Mendime
SHSHA, Çikago: Esat Pasha ka zbritur në Tetovë (!)
E shtune, 20.11.2010, 08:57 PM
Liria e shtypit në Maqedoni
Esat Pasha ka zbritur në Tetovë (!)
Reagim i SHSHA-së, Çikago, 30 shtator 2007
Subjektet politike shqiptare në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni kanë bërë gabime të rënda historike, duke e anashkaluar pozicionin dhe të drejtat e kombit shqiptar, përmes "kodit" të koalicionit me subjektin politik maqedonas.
Ka kohë që fenomeni Menduh Thaqi tashmë është bërë metafora e së keqës në Maqedoni. Ky njeri me aventurat e tij që në skenën politike e solli rastësia dhe rrugaçeria e tij, siç do te shprehej publicisti Kim Mehmeti, po ndërton udhën e ndarjes dhe të humbjes së perspektivës së kombit shqiptar në Maqedoni, ku shqiptarët do të duhej të gëzojnë hisën e vet shtetformuese dhe të drejtat tjera për jetë, punë, shkollim dhe ruajtjen e traditës së lashtë shqiptare. Me sjelljet "kryengritëse" të Menduh Thaqit tash sa vjet rresht pranë PDSH-së dhe me retorikën e tij si "zengjin i madh" (sic!!!) në Tetovë, ka krijuar dilemën e madhe: Këtij njeriu me belbezimet e tij në politikën shqiptare a i dihet babai...?! Për çudinë tonë, edhe sot, në qarqet shqiptare flitet se Menduh Thaqi u bë "zengjini i madh i Tetovës...(??!!). Dhe, duke u ngjitur lart me (pa) "pasurinë" e tij të përfituar diçka dhe me ndihmën e pushtetit, M.Thaqi tani e ka dorën e fortë edhe me pasuri, edhe në politikën shqiptare (sic!!!).
E gjithë kjo tregon qarte se, kur kalit i shtohet tagjia, atij jo vetëm që i trashet qafa, por fillon edhe të kafshojë, të qet shkelma duke i goditur të gjithë të tjerët pa e prishur tallazin e vet...! Ajo që ndodhi para pak ditësh në Parlamentin e Maqedonisë, kur Menduh Thaqi (për fatin e keq dhe tragjik të kombit shqiptar) tash si kryetar i PDSH-së, në sallën parlamentare dhe në prezencën e palës tjetër, pikërisht para koalicionit VMRO-DPMNE, i grushtoi dhe i kapi për fyti vëllezërit e vet duke i kërcënuar dhe fyer me fjalët më të rënda. Edhe më e keqja, Menduh Aga, nuk e kurseu as deputeten shqiptare të BDI-së Teuta Arifin. Vërtet turp i kohës shqiptare...! Dhe, kësaj i thonë lehtë e ka Menduh Thaqi me vëllezërit e tij parlamentarë (BDI-së). Ata ai mund t'i shajë, t'i grushtojë, t'ua mohojë bashkëveprimin politik për kauzën e kombit shqiptar. Mirëpo, kur Presidenti i Republikës se Maqedonise Branko Crvenkovski iu kërcenua Menduh Thaqit (...) "unë t'kalli me tërë të gjallët që keni..." (sic!!!), ai e uli kokën me paturpësinë e tij se në "politikë" hahen të gjitha gjellërat me kripë dhe pa kripë...!
Mendoj se ka ardhur koha qe t'i thuhet ndal Menduh Thaqit! Me sjelljet, ndesh çeshtjes shqiptare, në këtë vend tregojnë qartë se elektorati shqiptar duke filluar që nga Kumanova e deri në Dibër, duhet të mendojnë që për fenomenin Menuh Thaqi apo alias Esat Pashë Toptani ka zbritur në Tetovë(!) të shqyrtojë me nguti marrjen e mandatit te tij elektoral dhe të gjithë atyre që e kanë harruar përgjegjësinë para kombit shqiptare në Maqedoni. Dhe, deri kur do t'na përseritët historia e Esat Pashë Toptanëve?! Kujtojmë se është e kohës të përmendet përbuzja dhe mospërfillja e aktivitetit të intelektualëve tanë në jetën politike shqiptare. Ata, tashmë, janë forca dhe drejtimi i udhës së madhe kombëtare për të gjitha qasjet aktuale sot e këtu. Duke u mbështetur në rrethanat e krijuara nga ana e subjektit politik shqiptar të prirë nga PDSH-ja dhe (Agë) Thaqi, mendojmë që sa më parë të krijohet Levizja Intelektuale Demokratike Shqiptare në Maqedoni, e cila mund të marrë mbi vete përgjegjesinë e madhe kombëtare. Partite politike shqiptare si PDSH-ja me Thaqin, që tashmë me diagnozën dhe anamnezën e sëmundjes së TBC-së (sic!!!), të largohen nga skena politike dhe kjo për të mirën dhe ardhmërinë e kombit shqiptar në Maqedoni.
Së këndejmi, me programin e vet PDSH-ja dhe me trashegimtarin që e la pas vetes Arbër Xhaferi, njeriun problematik dhe vagabondin e rrugëve të Tetovës, nuk i falet përgjegjësia e tij historike. Ku ishte Arbër Xhaferi me platformën e tij politike (PDSH), që nuk ua zgjati dorën intelektualëve të mirëfilltë shqiptarë për të krijuar me kohë rrafshin e ri demokratik dhe të profilit të një partie autoritative që do të ruante drejtpeshimin dhe synimet tona për të ardhmen kombëtare. Pse në këto vite, në rrethin virtual e solli pranë vetes dhe tashti në krye të PDSH-së njeriun më problematik dhe të dyshimtë, pa taban intelektual e besa as kombëtar. Thaqi është në tallazin e jetës së vet, me synimin se si të pasurohet më shumë dhe të bëhet (zengjini i madh i Tetovës) (sic!!!!) e sa për kombin dhe rreshtat e gjatë të mërgimtarëve që po e lanë truallin e tyre për kafshatën e bukës së mërgimit, këtij njeriu as që i bëhet ndonjëherë vonë! E gjithë kjo tregon qartë se, subjektet politike në Shqipëri, Kosovë dhe gjithandej në trojet tona të etnisë, njeriut pa kurriz kombëtar dhe politik si ky i Menduh Thaqit, të ndalohet hyrja dhe çfarëdo bashkëpunimi me të. Vellai i madh, po i referohem një mendimi të A.Demaqit, duhet të qortojë rrepte vellain e vogël...!!!
Në gjithë fokusin politik dhe ndarjet e skajshme të subjektit politik shqiptar në Maqedoni, tregon qartë se kriza politike Thaqi duhet të rrumbullakohet me shpalljet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në të gjitha nivelet. Përkitazi me këtë duhet që elektorati shqiptare t'ia marrë mandatin Menduh Thaqit dhe gjithë atyre që i dolën në krah të keqes dhe vijës së primitivizmit anadollak. Kur subjekti politik shqiptar luan role cirku, të tjerët i fërkojnë duart dhe u shkon buza në gaz që sa më shumë t'u ndalet rrugëtimi i shqiptarëve drejt hapësirave të reja demokratike dhe kombëtare. Fare në fund kujtojmë, se është e nevojshme që subjektet politike shqiptare në Maqedoni të mendojnë mirë, që në Parlamentin e ardhshëm zgjedhor të Maqedonisë të shkojnë si grup i përbashkët parlamentar shqiptar e jo përmes "kodit" të koalicionit me subjektin politik maqedonas.
Kryetari i Shoqatës, Prof.Dr. Astrit MEHMETI
Drejtori Ekzekutiv, Prof. Skënder KARAÇICA
Sekretari, Mahmut SKËNDERI