edhe statuti i vitit 1929, i njohur nga Patriarkana e Stambollit më 1937 nuk mund të abrogohej nga shteti komunist?

Për të gjitha këto arsye, më 1991, me përmbysjen e regjimit komunist KOASh-i pajisej automatikisht me statutin e vitit 1929, të paktën derisa të miratohej një statut i ri nga Kongresi III i saj. Derisa të mblidhej Kongresi III, i cili qëllimisht ende nuk është mbledhur, Kisha Ortodokse Shqiptare kishte nevojë për një ekzark që të ndihmonte në rimëkëmbjen e saj. Kjo do të thotë se ju hirësi meqenëse nuk e keni kombësinë shqiptare e keni anashkaluar qëllimisht statutin e vitit 1929, duke shkelur edhe dinjitetin e lartë të Patriarkanës së Stambollit. Pikërisht për këto arsye, unë e quajta dhe vazhdoj ta quaj shndërrimin e hirësisë suaj nga dinjiteti i ekzarkut në atë të kryepeshkopit, të parregullt, në kundërshtim me kanonet kishtare. Shkurt, një mashtrim.

 

_____

 

Janullatos na tregon përralla të pahijshme

 

Nga Kristo FRASHËRI

 

Pyetjes që shtruam në shkrimet e mëparshme: përse kisha e kryesuar nga ju hirësi nuk mori për bazë statutin e vitit 1929, të cilin e kishte miratuar një kongres i ligjshëm, njëkohësisht e kishte pranuar edhe Patriarkana e Stambollit, na thatë se ai statut ishte i abroguar me ligjin e vitit 1967. Tani shtoni edhe një argument tjetër. Ju thoni se të dy këto statute "u krijuan dhe u imponuan nga regjime politike që s'kishin lidhje me Kishën Ortodokse dhe në shumë gjëra armiqësore ndaj saj, sepse ato institucionalizonin varësi të kishës nga pushteti shtetëror". Ju shtoni pastaj se të dy këto statute nuk mund të zbatoheshin në vitin 1992, mbasi ato pengonin edhe në kushtet e reja lirinë e besimeve fetare kishtare. Ju e justifikoni veprimin tuaj në bazë të kanoneve dhe akteve ndërkombëtare, të cilat juve ju jepkan të drejtë të mos i merrni në konsideratë statutet që pengojnë lirinë fetare.

Të themi të drejtën, ju vazhdoni të tregoni përralla të pahijshme. Përveçse nuk na thoni, siç e keni zakon, cilat janë këto kanone dhe akte ndërkombëtare që ju jepkan të drejtë të mos i merrni në konsideratë statutet e mëparshme të kishës shqiptare, ju ofendoni rëndë edhe paraardhësit tuaj, të cilët kanë ndjekur rrugën e Krishtit - janë përpjekur të gjejnë shtigje për të përhapur "lajmin e mirë" (ungjillin) edhe në situata të vështira. E lëmë mënjanë statutin e miratuar më 1950, mbasi ai ishte hartuar nga regjimi komunist, edhe pse kisha në çdo rrethanë përpiqet të gjejë shtigje për të mbijetuar - po përqendrohemi te statuti i vitit 1929. Ai është një statut i dalë nga një kongres i rregullt i cili, po e përsëritim, gjeti miratimin e Sinodit të madh të Patriarkanës Ekumenike të Stambollit. Por, pas përmbysjes së regjimit komunist, kur mori fund persekutimi i lirisë fetare, ku e shihni ju dëmin që i sillte ortodoksisë shqiptare, respektivisht KOASh-it, statuti i vitit 1929, të cilin ju nuk e morët në konsideratë?

Pyesim: a ishte në të vërtetë në rrezik liria e besimeve fetare në Shqipëri më 1992, pasi regjimi komunist ishte përmbysur? Çfarë rreziku i vinte lirisë fetare nga regjimi demokratik, i cili u vendos në Shqipëri që më 1991? Përse atëherë pranuat ju më 1992 miratimin e Presidentit të Republikës për t'u zgjedhur kryepeshkop i KOASh-it kur ai ishte në krye të një shteti që persekutonte liritë fetare? Ç'është kjo avokaturë shterpë që përdorni, ndonëse me tepër vonesë, për të justifikuar ambiciet tuaja për t'u bërë kryepeshkop?

Unë nuk e kam mohuar detyrimin shpirtëror që ka Patriarkana e Kostandinopojës për të ndihmuar rimëkëmbjen e kishave ortodokse autoqefale motra të shpërbëra nga faktorë të ndryshëm. Por, ndihmën nuk e kam kuptuar dhe nuk e kuptoj dot si një uzurpim të të drejtave të motrës së vogël nga motra e madhe. Në rastin e Shqipërisë, ndihma që KOASh-i i shkërmoqur priste nga Patriarkana ishte ajo që vetë Patriarkana mori përsipër t'ia jepte më 1991 - të dërgonte në Shqipëri një ekzark, me kompetenca të kufizuara në kohë dhe në funksione dhe jo një kryepeshkop me dinjitet të përhershëm.

Në Apologjinë e 31 tetorit 2010, hirësia juaj thotë se përderisa më 1992 nuk ekzistonte asnjë strukturë e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe përderisa ishte shkërmoqur vetë kisha shqiptare, nuk ekzistonte as autoqefalia e saj e njohur nga Patriarkana më 1937. Me keqardhje po them se po dëgjojmë një pohim thellësisht absurd, se Kisha Autoqefale e Shqipërisë për shkak të persekutimeve që pësoi nga regjimi komunist u shua themelisht dhe se tani që hirësia juaj u vu në krye të saj KOASh-i lindi nga e para. Madje, absurditeti kalon çdo kufi, kur thoni se vetëm tani, sigurisht tani që u vutë ju në krye, Kisha Ortodokse Autoqefale fitoi autoqefalinë e vërtetë. Këtë xhevahir ju e thoni troç kur shkruani se Kisha Ortodokse Shqiptare gjatë shek. XX nuk ka qenë asnjëherë autoqefale. Për ç'arsye, hirësi? Ja si përgjigjeni: "Kisha Ortodokse nuk u krijua në shekullin XX, mbasi nuk u respektuan disa kanone të detyrueshme për të gjitha kishat ortodokse". Pavarësisht se ju nuk na thoni se cilat janë kanonet e shkelura për të cilat ju e dënoni Kishën Ortodokse Shqiptare se nuk ishte kishë autoqefale - ato dalin midis rreshtave, kur ju nënvizoni se para luftës Kisha Ortodokse ishte nën vartësinë e shtetit shqiptar, i cili nuk ishte shtet ortodoks. Veç kësaj, statutet e së kaluarës u shfuqizuan kur u përmbysën këto regjime. Më falni hirësi, por ju ndoshta kur i keni shkruar këto fjalë nuk keni qenë i kthjellët mendërisht. Po të jetë e vërtetë kjo që thoni ju, edhe kishat ortodokse autoqefale ruse, rumune, bullgare, serbe duhet të jenë shuar, mbasi edhe atje janë përmbysur regjimet e mëparshme monarkiste dhe të pastajme komuniste.

Hirësia juaj deklaron se më 1990 shteti shqiptar nuk u shpërbë nga një revolucion, me fjalë të tjera shteti komunist mbeti ai që ishte. Çfarë kuptoni ju hirësi me revolucion? Mos kërkoni medoemos njerëz të vrarë e të plagosur? Si duket, ju nuk e dini se revolucion është përmbysje cilësore e strukturës politike, ekonomike, sociale, kulturore e një regjimi. Pra, meqenëse, sipas jush, në Shqipëri nuk pati revolucion, këtu "pati vazhdimësi ligjore dhe legjislative", domethënë Presidenti Sali Berisha qe akoma president i shtetit komunist dhe regjimi pluralist ishte akoma regjim politik komunist. Pra, gjithnjë sipas jush, shumë nga dispozitat e statuteve kishtare të mëparshme bien në kundërshtim me Kushtetutën e vitit 1998, pra janë antikushtetuese. Nga e keni mësuar këtë parim hirësi, që kushtetutat kanë edhe fuqi prapavepruese? Si mund të dënohen si antikushtetuese veprimet ligjore që janë kryer para se të miratohet një kushtetutë? Ç'janë këta këshilltarë juridikë që ju mbani afër?

Ju shkruani tekstualisht: "Për t'u përballur me boshllëkun që u krijua nga koha që pasoi shkatërrimin e Kishës së Shqipërisë, një Asamble e Përgjithshme e veçantë kishtare, që u mblodh në Durrës më 21 janar 1993, vendosi, për periudhën e tranzicionit pas vendosjes së demokracisë (për habi, këtu pranoni se më 1991 në Shqipëri u vendos demokracia! - K.F.), pranimin e përkohshëm të atyre neneve të Statutit të vitit 1950 që nuk binin ndesh me kushtet bashkëkohore, ndërsa, në të njëjtën kohë pranoi zgjedhjen e kryepiskopit njëzëri dhe i shfaqi atij besimin e saj". Gjithë kjo avokaturë, e cila mbyllet me "Asamblenë e Përgjithshme e veçantë kishtare", mbajtur në Durrës më 21 janar 1993, përmban në themel të saj mekanizmin diabolik të gatuar nga hirësia juaj për të justifikuar postin që uzurpuat gjashtë muaj më parë, më 2 gusht 1992. Absurditeti më flagrant i kësaj Apologjie qëndron te preferenca juaj dhe e gregarëve tuaj për t'u mbështetur te dekreti i qeverisë komuniste të shpallur më 1950 dhe jo te statuti i Kongresit të II të Kishës Ortodokse të vitit 1929 dhe i pranuar nga Patriarkana e Stambollit më 1937. Si është e mundur që një prelat i kulturuar dhe i devotshëm i kishës ortodokse, siç jeni ju, të shkelë statutin që doli më 1929 nga një kongres i rregullt i KOASh-it, i miratuar nga Patriarkana e Kostandinopojës me Tomin e vitit 1937 dhe të konsideroni si të vlefshëm dekretin shtetëror komunist të vitit 1950, të cilin vetë shteti komunist e abrogoi më 1967? Si është e mundur të mos e shihni gafën e rëndë juridike që ju bëni, kur lini të kuptohet se në vitin 1950 shteti komunist, i cili në fund të fundit zëvendësoi statutin e KOASh-it, me një statut tjetër të tij, por nuk mund të fshinte apo asgjësonte Tomin e Patriarkanës së Kostandinopojës? Si mund ta shkojë nëpërmend një kryepeshkop se regjimi komunist i Enver Hoxhës kishte të drejtë të shfuqizonte për jetë të jetëve një statut të miratuar nga Patriarkana e Kostandinopojës me një dekret të tij shtetëror kur dihet se kisha është e ndarë nga shteti?

Vazhdojmë më tej. Si është e mundur që një prelat me një kulturë universale të mos e ketë kuptuar akoma se më 1990 në Shqipëri u krye një revolucion politik që shkuli bazën ekonomike, shoqërore, juridike të regjimti komunist? Ç'është kjo asamble e përgjithshme e veçantë kishtare e vitit 1993, e cila pranoi vetëm ato nene të statutit komunist të vitit 1950, apo sepse ato nene i interesonin Janullatosit dhe përse nuk u mbështet në statutin e 1929, veprim me të cilin ai fyu edhe Patriarkanën e Kostandinopojës? Ju nuk e thoni arsyen, por ne e dimë se statuti i vitit 1929 kërkonte një kryepeshkop që të ishte me kombësi dhe nënshtetësi shqiptare, kurse ai i regjimit komunist kufizohej vetëm me nënshtetësi shqiptare, ndonëse ju, më 1993 nuk e kishit as nënshtetësinë shqiptare. A e kuptoni hirësi se me këtë logjikë ju, përsëritim, ofenduat Patriarkanën e Kostandinopojës, e cila e kishte miratuar Kushtetutën e vitit 1929? Pra, përballë Patriarkanës Ekumenike, ju preferuat Enver Hoxhën. Pra, ju kur e do njëra dorë e mallkoni regjimin komunist, kur e do dora tjetër e pranoni atë regjim si të rregullt. Ju thoni pastaj se KOASh-i u pajis me statut të rregullt në vitin 2008, statut i cili u kthye në ligj të rregullt të shtetit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me Dekretin Nr. 10057, dt.22.1.2010. Po statutin e vitit 2008 përse e quani të rregullt, kur ai nuk doli, ashtu siç e e kërkojnë kanonet nga një kongres i rregullt?

Në një vend të artikullit tuaj ju thoni se "historia është një lumë që rrjedh dhe se kisha përshtatet me kushtet e reja". Po përse historia qenka një lumë që rrjedh dhe kisha i përshtatet këtij lumi vetëm kur e dashkeni ju hirësi dhe jo kur ata peshkopë të nderuar shqiptarë e themeluan si kishë autoqefale me Kongresin I më 1922 dhe me Kongresin II më 1929, kur Shqipëria ishte shtet i pavarur?

* * *

Në Apologji thuhet se hirësia e tij me të vërtetë erdhi në Shqipëri si ekzark, por një delegacion i kishës shqiptare i përbërë prej dy vetësh i kërkoi patrikut Bartolome më 5-8 qershor 1992 që Janullatosi të zgjidhej si kryepeshkop. Kush i zgjodhi dy delegatët? Para së gjithash, a mund të quhet delegacion i kishës një grup i përbërë nga dy vetë, nga të cilët asnjëri nuk është klerik? A nuk është më e ndershme të thuhet se këtë të ashtuquajtur delegacion e dërgoi në Patriarkanë vetë Janullatosi që të kërkonin jo zgjedhjen, por emërimin e tij nga lart? Thuhet pastaj se më 24 qershor 1992 Sinodi i Kostandinopojës zgjodhi me votim unanim për kryepeshkop Janullatosin dhe tre mitropolitë të tjerë për sinodin lokal. Pyesim: përse për të zgjedhur kryepeshkopin nuk priti derisa të formohej Sinodi i Shenjtë i KOASh-it? Hirësia e tij përgjigjet se Patriarkana e Kostandinopojës kishte përgjegjësi ndaj KOASh-it, pasi i kishte dhënë atij autoqefalinë. Pra, sipas tij, vetëm ajo kishte të drejtë të ndërmerrte nismën për krijimin në një kohë sa më të shkurtër të kishës lokale. Thotë se përderisa ishte shfuqizuar çdo strukturë e kishës lokale dhe përderisa nuk ekzistonte kisha lokale, nuk ekzistonte as autoqefalia. Pyesim: nëse është kështu, përse ju u mbështetët te kushtetuta komuniste e vitit 1950? Përkundrazi, thotë, me emërimin e kryepeshkopit Patriarkana e siguroi autoqefalinë. Si u siguroka autoqefalia kur emërohet nga lart kryepeshkopi, emërim që shkel autoqefalinë? Hirësia e tij e justifikon emërimin e kryepeshkopit nga Patriarkana, mbasi KOASh-i nuki kishte sinod. Jo hirësi! Pikërisht pse mungonte sinodi, u dërgua ekzarku që të punonte për të krijuar sinodin.

Shqiptarët nuk mund ta humbasin të drejtën për të zgjedhur kryepeshkopin e tyre. Unë edhe sot e kësaj dite vazhdoj ta konsideroj një dhunë që i bëhet KOASh-it nga Patriarkana e Kostandinopojës kur ajo vepron në kundërshtim me statutin e vitit 1929 që ajo vetë kishte miratuar me Tomusin e vitit 1937. Na thoni se cili kanon kishtar i jep motrës së madhe të drejtën të komandojë motrën e vogël pa i përfillur besnikët e saj?

Midis të tjerash, hirësia e tij Janullatos më akuzon se unë nuk i njoh kanonet dhe parimet kishtare. Është e vërtetë se unë nuk kam mbaruar shkollë teologjike, se nuk jam as dhespot, as prift, por që të trajtosh historinë e Kishës Ortodokse në Shqipëri dhe më gjerë nuk është e domosdoshme të kesh shkollë teologjike.

Vijmë konkretisht te akuza që ai më bën se unë nuk e trajtoj drejt Tomin e Patriarkanës së Kostandinopojës të hartuar më 1937 për KOASh-in. Ai thotë se Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike të Stambollit ka të drejtë të emërojë kryepeshkopë të kishave ortodokse autoqefale të viseve të tjera. Jo hirësi, këtu gaboheni rëndë. Po të ishte kështu, nuk ka kuptim autoqefalia e kishës. Patriarkana Ekumenike e Kostandinopojës është motër e madhe e kishave ortodokse autoqefale të Shqipërisë. Ajo gëzon vetëm një privilegj - të mbrojë dhe të ruajë dogmën e ortodoksisë, natyrisht edhe ritualin e Kishës Lindore si procedurë. Patriarkati nuk ka të drejtë të uzurpojë kompetencat e sinodeve të shenjta të kishave të tjera. Kur një kishë motër nuk ka Sinod të Shenjtë, ajo ka për detyrë të kujdeset që motra të krijojë Sinodin e Shenjtë. Ajo nuk ka të drejtë të emërojë as peshkopë, as kryepeshkopë të kishave të tjera autoqefale, pa pëlqimin e besnikëve të këtyre kishave. Ndryshe ajo shkel autonominë e këtyre kishave. Patriarkati ka të drejtë të miratojë dhe të bekojë krerët e kishave të tjera autoqefale kur zgjedhjet e tyre janë kryer rregullisht në bazë të kanoneve. Pikërisht këto parime dhe këto kompetenca pasqyrohen edhe në Tomin e lëshuar nga Sinodi i Shenjtë patriarkal i Kostandinopojës më 12 prill 1937 për KOASh-in.

Tomi është nënshkruar nga patriarku Benjamin V. Pranë tij janë renditur nënshkrimet e anëtarëve që kishte sinodi i Shenjtë patriarkor në vitet 1937: Maksimi i Kalqidhonës, Polikarpi i Brusës, Gjermanoi i Sardëve dhe i Pisidisë, Leonti i Teodoropullit, Meleti i Kristopullit, Gjermanoi i Enosit, Joakimi i Dherkontit, Genadi i Iliupolit, Kostandini i Irinopolit, Dorotheu i Laodikisë.

Tomi është nënshkruar në përfundim të misionit që delegacioni i KOASh-it kreu në Kostandinopojë, i kryesuar nga hirësia e tij Kristofor Kisi, i sapozgjedhur nga sinodi i Shenjtë i KOASh-it si peshkop i Tiranës dhe i Durrësit dhe kryepeshkop i gjithë Shqipërisë. Delegacioni i kërkoi Patriarkanës së Kostandinopojës njohjen dhe bekimin për Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Me njohjen e kishës shqiptare si kishë autoqefale nënkuptohet edhe njohja e statusit të saj miratuar më 1929, veç kësaj edhe bekimi patriarkal i hirësisë së tij Kristofor Kisit, si kryepeshkop i KOASh-it. Ja ç'thuhet në Tomin historik:

"Beniamini, me mëshirë të Zotit, kryepeshkopi i Kostandinopojës, i Romës së Re dhe i Patriarkanës Ekumenike. Duke qenë Mëmë dhe duke e shtrirë kujdesin e saj, Kisha e shenjtë e Krishtit, pa dallim ndaj subjekteve të ndryshëm, nëpërmjet masave dhe vendimeve si dhe mënyrave për të ndihmuar ato dhe për t'u dhuruar bekimin lidhur me plotësimin dhe shërimin e nevojave të përkujdesit fetar, ajo, duke kryer detyrën e saj që të jetë gjithmonë e paanshme dhe shumë e afërme ndaj çështjes kishtare dhe që veprimtaria e saj të jetë frytdhënëse gjithmonë ajo synon që të japë ndihmesën e saj të përkujdesjes dhe të qeverisjes".

Në këtë hyrje të Tomit, Patriarkana e Kostandinopojës e konsideron veten Nënë, pasi ajo përfaqëson dogmën e kishave të krishtera lindore - që nga Patriarkati i Antiokisë, Jeruzalemit, Aleksandrisë, Bullgarisë, Rusisë dhe deri te Kisha Ortodokse Autoqefale e Greqisë dhe ajo e Shqipërisë. Si rrjedhim, me fitoren e autoqefalisë (pavarësisë) së kishave ortodokse nacionale, Patriarkana e Kostandinopojës ka për detyrë, siç thuhet në Tomin e përmendur, jo të uzurpojë kompetencat e tyre, por vetëm të japë ndihmesën e saj të përkujdesjes. Ja se ç'thuhet në Tom në lidhje me statusin e KOASh-it, ndaj Patriarkanës Ekumenike të Stambollit: "Kisha Ortodokse Shqiptare, motër e jona shpirtërore, tani e tutje do të jetë e pavarur dhe autoqefale, përsa i përket rendit dhe detyrave, si dhe të drejtave, sikurse dhe të tjerat Kisha të Shenjta Ortodokse Autoqefale, duke patur si autoritet drejtues kishtar, të njohur dhe të sanksionuar nga kryepriftërinjtë e Shqipërisë në Sinodin e Shenjtë, si kryetar shumë të nderuarin kryepeshkopin e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë". Dhe më tej: "I përnderuari kryepeshkopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë... duhet të na dërgojë dokumentet e fronëzimit neve Kishës së madhe të Krishtit, si dhe të gjitha kishave ortodokse autoqefale motra". Në Tomus thuhet gjithashtu: "Pra, përcaktojmë që edhe e shenjta Kishë Ortodokse Autoqefale në Shqipëri të marrë prej nesh bekimin e shenjtë të Kishë së Madhe të Krishtit".

Më në fund thuhet se vendimet që u morën në Sinodin e Shenjtë patriarkal më 12 prill 1937, iu dorëzuan pa bërë asnjë ndryshim "kryepeshkopit të Përnderuar të të gjithë Shqipërisë, vëllait tonë të dashur për hir të Krishtit dhe bashkëpunëtorit tonë, imzot Kristoforit, kryetarit të Sinodit të Shenjtë të Kishës së Shenjtë Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë".

Në terminologjinë kristiane, peshkopi, sigurisht edhe kryepeshkopi, quhet "bari", kurse besnikët e krishterë emërtohen në mënyrë figurative "tufë" ose "grigjë" për të cilët peshkopi dhe kryepeshkopi kujdesen si barinjtë e bagëtive për të mos i ngrënë ujku, pra djalli. Duket se hirësia e tij këtë apelativ figurativ e ka interpretuar sikur besnikët e tij në Shqipëri janë si dhentë që ai mund t'i çojë ku të dojë e si të dojë.

Pyesim përsëri: ku e gjeti të drejtën nga pikëpamja kanonike Patriarkana e Stambollit të shkelë autoqefalinë e KOASh-it kur hoqi dorë nga kujdesi për ta ndihmuar kishën shqiptare me ekzark dhe më 24 qershor 1992 emëroi kryepeshkop A. Janullatosin? Pyetja është formale, pasi ne e marrim me mend se Patriarkana e Stambollit zbatoi sugjerimin që i erdhi nga Kisha Ortodokse Autoqefale Greke për ta uzurpuar Kishën Ortodokse Shqiptare.

* * *

Hirësia ankohet se në regjimin e Zogut, Kisha Ortodokse Shqiptare nuk ishte autoqefale ndonëse ajo kishte statut të rregullt, një sinod të shenjtë dhe një kryepeshkop shqiptar të bekuar nga Patriarkana. Sipas tij, Kisha Shqiptare në atë kohë nuk ishte autoqefale mbasi shteti shqiptar ushtronte kontroll mbi të. Si duhet kuptuar kjo? Regjimi i Zogut zgjati katërmbëdhjetë vjet. Gjatë kësaj periudhe pati dy forma regjimi: republikë (1925-1928) dhe monarki (1928-1939). Të dyja këto forma të regjimit kishin statute të veçanta. Të dy statutet e shpallin Shqipërinë ashtu si dhe statutet e mëparshme, shtet laik. Në të dy regjimet feja ishte e ndarë nga shteti. Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, miratuar më 7 mars 1925 që në nenin e parë të saj përcaktohej: "Republika Shqiptare nuk ka fe zyrtare. Të gjitha fetë dhe besimet respektohen. Liria e ushtrimit të tyre dhe e kultit janë të garantuara. Feja në asnjë mënyrë nuk mund të përbëjë një pengesë juridike. Fetë nuk mund të përdoren asnjëherë për qëllime politike".

Afërsisht të njëjtën liri dhe pavarësi u garantonte feve edhe Kushtetuta e Mbretërisë Shqiptare miratuar më 1 dhjetor 1928. Në nenin 5 të saj thuhet: "Shteti shqiptar nuk ka fe zyrtare. Të gjitha fetë dhe besimet respektohen. Liria e kultit dhe e ushtrimit të praktikave të jashtme është e garantuar. Feja në asnjë mënyrë nuk mund të përbëjë pengesë juridike. Feja dhe besimet nuk duhet në asnjë mënyrë të përdoren për qëllime politike".

Nuk duhet harruar se gjatë regjimit monarkist të Zogut, në sajë të shkëputjes së fesë nga shteti, toleranca tradicionale fetare e shqiptarëve u konsolidua edhe më tepër. Kisha Ortodokse Shqiptare nuk kishte pse të ankohej, mbasi gjatë gjithë viteve të regjimit monarkist me përjashtim të një periudhe njëvjeçare (tetor 1935 - nëntor 1936), kryeministri dhe kryetari i Parlamentit kanë qenë vazhdimisht shqiptarë të besimit ortodoks (Koço Kota dhe Pandeli Evangjeli).

Jo vetëm krerët e komuniteteve fetare, por edhe besnikët e tyre kanë jetuar plotësisht në harmoni, madje kanë zhvilluar veprimtari politike, juridike, ekonomike, kulturore e shoqërore të përbashkëta. Zogu është akuzuar me të drejtë si një pushtetar absolut. Ai nxiste në konflikt njëri kundër tjetrin krerët feudalë dhe bajraktarët e veriut. Por, politikën e përçarjes nuk e aplikoi asnjëherë ndaj krerëve të komuniteteve fetare. Ai persekutoi kundërshtarët politikë, por asnjëherë krerët e komuniteteve fetare si të tillë. Madje, synimi i Zogut ishte t'i vinte në harmoni bashkësitë fetare, mbasi kjo i interesonte rendit monarkist. Me karakterin laik që Zogu i dha shtetit, donte të kufizonte autoritetin e feve - ndryshe nga Greqia, e cila e bëri ortodoksinë fe shtetërore dhe e ndihmoi pa kufizim në ushtrimin e veprimtarisë së saj fetare. Zogu edhe pse e la të lirë veprimtarinë e institucioneve fetare. Me pozicionin e shtetit shqiptar si shtet laik shpinte në dobësimin e pushtetit të institucioneve fetare, pra edhe të Kishës Ortodokse mbi bashkësitë e tyre fetare, në dobi të autoritetit shtetëror, njësoj si në Evropën perëndimore.

Përse hirësia e tij si kryepeshkop është i pakënaqur nga gjendja fetare e Shqipërisë në kohën e Zogut, kur edhe sot sundon po ajo gjendje? Duket se, sipas tij, kisha ortodokse është autoqefale kur ajo, si kisha greke, është e lidhur me shtetin, kur shteti dhe kisha janë të shkrira midis tyre, kur kisha punon për shtetin dhe shteti e përkrah kishën e kështu me radhë. Pyesim hirësinë, po përse sipas tij, më 1992 kisha shqiptare u bë kishë autoqefale, kur ajo përsëri është e ndarë nga shteti? Logjika e hirësisë së tij a nuk na jep të drejtën të mendojmë se tani që KOASh-i është i ndarë si në vitet e Zogut nga shteti shqiptar, KOASh-i nën kryesinë e tij ka realizuar për të autoqefalinë, sepse është i lidhur me shtetin grek, përderisa financohet nga Athina dhe i shërben politikisht Athinës!

Ne këtu ndahemi nga hirësia. Jemi kundër tij sepse ne duam që KOASh-i t'i shërbejë shtetit shqiptar, shqiptarësisë dhe jo shtetit grek, helenizmit.

* * *

Edhe dy fjalë për Pallatin e Kulturës në Përmet. Këmbëngulja e kryepeshkopit Janullatos për të vënë dorë mbi Pallatin e kulturës në Përmet me justifikimin se dikur në truallin e saj ka qenë një kishë, është një skandal i vërtetë. Deri tani ai nuk kishte dalë sheshit se personalisht qëndronte prapa përpjekjeve për ta përvetësuar në emër të kishës Pallatin e Kulturës. Me apologjinë e gjatë që botoi më 31 tetor, ai e zbuloi këtë të vërtetë, e cila nuk e nderon aspak. Ai thotë se KOASh-i ka të drejtë të shtjerë në dorë Pallatin e Kulturës, i cili është ndërtuar mbi një truall që zë 584 m katror, mbasi në truallin e tij, diku në qoshe të tij, ekzistonte dikur një kishë - Kisha Shën Mëria e Pazarit prej kohësh e shembur - e cila zinte një sipërfaqe prej 25 metër katror. Përveç këtij absurditeti këmbëngulja e kryepeshkopit për të përvetësuar Pallatin e Kulturës, përmban dhe një aspekt arbitrar ligjor. Kjo për arsye se pretendimet e KOASh-it i kanë hedhur poshtë të tre shkallët e gjyqësorit shqiptar. Megjithatë, me fijet e tij të dukshme e të padukshme, ai me ndërhyrjet e tij pengon edhe sot e kësaj dite Zyrën e Përmbarimit të Përmetit të zbatojë vendimin e organeve gjyqësore shqiptare. Pra, skandal kur kërkon që në emër të një thele të konfiskojë të gjithë viçin dhe e dyta, skandal sepse në vend që ta respektojë e kompromenton shtetin ligjor shqiptar. Natyrisht që edhe organet shtetërore kanë përgjegjësinë e tyre. Por kjo është një çështje tjetër. Ne shpresonim se për të ruajtur dinjitetin e vet klerikal dhe akademik, kryepeshkopi i KOASh-it do të hiqte dorë nga këmbëngulja për të përvetësuar padrejtësisht Pallatin e Kulturës të një qyteti të vogël periferik. Duke lexuar Apologjinë e tij, po shohim se ai po e tregon veten kokëfortë, mbasi kërkon medoemos të shkojë fjala e tij, edhe kur e ka gabim, madje edhe kur i bën dëm. Ne e pyetëm: pse nuk kërkon edhe përvetësimin e "Tirana International Hotel" meqenëse në rrezen e truallit të tij dikur bënte pjesë jo një kishë e vogël si ajo e Përmetit, por një kishë e madhe - kisha katedrale e kryeqytetit? Ai përgjigjet: në Përmet puna ndryshon, mbasi atje eksitojnë ende gjurmët e kishës së Shën Mërisë së Pazarit. Kur i ka parë këto gjurmët e mureve të kishës hirësia e tij, kur atje nuk ekziston asnjë gjurmë? Për të bindur lexuesin se kryepeshkopata nuk ka asnjë të drejtë që në emër të kishës së Shën Mërisë së Pazarit të shtjerë në dorë Pallatin e Kulturës në Përmet, gjithashtu për të bindur lexuesin se në Pallatin e Kulturës nuk janë përdorur fare gurë të kishës së Shën Mërisë së Pazarit, po riprodhojmë këtu në mënyrë të përmbledhur njoftimet që jep zoti Katriot Bezati për shumë vite drejtor i saj, të cilat ai i ka nxjerrë nga materiali që ruhen në arkivin e Bashkisë së Përmetit.

Sipas këtyre materialeve, Pallati i Kulturës u ngrit më 1961. Sipërfaqja e truallit që ai zë përfshin 584 metra katrorë, kurse kisha e Shën Mërisë së Pazarit zinte vetëm 25 metra katrorë, pra kisha zinte vetëm 4,28% të sipërfaqes së Pallatit të Kulturës.

Pallati i Kulturës nuk ka shfrytëzuar asnjë mur të kishës. Nga situacioni i shpenzimeve del se ai është ndërtuar që nga themeli me fondet e akorduara nga shteti. Edhe materiali i ndërtimit tregon se muret e dy objekteve nuk kanë pika takimi midis tyre. Kisha e ngritur në vitet '30 të shekullit XX është ndërtuar me gurë të zinj, siç janë ndërtuar dhe kishat e tjera të qytetit, kurse Pallati i Kulturës me gurë të bardhë (gëlqerorë). Këto të dhëna u vërtetuan edhe nga komisioni i ngarkuar nga organet gjyqësore në të cilin merrte pjesë edhe përfaqësuesi i kishës (At Vasil Thomollari) nënshkruar më 07.10.2000.

Komisioni i posaçëm e çmoi se vlera e Pallatit të Kulturës në raport me vlerën e truallit të kishës është 99,3% për Pallatin dhe vetëm 0,7% për kishën. Pra, edhe nga kjo pikëpamje kisha nuk ka të drejtë të verë dorë mbi pallatin, as të gëzojë të drejtën e preferencës për të shtënë në dorë palltin, preferencë të cilën e ka në dorë kontribuenti më i madh, pra shteti.

Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Bashkisë Përmet me vendimin nr. 75 që mori më 27 shkurt 1995 nuk ia njohu kishës Pallatin e Kulturës, kurse për truallin që zinte kisha (25 metra katrorë) i dha të drejtën e kompensimit me të njëjtën sipërfaqe.

* * *

Po e mbyllim këtë debat me këto konsiderata. Me sa dimë ne, Kisha Ortodokse është e para doktrinë fetare që pranoi në gjirin e saj të zbatonte nga pikëpamja organizative parimin e kombit-shtet. Kisha e parë nacionale (pas patriarkateve të Aleksandrisë, Antiokisë, Jeruzalemit) që u krijua si motër më vete e Patriarkanës së Stambollit është Patriarkati i Bullgarisë, i themeluar në shek. X. Që atëherë shumë kisha nacionale kanë fituar autoqefalinë ndaj Kostandinopojës. Edhe kisha shqiptare po ashtu. Për arsye të copëtimit të kozmosit ortodoks në shumë kisha nacionale autoqefale, Patriarkana e Kostandinopojës që nga koncili i Fotit në vitin 879 nuk ka organizuar më koncile ekumenike (sinodë universale). Kjo për arsye se çdo kishë ortodokse nacionale, meqenëse është autoqefale, i zgjidh problemet e veta me anë të sinodeve të saj. Jam i bindur se hirësia e tij është shumë i përgatitur në avokaturën në shërbim të kishës greke. Unë nuk jam as prelat, as arkimandrit, as prift, as murg. Jam një historian që jam përpjekur ta mësoj mirë historinë kishtare të Shqipërisë. Jam duke përfunduar një punim mbi historinë fetare të Shqipërisë, ku historia e kishës ortodokse shqiptare zë një vend të rëndësishëm. Në këtë monografi nuk më ka interesuar fare liturgjia në vetvete, as riti në vetvete. Më kanë interesuar vetëm rolet e tyre në historinë e kombit. Kam lexuar me sa kam patur mundësi koncilet universale, por edhe sinodet ilire dhe shqiptare. Prej tyre kam mësuar përparësinë që kanë interesat kombëtare përballë parimeve fetare.

Nga hulumtimi për historinë shekullore të kishës së krishterë në Shqipëri, kam parë se si kudo edhe tek ne verbi (logos-i) doktrinor i feve të pranishme në Shqipëri, përfshirë edhe atë të ortodoksisë, është i gërshetuar me interesat kombëtare.

Këtë vokacion të shqiptarëve - për ta patur kishën e tyre të krishterë të pavarur nga pushtetet politike, ca më tepër nga pushtetet e huaja politike, madje edhe nga institucionet e huaja kishtare - e ndeshim të dokumentuar që në antikitetin e vonë, te paraardhësit tanë, ilirët. Historia e këtij vokacioni shumëshekullor ndriçohet gjithashtu në monografinë e përmnedur, e cila shpresoj që së shpejti, sapo të përfundojë, të shkojë për botim. Megjithatë, sa për ilustrim këtu po trajtoj tepër shkurt shfaqjen e parë të dokumentuar të këtij vokacioni. Kthehemi në shek.V të erës sonë, kur viset e sotme shqiptare, të banuara në atë kohë nga ilirët, ndodheshin prej disa dhjetëvjeçarësh (që nga viti 395), nën sundimin e Perandorisë Bizantine. Në atë kohë, bota e krishterë ishte e pushtuar nga debatet e zjarrta kristologjike, rreth natyrës së Krishit, nëse ishte vetëm perëndi apo edhe perëndi edhe njeri njëkohësisht. Historianët në përgjithësi janë dakord se në prapashpinë të këtij debati qëndronin interesa politike, nëse kishat provinciale duhej të ishin në varësi të disiplinuar nga pushteti qendror bizantin apo nëse duhej të gëzonin një autonomi lokale. Përgjigjen e kishte dhënë një shekull më parë Athanasi, kryepeshkopi i Aleksandrisë, i cili në koncilin e Nikesë (325), koncili I i kishës së krishterë, kishte triumfuar mbi dogmën e Ariusit (arianizmin), por në të njëjtën kohë kishte hedhur idenë se kishat provinciale, ndërsa do të ruanin të pacenuar dogmën, duhej të ishin të pavarura nga qendra, mbasi kështu do t'i shërbenin më mirë interesave të besnikëve të diocezave të tyre. Për të zgjidhur këtë konflikt që po acarohej vazhdimisht, u mblodh në vitin 431 koncili i Efezit.

Në koncilin e Efezit kryepeshkopi i Kostandinopojës, Nestori, i mbështetur nga perandori bizantin i Lindjes, Teodosi II, kërkonte centralizimin teologjik dhe politik të diocezave provinciale përfshirë dhe ato të ilirëve, parim ky që nënkuptonte nënshtrimin e tyre të plotë ndaj interesave politike të Perandorisë cezaro-papiste Bizantine. Përkundrazi, patriku i Aleksandrisë, Kirili, pranonte vetëm disiplinën e plotë të dogmës së krishterë, kurse në fushën e orientimit politik përkraht parimin e shpallur ndaj Shën Athanasit. Në aktet e koncilit të Efezit që ruhen në arkivin e Vatikanit përmenden si pjesëmarrës në koncilin e Efezit këta peshkopë ilirë: Euhari, peshkopi i Durrësit, Feliksi i Apollonisë dhe i Bylisit, Senecioni i Shkodrës, Kostanci i Dioklesë, Donati i Nikopojës dhe Theodori i Dodonës (Acta Conciliorum Oecumenicorum. Concilium Universale Ephesenum. Edidit Edvardus Schërtz. Acta graeca. Pars altera. Collectio Vaticana 33 80. Berolini et Lipsiae 1927, ff. 55, 57). Këta peshkopë, të cilët historiani i parë i kishës që njeh historia, Euzebi, i quan ilirë dhe jo peshkopë të Ilirisë, - çka do të thotë se ata ishin peshkopë të etnikonit ilir - mbajtën anën e Kirilit, mbrojtësit të platformës së Shën Athanasit. Nuk po zgjatemi me fjalimet që mbajtën peshkopët ilirë në koncilin e Efezit, të cilat i ka përmbledhur me pak fjalë historiani i njohur kishtar Daniel Farlati. Vetëm duhet shtuar se përveç ilirëve, platformën e Kirilit e përkrahën pothuajse të gjithë peshkopët e provincave jo greke (egjiptiane, siriane etj.), kurse kundër tij votuan peshkopët e diocezave greke. Historianët e kohëve moderne të historisë kishtare bizantine shohin në këtë ndarje motive nacionale. Në lidhje me këto motive bizantinisti i njohur frëng Charl Diehl shkruan shkurt se: "prapa rivaliteteve fetare fshiheshin antagonizma nacionale dhe më tej akoma, prirje për autonomi kishtare dhe ca më tepër, aspirata për autonomi nacionale të kombësive që ato përfaqësonin". (Ch. Diehl, G. Marcais, Le Monde Oriental de 395 a 1081, T. III, Paris 1944, f. 25). Ai sheh te kundërshtimi i diocezave provinciale jo greke shkëndijat e para të kishave nacionale me tendenca separatiste. Ndoshta te platforma autonomiste e Shën Athanasit dhe jo te dogma e tij kristologjike të cilën besnikët e thjeshtë shumë pak e kanë njohur, shpjegohet adhurimi i trashëguar nga shqiptarët brez pas brezi për të, siç e dëshmon prania e ikonës ose afreskut të tij në çdo kishë ortodokse shqiptare, me emrin e shkurtuar Shën Thanas. Vetëkuptohet se në mungesë të një shteti nacional shqiptar, që ta mbronte këtë parim të bekuar nga Krishti në bazë të porosisë që ai u dha apostujve të vet për të krijuar në çdo komb kishat e veta - ky parim në Shqipëri është shkelur vazhdimisht nga Patriarkana Ekumenike e Kostandinopojës, e cila e përqendroi krejtësisht për shekuj në duart e veta autoritetin kishtar mbi shqiptarët ortodoksë. Gjithnjë për shkak të mungesës së një shteti shqiptar, Patriarkana e Kostandinopojës nuk ia njohu shqiptarëve të drejtën të kishin kishën e tyre nacionale edhe pasi kombet e ndryshme ortodokse krijuan kishat e tyre autoqefale. Kjo është arsyeja përse shqiptarët e përshëndetën vendimin që mori Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës së Kostandinopojës me Tomin e vitit 1937, me të cilin njohu autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare. Pikërisht, kjo është arsyeja përse shqetësohemi kur ju hirësi në bashkëpunim me patrikun e tanishëm Bartolome - po e shkelni autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe po e shndërroni në një kishë "autoqefale" greke në Shqipëri. Të gjitha sofizmat tuaja me të cilat përpiqeni për të mbuluar diellin me shoshë nuk vlejnë. Kam nxjerrë mësimin më të vyer se Kisha Ortodokse apo Katolike, se faltoret sunite apo bektashiane edhe kur nuk kanë qenë zyrtarisht autoqefale, i kanë shërbyer paraardhësve tanë kur në krye të tyre kanë patur prelatë shqiptarë. Ju dhe ndonjë nga mitropolitët e tjerë nuk jeni shqiptarë. Si prelatë po bëni shumë vepra të mira: po ndërtoni kisha etj, etj. Por kisha nuk përbëhet vetëm nga ana materiale. Ju po përhapni mësimin e fesë. Edhe këtë detyrë ju ndoshta po e bëni mirë. Por kisha, manastiri, xhamia, teqeja kanë një mision tjetër të madh: të përgatisin qytetarë që t'i përkushtohen jo vetëm fesë, por edhe atdheut, kombit, madje më tepër atdheut dhe kombit se fesë, siç po shohim në Greqinë tuaj.

Hirësi, kur erdhët në Shqipëri unë dhe shumë shqiptarë nuk iu deshëm. Kur sapo hytë në selinë e kryepeshkopatës hoqët portretin e Fan Nolit, u revoltuam. Por, kur ju me zgjuarsinë tuaj e kapët shqetësimin tonë dhe bëtë kthesën duke premtuar se do t'i shërbenit KOASh-it dhe Shqipërisë, mendova se kthesa ishte e sinqertë. Prandaj, jam takuar me ju. Fotografinë që keni botuar në gazetë nuk e kam. Ju falënderoj që e botuat. Nuk di se ç'mendoni: kush iu përqafoi, unë juve apo ju mua? Ndërkaq, disa muaj më parë u ringjallën dyshimet e vjetra. Rastin e dha vdekja e fatkeqit Aristotel Guma, të cilin ju e vajtuat botërisht si një martir ortodoks grek. Përse? Sepse ai ishte himarjot dhe se Greqia ka interesa të veçanta në Himarë. Nuk kam parë që ju të vajtoni ndonjë tjetër shqiptar ortodoks. Ajo që më shqetësoi më tepër është se ju ngritët zërin në të njëjtën kohë me emisarët e tjerë të Athinës që veprojnë në Shqipëri. Formova bindjen se edhe ju jeni një ndër ata, të cilët me të rënë të bilbilit në Athinë, zbritët në fushën e betejës në dëm të interesave kombëtare të Shqipërisë.

 



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx