E marte, 30.04.2024, 11:40 PM (GMT+1)

Mendime

Fadil Lushi: Shqipëria natyrale dhe im vëllaçko!

E hene, 15.11.2010, 10:58 PM


SHQIPËRIA NATYRALE  DHE IM  VËLLAÇKO!

 

Nga Fadil LUSHI

 

       Ditë më parë vëllau im, pos tjerash do më thotë: “ A mos vallë dëgjova një llaf nga goja e këtij diplomati  amerikan, William Wallker, kur tha se: “..,unë mendoj se ka arsye të mëdha pse qytetarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë, duhet të flasin për të ardhmen e tyre të përbashkët dhe nëse ata vijnë në përfundimin që bashkimi është diçka që mund të funksionojë, atëherë le të bëhet”! A mos vallë e dëgjova  si tamam llaf, si llaf “jallan” apo në instancë të fundit isha “jerm”. Ky im vëllaçko, në komunikimin e tij, asnjëherë nuk ka mëtuar të hiqet apo të shtiret patriot.., por ama, tha se nëse Wallkeri, këto llafe i ka “jallane” atëherë, i  qoftë haram respekti  i ynë i deritanishëm karshi figurës politike dhe diplomatike të tij.  Këtë paragraf, do më duhet  ta vazhdoj në fund të këtij shkrimi.

     Të nderuar lexonjës të paanshëm, në këtë shkrim timin do bëj përpjekje që opinionet e mia mos të kuptohen si folkpatriotike, historike, balliste dhe as narrative. Thjeshtë, dëshiroj që të perceptohen vetëm si një qasje gazetareske, ndaj nocionit “Shqipëri e Madhe”? Shqipëria e Madhe si nocion politik, egziston që nga koha e përfundimit të punimeve të Konferencës së Londrës kur edhe caktohen kufijtë  artificial të Shqipërisë politike. Është një shprehje pseudoshkencore dhe pseudopolitike, njëkohësisht është një nocion që në vijimësi, skajshëm do të himnizohet deri në atë shkallë saqë në fund do të viktimizohet si i tillë. Ky nocion politik, duke qenë produkt i mendimit shovinist të shteteve përreth Shqipërisë politike, është përdorur atëherë kur shqiptarët kanë bërë përpjekje të rishikojnë vendimet e gjithfarë marrëveshjesh, konferencash, (jo) paqash e tjerë evenimentesh (jo) politike. Ajo do të përdoret si shprehje edhe gjatë gjykimeve politike të montuara gjithandej ku frymojnë shqiptarë. Armiqtë e shqiptarëve, këtë nocion e kanë nxjerrë  në pazar gjithmonë kur kanë hetuar rrezikun nga rishikimi i lashtësisë dhe trashëgimisë gjeografike, ndonëse gjithmonë kanë qenë të ndërgjegjshëm se ky emërtim, asnjëherë nuk ka qenë pjesë e agjendës së politikës botore të Shqipërisë. Tekefundit, ky emër me një të tillë “bishtalec” nuk e favorizon politikën afatgjate të shqiptarëve, sepse  është një shprehje dehumanizuese dhe deemancipuese.

      Të thuash Shqipëri e Madhe do të thotë: të zaptosh toka që nuk janë në tapinë tënde. Kjo ide lere që nuk përkrahet nga politika globale, por nuk gjen vend as në fjalorin politik të shtetit amë. Kryevlera universale e shqiptarëve, nuk konsiston në krijimin e një Shqipërie të Madhe. Përkundrazi, ajo kryevlerë do të konsistojë në ribashkimin politik dhe gjeografik të tyre rreth një kryeqendre..,rreth anit. Shqiptarët e shkapërderdhur gjithandej janë i vetmi komb që kanë një identitet të përbashkët..,por është edhe i vetmi komb në botë, që ballafaqohet me një konfiguracion skajshëm të denigruar, me një gjeografi  jobiologjike, një komb që gjithmonë është kufizuar me avllinë e vet. Për këtë dhe arsye  tjera, edha pas kushedi sa vitesh, ata kanë të drejtë të vazhdojnë rrugëtimin drejt kërkimit të tokave të zaptuara. Ky udhëtim i tyre do të perceptohet si një..,udhëtim human, emancipues dhe gjithsesi  krijues..,si ai udhëtimi i dikurshëm i Abrahamit! Aktorë të këtij udhëtimi do të jenë të gjithë ata që kanë hise në retrospektivën e tyre të arkivuar që nga koha e Konferencës së Londrës. Kundërshtarët gojëkëqinjë, këtë udhëtim të shqiptarëve, në kërkim të kufijve të Shqipërisë Natyrale, do ta konceptojnë si një ekskursion irredentist, shovinist, nacionalist dhe në fund si një shëtitje utopike të tyre. Por, ky udhëtim krijues, ka për qëllim gjetjen e kryepasurisë-tokës së tyre të grabitur padrejtësisht nga hordhitë dhe bandat katundareske të egra dhe gjakatare. Krijimi i Shqipërisë të Madhe ka lidhje shkakësore objektive. Një ndër ato lidhje është, integrimi i Shqipërisë në NATO, mandej mëvetësimi i Kosovës, ndërtimi i rrugës së kombit, moszgjidhja e emrit dhe mospranimi  i Maqedonisë në NATO, shqetësimet dhe lelashet diplomatike të Greqisë ndaj çështjes së Çamërisë, ndaj çështjes së varrezave të tyre në hapësirat shqiptare si dhe problemi i Luginës së Preshevës, një broblem që në vijimësi e ka sikletosur politikën shoviniste dhe djallëzore serbe, që nga koha e Çubrilloviqit si dhe, çështje e aspekte tjera konfiguriale dhe historike!

     Krijimi i Shqipërisë Natyrale nuk do të varet nga asnjë shtet fqinjë i sajë. Ajo nuk do të varet  as nga bartësit e politikës institucionale shqiptare, në veçanti, nga trekëndëshi  politik Tiranë-Prishtinë-Tetovë, sepse intimisht asnjë politikan, po qoftë të jet edhe  bartës i funksioneve të larta nuk e dëshiron këtë bashkim, nga fakti se një, bashkim i tillë të gjithëve do t”ua  prishte  rehatinë dhe hesapet në ndërtimin e mëtutjeshëm të karrierës së tyre politike. Për këtë, ndërtuesit e kësaj ideje të lartë fisnike, asnjëherë nuk do të kërkojnë ndihmën e tyre. S’do mend, se ky proces do ta ketë mbështetjen morale e materiale të gjithë atyre që mëtojnë ta realizojnë këtë ide fisnike dhe popullore, veçanarisht do ta kenë përkrahjen e SHBA-ve, karshi një sfide të tyre të papërfunduar. Nëse nocioni i Shqipërisë së Madhe me të drejtë ka qenë e kapitur atëherë, nocioni i Shqipërisë Natyrale, gjithsesi  nuk mund të abuzohet, denigrohet dhe tjetërsohet. Nuk mund të tjetërsohet sepse është prona jonë morale, prona e ndërgjegjes sonë politike, prona e trashëgimisë sonë kombëtare, prona e Lidhjes së Parë dhe të Dytë të Prizrenit, pronë e Abdyl  bej Frashërit, Xhafer Devës, Rexhep Mitrovicës,  Bedri bej Pejanit, Asllan Boletinit (i biri i Isa Boletinit) Ahmet Vehap Lushit, Gajur Derrallës, Lukë Simon Mjedës, Musa Sheh Zades dhe, shumë figurave tjerë patriotike. Në instancë të fundit, nocioni Shqipëria Natyrale nuk është as mit, as gojëdhënë, as trillim. Thjeshtë është një realitet historik, një realitet i ri shqiptar në Gadishullin Ilirik.

     Megjithatë, me krijimin e Shqipërisë Natyrale, do krijohen edhe probleme ndërshqiptare-jonatyrale, sidomos  ndërmjet politikanëve urban  dhe provincial. Shi për këtë shkak, politikanët kosovarë do kërkojnë postin e Kryetarit të Parlamentit, ata të Maqedonisë ndoshta do kërkojnë postin e Presidentit të shtetit të Shqipërisë Natyrale, një president, që do të jetë i sajdisur nga të gjithë shqiptarët,  ata nga Lugina e Preshevës, do kërkojnë postin e Ministrit për Punë Botore, çamët do kërkojnë postin e Ministrit për Punë të Brendshme nga fakti se gjatë kohë kanë qenë jashtë anit..,shqiptarët nga Mali i Zi do kërkojnë Ministrinë për Komunikacion, Lidhje dhe Turizëm, ndërkaq politikanët e Shqipërisë do mëtojnë (me të gjitha forcat) t’i zaptojnë (toptan) postet kushtetuese. Do të thonë: “..,ne duhet të kemi pozita më të privilegjuara”!? Dhe nëse kështu do lëvizin punët atëherë, qytetarët gjegjësisht shqiptarët e Shtetit të Shqipërisë Natyrale, s’do mend se punët do t’i kenë si  leshi  i arapit? Dhashtë Zoti, që kjo ide mos të jetë një gënjeshtër e radhës shqiptare, siç i ndodhte dikur Jake La Mottos: “Familja ime ishte e varfër sa çdo Vit të Ri, im at dilte nga shtëpia dhe shtinte disa herë në ajër me pistoletë. Pastaj kthehej, dhe neve, (shqiptarëve jashtë anit, nënvizim i im) fëmijëve na thoshte se Babagjyshi i Vitit të Ri kishte vrarë veten”!?

      Të nderuar lexues, do më duhet që ta përfundoj paragrafin që ju premtova se do e përmbyll në fund të shkrimit..,vëllai i im Dauti, megjithatë një pjesë të kosideratës së tij ndaj diplomatit amerikan do i ja “bëj haram”, sepse në përgjigjet  e tij (pos shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë)  nuk i kishte përmendur edhe këta të Maqedonisë, Luginës, Çamërisë dhe Malit të Zi? Nëse kjo ide nuk realizohet atëherë, im vëllaçko tok me mua, do bërtasë me zemërim: “Rroftë Shqypënia e Madhe,  pa ujë e pa rrymë”!???    Këtë shkrim ua dedikoj prindërve të mij, në veçanti NËNËS NAZË..,NËNËS NAZMIJE.  P.S.  Disa paragrafe që hetohen në këtë opinion,  janë huazuar nga një shkrim i im paraprak.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora