E merkure, 01.05.2024, 12:49 PM (GMT+1)

Mendime

Selim Hasanaj: Istogu i fëminisë time

E diele, 14.11.2010, 08:57 PM


ISTOGU I FEMINISË TIME

 

Nga Selim Hasanaj

 

Ishin vite të vështira ato. Fillimi i viteve  60-ta të shekullit të kaluem. Mbajë mend se ishim tmerrsishtë të varfen, por poashtu mbajë mend se jetonim në nji harmoni familjare ku kishte respekt reciprok mes prindve të mi dhe neve fëmijve si dhe mes atyne me njani tjetrin. Nuk e dija atëherë pse Baba im nuk e pelqente të shkojë te dajet e mi, pra te miqet e vetë së bashku me neve. Me vite kamë mendue se ishte kjo vetem nga shkaku i tradites. Dhandrri nuk shkon te miqët me ba t`pan së bashku me gruen. Mirpo ma vonë kur u rrita mësova se veq kësaj ishte edhe nji arsye tjeter me e fortë. Andaj kur neve fëmijve na merrte malli per gjyshin Mushak, e ky mall ishte edhe ma i madhë pas vitit 1963 kur na vdiq gjyshja Hylë, nana bahej gati dhe me neve cilin per dore e cilin ngarkue në ngarkojsa në shpinë niseshim trup neper livadhet dhe arat e fshatit tue kalue pastaj në fushat e Lyteceve, neper lagjen e Smajl Isyfve , në Lukafc të Begut dhe delnim në Prekallë. Ishte kënaqësi të baje atë udhë veres e pranveres. Gjithkah ishin livadhet me barë e lule. Zogj të ndryshem shtegtar, si dhe shumë lejlek livadheve në Rrahije. Mue më banin pershtypje gjithmonë lejleket dhe ata zakonisht i shifsha si diçka të shejtë. Kishte ndikim prralla që ma pat tregue nana kur unë isha i vogël dhe ajo kurreshtejn time se si lindin fëmija ma pat plotsue me prrallen se fëmijet i sjell lejleku per vrimat oxhakut. Te livadhet e Pepaj pregjat Jazit të Ri kishte shumë lejlek.

Derisa mbrrija në Prekallë unë i lodhun e i djersitun sepse kisha pas fatin të jem fëmiu ma i madhë dhe duhej ndihmue nana per ti bart shamijat me plaqkat që ajo i merrte me veti dhe që do i nevojiteshin per kohen e t`panit, por megjithate asnjiherë nuk harroja pa mbledh edhe lula të ndryshme pergjat rruges dhe neper livadhe dhe ato ja dergoja gjyshit tim që e doja shumë. Mbaj mend se si ai na delte para, si na perqafonte dhe si dukej madhështor me ato vetullat e ti të gjata dhe hunden sqep shqiponje nen të cilat ishin mustaket e rregulluem me nji pedantri.

Mirpo dimnit nuk muj e banim atë rrugë sepse rriteshin prrojet dhe lumejt e vegjel dhe ajo rrugë nuk ishte e kalueshme. Andaj sa herë shkonim te dajet neve shkonim rrotull. Neper Cerrcë, Istog, Muzhevinë, Tomoc, Gurrakoc dhe Prokallë. Kjo rrugë kishte diku 14 kilometra nga Lubozhda.

Edhe sot quditem se sa me kënaqësi e kalonim atë rrugë. Ndodhte që me neve të vinte edhe baba per të na ndihmue dhe ai pastaj këthehej naten per në shtepi. Sa gëzohesha se vinim te dajet, por më dhimsej baba që do i bante netet vetem pa askend në shtepi. Të ndahem në dysh nuk kisha mundësi andaj ka ndodhë që pas dy tri ditve unë jamë permallue per baben dhe kamë ba presion te nana që të këthehemi në shtepi. Di se shumë herë njerka e nanes që neve e thirrnim Teze bahej nervoze në mue dhe i thoshte nanes; pusajka ti me ketë nalet as tpanin nuk po muj e bajsh si duhet.

Dhe tani viti 2010 muej gusht. Pas pesë dekadave derisa jamë në Hotel Restoranin "TROFTA"  në Istog dhe shijojë shijen e rakisë së rrushit dhe kafen ekspreso, syt me shkojnë në uren  dhe rrugen e asfaltueme që kalon mbi lumin e Istogut rrugë kjo që të qon kah qendra. Per momentin harroj kohen dhe imagjinata zgjohet së bashku me kujtesen dhe shof Uren e Gurit neper të cilen kalojnë qerre të kuajve e të kijeve të ngarkueme me duj të misrit, apo me sana e otava. Pertej ures ndegjojë zhurmen e gurve të Mullinit të Mulit i cili bluente grunin e misrin per ta ba buken per njerzit e Istogut dhe rrethit.

Pasi kujtojë Mulin atë mullis me plisin e bardhë rreth të cilit gjithmonë mbante nji marhamë poashtu të bardhë dhe rrobat e tija të perlyeme me miell, më kujtohet edhe dhoma ku aj kalonte motin aty në mulli dhe me duket se ndegjojë aromen e shijshme të qajit të lulave të bjeshkve të Istogut me të cilin ai mullis zemer bujar i gostiste myshterinjet dhe ata që e vizitonin. Mu duk se u ula në stolat trekambesha që ai vet i maronte.

I jipem imagjinates dhe shpresojë se ajo do më mbanë në binar paralel me kujtesen. Kalojë Uren e Gurit dhe ec ngadal pran gjamisë. Ditë e premte dhe koha e namazit. Shof disa pleq se si marrin avdes në qesmen para gjamisë. Më dhimsen ata burra të lodhun nga pesha e moshes dhe vuejtjeve te jetes të cilet vijnë këtu të premteve per tu takue me bashkmoshatar dhe per ta kalue kohen. Nuk janë ma shumë se gjashtë shtat veta. Imami në gjami ulun turqisht me tespih në dorë. Athue vallë mendon per fatin e ti që nuk po ka gjemat apo per gjynahet që i ka ba tue i sherbye injorances dhe tue rrejt këtë popull të shkret. Nji Zot e din se ku e ka mendjen ai.

Në të djathtë nalbahonja e Kadri Nallbanit. Shof para deres disa kuaj dhe kije që presin radhen per me u vu patkojte e treskat. Perjashta në nji drrasë të vendosun mbi dy gurë rrinë ulun Shemsedini dhe luen me fëmijet e Goranve.

Ngjitun me shtepinë e Stanojk konopgjisë asht furra e bukes e vëllaznive Gegolli, Emin e Ragipi.

Në të majt janë tezgat e tregut të bylmetit. Prapa tyne janë Nimon Shabant. Edhe aty mullini dhe zhurma e gurve që bluejn pa nda. Te dera e mullinit shof hallen Zojë e trash e cila ishte nji e vejë e pa fëmijë dhe gëzohej kur shifte fëmi të tjerë, zakonisht ju fliste dhe ju jipte ndonji koker mollë apo mushmollë, arra apo dardhë.

Par meje del parku i vogel në qender të qytetzes. Aty më terhjek me ujin akul qeshmja e qendres.  Perballë qeshmes asht dugoja e Rizë Honxhis dhe në të dhjathtë të saj rruga per në Gurrakoc, në të majtë per ne lagjet e Idriz Sakve, Blakajve dhe per në vendin ku buron lumi i Istogut. Drejt do shkohet per ne lagjet e Bajramajve, Bujupve dhe familjeve tjera si dhe per në fshatrat e mivades që fillojnë menjiher te lagjeja e Bujupve e tutje në drejtim të Drenicës. Mas dugojes së Riz Honxhisë asht furra e baces Luz. Se ç`mu kujtue tash ai burr i Hasit që me vite kishte gatue bukë jo vetem per të fitue para por edhe per fukara. Mu kujtue edhe nipi i ti Frani, nji mik imi i fëminisë i cili pat shkue të studjojë akademinë ushtarake në vitet 1970-ta. Athue vallë ku do jet tash Frani miku im i gjimnazit?!

 Provojë të shkojë rruges kah shkoja dikur pas nanes me vëllaun Ibrahimin perdore. Më duket se ndegjojë zanin e nepunsit të postes që piskaste panderpre alooo, alooo. Më shpetojë nji gaz kur mu kujtue tregimi se si nji plakë derisa kalonte rruges dhe ndegjon ato piskatje afrohet te dritarja e postes dhe i thotë nepunsit; urdhno loke çka po don, pse me thirre?

Mbrapa shof kafen e vjeter të KORENIKUT dhe sado që ishte kjo vetem nji këthim mbrapa me mendje dhe imagjinatë në kohen e femisë time unë megjithate u kënaqa dhe mu duk se isha pikrisht në atë kohë, në ato vite. Pronari i TROFTES, miku im i fëminisë z. Ismail Bytyqi më kishte pas shique per nji copë kohë dhe pasi kishte pa se unë nuk jamë aty ai kishte hesht. Pasi truni soditi mirë Istogun e fëminisë sime unë u permenda dhe pash Ismailin pranë meje. E pershendeta dhe ai u ulë me ç`rast filluem muhabetin si miq. Nuk i tregova per andrren time në pik të dites që i zgjuet e pash para pak qastesh.

 

Selim Mustafë Hasanaj

Sarpsborg - Norvegji: 06.11.2010



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora