Mendime
Agim Vuniqi: Uria për pushtet
E premte, 12.11.2010, 10:48 PM
Uria për pushtet
Nga Agim Vuniqi
Mocioni i votëbesimit i shtyrë nga AKR-ja si parti e opozitës ngatrrojë edhe më shumë bllokun opozitar, pasi që ajo ndihmoi PDK-në të shfajësohet për të bëmat e deritanishme, të cilat kanë filluar të ndriqohen nga agjensitë ndërkombëtare si "Transparency International", dhe janë të përfshira në Raportin vjetor të progresit të KE-së. Nuk ishte vetëm mungesa e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin dhe lëmshi medial, i blerë dhe stërkequr nga politikanët, sa ishte pamundësia për ta kaluar projektin hargjues të buxhetit, si dhe ngadalësimi i hovit privatizues të PTK-së. Këta ishin gurët rrokullisës që do të mund ta përmbysnin qeverinë para kohe. Për të mos ndodhë kjo hyri në lojë milioneri shqiptaro-zviceran Behgjet Pacolli, i cili e ka të përkryer zejen e "shit-blerjes", ai u kujdesë për imazhin e qeverisë. Brenda një kohe të shkurtër Thaçi pastroi terrenin, e hoqi Behar Selimin, i cili u tregua i padëgjueshëm, dhe nga pretendimi për të hyrë në politikë përmes FER-it, u gjunjëzua duke u betuar në PDK, i kërcnuar për të mbetur papunë, ai përfundimisht kuptoi shtërngimin e nofullave, njëjtë sikurse Daci që kërkoi shpëtimin nga kërcnimi i burgut me votimin e mosbesimit, atij nuk ia fali asnjëherë Thaçi ndaljen e zërimit të mikrofonit, në kohën kur ai ishte opozitar. Më së keqi pësoi Sejdiu, ai mbet pa pozitë, ia vunë ndërkëmbësen, e gjykuan, ai dha dorëheqje nga pozita e presidentit, për ta denoncuar partiakët, edhe pse pësoj keqas, ai kaloi i pari testin e demokracisë
Parlamenti i Kosovës pra miratoi mocionin e mosbesimit kundër qeverisë së brishtë, duke kushtëzuar zgjedhjet e parakohëshme që do të mbahen brenda 45 ditëve-një muaj nga sot, të dekretuara më 12 dhjetor 2010 nga presidenti në detyrë. Me 66 vota në favor të mocionit të mosbesimit, një kundër dhe dy abstenime, deputetetët e parlamentit të Kosovës gozhduan gozhdën e fundit në arkivolin e koalicionit qeverisës i kryesuar nga kryeministri Hashim Thaçi, kapitali politik i të cilit u lëkund në fund të shtatorit, pasi partneri i tij u largua nga koalicioni, raportoi në mesin e javës së kaluar AFP-ja. Pas vendimit, i cili ishte bërë gjatë një seance të jashtëzakonshme në selinë e parlamentit në Prishtinë, Presidenti i Kosovës në detyrë Jakup Krasniqi shpërndau parlamentin dhe bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme që do të mbahen më 12 dhjetor 2010.
Njerëzit filluan të përdorin fjalën "krizë" , sepse është hera e parë që ka ndodhur në Kosovë. Kjo nuk është e pazakontë për një qeveri koalicioni, por thjesht nuk ka ndodhur më parë
Kali i Caligulës
Senati romak e qeverisi Romën e lashtë për pesë shekuj. Qëllimi i Senatit romak ishte për të qeverisur në përputhje me dëshirat e popullit romak. Ndërtesa në të cilin tubohej Senati "Curia Julia," qëndron në Romë, deri në ditët e sotme. Merreni me mend sa jemi në trend me kohën, kanë bërë turr për ulëse të Kuvendit, sa gjason kjo me Senatin romak? Nuk e di, por zgjedhjet janë dëshira.. Në vitin 27 pes, Cezari Augustus mori zyrtarisht kontrollin e Romës, dhe themeloi Perandorinë Romake. Por Perandorët romak nuk shfuqizuan Senatin. Në vend të kësaj..., Senati romak vazhdoi për të përmbushur detyrat..., duke mos bërë gjë, asgjë...Gjatë Perandorisë Romake, perandori mbante tërë pushtetin. Senati ishte thjesht një shoqëri debatuesish, të zgjedhur nga Perandori, dhe i shërbenin atij, si kënaqësi. Për të provuar këtë shpërthim kënaqësishë, në vitin 39 pas Krishtit, Perandori Caligula caktoi kalin e tij, Incitatus, në Senatin romak.
Ajo që ne po shikojmë këtu në Kosovë, është diçka shumë e ngjashme. Mënyra se si gjërat janë duke shkuar, "Paraja", synimi për pushtet.., do të zgjedhë "udhëheqësit" e rinjë në Kuvend dhe pastaj në qeveri dhe, ata do t'u shërbejnë si kënaqësi atyre që paguajnë, e merreni parasysh.., si u "shitën" pensionistët, ekspertët, "nacionalistët", shqoqëria civile, gazetarucët, të gjithë ata që përulshëm shitnin interesat vitale të vendit, duke i bërë shantazh shtetit, a është ky morali i shoqërisë sot, apo është kjo e ardhmja e Kosovës.
"Para-shumtët" nuk vënë kuaj në Kuvend, atyre u vejnë vetëm patkoj, të bëra nga metali apo nga materialet sintetike të disejnuara në mënyrë moderne, i "gozhdojnë" ata sipas projekteve të porositura, nuk ka ndonjë ndryshim, ua ndërrojnë numrat, brenda ditës ndërrohen partitë politike... për shkak të "koncepteve", "grigjë intelektualësh", athua cili do të ngrehë... më shumë.
Për disa ditë rresht, ne kemi parë se si njerëzit shtyhen njëri pas tjetrit në lista të ngushta duke krijuar stiva partiake, për t'u përpjekur të zgjedhen - të mos zgjedhen, për të zgjidhë problemet personale, në emër të popullit. Tani do të shpenzohen para për të kaluar në sulm, për të gënjyer dhe në reklama teleevizive. "Para-shumtët"do t'i shfrytëzojnë të gjitha makinacionet për t'u "zëvendësuar" në Kuvend, është kohë e shit-blerjes dhe fjalëve të mëdha, vec sa nuk janë shpërndarë ftesat për ahengun patriotik. "Para-shumtët" nuk kanë kujdes kush kend e zëvendëson, për aq kohë sa janë të përpunueshëm, mund edhe të jetë kali i Caligul-ës.
Ne jemi në një pikë kthese në historinë tonë. Çfarë do të jemi? Një qeveri e popullit, nga populli, dhe për popullin? Ose një "diktaturë", e sunduar nga "Perandoria" e parave?
Ne të tjerëve na mbetet të shpresojmë që qeveria e popullit, nga populli, dhe për popullin, do të instalohet në këtë vend.