E marte, 30.04.2024, 10:13 PM (GMT+1)

Mendime

Ervis Isufaj: Ne jemi popull dhe na takon e drejta e vetëvendosjes

E diele, 14.11.2010, 08:53 PM


Ne jemi popull dhe na takon e drejta e vetëvendosjes

 

Nga Ervis Isufaj

 

Çdokush që sadopak njeh historinë e popullit shqiptar përkatësisht historinë e marrëdhënieve serbo-shqiptare, ka të drejtë morale të konstatojë: serbët nuk tregojnë mirëkuptimin e duhur për ndjenjat kombëtare të shqiptarëve, edhe pse shteti serb i ka sjellë padrejtësi të mëdha popullit shqiptar. Qenia kombëtare e shqiptarëve ende nuk është e qetësuar dhe për këtë ende ekzistojnë arsye të shumta objektive historike. Disa intelektualë serbë flasin - e këtë e kemi dëgjuar edhe në bisedat e shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë në Beograd - për pakënaqësinë e popullit serb për shkak se pas Luftës së Dytë Botërore, në Federatën jugosllave, pjesë të këtij populli kanë mbetur të ndara në dy republika: në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci. Por këto republika i takojnë të njëjtit shtet federativ të cilit i takon edhe Republika e Serbisë, në të cilën Serbët janë populli në numër më i madh dhe në të cilin, objektivisht, kanë pozitë mbizotëruese politike. Pas luftërave ballkanike, ndërkaq, populli shqiptar është ndarë në tri shtete: Shqipëri, Serbi dhe Greqi. Me krijimin e Jugosllavisë Federative, shqiptarët janë gjetur të ndarë në tri republika: Serbia, Maqedoni dhe Mal të Zi. Dhe kjo ndarje është bërë, pa dyshim, me qëllim të caktuar: që të copëtohen shqiptarët edhe më shumë dhe ashtu kombëtarisht të dobësohen, të margjinarizohen apo, madje, në rrugë të gjatë historike, të asimilohen. Shqiptarët sot jetojnë në pesë shtete të Ballkanit. Shqiptarët, në numër edhe jo pak, prej disa shekujsh jetojnë edhe në Itali dhe në Turqi. Ka edhe popuj të tjerë në Evropë, por edhe në Ballkan, qënia kombëtare e të cilëve, objektivisht, nuk mund të konsiderohet historikisht e qetësuar, sepse janë të ndara në disa shtete, apo sepse ende nuk kanë shtetet e tyre. Por fatin historik të popullit shqiptar nuk e ka asnjë popull tjetër evropian a ballkanik.

 

Disa intelektualë serbë ankohen - e këta, gjithashtu, kemi pasur rastin t'i dëgjojmë në bisedat e kaluara në Beograd - se kultura serbe sot është e dezintegruar kombëtarisht. Nuk ka dyshim se kjo vetëm në shikim të parë duket ashtu. Kultura serbe, si kulturë e popullit në numër më të madh, jo vetëm se nuk është e dezintegruar, por përmes gjuhës së vet, që është gjuhë e kombit më të madh, objektivisht ka supremaci në marrëdhënie me kulturat e popujve të tjerë në Jugosllavi. Për këtë arsye identiteti serb, në disa pjesë të Jugosllavisë është jashtë Republikës së Serbisë, objektivisht realizohet si sizerenitet kulturor.

 

Po çka për pozitën e kulturës së tyre mund të thonë shqiptarët në Jugosllavi, të cilëve u është bërë i pamundshëm komunikimi me pjesëtarët e kombit të tyre në Shqipëri - natyrisht me diktatin e Serbisë? Çka mund të thonë shqiptarët në Kosovë, të cilëve sot u është bërë e pamundshme komunikimi kulturor me shqiptarët në Maqedoni dhe në Mal të Zi? Çka mund të thonë shqiptarët në Maqedoni të cilëve u janë shkelur të drejtat themelore, sikundër janë e drejta e shkollimit, e drejta e kultivimit të traditës historike dhe kulturore, e drejta e përdorimit të gjuhës amnore e të tjera? Çka mund të thonë shqiptarët në Kosovë historisë dhe kulturës së të cilëve po u kanoset shpata e quajtur dealbanizim, që e kanë farkuar qarqet politike dhe intelektuale serbe me qëllim që t'i krasisin sa më shumë të drejtat kulturore dhe të drejtat e tjera kombëtare të shqiptarëve? Mos janë kufizime të tilla në komunikimin e shqiptarëve në Jugosllavi, me shqiptarët në Shqipëri, kufizime të tilla të të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni dhe kufizime të tilla të të drejtave dhe vetëdijes së shqiptarëve në Kosovë - domethënë mos janë shtypja dhe ndjekjet që u bëhen sot shqiptarëve në Jugosllavi arsye plotësuese që i zvogëlojnë mundësitë, edhe ashtu të pakta, për qetësimin e qenies kombëtare të shqiptarëve?

 

Për të gjitha këto arsye unë do t'i lejoj vetes lirinë, që ju, si intelektual, si kolegë, t'ju pyes: pse në Serbi vazhdon historia e moskuptimit të tillë të ndjenjave kombëtare të shqiptarëve? Mos është ky qëndrim kundërqytetërues ndaj një populli sot? Pse edhe më tej dëshironi të na sundoni? Pse? Duhet ta dini se ne nuk mund të kënaqemi më vetëm me bark të ngrirë, megjithëse as barkun s'e kemi të ngrirë. Ne jemi popull që e meriton lirinë. Ne dëshirojmë të jemi të vetes, të bëjmë jetë të kuptimshme, të vendosim vetë për fatin tonë. Dhe kjo dëshirë, e dini fare mirë, është plotësisht e natyrshme. Të ishte ndryshe do të ishte e panatyrshme. Dhe sikur të mos ua thoshim këtë, nuk do të ishim të sinqertë. A është e nevojshme t'ju përkujtoj se janë të natyrshme, të drejta dhe mroalisht të larta, përpjekjet e çdo populli që të sendërtojë të drejtën e vetëvendosjes - sepse vetëm ashtu mund ta pushtojë lirinë; që të ketë shtetin e vet - sepse vetëm ashtu mund ta mbrojë fatin e vet; të jetojë në demokraci - sepse vetëm ashtu mund t'i zhvillojë plotësisht të gjitha fuqitë e veta krijuese.

 

Këto janë arsyet, kolegë të nderuar, pse dëshira për liri ka imagjinatë jashtëzakonisht të pasur.

 

Duke i shqiptuar këto mendime, besoj, kam theksuar çështjen qëndrore, çështjen e çështjeve prej të cilës, prej zgjidhjes të së cilës, varet qëndrimi i shqiptarëve ndaj serbëve dhe i serbëve ndaj shqiptarëve në Jugosllavi. Por të ndalem këtu…

 

Referuar nga libri -"Populli i ndaluar", Rexhep Qosja



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora